Mali i Zi: Përplasjet e ëmbla mes së vjetrës dhe së resë

Të gjitha takimet e të dashuruarve, të punës apo miqësore dikur kanë nisur në këtë vend. Tarraca e njohur e hotelit të atëhershëm “Mali i Zi”, një lloj kafeneje e qytetit, ishte vendtakim për të gjitha gjeneratat e podgoricasve, por edhe vend i preferuar në të cilin haheshin ëmbëlsirat.
“Atëherë kur ishte hoteli ‘Mali i Zi’ unë këtu isha në praktikë dhe shumë mirë i di ato ëmbëlsira, vija pikërisht për ato ëmbëlsira që t’i provoja me shoqet, por ato ishin definitivisht kockat apo rigojanët, siç quheshin ndryshe ato ëmbëlsira. Pastaj kishte shpinë dreri, bakllava, hurmashicë, tullumba, përzhutë, dhe disa ëmbëlsira të tjera...”,ka thënë Slagjana Shoq, shefe e kuzhinës.
Një prej simboleve të Titogradit, apo të Podgoricës moderne, ka shkuar në harresë, por jo edhe specialiteti i njohur që edhe sot i reziston konkurrencës.
“Kjo në fakt ishte akullorja për të cilën kemi qenë të njohur, ishte akullorja e shtëpisë. Ajo përbëhet prej qumështit, vezëve, sheqerit dhe vaniljes. Sipas asaj akulloreje, ne definitivisht jemi bërë të njohur dhe hoteli i vjetër ‘Mali i Zi’ ishte po ashtu i njohur. Ne këtë e kemi ruajtur”, ka thënë ajo.
Për këtë më së miri dëshmon shefi i ëmbëltores në këtë zinxhir të njohur hotelesh, që ka punuar në hotelin e dikurshëm “Mali i Zi”.
“Ne i bëjmë ato akullore tradicionale ashtu si ishin në hotelin e vjetër, recetat e njëjta, gjithçka njëjtë, asgjë nuk ka ndryshuar. A kërkohet njëjtë si dikur? Po, me atë që tani edhe dimrit e kërkojnë, shumë shkon akullorja”, ka thënë Zoran Jankoviq, shefi ëmbëltores.
Si kuzhinier shumëvjeçar i ëmbëlsirave Zorani ka krijuar dhe provuar ëmbëlsira të panumërta...
Gazetari: Si ishte të gatuaje ëmbëlsira në hotelin e atëhershëm “Mali i Zi” dhe si është sot? Cili është dallimi?
“Po, kishte më shumë punëtorë, dhe asokohe unë mësoja... atëherë ishte pak më vështirë, sepse sa kisha nisur të punoja, ndërsa sot unë megjithatë i kam mësuar bazat dhe është pakëz më lehtë”, ka thënë Jankoviq.
Gazetari: Çfarë ëmbëlsirash gatuheshin atëherë dhe çfarë sot?
Jankoviq: Asokohe ishin tullumbat e njohur, të mëdhenj...
Gazetari: Dhe a haheshin ata më së shumti në Mal të ZI?
Jankoviq: Po gjithçka hahej, kockat, përzhutat, tollumbat, gjithçka shkonte, bakllavatë, hurmashicat, ishlerët...
Kur vendosnin çka do të ketë në ofertë të ëmbëlsirave të hotelit të ri, shefja e kuzhinës tha se përpiqeshin që të kënaqnin shijet e secilit dhe t’i përshtateshin kohës moderne.
“Me kohë na janë ndërruar shijet, jo vetëm sa i përket ushqimit, por edhe gardërobës dhe enterierit, eksterierit, kështu që ne sa i përket shijes është dashur t’i kënaqnim mysafirët, të jemi sa më të shumëllojshëm dhe sa më kualitativë, kemi menduar se kemi mysafirë që nuk konsumojnë sheqer ndërsa i duan ëmbëlsirat, andaj dhe kemi përfshirë disa ëmbëlsira vegane, pa sheqer, dhe këto janë në bazë të mjedrës dhe kemi edhe në bazë të kakaos dhe avokados”, ka thënë Slagjana Shoq.
