Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, për të treguar se janë të gatshëm për zgjedhje.
E Ahmeti ka thënë se nuk do ta nënshkruajnë paktin e propozuar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Ai ka thënë se PSD nuk e nënshkruan këtë pakt, derisa ka kritikuar PDK-në si shkaktaren kryesore të korrupsionit.
“PSD nuk do ta nënshkruaj këtë që e ka paraqitë PDK-ja. PDK nuk është në kurrfarë pozite për me paraqitë standard për korrupsion. Ata duhet të përgjigjen për dëmet që ia kanë bërë Kosovës”, ka theksuar Ahmeti.
Ndërsa Ramush Haradinaj duke folur rreth ofertës së PDK-së për të nënshkruar “Paktin kundër-korrupsion”, ka thënë se askush nuk e ka penguar luftimin e korrupsionit në Kosovë qe 20 vjet.
“Ne po punojmë që t’i fitojmë zgjedhjet me një koncept qeverisës, nuk është koha e ofertave të tilla, nuk është në rregull kjo qasje”, ka thënë Haradinaj.
“Korrupsioni në Kosovë është prezent qe 20 vjet. Është e pakuptimtë që dikush në fushatë me dal në oferta të tilla. Askush nuk na ka ndalë qe 20 vjet që ta luftojmë korrupsionin”, ka theksuar Haradinaj në konferencë.
Ahmeti, ka thënë se koalicioni AAK-PSD është pretendenti kryesor për t’i fituar zgjedhjet e 6 tetorit.
“Sinergjia që është krijuar në degë, u vërejt edhe ditëve të fundit por edhe sot. Jemi të përgatitur për këtë sfidë dhe jemi pretendenti kryesor për t’i fituar zgjedhjet”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka theksuar se koalicioni është një bashkëpunim komplementar.
“Aleanca dhe PSD-ja nuk janë në garë ndërmjet vetes. Jemi gati për tubimin e parë dhe për listën e kandidatëve të cilën do ta dorëzojmë më 7 shtator”, ka theksuar ai në konferencën e përbashkët me Haradinajn.