OpEd

Urimet që bëjnë diferencën

Epoka digjitale dhe mundësia e komunikimit të shpejtë e të lehtë në rrjete sociale e kanë zbehur gati deri në harresë traditën mijëravjeçare të njerëzimit për urimet e shkruara në letër. Megjithatë, ato ende e bëjnë diferencën

Mollëzat dhe hundët e tyre të skuqura nga të ftohtit të bënin ta kuptoje menjëherë se kishin kohë të gjatë që rrinin jashtë. Të ndarë në grupe nga dy a tre, vogëlushët e vogëlushet u ofroheshin qetazi dhe pa imponim kalimtarëve në sheshin kryesor të kryeqytetit. Kur atë buzëmbrëmje të acartë dhjetori u ndala pranë tyre të shihja se çfarë mbanin në duar, sakaq vrapuan dhe më rrethuan.

“Teta, a po e blen një. I kemi përgatitur vetë”, më tha më imëtaku prej tyre, të cilit mezi ia shihja sytë nga maska dhe koka e strukur nën kapelën e xhaketës ngjyrë hiri. Secili syresh mbante në duar kartolina me ngjyra e figura të ndryshme, të palosura në dysh. I shikova një nga një me kërshëri. Kreativiteti i tyre ishte për admirim.

“I kemi bërë për bamirësi”, më tha njëra nga vogëlushet. “Paratë nga shitja do t’i dhurojmë si ndihmë për fëmijët me autizëm”,vazhdoi. Sikur donin të më bindnin se nuk kishin dalë aty të mashtronin kalimtarët, më tregonin se ishin nxënës të filan shkolle fillore dhe se e kishin iniciuar vetë aktivitetin e mbledhjes së parave për bamirësi.

Shpjegimi i tyre i sinqertë sa më gëzoi aq më dhembi. “Kaq të vegjël e kanë kuptuar se jetojnë në një shoqëri të mbërthyer nga keqpërdorimet, hajnia e mashtrimi. Sa mirë që nuk duan të identifikohen me të keqen”, mendova.

Nuk dyshoja në motivin e tyre, por kisha dilemën cilën ta përzgjidhja dhe kujt do t’ia dërgoja atë kartolinë. E zgjodha një me flluska dëbore të prera nga stiropoli e të ngjitura në sfond të kaltër. Mes tyre i shkruar me ngjyrë të bardhë vezulluese ishte numri 2021. Dukej sikur binte me lehtësi nga qielli së bashku me flluskat.

Vazhdova ecjen nëpër sheshin e stolisur me yje të shndritshëm dhe si në një ekran bardhezi filluan të më shfaqeshin pamje fëmijërie. Një tezgë e gjatë e mbushur me urime apo uresa, siç i quanim atëherë, e vendosur në trotuarin skaj rrugës (atëherë sheshi në qendër të qytetit ishte rrugë).

Ishte një lloj ceremonie për fëmijët blerja e tyre atëbotë. E prisnim me padurim atë periudhë të vitit. Mbesnim gjatë pranë tezgës duke i shikuar me vëmendje cilën nga uresat të përzgjidhnim. Duhej përshtatur uresën shoqes, shokut të klasës, kushërirës apo kushëririt që do t’ia dërgonim.

Nuk kishim shumë mundësi zgjedhjeje. Kryesisht ishin kartolina me vizatime të një babadimri që fluturonte me sajën me kaproj, një çupë me kapele që mbante në duar kuti dhuratash të lidhura me fjongo apo një bredh i stolisur. E përcillnin një lloj trendi edhe ato. Me kalimin e viteve ndryshonin dhe bëheshin më atraktive. Të stërpikurat me xixëllima kushtonin më shtrenjtë.

Sado që dëshironim të dërgonim sa më shumë urime, nuk na lejonte standardi i asokohshëm jetësor të blinim aq sa dëshironim. Në shkolla nuk na mësonin t’i bënim punëdore, siç bëhen tani, e që për mua kanë vlerë të madhe, sepse mund të personalizohen dhe koha që marrin për t’i përgatitur tregojnë edhe përkushtimin e dërguesit për pranuesin.

