Zanatet e vjetra në BH me vite mbijetojnë për shkak të dashurisë dhe dëshirës së madhe të zanatlinjve që profesionet e tyre familjare të mos vdesin. Dhe, ia dolën. Deri te korona. Thonë se koha mund të ndahet në atë para dhe pas koronës. Puna e dorës vlerësohej shumë tek turistët e huaj, të cilët e vizitonin BH-në shumë në vitet e kaluara. Kazanxhinj ka gjithnjë e më pak, posaçërisht asi të vërtetë. Kenan Hindiq e ka mësuar zanatin prej babait, e ai prej babait të tij.
“Mua kjo më ka interesuar, sepse faktikisht jam rritur me këtë. Gjithmonë i kam dashur ato mjete, kam dashur të punoj me duar. Babai im më ka joshur në këtë punë, ashtu që gjithmonë më jepte diç të punoja. Vij unë te ai dhe ai më jep një copë bakri, e unë i kisha dhjetë apo njëmbëdhjetë vjet. E merr ai byzylykun dhe e shtrembëron për mua. Thotë, hajde më ndihmo ta drejtojmë këtë byzylyk. Mandej ma jep çekanin. E marr atë çekan dhe i drejtoj byzylykët. Ai më thotë sa bukur e ke bërë këtë. Pak nga pak, më jepte punë më serioze dhe më shpërblente me para. Gjithsesi, ai do të më jepte, por ndryshe është kur kryen një punë, dhe pastaj ai të jep që të shkosh për të blerë një çokolatë”, thotë kazanxhiu Kenan Hidiq.
Kenani është kazanxhiu më i ri. Ai këtë zanat e do dhe, siç thotë, gjithmonë pyetje e vetme ishte nëse ky zanat mbijeton. Pa një përkrahje të veçantë të shtetit, zanatlinjtë janë mbështetur tek turistët të cilët e vlerësonin shumë punën e tyre. Korona e ndali gjithë këtë punë.
“Korona ka ardhur në periudhën më të keqe për të gjithë. Njerëzit po përgatiteshin. Ja te unë, për shembull, dimrit ka punë, por shumë më pak sesa verës. Dimrit prodhojmë, ashtu që verës të mund të shesim. Njerëzit investojnë, njeriu investon gjithë atë që ka në mall dhe pret që kjo të kthehet nga turizmi. Sipas paralajmërimeve, ky vit është dashur të ishte më i forti deri më tash”, shprehet Hidiq.
Muhamed Huseinoviq është kazanxhiu më i vjetër në Bashçarshi. Kjo është traditë në familjen e tij. Gjenerata e katërt që merret me këtë zanat.
“Njeriu as nuk do të ëndërronte se çka mund të ndodhë pa tërmete, pa uragane. E shikoj botën jashtë vetes. Tashmë askush nuk e di nga shkon dhe pse. Pasoja të varfërisë, qindra, dhjetëra mijëra njerëz të larguar nga puna. Nuk ka punë. Nuk ke ku të shkosh, nuk eksportohet. Lidhje s’kam sesa do të zgjasë. Rryma, gjithçka që është e mundur, askush nuk të pyet a ke, a është e mundur, a ke fituar, deri kur kështu?” – deklaron kazanxhiu Muhamed Huseinoviq.
Për punën e tij ka shkruar edhe “The New York Times”. Amerikanët, kinezët, italianët janë shumë të kënaqur që ende ekziston dikush që merret me këtë zanat. Blerës kishte gjithnjë më shumë, prej vitit në vit. Pikërisht ky vit është dashur të jetë më i miri.
“Tamam që njeriu të merr frymë pak. E jo, tash kjo na mbyti. E tërë bota. Nuk jemi vetëm. Jep Zoti e kalon kjo që njerëzit sërish të nisin të jetojnë. Nuk mund të flas më prej nervozes”, shprehet Huseinoviq.
Rrugët e saraçëve dhe të kazanxhinjve në Bashçarshi kurrë nuk kanë qenë kaq zbrazët. Çantat e lëkurës të punuara me dorë ka kohë që e kanë gjetur rrugën deri tek blerësit jashtë vendit. Ata porosisin dhe kërkojnë, derisa popullata vendore blen më pak. Haris Zec ka kohë që është në punën me lëkurë. Ai çantat i bën me dorë dhe prej lëkurës së vërtetë dhe këtë njohuri e ka trashëguar nga babai dhe gjyshi. Zanati i prodhimit të çantave, falë turizmit në vitet e kaluara, ka arritur një nivel të lartë.