Ëmbëlsirat tradicionale nuk i kanë mbajtur në menynë kryesore, por ato edhe më tutje shërbehen përmes bufesë apo dhe tavolinës suedeze dhe në festa. Ofertën e tanishme të ëmbël të hotelit e përbëjnë shijet dhe aromat nga anët e ndryshme të botës.
“Këtu e kemi një ëmbëlsirë shumë kualitative që përbëhet nga tri lloje të çokollatës belge, dhe unë e preferoj gjithë këtë, sepse janë shumë kualitativë përbërësit në këto ëmbëlsira, kështu që mund të them se, sipas shijes sime, këto janë ëmbëlsira më kualitative. Këtu kemi “White Lady”, kjo është “Zonja e bardhë”, që është me çokollatë të bardhë dhe me mjedër. Pastaj kemi “Cheese Cake” me lajthi të pjekur, pastaj kemi shije nga Japonia, ku është i përfaqësuar çaji “Macha”, kemi dhe ëmbëlsirë karameleje, top karamele, që është me kikirikë dhe kemi “Raw Cake”, që është, siç e thashë, ëmbëlsirë me tri lloje të çokollatës, kemi dhe bakllavanë, ndërsa kohë pas kohe e shtojmë edhe një ëmbëlsirë tjetër varësisht prej ditës. Bakllavaja, ishte kjo ëmbëlsira më e preferuar në hotelin e dikurshëm “Mali i Zi”? Kjo bakllava është punuar sipas recetës që e bën me mbushje pak më ndryshe, përdorim dhe fëstëk dhe nuk përdorim arra”, ka thënë ajo.
Kur Zorani kishte nisur të punonte, përbërësit që tani gjenden në ëmbëlsirat më të kërkuara nuk mund të gjendeshin apo të bliheshin në Mal të ZI atëherë.
Gazetari: E keni pasur vështirë, ja pra, e di që në disa prej tyre përdoret marakuja, mëlmesat japoneze, e keni pasur të vështirë që këto t’i bëni pas tollumbave, kockave të akullta, etj.?
Jankoviq: Po jo, sepse kur i dini bazat, atëherë vetëm shkoni tutje, mbindërtoni dijen tuaj, dhe kaq është puna aty.
Gazetari: Sa vjet ka që jeni në këtë punë?
Jankoviq: Po ja, ka 20 vjet sigurisht.
Gazetari: A ju është bërë e mërzitshme të gatuani ëmbëlsira?
Jankoviq: Paj, jo.
Gazetari: E keni qejf t’i hani?
Jankoviq: Pak, mërzitesh, kur gatuhen kaq shumë… por i provoj. Kur gatuan diçka s’ke çare pa e provuar.
Edhe pse shpesh ëmbëlsirat dhe tortat bëhen sipas porosisë, Slagjana thotë se podgoricasit, por edhe mysafirët e tjerë më shumë duan të vijnë në hotel dhe të hanë diç ëmbël.
“Definitivisht ka njerëz që konkretisht vijnë veç për akullore, ndërsa ka edhe që vijnë për ëmbëlsira. Kjo më së miri shihet sipas numrit të ëmbëlsirave që shiten për çdo ditë”, ka thënë Shoq
Edhe pse kriza me koronën ka ndikuar në të gjithë, prandaj edhe në turizëm dhe në punën e hotelit, adhuruesit e ëmbëlsirave nuk çajnë kokën shumë për të.
“Ata që i duan ëmbëlsirat, ata nuk heqin dorë prej tyre”, ka shtuar ajo.
Pikërisht në hotelin e dikurshëm “Mali i Zi”, Slavka Pecoviq me bashkëshortin ka nisur karrierën e saj me pastiçeri. Me gjithë kohën e vështirë, ata kanë nisur biznesin e tyre, që tashti udhëhiqet nga djemtë.
“Kemi punuar të dy, edhe burri, edhe unë, në hotelin ‘Mali i Zi’. Unë jam krenare me dy djemtë e mi që e kanë vazhduar traditën familjare, dhe mendoj se kjo do të vazhdojë edhe gjatë”, ka thënë Slavka Pecoviq, themeluese e ëmbëltores.
