Zgjedhjet 2019

Zyrtarët institucionalë s’paraqiten në punë, dalin në terren për të kërkuar vota

Që nga shpallja e datës së zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, efikasiteti i punës në institucionet qendrore dhe lokale ka rënë dukshëm, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre, ndikimi i zgjedhjeve në punën dhe efikasitetin e institucioneve është rritur dukshëm, pasi që zyrtarët, si ata komunalë ashtu edhe ata të qeverisë në largim, janë vënë në garë për të siguruar vota për partitë që përfaqësojnë.

Sipas shoqërisë civile, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, është evidente edhe mosparaqitja e zyrtarëve në vendet e tyre të punës, fakt ky që besohet se “e dëshmon politizimin e institucioneve në Kosovë”.

Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe do të zgjasë dhjetë ditë. Por, partitë dhe koalicionet qysh tash kanë nisur aktivitet zgjedhore, si dhe kanë dalë me emrat e kandidatëve të tyre për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Drejtori i Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka kritikuar zyrtarët e institucioneve nga radhët e partive politike që po marrin pjesë në aktivitete të ndryshme zgjedhore, duke thënë se ata po lënë anash punët, detyrat dhe obligimet ligjore që i kanë.

“Ky është tregues se sa është e politizuar administrata publike. Dhe kjo është arsyeja kryesore që organizata ‘Çohu’ kërkon që kjo administratë të depolitizohet dhe të mos jetë e ndikuar nga partitë politike, për shkak se në momentin kur shpallen zgjedhjet, një pjesë e madhe e stafit është e angazhuar nëpër fushata të partive politike. Kjo në masë të madhe mund të dëmtojë edhe punën e institucioneve, pasi që ata nuk paraqiten në zyrat e tyre për të përfunduar punët që ju takojnë, duke vrapuar në terren në tentativë që të sigurojnë vota për partitë politike që ata u përkasin”, tha Demhasaj.

Edhe Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se pjesëmarrja e zyrtarëve shtetërorë nëpër aktivitete zgjedhore, madje ende pa filluar zyrtarisht fushata, janë të dëmshme për institucionet dhe performancën e tyre.

Ajo e cilëson si joetike kandidimin e disa kryetarëve të komunave për pozitën e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë