Si në Afganistan, ashtu edhe në Serbi, në pushtet kanë ardhur ata kundër të cilëve kishte ndërhyrë aleanca perëndimore. Në Serbi njerëzit e Sllobodan Millosheviqit, ndërsa në Afganistan, talibanët. Dhe Amerika me aleatë tash nuk ka problem të bashkëpunojë me ta. Por, shpresat e disa iluzionistëve në Serbi se një ditë “Amerika do t’ia kthejë shpinën Kosovës sikurse Afganistanit”, për t‘ia lënë asaj mundësinë që me forcat e veta të hyjë në zyrën e presidentes Vjosa Osmanit apo dikujt tjetër, janë shumë naivë. Kosova nuk mund të krahasohet me Afganistanin, as dje as sot e as në të ardhmen
Në vjeshtën e vitit 2000 në Serbi, pas trazirave dhe një revolucioni të ndihmuar edhe nga jashtë, u rrëzua regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Ndodhi kjo me një vonesë prej nëntë vjetësh gjatë të cilave ai regjim nxiti dhe zhvilloi lufta në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Ndodhi vetëm një vit pasi ndërhyrja e NATO-s i kishte dhënë fund edhe okupimit të Kosovës. Dhe këtë vjeshtë Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia hapën dyert Serbisë dhe iu gëzuan asaj që e quajtën “fitore e forcave proevropiane të së ardhmes ndaj forcave të errëta të së kaluarës në Serbi”.
Në Kosovë tashmë ishin vendosur forcat e NATO-s për të ndihmuar ruajtjen e sigurisë gjatë një periudhe në të cilën do të vendosej edhe statusi përfundimtar i Kosovës.
Pas sulmeve terroriste në New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës bombarduan Afganistanin pasi në atë shtet strehohej Al Quaida e cila edhe përgatiti dhe organizoi këto sulme. Fitorja ushtarake amerikane, që shënoi dhe rrëzimin e regjimit të talibanëve, u pasua me angazhim jo vetëm amerikan, por edhe të aleatëve për të ndihmuar Afganistanin që të ndërtojë një shtet demokratik, ku do të respektoheshin së paku të drejtat elementare të njeriut si shkollimi i vajzave dhe dëgjimi i muzikës.
Pas dhjetë vjetësh në Serbi përsëri në pushtet u kthyen njerëzit e Millosheviqit. Kësaj radhe duke lënë përshtypjen se janë më të moderuar, se duan të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare, duan raporte të mira me NATO-n dhe integrim në BE. Po ashtu, duan edhe bashkëpunim rajonal. Por, në periudhën prej kur pushtetin në Serbi e kanë Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vullin dhe ish-bashkëpunëtorë të tjerë të Millosheviqit, Serbia i është kthyer retorikës nacionaliste, glorifikimit të kriminelëve të luftës, mohimit të gjenocidit dhe tentimeve për të destabilizuar shtetet fqinje, sidomos ato që i konsideron si “të përkohshme” si Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi ose “pjesë të okupuara të Serbisë” siç e konsideron Kosovën. Në Serbi pushteti ka nën kontroll mediat, ndërkaq opozita pothuajse nuk ekziston. Por, pushteti i Serbisë është tash një partner i besueshëm edhe i Amerikës, edhe BE-së e NATO-s, edhe Rusisë e Kinës, edhe Iranit e Sudanit.
Në Afganistan ka ndodhur një dorëzim i pushtetit Talibanëve. Amerikanët kanë bërë marrëveshje me ta dhe po bashkëpunojnë që të mundësohet evakuimi i amerikanëve dhe disa bashkëpunëtorëve nga Kabuli. Presidenti amerikan, Biden, në mënyrë direkte ka deklaruar se “ndërtimi i shtetit nuk ka qenë asnjëherë qëllimi amerikan në Afganistan”. Asnjë fjalë nuk mund të jetë tepër e rëndë për të akuzuar Amerikën dhe aleatët evropianë për tradhtinë që ua bënë atyre në Afganistan që besuan se do t’u ndihmojnë ta ndërtojnë shtetin dhe demokracinë. Pa marrë parasysh se a është Trumpi apo Bideni në Shtëpinë e Bardhë asgjë për Amerikën nuk ka rëndësi pos jetës së vetë qytetarëve të saj. Tash për administratën amerikane edhe talibanët në Afganistan janë të pranueshëm si partnerë. Sepse, përkundër angazhimit për demokraci, Amerika as në të kaluarën nuk ka hezituar të bashkëpunojë me diktatura, shtete totalitare dhe regjime që shkelin të drejtat e njeriut nëse një gjë të tillë e shihnin si interes të tyre. E njëjta vlen edhe për Bashkimin Evropian.
Pra, nuk duhet të ketë askush iluzione që shtetet e fuqishme deri në pakufi do të mbështesin ndonjë shtet, ndonjë popull vetëm për shkak të miqësisë ose për shkak se ai shtet angazhohet për një të drejtë. Në mënyrë dramatike po e ndiejnë sot këtë të moderuarit e rinj në Afganistan.
Kjo tradhti që Amerika ua bëri afganëve, e nuk është e tepruar të quhet e tillë, ka ndikuar që në Serbi të dëgjohen zërat e atyre që besojnë se një ditë do të ndodhë njësoj edhe me Kosovën. Këta iluzionistë kanë shpresa se një ditë “Amerika do t’ia kthejë shpinën Kosovës sikurse Afganistanit”, për t’ia lënë Serbisë mundësinë që me forcat e veta të hyjë në zyrën e presidentes Vjosa Osmani apo dikujt tjetër, janë shumë naivë. Kosova nuk mund të krahasohet me Afganistanin, as dje as sot e as në të ardhmen.