“Zakonisht në Sarajevë zanatet janë punë familjare. Kjo kalon prej babait në djalin apo vajzën. Në këtë rast unë dhe motra e kemi trashëguar këtë. Kjo është traditë shumëvjeçare. Babai im është njëri prej zanatlinjve të parë të shkolluar pas asaj lufte. Unë e kam vazhduar atë”, thotë çantaxhiu Haris Zec. “Kjo pandemi, në masë të madhe, do t’i shkatërrojë zanatet. Bashçarshia është në situatë të rëndë. Çdo ditë dyqanet po mbyllen. Kjo është katastrofë, sepse ne tekstualisht jetojmë prej turistëve. Njerëzit tanë shkojnë nëpër shoping qendra, blejnë atje çka u duhet, ndërsa ne jemi interesantë vetëm për turistët. Kështu edhe jemi përshtatur. Kjo ka pas nisur të ecte mirë, por tani është katastrofë. Nuk di si do të dalë në fund, por për ne është keq”.
Shoqata e zanatlinjve ekziston, por ajo pak mund të bëjë. Pushteti i tanishëm edhe pa koronën nuk e njeh rëndësinë e zanateve të vjetra në BH. Janë përpjekur edhe më parë, por megjithatë u ka mbetur të mbështeten vetëm në veten.
“E presim vitin e ardhshëm të shohim se çka do të ndodhë, por shumë dyqane do të mbyllen. Të vegjël jemi ne, gjithsesi vështirë mbijetojmë, sepse i gjithë procesi prej sigurimit të materialit deri te prodhimi final na mbetet neve. Nuk kemi ndihmë prej askujt, ndërsa në këto kriza gjithçka bllokohet. Edhe ata prej të cilëve e blejmë materialin janë në krizë, ndërsa ai zinxhir vështirë rivendoset. Çështja tani është sa kohë do të na duhet dhe sa do të zgjasë e gjithë kjo”, thotë Zec.
Në fund, edhe ata që këto prodhime i shesin kanë rënë në dëshpërim. Vehredin Bahiq është i njohur në Bashçarshi. Ai thotë se i njeh të gjithë dhe të gjithë e njohin. Shet suvenire. Punon dhe jeton prej kësaj. Thotë se shumë është përgatitur për këtë sezon. Korona i ka ndërruar të gjitha.
“Është ndalur jeta, është ndalur gjithçka. Nisem drejt dyqanit, nuk kam vullnet ta hap. S’ka njeri. Të hyjë, të pyes. S’ka turistë, s’ka asnjëri askund. Si fantazma. Nuk mund të besoj që e gjithë kjo mund të ndodhë. E di që në gjithë botën është kështu, por ne bëjmë shaka pak dhe unë i numëroj njerëzit. Për një orë nuk kalojnë nëpër gjithë çarshinë njëzet veta. Zot ruana. A është turp të të tregoj kush ka hyrë në dyqanin tim dhe ka marrë një magnet? E hap dyqanin në tetë e mbyll në katër e gjysmë. Një magnet e kam shitur për një markë e gjashtëdhjetë. Ja ky është qarkullimi, e unë duhet ta paguaj qiranë. Në 15 ditët e fundit kam shitur vetëm një suvenir prej një marke e gjashtëdhjetë. Nuk kam çka turpërohem. Njëjtë është edhe tek fqinji”, deklaron shitësi Vahredin Bahiq.
Në BH ekzistojnë 128 zanate të vjetra për të cilat nuk ka më shkollë, ndërsa të rinjtë rrallë herë duan të mësojnë dhe jetojnë prej kësaj. Të gjithë së bashku me vite luftojnë që zanatet në Bashçarshi të mbijetojnë. Nuk dëgjon shteti, por nuk ka më rezistencë as nga zanatlinjtë. Autenticiteti ekziston falë tyre.
"Via Balcanica" - LIVE"Via Balcanica" - LIVE
Posted by Koha.net on Sunday, October 4, 2020