OpEd

Zbutja e krizës Rusi-Ukrainë

... konsolidimi i kontrollit kundruall një rezistence të kudondodhur dhe të armatosur mirë mund të tregohet jashtëzakonisht i vështirë. Një numër i madh i ushtarëve rusë do të ktheheshin në shtëpi nëpër thasë, siç u kthyen edhe nga Afganistani pas ndërhyrjes sovjetike të vitit 1979. Një dekadë më vonë, trupat sovjetike ishin larguar prej atij vendi, siç ishin larguar edhe udhëheqësit sovjetikë të ndërlidhur me pushtimin. Vetë Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Putini do të tregohej i mençur po qe se i merr parasysh mësimet e dala prej kësaj të shkuara, përpara se të vendosë për të ardhmen.

Muajt e fundit, Rusia ka pozicionuar një forcë të madhe dhe goxha të aftë ushtarake përgjatë kufirit të saj me Ukrainën. Ajo që ne nuk e dimë është se pse (aftësitë është gjithmonë më të lehtë të vlerësohen se sa qëllimet) apo edhe nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur rreth një kursi të veprimi. Deri më tani, ai ka krijuar opsione, e jo rezultate.

Ajo që sillet nëpër mendje është korriku i 90-s, kur një tjetër autokrat, Saddam Husseini, pozicionoi forca të konsiderueshme ushtarake përgjatë kufirit jugor të Irakut me Kuvajtin. Asokohe, njëjtë sikurse tani, synimet ishin të mjegullta, porse çekuilibri midis forcave ishte i dukshëm. Udhëheqësit arabë i thanë presidentit të atëhershëm amerikan, George H.W. Bush, që të mos e tepronte në reagim, të bindur se kjo ishte një dredhi për ta detyruar Kuvajtin që të ndërmarrë hapa për ta rritur çmimin e naftës, gjë kjo që do të ndihmonte Irakun të rimëkëmbej dhe të riarmatosej pas luftës së tij të gjatë me Iranin.

Megjithëkëtë, kah fillimi i gushtit, ajo që shumicës i ngjasonte në teatër politik kishte marrë përmasa të një tej realeje. Ndërhyrja çoi drejt pushtimit dhe u nevojit një koalicion masiv ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i shpënë forcat irakiane nga Kuvajti dhe për ta rikthyer sovranitetin e vendit.

A është e mundur që një dinamikë e ngjashme të shpaloset edhe sot në kufirin Rusi-Ukrainë?

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka reaguar ndaj grumbullimit të trupave ruse me një përzierje të mjaltit dhe uthullës. Synimi është që Rusia të bindet që të mos ndërmarrë pushtim, duke bërë të qartë se kostot do ta tejpeshonin çfarëdo përfitimi dhe se disa shqetësime ruse mund të adresoheshin, të paktën pjesërisht, po qe se ajo zmbrapset. Quajeni këtë përmbajtje të kombinuar me diplomaci.

Disa e kanë kritikuar reagimin e SHBA-së si shumë të dobët. Mirëpo, gjeografia dhe ekuilibri ushtarak e bëjnë mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës krejtësisht të pamundur. Bideni kishte të drejtë kur e hoqi nga tavolina e negocimit ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ushtarake të SHBA-së: mosveprimi kundruall një kërcënimi të tillë vetëm sa do t’i përforconte dyshimet në rritje lidhur me besueshmërinë e Amerikës.

Por, Bideni ka po ashtu të drejtë që të prapësohet kundër Rusisë. SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, bashkë me vetë Rusinë, i dhanë garanci Ukrainës më 1994 se, në këmbim të heqjes dorë nga arsenali bërthamor që e kishte trashëguar nga Bashkimi Sovjetik, do t’i respektoheshin sovraniteti dhe kufijtë e saj. Ky nuk e përbënte një përkushtim sigurie të sojit të NATO-s, por nënkuptonte se Ukraina nuk do të braktisej.

Dhe megjithëse ka disa që e kundërshtojnë rezistencën e drejtpërdrejtë ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, e mbështesin atë në rastin e agresionit të mundshëm kinez kundër Tajvanit. Në të dyja instancat, gjeografia është kundër opsioneve ushtarake të SHBA-së, dhe në asnjërën prej tyre SHBA-ja nuk detyrohet nga një angazhim i çeliktë për sigurinë. Por në rastin e Ukrainës, aleatët në NATO nuk janë të gatshëm për mbrojtje karshi një sulmi rus dhe nuk presin që SHBA-ja ta bëjë këtë. Në anën tjetër, aleatët dhe partnerët e SHBA-së janë të gatshëm që t’i rezistojnë agresionit kinez dhe presin që SHBA-ja të ndihmojë në asgjësimin e çdo përpjekjeje kineze për hegjemoninë rajonale.

