OpEd

Vizat do të hiqen në vitin e ri, nëse jo atë 2019, atëherë atë 2020 apo në ndonjë vit tjetër të ri

Ja një skenar optimist: Pasi Pavarësinë Kosova e shpalli gjatë Presidencës sllovene të BE-së në shkurt të vitit 2008, liberalizimin e vizave mund ta fitojë gjatë Presidencës kroate të BE-së në pjesën e parë të vitit 2020, ndërsa anëtare e BE-së të bëhet diku në vitin 2038 gjatë Presidencës malazeze të BE-së. Dikujt këto parashikime fiktive mund t’i duken tepër pesimiste. Por pesimizmi im i para shumë viteve rreth liberalizimit të vizave është dëshmuar të ketë qenë optimizëm i tepruar.

Po e lëmë pas një vit kur e kuptuam mirë se dialogu me Serbinë na ka sjellë më shumë dëme se dobi. Kur e kuptuam se në Kosovë ka gatishmëri për ndryshim të kufijve dhe kompromise, duke e pranuar se zgjidhja e tashme nuk funksionon. Kur e kuptuam se liberalizimi i vizave është një proces i pafund për kosovarët, ndërsa ajo që quhet “perspektivë evropiane” për Kosovën është një fiksion, së paku për disa vite para nesh.

Të gjitha këto gjëra që nuk ndodhen për Kosovën e shënuan vitin 2018, vit që nisi me pritjet për të qenë “vit i kthesave të mëdha në procesin e zgjerimit të BE-së”. As fqinjët e Kosovës nuk avancuan shumë në vitin e vjetër, së paku jo aq sa pritej në fillim të atij viti. Shqipëria dhe Maqedonia nuk nisën negociatat e as nuk morën ndonjë datë të prerë për këtë. Mali i Zi dhe Serbia hapen disa kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, por nuk bën ndonjë rritje të shpejtësisë në këtë proces. Bosnjë-Hercegovina vazhdoi të mbetet në pritje të përgjigjes se a i përmbush kushtet për të marrë një rekomandim për status kandidati.

Por askush nuk ngeci si Kosova. Nuk përmbushi as premtimin joreal se do të aplikojë për anëtarësim në BE. Mori konfirmimin e Komisionit Evropian se i ka përmbushur kushtet për liberalizim vizash, por as ky rekomandim nuk ndihmoi shumë. Kështu Kosova po hyn edhe në një vit të ri me dëshpërimin pse ende nuk ka liberalizim vizash, dhe me dëshirën që në vitin e ri, sikur në shumë vite para këtij, të marrë liberalizimin e vizave. Politikanët e Kosovës vazhdojnë të thonë se “Kosova e meriton këtë”, por kjo nuk është një dhuratë të cilën mund ta sjellë Babadimri për shkak të meritave apo mirësjelljes.

Nuk është ndjenjë e mirë për gazetarin kur duhet të raportojë për gjëra të pakëndshme. Nuk ndihet as gazetari mirë kur duhet t’ua prishë festën njerëzve, siç kam bërë me tekstet në vitin 2014 apo 2016, apo edhe më herët kur kam tërhequr vërejtjen se procesi i liberalizimit të vizave nuk është afër, ani pse udhëheqësit politikë vazhdonin me “garancitë e tyre direkte nga Brukseli, nga niveli më i lartë” se kjo sapo nuk ka ndodhur.

