BeH: Mes Lindjes dhe Perëndimit

Askund në botë nuk ekziston një qytet si Sarajeva. Bashkim i Lindjes dhe Perëndimit. Bashkim i arkitekturës dhe kulturës.
“Këto janë shenja historike të cilat prej këtij qyteti kanë ndërtuar një identitet. Sepse ka pak qytete në botë si Sarajeva në të cilat preket ajo lidhje e famshme Lindje-Perëndim. Dhe kjo nuk është veç një rrëfim, por është e vërtetë që ndihet në këtë qytet. Në hapësirë të vogël në këtë qytet, me kalimin nga Çarshia deri te katedralja, ti kalon prej Lindjes në Perëndim”, ka thënë Amir Vuk Zec, arkitekt.
Por nëse kthehemi në të kaluarën, kjo arkitekturë e veçantë boshnjake kryesisht është zhvilluar nën ndikimin e katër periudhave kryesore zhvillimore, në të cilat ndryshimet politike kanë ndikuar në krijimin dhe zhvillimin e arkitekturave specifike. Secila periudhë në mënyrë autentike ka lënë vulën e vet në arkitekturë. Prej periudhës së Romës antike kanë mbetur ngrehina, por edhe nga koha e Mesjetës.
“Atëherë ishte ky ndërtim kur ngriheshin fortesa, posaçërisht një prej fortesave sarajevase ishte në Tabinë e Bardhë. Ajo është e ashtuquajtur mesjetare, e cila ishte aty në kohën e ardhjes së otomanëve. Jetonte asokohe popullata në Sarajevë, dhe qëllimi ishte që qyteti të mbrohej, pikërisht kjo fortesë prej guri është dëshmi e asaj kohe. Ka qenë impozante. Ata që kanë kaluar nëpër Sarajevë ishin të mahnitur me atë kullë mesjetare, dhe ky është një lloj themeli i Sarajevës, i cili neve, gjeneratës sonë, do të na e lërë në amanet këtë lokacion”, ka thënë arkitekti, Mufid Gribija.
Dhe kështu Sarajeva ka mahnitur qysh në Mesjetë. Ka vazhduar të ndërtohet, ka marrë pamjen e qytetit, ka bartur vulën e vet dhe unitetin që sot është i veçantë. Me ardhjen e otomanëve nis zhvillimi urbanistik i Sarajevës, ndërsa vetë Isa Beg Ishakoviq e shndërron këtë kasaba në një qytet.
“Këto kryesisht ishin struktura prej guri, sikur hani i Kolobarit, e më vonë ai do të ndërtojë edhe xhaminë e parë dhe teqenë e parë, përkatësisht xhaminë e mbretit. Dhe aty do të ndërtojë një hamam, dhe kështu u krijuan kushtet që Sarajeva ngadalë të nisë një zhvillim më të madh. Pastaj bëhet joshëse edhe për njerëzit që kalojnë këtu, sepse ai kompozicion vetvetiu ishte interesant”, ka shtuar ai.
Përmes arkitekturës dhe dukjes së sotme, nuk bën të lihet anash edhe Gazi husref Begu, i cili ndërtoi qytetin e Sarajevës, ashtu siç është sot. Ka ndërtuar sahat kullën, afër saj xhaminë, ka ndërtuar një qytet të veçantë me një subtilitet të veçantë, me ndërtesa dominuese në Sarajevën që deri atëherë ishte e vogël. Prej asaj kohe ajo pjesë e qytetit mbetet specifike dhe unike. Arkitektura që atëherë u zhvillua ishte e veçantë për të gjithë botën. Ndërsa sot me të krenohen edhe arkitektët më të mirë.
“Kemi bezistanin e Gazi Husref Begut që punon tash e 400 vjet. 400 vjet ne kemi shoping, i cili ekziston pa klimë. Edhe sot ai është shoping. Andaj edhe për mua është më i miri në botë. Kur jemi të vetëdijshëm për atë që e trashëgojmë, do të jemi të vetëdijshëm edhe për veten tonë”, ka thënë Amir Vuk Zec, arkitekt.
Por në të sotmen jemi dëshmitarë më së shumti për ndërtimet nga koha austro-hungareze, periudhë kjo në të cilën kanë lindur edhe stilet e mëdha e të njohura. E në Sarajevë janë ndërtuar ndërtesa që ruhen dhe i japin një dukje të njohur qytetit. Janë ruajtur, madje, rrugë të tëra. Kështu kjo tërësi ndërtimore – kompleksi i vilave në rrugën e Petrarkës, paraqesin tërësinë më të ruajtur të vilave nga periudha austro-hungareze në Sarajevë. Kompleksi dëshmon për mënyrën e ndërtimit në qendrën e Sarajevës në fillim të shekullit 20, kur qyteti zgjerohej drejt Perëndimit. E para është ndërtuar vila Mandiq, më 1903, që më vonë u shndërrua në muzeun olimpik të BeH-së. Para disa muajsh është rinovuar.
