Via Balcanica

Sarajevë: Përmendoret në harresë

Një nga fitoret më të rëndësishme të partizanëve dhe pika kthesë e rrjedhës së mëtutjeshme të Luftës së Dytë Botërore ishte Beteja në Sutjeskë. Përmendorja në Tjentishte, në afërsi të Foçës, është dëshmitare e asaj, siç dikur thuhej, rezistence heroike të njësiteve partizane. Pas luftës, Muzeu i Betejës në Sutjeskë ishte tërësisht i shkatërruar. Eksponatet origjinale ishin shkatërruar apo vjedhur. E vetmja gjë origjinale në Muze tani ishte një shmajzer gjerman, të cilin partizani Vlado Shegert ia kishte dhuruar Muzeut të Betejës në Sutjeskë.

“Ai e ka rrëmbyer atë gjatë Betejës në Sutjeskë nga gjermanët, dhe kjo ka mbetur nga ajo periudhë, dhe tani gjendet këtu në Muze. Janë ruajtur shumë pak gjëra, armë dhe disa fotografi, të tjerat praktikisht janë shkatërruar dhe vjedhur”, ka thënë Slobodan Çarapiq, kustos në Muzeun Kombëtar Sutjeska.

Përmendorja që është pjesë e Parkut Nacional është rinovuar në dy vjetët e kaluar. Dy milionë marka janë ndarë nga Qeveria e Republikës Serpska. Vizitorë ka, por as për së afërmi krahasuar me periudhën para viteve ’90.

“Na vjen mirë që prej të gjitha republikave të ish-Jugosllavisë njerëzit vijnë dhe vizitojnë, ka shoqata, një numër i madh janë prej Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Malit të ZI dhe Maqedonisë, dhe rëndom bëhet fjalë për popullatë të pjekur, me moshë mesatare, që vijnë me fëmijët e tyre. Meqë ky është, të them, vend transitor në komunikimin bregdet – qendrat e mëdha, natyrisht, gjithmonë është i përshtatshëm për të gjitha grupet që kalojnë transit nëpër Tjentishte, që gjithmonë ka qenë, të them, pikë e ndaljes dhe e pushimit nga bregdeti drejt Beogradit apo Sarajevës, apo qendrave më të mëdha”, ka thënë Gjorgje Vukoviq, bashkëpunëtor i lartë në Parkun Kombëtar Sutjeska.

Në Tjentishte kemi takuar numër të vogël turistësh që ishin rrugës për në det. Ajo që kemi vërejtur është se ishin të rinj që e respektonin trashëgiminë e LNÇ-së. Sasha Milosavleviq është nga Kragujevci.

“Më vjen keq që ka ndodhur ajo që ka ndodhur, por, ja, shpresoj që në të ardhmen gjeneratat e tjera të vijnë dhe të shohin vuajtjet e partizanëve tanë që e kanë çliruar Jugosllavinë”, ka thënë Sasha Milosavleviq, turist nga Kragujevci.

“Marrë parasysh që gjyshi im ka qenë partizan, mund të them një mendim pozitiv, më pozitiv sesa strukturat e tjera të kohës së luftës që atëherë kanë ekzistuar”, ka thënë Goran Kërneta, turist nga Novi-Sadi.

Përveç muzeut, përmendores, amfiteatrit, aty është edhe shtëpia memoriale me emrat e të gjithë partizanëve që janë vrarë në Betejën në Sutjeskë. Edhe atë vandalët e kanë shkatërruar, por gjithçka është restauruar në dy vjetët e kaluar. Beteja e dytë e rëndësishme ishte gjithsesi Beteja në Neretvë, apo Beteja për të Plagosurit. Ura që më 1969 është ndërtuar si replikë e urës partizane, që e rrëzuan, dhe e ndërtuan që të plagosurit të mund të kalonin në territorin e lirë, sërish do të jetë pjesë e vizitave turistike. Në Muze është e mundur të shihen fotografitë, por edhe shfaqja e vetë rrjedhës së Betejës për të Plagosurit.

“Është e përbërë nga origjinalet, por edhe nga kopjet e dokumenteve, fotografive, gjësendeve tredimensionale, që në mënyrën e vet rrëfejnë për Betejën për të plagosurit”, ka thënë Azra Gjelmo, drejtoreshë e Muzeut Beteja për të Plagosurit në Neretvë.

Memoriali Vraca, vendi zyrtar i ekzekutimeve ku janë vrarë qytetarët e Sarajevës në kohën e NDH-së, është dëmtuar disa herë. Askush pothuajse nuk kujdeset për këtë përmendore.