Nuk ndihem aspak mirë kur në Aeroportin e Prishtinës më pyesin se “kur do të bëhet qaj far liberalizim se marum tuj prit e ti e din dhe nuk na rren!”. Nuk e ndiej veten mirë as kur më lavdërojnë se si unë “ja kam qëlluar” se nuk do të ndodhë liberalizimi i vizave. Por jo, nuk ia kam qëlluar, por vetëm kam raportuar për gjërat që i kanë ditur edhe të tjerët, por nuk kanë dashur t’i thonë popullit. Nuk besoj të kem pasur më shumë informacione, sesa që kanë pasur politikanët udhëheqës të Kosovës. Por ata ose kanë dashur qëllimisht të manipulojnë popullin ose janë aq joseriozë saqë nuk kanë dashur të pranojnë dhe kuptojnë atë që u thonë. Pra, nuk është këtu punë e ndonjë basti se a do të ndodhë apo jo diçka në kohë të caktuar. Është një proces me shumë pjesëmarrës dhe, kur bëhen bashkë disa rrethana, mund të kuptohet se kur nuk do të ndodhë diçka. Pra, gjithmonë ka qenë e qartë se kur nuk do të ndodhë liberalizimi i vizave. E kur do të ndodhë ai është pak më e vështirë për të ditur. Se nuk do të ndodhë deri në fund të vitit 2018 është ditur që në fillim të këtij viti. Që tash dihet se nuk do të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2019, por nuk mund të dihet a mund të ndodhë në pjesën e dytë të këtij viti.

A do të ndodhë apo jo liberalizimi i vizave varet nga zgjedhjet evropiane, nga disponimi i qeverive të Francës, Holandës e Gjermanisë, nga numri i azilkërkuesve nga Shqipëria, Gjeorgjia e Ukraina, nga performanca e Prokurorisë së Kosovës, nga vullneti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, nga disponimi i Qeverisë në Spanjë e Rumani, besa tash edhe nga rrjedha e dialogut me Serbinë dhe taksat ndaj mallrave nga Serbia, nga niveli i rrezikut për largim masiv nga Kosova në rast të liberalizimit, nga perceptimi rreth nivelit të korrupsionit në shërbimet publike në Kosovë dhe nga shumë e shumë gjëra të tjera. Por asgjë nuk do të varet nga ata për të cilët do të duhej të vlente ky liberalizim, për qytetarët e Kosovës. Atyre nuk u ka mbetur gjë pos të shikojnë, dëgjojnë, presin dhe shpresojnë.

Premtime nuk ka nga BE-ja, së paku jo për afate kohore, e nëse dikush i jep ato premtime duhet të merren me rezervë. Procesi i liberalizimit të vizave është një proces, i cili tash e katër vjet është “në fazën përfundimtare”. Por kjo fazë për kosovarët po dëshmohet të jetë e pafund.

Kështu do të jetë edhe viti 2019, që mund të jetë vit i cili do të sjellë liberalizimin e vizave, por edhe të mos jetë. Kosovarët më nuk do t’i befasojë asgjë. Ata duhet të vazhdojnë të jenë optimistë, sepse optimizmi është një gjë e mirë. Nga ai nuk ka dëm. Ai i gëzon njerëzit dhe u jep vullnet. Fundi i fundit askush nuk mund t’ia ndalojë dikujt të shpresojë. E shpresa u ka mbetur kosovarëve edhe për vitin e ri, nëse jo për këtë 2019 atëherë për atë 2020.

Ja një skenar optimist: Pasi Pavarësinë Kosova e shpalli gjatë Presidencës sllovene të BE-së në shkurt të vitit 2008, liberalizimin e vizave mund ta fitojë gjatë Presidencës kroate të BE-së në pjesën e parë të vitit 2020, ndërsa anëtare e BE-së të bëhet diku në vitin 2038 gjatë Presidencës malazeze të BE-së. Dikujt këto parashikime fiktive mund t’i duken tepër pesimiste. Por pesimizmi im i para shumë viteve rreth liberalizimit të vizave është dëshmuar të ketë qenë optimizëm i tepruar. Kështu më patën etiketuar si “pesimist”, kur në vitin 2012 pata thënë se nuk pritet të ndodhë liberalizimi deri në vitin 2014 e tash po hymë në vitin e ri 2019 pa liberalizim vizash.

Të urojmë që ky Vit i Ri 2019 të na sjellë më shumë të mira, sesa viti i vjetër, dhe gazetarët të kenë mundësi për të raportuar më shumë lajme të mira e më pak dëshpëruese.