E vetëdijshme se sa e madhe është sfida e mbijetesës në cilindo treg, Slavka beson në një të ardhme të ndritur
“T’ju them të drejtën, vështirë ka qenë edhe atëherë, e është edhe sot, mjaft janë hapur, por ata janë profesionistë, andaj dhe mirë është, mirë është, konkurrenca është e madhe, por ata përparojnë dhe unë jam e kënaqur…”, ka thënë Pecoviq.
Nga ndërmarrja ndërtimore, Suzana ka ardhur në ëmbëltore që të mësojë dhe aty ka mbetur
“Në fillim kisha tremë, por nga dashuria për kuzhinën u përshtata dhe shumë e dua këtë punë. Ëmbëltorja ekziston që nga viti 1968, që do të thotë qe 52 vjet dhe shkon kah 53. Ndërsa unë punoj, në shtator bëhen 20 vjet”, ka thënë Suzana Ristov, punëtore në ëmbëltore.
Në fillim ka gatuar ëmbëlsira tradicionale, shumë të kërkuara në atë kohë, por ato sot nuk mund të gjenden në ëmbëltoren e tyre
“Ato ëmbëlsira ishin ishlerët, rum torta, fryma spanjolle, rigojanët, apo edhe kocka prej çokollatës”, ka thënë ajo.
Ëmbëltoren në të cilën punon Suzana ajo e përshkruan si një laborator të vogël, ku vazhdimisht bëhen eksperimente në kërkim të delikatesave të reja. Ata kujdesen për shijet e të rinjve, por edhe të më të vjetërve të cilët duke udhëtuar nëpër botë kanë provuar gjëra të ndryshme.
“Të gjitha ëmbëlsirat tona janë autentike, përpiqemi që të punojmë sa më shumë me produkte vendore, pra me përbërësit, dhe kalon ndonjëherë edhe një muaj, dy apo tre derisa vijmë tek ëmbëlsira e përkryer, që sigurisht se si ekip e provojmë dhe vendosim nëse do të shkojë në shitje”, ka thënë ajo.
Kështu ata e kanë krijuar “Vesën e mjaltit” – një ëmbëlsirë që është kombinim i tradicionales dhe modernes
“Lidhje e hurmashicës, tufahisë dhe kremit nga çokollata e bardhë, lart është dekorimi i bërë nga fletët e holla të prera të mollës dhe xhelatinës bimore dhe salcës neutrale”, ka thënë Suzana Ristov.
Ata kanë çka t’u ofrojnë edhe atyre që më shumë i duan ëmbëlsirat moderne sesa ato tradicionale
“Kemi tofi me karamele e çokollatë dhe me mbulesë prej karameleje, ferrero, donatello – krem prej çokollatës së bardhë me shtesë kokosi, tortën dijana me çokollatë dhe lajthi dhe me mbulesë prej çokollatës, krempitet, tortën mozart me fëstëk, çokollatë dhe marcipan, tortë delizicë me badema, zaher tortë”, ka thënë ajo.
Ky dyqan familjar është stacion i shpeshtë i adhuruesve të ëmbëlsirave, ndërsa për çdo ditë aty porositen ëmbëlsira dhe torte për raste të ndryshme. Vizitohet edhe nga të rinjtë dhe nga më të vjetrit.
“Prej 7 deri në 77 vjeç, tekstualisht për secilin ka diçka, për më të rinjtë ka torte për ditëlindje, ëmbëlsira, byrek, e gjëra të tilla... e për më të vjetrit kur ka dasma, ka torte dasmash, për përvjetorë martesash, pra mund t’i përcjellim të gjithë dhe të gjithë janë njëjtë për ne”, ka thënë ajo.
Ky ekip me përvojë prej dekadash ua ëmbëlson përditshmërinë podgoricasve, falë punës së vyeshme, por edhe entuziazmit.
“Gjithmonë ka diçka të re, ose vizita në panairet e ëmbëlsirave, pra ne i shikojmë vendet e tjera, shtetet e tjera, ëmbëltoret nga vendet e tjera, shoqërohemi me ta, kështu që gjithmonë diç e re na stimulon, diç të re e provojmë dhe e mësojmë”, ka thënë ajo..
Gazetari: Pra, edhe në këtë punë si në secilën dashuria është më e rëndësishmja, është ashtu?
Ristov: Po, sigurisht, sepse asgjë nuk mund të bëni nëse nuk keni dashuri dhe vullnet për sukses.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.