“Emocionet duhet të jenë negative, sepse përmendorja është dëmtuar, shkatërruar, ndërsa askush nuk mendon për atë që ky është një vend kujtimi për më shumë se 11.000 sarajevas të vrarë. Prej tyre vetëm civilë janë 9026. Pse jemi të tillë ndaj përmendoreve? Ne si njerëz, si dikush që është edukuar në mënyrë civilizuese, është dashur të tregojmë një qëndrim më pozitiv. Për fat të keq, kemi një sistem që nuk funksionon, kompetencat në të cilat shpesh thirremi janë bërë ashtu që thjesht të mos mund të futen në një koncept rinovimet e përmendoreve, ruajtjet e këtyre përmendoreve dhe ndërtimi i një vendi që do të mund të ishte vendtubim kulturor dhe historik për turizëm”, ka thënë Sanja Toplan, anëtare e Shoqatës LALNÇ të BH-së.

Tuzlla, e cila në kohën e ofensivave më të mëdha në vitin 1943 ishte qyteti më i madh i lirë, e ka njohur rëndësinë e përmendoreve partizane. Andaj, në qendër të qytetit janë përmendoret e lidhura me shëtitoren. Përmendoret partizane mirëmbahen dhe riparohen.

“Për këtë arsye ne këtu kemi në kompleksin e Bajës së Njelmët edhe Sheshin e Heronjve Popullorë, në të cilin dominon përmendorja e Josip Broz Titos, andaj dhe kemi flamujt e brigadave për të cilat zgjidhjen ideore e ka dhënë Ismet Mujezinoviq, kur brigadat partizane e kanë çliruar Tuzllën, kemi përmendoren e Augustinçiqit këtu mbi Josip Borz Titon dhe heronjtë popullorë”, ka thënë Jasmin Imamoviq, prefekt i Tuzllës.

Në BH prej shtatë ofensivave, në këtë trevë ndodhën pesë beteja të forta. BH-ja i ka dhënë më shumti LNÇ-së, dhe pikërisht këtu të gjitha republikat jugosllave i fituan kufijtë e AVNOJ-it. Ruajtja e antifashizmit është shumë e rëndësishme për këto treva.

“Ne duhet të kemi raporte më humane, në esencë, antifashizmi këtë e ka, që të ndërtojmë, të krijojmë, që të rinjve t’ua bartim atë që është shumë me rëndësi, që njerëzit t’i kenë raportet e mira, tolerante, fqinjësore njëri me tjetrin, pa marrë parasysh religjionin, kombin, përkatësinë partiake, sepse tek ne partia është mbi shtetin, që të ndërtojmë atë që na e kanë lënë partizanët si trashëgimi pas luftës së tyre”, ka thënë Sanja Toplan, anëtare e Shoqatës LALNÇ të BH-së.

Për historianët, këto dy beteja, por edhe e gjithë LNÇ-ja, janë shumë të rëndësishme për vetë BH-në, por edhe për ish-republikat e tjera jugosllave. Husnija Kamberoviq, i cili shumë mirë e njeh këtë periudhë të rëndësishme historike, thotë se raporti i shoqërisë ndaj partizanëve dhe memorialëve do të duhej të jetë në nivel shumë më të lartë.

“Pse janë ata të rëndësishëm për ne dhe pse e simbolizojnë LNÇ-në, është fakt se ajo lëvizje në Luftën e Dytë Botërore e ka riafirmuar shtetësinë e BH-së, dhe ka vendosur disa themele, modele, kritere, sipas të cilave BH-ja ka funksionuar 40 e sa vjet, në të cilën të gjithë janë ndier si në vendin e vet. Ai model është i vetmi, sipas të cilit BH-ja sot mund të vazhdojë të funksionojë si shtet0 0dhe elitat politike kryesisht kanë qëndrime negative ndaj asaj periudhe. Pra, përmes një qasjeje të tillë të papërgjegjshme ndaj këtyre përmendoreve, pushtetet e reja legjitimohen si kundërshtarë të sistemit paraprak shoqëror dhe atyre vlerave që ai i ka simbolizuar. Kjo është mbase edhe arsyeja pse janë lënë të shkatërrohen”, ka thënë Husnija Kamberoviq, historian.

Fitoret partizane dhe përmendoret në nder të luftës së LNÇ-së deri në luftën e fundit ishin në plan të parë. Të gjithë jemi rritur me filma partizanë dhe kemi ruajtur trashëgiminë e Luftës Nacional-Çlirimtare në Luftën e Dytë Botërore. Sot është gjithçka ndryshe. Në shtetet e krijuara me shpërbërjen e RSFJ-së promovohen vlera të tjera. Trashëgimia e LNÇ-së gati është harruar.