“Ky është një objekt shumë i rëndësishëm, një projekt shumë i rëndësishëm dhe është dashur të bëhen përpjekje të shumta që t’i kthehet autenticiteti dhe që në fund të arrihet rezultati që kemi. Të rinovohet një objekt i tillë nga periudha e monarkisë austro-hungareze në Sarajevë, ndërsa e dimë shumë mirë që të gjitha këto objekte që i takojnë secesionit janë të dekoruara dhe të zbukuruara. Posaçërisht fasadat e tyre dhe dukja e jashtme. Të rinovosh pra një objekt të tillë nuk është aspak e lehtë”, ka thënë Nexhad Mulaomeroviq, arkitekt.
Është dashur të hulumtohet, analizohet, kërkohet – cilat janë ato elemente dekorative që duhet t’i kthehen muzeut olimpik. Por edhe t’i jepet një dozë e modernitetit. Dhe kjo është Sarajeva. Kjo është ajo arkitekturë unike. T’i kthehet Sarajevës ky art, do të thotë shumë.
“Me rëndësi është se janë ruajtur gjëra të tilla, posaçërisht përmendore të tilla të dekoruara dhe të vlefshme.
Pikërisht këto periudha të ndryshme e kanë bërë Sarajevën të tillë çfarë është sot. Moderne, derisa në thelb është ruajtur arkitektura e vjetër”, ka shtuar ai.
“Shikoni edhe këto ndërtesa këtu, që janë shtuar në bregun e lumit, dhe do të shihni edhe modernen edhe Austrinë, ndërsa prapa saj fshihet Çarshia. Dhe kjo vazhdohet dhe për këtë arsye Sarajeva është një rrëfim i patreguar. Edhe ne që punojmë dhe ndërtojmë në Sarajevë kemi kënaqësinë apo obligimin që ta vazhdojmë këtë. E të lindesh dhe të ndërtosh në Sarajevë është shumë obliguese, sepse pikërisht për shkak të këtyre shtresave, të cilave gjithnjë duhet t’u kthehesh e të shikosh atë që ka qenë dhe të mendosh për të ardhmen. Kjo është sikur të shkruash gjithmonë mbi diçka që tashmë është e shkruar’, ka thënë Amir Vuk Zec, arkitekt.
“Shumë është mirë që i kemi të ruajtura të gjitha ato faza të zgjerimit të qytetit, pra prej periudhës otomane te pjesa austro-hungareze e qytetit e deri te Marijin Dvori. Dhe pastaj tutje vazhdojnë modernia dhe postmodernia. Kjo është një gjë shumë pozitive që të jetë e mundur në Sarajevë të shëtisësh nëpër periudha. Kemi ruajtur edhe pjesën otomane, edhe qendrën e vjetër të qytetit, kemi ruajtur të gjitha këto objektet austro-hungareze, në masën më të madhe i kemi ruajtur ato”, ka thënë Nexhad Mulaomeroviq, arkitekt.
Dhe pas ndërtesave të mëdha, vilave të pasura, erdhi periudha e ndërtimit modern. Dhe Sarajeva, sikur edhe shumë qytete të mëdha në botë, u ballafaqua me ndërtimtarinë e lartë. Rrokaqiej në xhama, të cilët shumë arkitektë përpiqen t’i inkorporojnë në shumëllojshmërinë e Sarajevës, ashtu që t’i japin një identitet përfundimtar qytetit për të qenë çka është sot. Është punë e vështirë para arkitektëve, sepse la shumë ndërtime pa plan.
“Sapo del plani, ai tashmë është i vjetër. Me plan do të thotë kur keni një strategji, ashtu që të dini se çka do të ndodhë. Ja tani, është pandemi, dhe po ndryshon qasja ndaj hapësirës. Tani banesa është shndërruar edhe në shkollë, në themelatë edukative, edhe në zyrë, edhe në sallë stërvitjeje”, ka thënë arkitekti, Amir Vuk Zec.
“Disa gjëra kanë ndodhur të cilat ne, si arkitektë, nuk i kemi pritur se do të jenë ashtu. Ka shumë ndërtime pa plan. Edhe pse ne i kemi këto institucione që duhet të kujdesen për këto gjëra, ndërtimi pa plan ka mbizotëruar. Është e vështirë që investitorët me shumë para t’i ndalni që të punojnë, është shumë e vështirë. Posaçërisht në atë kapitalizmin e varfër”, ka thënë tutje Garbija.
Edhe me plan, edhe pa plan, Sarajeva po rritet, ndërtohet dhe po e fiton kulturën e qytetit të madh. Ndoshta kemi arritur të ruajmë deri më sot lidhjen e gjërave që zakonisht nuk lidhen, por brengosëse është çështja se si do të shkohet tutje, por kjo është një pyetje për një fushë tjetër profesionale.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.