Zgjedhjet 2019

Veseli shprehet krenar me listën e PDK-së, ku janë edhe dy të akuzuar

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, është shprehur krenar me Partinë Demokratike të Kosovës, që, siç ka thënë, po ia ofron vendit njerëzit më të zotë, ata që bartin sukseset e së kaluarës dhe të rinjtë që kanë vizon për të ardhmen.

“Lista jonë e deputetëve është një listë që do t’i fitojë zgjedhjet, do ta luftojë korrupsionin, do t’i mbajë të rinjtë këtu dhe do ta ndërtojë të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Megjithatë, Veseli nuk ka përmendur se në listën e 110 kandidatëve ka edhe dy të akuzuar, Xhavit Halitin e Mërgim Lushtakun, ndonëse të dy nuk kanë aktakuza për korrupsion, nepotizëm apo keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lexo edhe: Megjithatë, në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë ka të akuzuar

Veseli, ka ripërsëritur se “më shumë se gjysma e kandidatëve garojnë për herë të parë, ndërsa më shumë se 40 janë të rinj e të reja.

“Dhe askush me aktakuza për korrupsion. Kjo listë flet edhe për reformat në PDK. Prandaj, jam shumë krenar. Faleminderit nga zemra të gjithëve për mbështetjen në Konventën Festive që patëm mbrëmë. Do të mbetet e paharrueshme për mua”, ka thënë Veseli.

Lexo edhe: Veseli thumbon kundërshtarët në fjalimin inaugurues si kandidat për kryeministër