Pas zgjedhjeve të fundit në Holandë dhe Sllovaki, si dhe zgjedhjeve rajonale në Austri dhe në disa pjesë të Gjermanisë, po shfaqet një konsensus se zgjedhjet e ardhshme evropiane në qershor janë një katastrofë në zhvillim dhe se emigracioni është e vetmja çështje që do të përcaktojë fushatën dhe epilogun e saj
A do të jetë e djathta ekstreme fituesja e madhe e zgjedhjeve evropiane të këtij viti? Nëse po, çfarë do të thoshte kjo fitore për të ardhmen e BE-së? Po kush e përbën të djathtën ekstreme? Pesë vjet më parë liderët evropianë e kuptuan me të drejtë se evropianët vuanin nga marramendja. Sipas Milan Kunderës, marramendja nuk është e njëjtë me frikën nga rënia – po është dëshira për të rënë nga e cila, të stërfrikësuar, mbrohemi. Atëbotë votuesit luajtën me populistët e ekstremit të djathtë dhe menduan për kolapsin e Unionit, por në fund shumica vendosi të votonte për partitë mainstrim.
Duket se është pak e besueshme që ky skenar të përsëritet. Sot shumica e partive të ekstremit të djathtë kanë hequr dorë nga kërkesa që vendet e tyre të braktisin BE-në ose euron dhe kanë detoksifikuar brendet e tyre. Pas zgjedhjeve të paradokohshme në Holandë dhe Sllovaki dhe atyre rajonale në Austri dhe në pjesë të Gjermanisë po shfaqet një konsensus se zgjedhjet e ardhshme evropiane në qershor janë një katastrofë në zhvillim dhe se migrimi është e vetmja çështje që do të përcaktojë fushatën dhe epilogun. Por a mund të jetë e gabuar kjo pasqyrë?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPesë kriza, pesë fise
Është e vërtetë se Evropa është në një disponim krize. Mirëpo, emigracioni është vetëm një nga pesë krizat që kanë tronditur kontinentin këta 15 vjetët e fundit. Ajo pasoi krizën financiare globale, e cila i shtyu evropianët të dyshojnë se fëmijët e tyre do të kenë një standard jetese më të mirë se të tyre, si dhe kriza klimatike, e cila i detyroi ata të shohin rrezikun për botën. Ndërkohë Covid-19 zbuloi brishtësinë e sistemeve tona shëndetësore dhe nxiti frikën nga autoritarizmi i ri digjital. Përfundimisht lufta në Ukrainë varrosi iluzionin se një luftë e madhe nuk do të kthehej kurrë në kontinentin evropian.
Këto pesë kriza kanë disa gjëra të përbashkëta: ato u ndjenë në të gjithë Evropën; shumë evropianë i përjetuan ato si një kërcënim ekzistencial; ndikuan në mënyrë dramatike në politikat e qeverisë dhe në asnjë mënyrë nuk kanë përfunduar. Por këto pesë kriza nuk janë të njëjta – ato kanë nxitur frikë dhe ndjeshmëri të ndryshme dhe në të njëjtën kohë kanë përçarë Evropën, por paradoksalisht, e mbajtën BE-në të bashkuar.
Studimi i ri që kemi bërë na ndihmon të imagjinojmë një Evropë të banuar nga pesë “fise” të ndryshme, identitetet politike të të cilëve u formuan si përgjigje ndaj këtyre krizave. Këto fise krijojnë ndarje midis dhe brenda shteteve anëtare evropiane.
Nocioni “polikrizë” u shfaq për të sugjeruar se shumë kriza po ndodhin pak a shumë në të njëjtën kohë dhe se shoku i ndërveprimit të tyre kumulativ është më disfatist se numri i tyre total. Megjithatë, një dallojë e përkufizuar jo sa duhet e polikrizës është se për shoqëri, grupe shoqërore dhe gjenerata të ndryshme, një krizë zakonisht luan një rol dominues mbi të tjerat. Emmanuel Macron e kuptoi mirë këtë kur ua kundërvuri ata që shqetësohen për fundin e muajit (kriza ekonomike) atyre që shqetësohen për fundin e botës (kriza klimatike). Për këtë mendojmë kur themi se secili dëshiron krizën e vet. Emergjenca klimatike, lufta në Ukrainë, Covid-19, imigracioni dhe vlimet ekonomike globale – secila nga këto pesë çështje ka “konstituentën” e vet të rëndësishme të njerëzve për të cilët është kjo krizë.
