OpEd

Viti i mbrapshtë

Me këtë mendësi politike, ajo që do të pasojë nuk do të jetë e mirë. U takon qytetarëve që në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat pritet të mbahen pas dështimit të dytë për të krijuar qeverinë e njëjtë me karrige të zëvendësuara, ta tregojnë vullnetin e tyre për mbarësi apo për prapësi. Kjo varet nga ajo se a ndryshon vetëdija politike qytetare nga vetëdija e vitit të mbrapshtë të Kadaresë

Këtë kolumne po e titulloj sipas romanit të njohur të Ismail Kadaresë, “Viti i mbrapshtë”, për shkakun që në të gjithë periudhën e pasluftës, Kosova vit më të mbrapshtë se 2025-ta nuk ka pasur.

Përderisa Kadareja e vendos rrëfimin e tij në periudhën e para pavarësisë së Shqipërisë, në vitet 1911-1912, me grupe të shumta shqiptarësh të paunifikuar dhe të shpërbërë nëpër formacione të ndryshme e të paorganizuara kryengritëse, nga të cilat pati edhe aso që as që e kishin idenë përse kishin ngritur krye, rrëfimi në këtë kolumne e kap periudhën paszgjedhore të 2025-tës, 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, kur Kosova është në prag të të qenit shtet jofunksional, pikërisht nga ato struktura që do të duhej të përkujdeseshin për funksionimin e mirëfilltë të shtetit dhe të institucioneve të tij.

Përse Vit i mbrapshtë, e jo ndonjë titull tjetër? Kjo për arsyen se viti që po e lëmë pas ishte ai që e tregoi mungesën e vetëdijes shtetformuese e shtetudhëheqëse nga forcat kryesore politike, njëjtë sikurse përshkruhet në mënyrë metaforike në romanin e mirënjohur të Kadaresë.

Po të shkruhej një roman për vitin 2025 në Kosovë, do të dilte të jetë i zhanrit të trilerit politik, por medoemos, në mënyrë alegorike, do të duhej të përshkruhej një mjedis ku lufta për dominim e pushtet i vë nën hije synimet historike për të ndërtuar një shtet stabil që nuk përkulet para sfidave të politikës ditore e qëllimeve meskine të akterëve politikë. E kjo është mu ajo që ndodhi gjatë 2025-tës. Ideja e shtetndërtimit u përkul para taktizimeve të papërgjegjshme të politikës ditore, të cilat iu servuan qytetarëve si përpjekje për sendërtimin e rezultateve zgjedhore, e që në të vërtetë, nuk ishin gjë tjetër veçse luftë për dominim e pushtet absolut.

Paralelet në mes të Vitit të mbrapshtë të Kadaresë dhe vitit të mbrapshtë kosovar janë të shumta. Në të dyja ndërthuren miti dhe absurdi politik që krijojnë një atmosferë ankthi, paralajmërimi të zymtë dhe simbolike të përçudnuar të të ashtuquajturave figura “historike” që paraqiten si “shpëtimtarë” kombëtarë. Kadareja e përdor kohën si metaforë në vete. Koha është e çarë në dysh, në të ndalon historia dhe viti, si i mbrapshtë që është, shërben si një metaforë e heshtur e historisë që ndalet apo shkon prapa në mënyrë të pakontrolluar në një sfond, ku veprimet absurde e jo njerëzit me arsye kanë ndikim në rrjedhat politike.

Kadareja po ashtu e përdor ndërthurjen e reales me jorealen, mu ashtu siç na tregojnë ngjarjet e vitit 2025 në Kosovë. Interpretimet e përçudnuara, eksploatimi i frikës kolektive, e hamendësimet popullore lidhur me veprimet e akterëve politikë dhe ngjarjet që do ta pasojnë një veprim të dështuar janë karakteristike për vitin 2025. Në këtë vit, realiteti politik është interpretuar në një mënyrë që ka krijuar një mbi realitet, apo një situatë ku jorealja shpeshherë është ndeshur me realen si dy të vërteta të barabarta, dhe kjo ka shkaktuar ndërthurje të çuditshme të gënjeshtrës së thënë si e vërtetë dhe e vërtetës së interpretuar si gënjeshtër. Pra, qytetarët kanë jetuar diku në mes të reales dhe joreales duke mos ditur ta bëjnë dallimin në mes të njërës dhe tjetrës.