Kjo nuk do të thotë se Rusia duhet t’i ketë duart e lira karshi Ukrainës. Cilido rend që ekziston në botë, ai është i bazuar në parimin se asnjë vendi nuk i lejohet që ta pushtojë tjetrin dhe t’i ndryshojë kufijtë me forcë. Kjo më shumë se e justifikon furnizimin e Ukrainës me armë për mbrojtje, si dhe kërcënimin për zbatimin e sanksioneve të rënda ekonomike që do të shkaktonin një kosto të konsiderueshme për ekonominë veçse të brishtë dhe të varur nga energjia e Rusisë.

Biden ka gjithashtu të drejtë që i ofron një shteg diplomatik Putinit, po qe se ai vendos se do të ishte më e mençur që të zmbrapsej prej humnerës. Disa ide të vlefshme janë sugjeruar: pjesëmarrja e shtuar diplomatike amerikane në procesin diplomatik të Minskut, iniciuar pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainën lindore më 2014, një zmbrapsje e ndërsjellë e forcave ruse dhe atyre ukrainase nga kufiri i përbashkët, dhe gatishmëria e diskutimit me Rusinë arkitekturën e sigurisë evropiane.

Administrata Biden ka njashtu të drejtë që ta kufizojë atë që ia ofron Putinit. Është një gjë që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO tani; do të ishte diçka krejt tjetër që ky opsion të përjashtohet përgjithmonë. E njëjta vlen edhe për çfarëdo garancie që mund t’i ofrohet Rusisë për politikat e tjera të NATO-s. Diplomacia kurrë nuk duhet të ngatërrohet me kapitullimin.

Në fund të ditës, ajo që pason është vendimi i Putinit. Ai e sheh Ukrainën si një pjesë organike të Rusisë më të madhe, dhe mund fare lehtë ta kërkojë inkorporimin e saj për ta çimentuar trashëgiminë e tij dhe për të zhbërë – të paktën pjesërisht – shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, të cilin ai më 2055 e përshkroi si “një katastrofë madhore gjeopolitike e shekullit”. Dikush mund të shpresojë se politika e rritjes së kostove të pushtimit dhe e ofrimit të disa gjesteve do të bindin Putinin që ta zbusë krizën të cilën e ka krijuar.

Nëse, sidoqoftë, parandalimi dështon dhe Putin e ndërmerr pushtimin, sanksionet e premtuara do të duhej të vendosen. Këtu përfshihet anulimi i gazsjellësit Rusi-Gjermani “Nord Stream 2” dhe zbatimi i kostove reale ndaj institucioneve financiare ruse dhe qarkut të brendshëm të Putinit. Do të ishte njashtu një moment për ta forcuar NATO-n dhe për t’ia ofruar Ukrainës armët, këshillat dhe inteligjencën shtesë.

Krejt kjo më kthen tek Iraku, por tani më 2003-n dhe vitet pasuese. SHBA-ja e pushtoi Irakun shkaku i shqetësimit se Saddami po fshihte armë për asgjësim në masë dhe për shkak se e pa një mundësi për të përhapur demokracinë, jo vetëm në Irak por nëpër të gjithë botën arabe. Por ndërkohë që lufta filloi me një fushatë masive ajrore “tronditje e frikë” dhe me rënien e shpejtë të Bagdadit, konsolidimi i avancimeve ushtarake doli të ishte si i vështirë ashtu edhe i kushtueshëm, pasi që grupet me bazë urbane u dolën në kundërshtim të ashpër trupave të udhëhequra nga SHBA-ja. Populli amerikan u kthye kundër luftës dhe politikës së jashtme të gjykuar si tepër ambicioze dhe jashtëzakonisht e kushtueshme.

Një fat i ngjashëm mund ta presë edhe Rusinë, po qe se trupat e saj marshojnë drejt Kievit dhe mundohen që ta vejnë nën kontroll pjesën më të madhe, nëse jo edhe krejt Ukrainën. Edhe këtu, konsolidimi i kontrollit kundruall një rezistence të kudondodhur dhe të armatosur mirë mund të tregohet jashtëzakonisht i vështirë. Një numër i madh i ushtarëve rusë do të ktheheshin në shtëpi nëpër thasë, siç u kthyen edhe nga Afganistani pas ndërhyrjes sovjetike të vitit 1979. Një dekadë më vonë, trupat sovjetike ishin larguar prej atij vendi, siç ishin larguar edhe udhëheqësit sovjetikë të ndërlidhur me pushtimin. Vetë Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Putini do të tregohej i mençur po qe se i merr parasysh mësimet e dala prej kësaj të shkuara, përpara se të vendosë për të ardhmen.

(Richard Haass është kryetar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).