Frikësime të ndryshme
Është interesante, Gjermania është i vetmi vend ku emigracioni është qartësisht në krye kur njerëzit pyeten se cila krizë i mundon më shumë kur mendojnë për të ardhmen. Estonezët dhe polakët janë të fokusuar në luftën në Ukrainë. Italia dhe Portugalia e shohin krizën ekonomike si kërcënimin më të madh. Spanja, Britania dhe Rumania janë vendet ku Covid-19 konsiderohet si trauma më e madhe. Ndërsa në Francë dhe Danimarkë njerëzit e perceptojnë krizën klimatike si më të rëndësishmen.
Preokupimi momental me migracionin nuk vjen nga fakti se shumica e njerëzve në shumicën e vendeve është e preokupuar me të e as nga fakti se kjo është çështja që shoqëritë i përçan më së shumti.
Në realitet jemi dëshmitarë të shfaqjes anembanë Evropës të një lloj konsensusi të llojit të vet për imigracionin: mbështetja për forcimin e kufijve të jashtëm është bërë e zakonshme mes partive politike. Por ajo që e veçon “fisin e imigracionit” – ata që e përkufizojnë imigracionin si krizë – është intensiteti. Ata janë më të zemëruarit nga të gjithë me politikën e BE-së dhe zemërata e tyre po i shtyn në të djathtë. Ata që migrimin e shohin si krizën më të madhe, ka shumë të ngjarë të votojnë për partitë e qendrës së djathtë ose të ekstremit të djathtë. Në Gjermani kjo nënkupton mundësi të mëdha për të votuar për AfD-në (Alternativa für Deutschland), në Francë për Frontin Kombëtar (Rassemblement National) të Marine Le Pen ose Ripushtimin (Reconquête) e Eric Zemurit.
Klima është kriza e dytë që po e çon fisin e vet në një drejtim të qartë politik. Fisi i klimës është një pasqyrë e fisit të emigracionit, kurse anëtarët e tij shpesh mbështesin partitë e gjelbra ose të qendrës së majtë. Pikërisht ky konflikt i këtyre dy fiseve do të përcaktojë zgjedhjet e ardhshme evropiane.
Mirëpo, është interesante se këto dy fise kanë qëndrime shumë të ndryshme pasi partitë e tyre të preferuara vijnë në pushtet. Kur fisi i emigracionit sheh partitë djathtiste në pushtet, mbështetësit e tyre bëhen më të rehatshëm për këtë çështje. Në Itali, imigracioni renditet çuditërisht i ulët në mesin e shqetësimeve të shumë votuesve: vetëm 10 për qind e popullsisë së vendit dhe vetëm 17 për qind e mbështetësve të Vëllezërve të Italisë e përshkruajnë këtë si krizën e tyre më transformuese, pavarësisht faktit se kjo parti u zgjodh në një platformë të fuqishme kundër imigracionit dhe se në vitin e kaluar u rrit fluksi i migrantëve ilegalë.
Sjellja e Fisit të klimës është e kundërt. Sondazhi ynë i publikut në Gjermani tregon se njerëzit vazhdojnë të jenë të shqetësuar për krizën klimatike, madje edhe kur Partia e Gjelbër, e cila ka një agjendë të fuqishme klimatike, është pjesë e qeverisë së sotme. Ndonëse Gjermania vitin e kaluar arriti të reduktojë emetimet e dyoksidit të karbonit për 20 për qind, që është impresionuese, ata nuk e konsiderojnë problemin të zgjidhur. Shkurt, votuesit mund ta kuptojnë se zgjedhja e një qeverie të ekstremit të djathtë është përgjigje ndaj frikës nga migracioni – madje edhe nëse ndryshon pak në realitet – por ata nuk konsiderojnë se kriza klimatike ka përfunduar pas zgjedhjes së të Gjelbërve.
Kjo asimetri – ky fis i imigracionit është i mobilizuar nga retorika, ndërsa fisi i klimës vuan madje edhe kur jep rezultate – deri-diku shpjegon avantazhin real të së djathtës në zgjedhjet që po vijnë.
“Secila nga pesë krizat e Evropës do të ketë shumë jetë, por ato do të jetojnë, vdesin ose ringjallen në kutinë e votimit. Ajo që liderët evropianë duhet të kuptojnë është se zgjedhjet nuk do të jenë vetëm një garë midis të majtës dhe të djathtës – ose pro-evropianëve dhe euroskeptikëve – por edhe një luftë për supremaci midis fiseve të ndryshme të krizës të Evropës. Fragmentimi e jo polarizimi, formëson politikën evropiane. Shumë votues do të fokusohen në parandalimin e rikthimit të krizës së tyre. Përqendrimi vetëm te migracioni do të rezultonte politikë e gabuar.
(Ivan Krastev është bashkëpunëtor i përhershëm në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë. Mark Leonard është Drejtor i Këshillit Evropian për Punët e Jashtme. Të dy janë bashkautorë të librit “Kriza jonë: Politika e traumës në vitin elektoral evropian”. Marrë nga: ecfr.eu)