Viti 2025, ashtu siç e paraqet Kadareja në “Vitin e mbrapshtë” ka treguar një psikologji kolektive të kapluar nga frika, të manipuluar nga deformimi i lajmeve dhe i ngjarjeve reale dhe të zhytur në një pasiguri të pashpjegueshme. Tensionet politike janë zhvendosur në familje dhe në shoqëri dhe ato u shërbejnë forcave politike për ta mbajtur dhe për ta konsoliduar pushtetin, duke e eksploatuar dhe duke e ndërtuar mbi përçarjet e polarizimin shoqëror, të cilat shërbejnë si mjet për të qëndruar në pushtet e për të ndërtuar kulte personaliteti që e krijojnë parakushtin për ndërtimin e pushtetit absolut.

Kjo psikologji kolektive, e cila është lehtë e manipulueshme, ushqehet me frikë nga armiku i jashtëm dhe i brendshëm dhe, rrjedhimisht, me nacionalizëm, i cili nuk bazohet në nevojë të vërtetë shoqërore e politike, por shërben si levë e pushtetit. Nacionalizmi është koncepti me të cilin më së lehti manipulohen masat e gjëra, të cilat në mungesë të mirëqenies ekonomike, në situatat kur ka krizë ekonomike, e gjejnë strehën më të sigurt te nacionalizmi i verbër.

Në romanin “Viti i mbrapshtë” të Kadersë, ndihet po ashtu ironia ndaj pushtetit politik dhe absurdit me të cilin ky pushtet vazhdon të qëndrojë në këmbë. Po ashtu, sikurse në këtë roman, edhe ngjarjet e vitit 2025 në Kosovë janë të mbështjella me një ironi të pazakontë politike. Ironia e këtyre ngjarjeve qëndron në atë se një forcë politike që ka arritur rezultatin më të lartë zgjedhor në historinë më të re të Kosovës, ka dështuar të ndërtojë një kohezion politik e social, i cili do t’ia mundësonte asaj të qeverisë në mënyrë demokratike, duke iu përgjigjur kështu, në mënyrë adekuate e të përgjegjshme, vullnetit të qytetarëve në zgjedhje. Në anën tjetër, absurdi i veprimeve politike është një rezultat i ironisë së lartpërmendur. Kryeneçësia politike është motor i veprimeve absurde, siç është, ta zëmë, kandidimi mbi pesëdhjetë herë i një kandidateje për kryetare të kuvendit dhe vetëkënaqësia politike e të qëndruarit në ekzekutiv si qeveri në detyrë për më shumë se tetë muaj, tregojnë një situatë absurde ku një forcë politike refuzon ta kuptojë realitetin paszgjedhor dhe sillet sikur të jetë ajo fituesja absolute e zgjedhjeve, e ku nostalgjia për rezultatet zgjedhore të para katër vjetëve e udhëheqin mendimin dhe veprimin e saj politik.

Romani “Viti i mbrapshtë” i Kadaresë dhe viti 2025 në Kosovë kanë shumë të përbashkëta. Ajo që e pasoi vitin e mbrapshtë të Kadaresë në Shqipëri ishte krijimi i një shtet kombëtar të cunguar në më pak se gjysmën e territorit etnik, një shtet të përçarë thellësisht në mes të kombëtares dhe antikombëtares, mu për shkak të mungesës së lidershipit të njësuar me një qëllim dhe vetëdijes së ulët kombëtare në mesin e popullsisë. Se çka do ta pasojë vitin e mbrapshtë 2025 në Kosovë, mbetet të shihet.

Sigurisht se me këtë mendësi politike, ajo që do të pasojë nuk do të jetë e mirë. U takon qytetarëve që në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat pritet të mbahen pas dështimit të dytë për të krijuar qeverinë e njëjtë me karrige të zëvendësuara, ta tregojnë vullnetin e tyre për mbarësi apo për prapësi. Kjo varet nga ajo se a ndryshon vetëdija politike qytetare nga vetëdija e vitit të mbrapshtë të Kadaresë.

[email protected]