Dallimet janë që nga arsyet e ndërhyrjes e deri tek suksesi në rimëkëmbje dhe ndërtim të demokracisë. Në Afganistan, Amerika ndërhyri për të shpartalluar grupet terroristë dhe ata që u dhanë strehë, ndërsa në Kosovë për të ndalur pastrimin etnik dhe gjenocidin. Në Afganistan, forcat amerikane dhe ato aleate nuk u pranuan kurrë nga të gjithë qytetarët si forca çlirimtare, por nga disa u quajtën edhe si okupatorë. Si pasojë me mijëra ushtarë të vendeve të NATO-s humbën edhe jetën në këtë shtet në 20 vjetët e fundit. Si në jetë njerëzish, ashtu edhe në shpenzime financiare, ishte një operacion jashtëzakonisht i shtrenjtë për Amerikën dhe Aleatët dhe kjo ndikoi që t’i jepet fund në këtë mënyrë të turpshme dhe johumane.
Në Kosovë, forcat e NATO-s, e sidomos ato amerikane, ndodhen në një ambient tepër miqësor, të mirëpritur dhe të admiruar nga popullata e vendit. Edhe pse edhe në Kosovë amerikanët dhe evropianët në disa raste dëshmuan se nuk ngurrojnë të punojnë as me ata që i konsiderojnë si të korruptuar, megjithatë, një nivel i lartë i zhvillimit demokratik është arritur. Kosovarët kanë dëshmuar se i vlerësojnë zgjedhjet e lira, lirinë e mediave dhe janë të gatshëm të largojnë nga pushteti ata që nuk dëshmohen. Dhe Kosova asnjëherë nuk ka qenë vend ku janë strehuar terroristët, por është një prej aleatëve më besnikë në luftë kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Siç kishte shkruar një herë, në prag të pavarësisë së Kosovës, Joseph Biden, presidenti i sotëm amerikan, se kjo pavarësi do të jetë një “fitore e një demokracie myslimane”, duke menduar në faktin se Kosova ka një popullsi me shumicë të besimit Islam.
e Kosovës - tashmë më pro-amerikanët në botën Islamike - do të japin një shembull aq të nevojshëm të një partneriteti SHBA-Mysliman”, pati shkruar para më shumë se dhjetë vjetësh Biden.
Vërtet se Bideni këto ditë po tregon një fytyrë tjetër, duke dëshpëruar shumë admirues të tij dhe duke mos treguar aspak simpati për vuajtjet e njerëzve në Afganistan vetëm për të mos e pranuar disfatën e turpshme. Por, asnjë nga arsyet që ndikuan në tërheqjen amerikane nga Afganistani nuk vlejnë në Kosovë. Investimet ushtarake në Kosovë janë vetëm simbolike si për SHBA-në, ashtu edhe për NATO-n. Vetëm rreth aeroportit të Kabulit ka më shumë ushtarë amerikanë sesa numri i përgjithshëm i ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Kjo, për shkak se në Kosovë fuqia e pranisë ushtarake nuk matet me numrin e ushtarëve. Matet me ndikimin politik të shteteve që i kanë dërguar. Edhe po të mbetet në Kosovë vetëm një ushtar amerikan fuqia e kësaj pranie do të jetë më e madhe sesa e 1000 ushtarëve në Afganistan. Sepse për dallim nga Afganistani, në Kosovë Amerika ka fituar mbështetjen e qytetarëve e jo vetëm të politikanëve të korruptuar që kanë shfrytëzuar praninë amerikane për t’u pasuruar për vete. Kosova nuk është bërë ende një shembull më i mirë i demokracisë, por me gjithë mangësitë që ka, po shkon në këtë drejtim. Prandaj nuk ka arsye që Amerika t’ia “kthejë shpinën Kosovës”, e as aleatët e tjerë amerikanë.
Megjithatë, kosovarët duhet të dinë po ashtu se një ditë duhet të bëhet e panevojshme prania ushtarake amerikane dhe e NATO-s. Kjo ditë shpresojmë të vijë sa më shpejt, por jo si në Afganistan. Kur të bëhet e panevojshme që në Kosovë të ketë mision të NATO-s ,kjo do të nënkuptonte se Kosova ka përmbyllur shtetformimin, se ka një ushtri të fortë dhe stabile, se pajtimi me Serbinë ka arritur nivelin e sigurisë dhe pamundësisë së konfliktit ushtarak. Se të gjithë në Kosovë ndihen të lirë dhe të sigurt, të mbrojtur dhe jetojnë pa frikë, saqë nuk ka nevojë për prani të huaj ushtarake për t’i mbrojtur. Do të nënkuptonte se Kosova i ka kufijtë e garantuar nga fqinjët, që janë anëtarë apo partnerë në NATO, dhe asnjë shtet fqinj nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Por, kjo ditë nuk duket të jetë afër. Prandaj edhe janë tepër të parakohshme paralajmërimet për mundësinë e largimit të Amerikës dhe NATO-s nga Kosova. Dhe kudo që të ndodhë kjo, e shpresojmë të ndodhë sa më shpejt, Kosova do të jetë edhe më shumë e lidhur me Amerikën, NATO-n, e jo më pak edhe me BE-në.