Millorad Dodiku ka bërë edhe një hap tjetër të rrezikshëm drejt shkatërrimit të Bosnjës. Perëndimit po i hakmerret tani politika shumëvjeçare e tolerimit të këtij populisti të rrezikshëm serbomadh
Ekziston një grup jo i madh, por me ndikim i gazetarëve perëndimorë që me vite të tëra janë tallur me të gjithë ata që paralajmëronin se Bosnjës i kërcënohet një rrezik i madh nga politikat e Millorad Dodikut, liderit të serbëve të Bosnjës. Këta gazetarë kanë përqeshur ekspertët e shumtë duke i akuzuar për alarmim të rrejshëm të opinionit. Bosnja nuk gjendet në prag të humnerës, krizat e shkaktuara nga Dodiku janë artificiale, jo vetëm ai është fajtor, por edhe të tjerët. Kështu, pak a shumë, kanë argumentuar këta gazetarë me vite të tëra. Tani të njëjtit gazetarë nguten të alarmojnë opinionin se Dodiku paraqet rrezik të madh për stabilitetin e Bosnjës.
Javën që shkoi, Parlamenti i të ashtuquajturës Republika Srspka paralajmëroi zbatimin e disa hapave që mund të çojnë në shkëputjen faktike të entitetit të dominuar nga serbët. Për të arritur këtë qëllim, Dodiku kërkon që serbët të largohen nga ushtria e përbashkët e Bosnjës, nga shërbimet sekrete, nga sistemi i drejtësisë dhe ai tatimor.
Dodiku duket se po orientohet në shembullin e separatistëve prorusë në Ukrainën lindore. Të përkrahur nga Rusia, ata kanë arritur të fusin nën kontroll një pjesë të territorit të Ukrainës. Dodiku gëzon përkrahjen herë të heshtur, herë të hapur të Moskës, por edhe të Beogradit. Më 2 dhjetor, ai vizitoi sërish Rusinë dhe në Kremlin u prit nga Vladimir Putini. Dodiku lavdëroi liderin rus, duke thënë se ai ishte mirë i informuar mbi zhvillimet në Ballkan dhe mbi sjelljen e akterëve ndërkombëtarë, lexo: qasjen e Perëndimit.
Por Perëndimi prej vitesh i bën sehir gjendjes në Bosnjë. Vijnë e shkojnë emisarë ndërkombëtarë në Sarajevë dhe të gjithë e takojnë Dodikun. Ai gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga viti 2017, por, megjithatë, për emisarët e Washingtonit nuk është problem që ta takojnë Dodikun, të diskutojnë me të dhe kështu, me apo pa dashje, e faktorizojnë një politikan që është zjarrvënës i Bosnjës. Edhe më keq sillen evropianët, të cilët nuk kanë vendosur sanksione kundër Dodikut, nuk kanë ngrirë xhirollogaritë e tij, pasurinë e tij, nuk ia kanë ndaluar hyrjen në vendet e BE-së, me një fjalë s’kanë bërë asgjë kundër tij. Rrjedhimisht, Dodiku ndihet i trimëruar dhe e sheh BE-në si tigër prej letre. Madje, shpesh ai edhe kërcënohet se nëse përballet me sanksione, atëherë do të kundërpërgjigjet dhe tërheq vërejtjen se edhe Republika Srpska ka miq që e mbrojnë, një aludim i qartë në Rusinë dhe Kinën. Perëndimit po i hakmerret tani politika shumëvjeçare e tolerimit të këtij populisti të rrezikshëm serbomadh.
Perëndimi ka disa instrumente që do të mund t’i përdorte kundër Dodikut, por edhe sponsorit të tij nga Beogradi, Aleksandar Vuçiq. Perëndimi mund të rrisë praninë ushtarake në Bosnjë, mund të sanksionojë Dodikun, mund t’ia tërheqë vërejtjen Vuçiqit, mund të përkrahë përfaqësuesin e lartë të bashkësisë ndërkombëtare, i cili mund ta heqë nga funksioni Dodikun si anëtar i kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës etj.
Është e qartë se tri palë po përpiqen ta shkatërrojnë Bosnjën: Dodiku, Beogradi dhe Rusia. Por, së fundi është shtuar edhe një akter i katërt: Kroacia. Në të vërtetë ky vend nuk e thotë hapur se synon shpërbërjen e Bosnjës, por afërsia e disa politikanëve kroatë të Bosnjës dhe e presidentit kroat Zoran Millanoviq me Dodikun është skandaloze. Që nga shpallja e pavarësisë, Kroacia ka pasur presidentë seriozë dhe më pak seriozë, por president më të dobët, më qesharak, më të turpshëm, më skandaloz se Zoran Millanoviqi nuk ka pasur kurrë. Që nga zgjedhja president, para një viti, ai e ka njollosur postin e lartë dhe i ka hedhur një hije tejet të keqe vendit.
Para pak ditësh Millanoviq – duke folur për Srebrenicën - tha se jo çdo gjenocid është i njëjtë dhe jo çdo viktimë është e njëjtë. Duket e paimagjinueshme që presidenti i një shteti anëtar i BE-së të provokojë me këso deklaratash. Por Millanoviqi e bëri edhe këtë.
Më parë kishte thënë se nuk i pranon dënimet e Gjykatës së Hagës ndaj gjeneralëve kroatë për shkak të krimeve të luftës në Bosnjë. I vendosur në marrëzitë e tij, ai ia ktheu dekoratat një gjenerali kroat që gjendet para gjyqit për krime të luftës. Boshnjakët i këshilloi që para se të flasin për shtet qytetar, së pari të blejnë parfum dhe sapun. Millorad Dodikun, politikanin nacionalist serb që synon ta shkatërrojë Bosnjën, Millanoviqi e ka pritur në Zagreb dhe e ka quajtur problemin më të vogël të Bosnjës.
Millanoviqi gati çdo ditë shkëmben ofendime të rënda me ministrin kroat të Mbrojtjes. Mediat austriake e konsiderojnë argat të Vladimir Putinit në tensionimin e situatës në Bosnjë. Kur ishte për vizitë presidenti francez në Zagreb, Millanoviqi nuk u ftua në një drekë që kryeministri Andrej Plenkoviq pati me Emmanuel Macronin. Dukshëm i hallakatur, Millanoviqi pyeti nëse në drekën mes Macronit dhe Plenkoviqit kishte edhe valltare për argëtim.
Kryetari i Kroacisë, Zoran Millanoviq, iu thotë dy anëtarëve të Presidencës së Bosnjës, boshnjakut Shefik Xhaferoviq dhe kroatit Zhelko Komshiq, se ju nuk do të arrini ta thyeni Republikën Serbe në Bosnjë. Më 9 janar, kur Republika Serbe shënon ditën e themelimit, Kroacia dërgon diplomatë. Ndonëse shënimi i kësaj date nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës është shpallur antikushtetues. Millanoviq, dikur socialdemokrat, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një politikan agresiv, përçarës dhe përkrahës i nacionalistëve serbë në Bosnjë të prirë nga Millorad Dodiku.