Via Balcanica

Ndikimi i koronës në punën e hotelit në Sarajevë

Ton Osman Grabus, recepsionist i hotelit “Blanca” ka treguar për ndikimin e pandemisë në punën e tyre.

Ai ka thënë se që prej fillimit të pandemisë, është reduktuar numri i mysafirëve, porse ata po mundohen t’i tërheqin turistet me reduktimin e çmimeve dhe futjen e programeve të reja.

“Dorëzat dhe maskat na janë bërë pjesë përbërëse e pajisjeve, ndërsa mysafirët janë të ndërgjegjshëm. Me të hyrë ata dezinfektojnë veshmbathjet, dezinfektojnë duart, na i japin dokumentet. Ne kopjojmë, më pas ua kthejmë, kryejmë pagesën pa kontakt, kështu që minimalisht kontaktojmë me mysafirët, kemi reduktuar edhe numrin e personave që mund të jenë në lift. Krejt kjo na është bërë përditshmëri, marrë parasysh që këtë punë e kemi marrë shumë seriozisht. Nëse dikush nga personeli apo vetë mysafirët shfaqin simptoma të koronës, ne e dërgojmë te mjeku në kontroll që të mund ta parandalojmë me kohë këtë”, ka thënë ai.

Hashija Loziq, pastruese dhomash në hotelin “Blanca”, ka thënë se para hyrjes së mysafirëve në dhoma, përfundohet dezinfektimi i hapësirave.

“Para se të na vijnë mysafirët, ne kontrollojmë gjithçka, nëse dhomat janë të pastra, dhe ne duhet ato t’i dezinfektojmë dy deri tri herë, para se të vijnë mysafirët, e kryejmë dezinfektimin e të gjitha sipërfaqeve, banjës, madje edhe çarçafëve. Kur mysafirët shkojnë, ne i ajrosim hapësirat, hapim të gjitha dritaret, më pas i heqim çarçafët, i vendosim të rejat. Ka ndonjëherë frikë, mendoj se më mirë është që në kohën e koronës të bartim maska e dorëza, dezinfektimin ta bëjmë shpesh, sepse gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë ajo.

Iva Masala, mbikëqyrëse e higjienës në hotelin “Blanca”, ka thënë se për shkak të masave të vendosura, higjienës, dezinfektimit të hotelit, gjithnjë kontrollojnë dezinfektimin, nëse është kryer i plotë.

“Kontrollojmë nëse është dezinfektuar çdo sipërfaqe, çdo tavolinë, çdo teledirigjues, gjithsesi. Kjo e krijon një siguri te mysafirët për shkak se ata janë shumë të kënaqur kur dezinfektimi bëhet disa herë në ditë, kur kaloni në korridor dhe e ndjeni që është kryer dezinfektimi. Mendoj se kjo është një farë plusi”, ka thënë ajo.

Amir Mehiq, kamerier në hotelin “Blanca”, ka thënë se për shkak të pandemisë, ka rënë numri i turistëve.

“Sa u përket koronës dhe pandemisë në të gjithë botën, edhe te ne ka pasur ndryshime. Ne i kryejmë detyrat tona sa i përket higjienës, por sa i përket Vlashiqit, në vitin e kaluar në këtë kohë kemi qenë plot, tani do të kishte këtu turistë nga vendet arabe, Arabia Saudite, por këtë vit nuk ka”, ka thënë Mehiq.

Nebojsha Furtula, shef i kuzhinës në hotelin “Blanca”, ka thënë se pandemia COVID-19 ka goditur sektorin e hotelerisë.

“Është shumë rëndë, sepse siç e dini hoteleria është goditur, mjaft kohë nuk kemi punuar. Është mjaft më e rëndë se që ka qenë. Po përpiqemi që t’i respektojmë rregullat, maksimalisht i respektojmë. Situata në kuzhinë është e tillë që yndyrat e shumta, avulli, edhe ashtu në kuzhinë vështirë merret frymë, me maska edhe më vështirë. Vazhdimisht pastrojmë e dezinfektojmë, që na merr shumë kohë, dhe nuk është aq lehtë. Shumë më vështirë se më parë”, ka thënë ai.

Snezhana Miniq, wellness Spa në hotelin “Blanca”, ka thënë se që prej fillimit të pandemisë, ata janë përkujdesur që të dezinfektojnë hapësirat e hotelit në mënyrë që mysafirët të jenë komod.

“Për shkak të situatës që është krijuar dje, pandemisë me virusin korona, ne vazhdimisht dezinfektojmë dhe këtë e kemi primare, ashtu që mysafirët tanë të ndihen të kënaqur dhe të sigurt, që është më e rëndësishmja”, ka thënë ai.

Sasha Naprta, menaxheri kryesor për ngjarje “Winter d.o.o.”, ka thënë se pandemia ka goditur sektorin e turizmit në përgjithësi.

“Është goditur turizmi që përfshin të gjitha hotelet dhe përgjithësisht gjërat që lidhen me këtë fushë. Ka mjaft vështirësi në shumë aspekte, sepse turizmi nuk është vetëm hotel, aty natyrisht janë edhe punëtorët e tjerë turistikë sikur që janë guidat turistike. Nuk ka turne turistikë, kështu që në njëfarë periudhe kur kjo ka nisur, në atë kohë e kemi shfrytëzuar për të riparuar, zbukuruar hotelet, për të përmirësuar atë që kemi mundur vetë, në vetë dukjen fizike të brendshme dhe të jashtme dhe në ofertë. Do të thotë, të bëhen ndryshimet, krejt çka mund t’u ofrohet mysafirëve tanë. Ndryshimet janë të mëdha. Tani fokusi është në popullatën vendore, të cilët vijnë në disa variante të ofertave ditore, ofertave për fundjavë, natyrisht, disa vijnë edhe për pushim pesë, shtatë apo dhjetë ditë, gjë që është bukur. Kështu që ai aspekt i ndryshimeve është bërë varësisht nga lloji i mysafirëve, por kjo njëkohësisht është edhe mundësia që qytetarët tanë ta njohin pasurinë e vet që në Bosnjë-Hercegovinë është vërtet e madhe”, ka thënë ai.