Më e rëndësishme sesa blerja e kartolinave ishin fjalët që do të shkruanim në to. Përpiqeshim ta mahnitnim me bukurshkrim e lajle apo edhe ta bënim të qeshte pranuesin. Por suksesi më i madh ishte kur arrije që pavërejtshëm t’ia vendosje në libër apo në çantë shoqes apo shokut të klasës dhe të prisje pastaj momentin e reagimit të saj/tij kur e gjente uresën.

Siç dëshironim t’i befasonim miqtë dhe të afërmit, ashtu prisnim të befasoheshim edhe ne. Kur binte zilja e derës vraponim me shpresën që postieri po na sillte uresat e fortdëshiruara. Kishte edhe hatërmbetje kur nuk na ktheheshin nga ata që i kishim uruar. Por mëritë nuk zgjasnin shumë. Viti i ri vinte shpejt e bashkë me të edhe uresat e munguara.

Këto kujtime më bënë t’u kthehesha e t’i shikoja kushedi për të satën herë dhjetëra kartolinat e dërguara nga familjarët e shoqet e shokët e fëmijërisë e që ende i ruaj si suvenire sentimentale. Qeshja me plot prej tyre gjersa i lexoja. Shumica fillonin me atë fjalinë e famshme “tra-la-la-tri-li-li/ ta uroj vitin e ri J”. Kishte edhe aso që përmbanin sarkazëm e humor. Por pothuajse që të gjitha përfundonin me urimin për suksese në mësime. Dhe kishin pak ose aspak gabime gjuhësore.

Gjërat kanë ndryshuar shumë nga atëherë. Epoka digjitale dhe mundësia e komunikimit të shpejtë e të lehtë në rrjete sociale e kanë zbehur gati deri në harresë traditën mijëravjeçare të njerëzimit për urimet e shkruara në letër.

Sot ato janë zëvendësuar me kartolinat e gatshme virtuale, me plot gabime gjuhësore që dërgohen me një komandë nëpër shumë adresa njëkohësisht. Edhe urimet që u dërgohen drejtpërdrejt miqve dhe shoqërisë gjatë komunikimit virtual shkruhen ngutazi e me shkurtesa, duke ua zvetënuar rëndësinë. Uresat festive nuk duhet të kuptohen si transmetim i emocionit momental, por si përkushtim dhe sentiment i dërguesit te pranuesi. Kur përmbajnë mesazhe të fuqishme dhe janë pa gabime drejtshkrimore, ato prekin ndjenjat njerëzore vetvetiu, pa pasur nevojë të përforcohen me emotikonet kujdestare.

Rreshtat e derikëtushëm për nostalgjinë e një tradite në zbehje janë shkëputje e vogël nga realiteti i hidhur pandemik në kapërcim motesh. Duke iu rikthyer kujtimeve të bukura rizbulojmë njerëzinë dhe mirësinë te vetvetja. Rigjejmë forcën për të përballuar dhimbjen për familjarët e miqtë që e humbën luftën me virusin shkatërrues dhe shpresën për ata që po luftojnë për mbijetesë. Unë zgjodha t’u rikthehem kujtimeve më reale dhe më të çiltra, atyre të fëmijërisë.

Kartolinën që bleva nga vogëlushët në shesh ia dërgova Trimit, nipit pesëvjeçar të xhaxhait tim, që e kam fort për zemër. Urimin ia nisa me “Tra-la-la, tri-li-li”. Ai ma ktheu me një video-urim. Teksa mbante uresën në duar, me sytë që i shkëlqenin nga gëzimi më uronte dhe më falënderonte për surprizën e bukur. Dhe kështu unë me uresën tradicionale, ai me uresën digjitale e befasuam dhe e lumturuam njëri-tjetrin për pak çaste.

Dhe dëshmuam se traditave të bukura nuk u humb vlera kurrë. Në kohë të vështira marrin edhe më shumë kuptim.

Shnet e begati në 2021-n. Urofshi e qofshi të uruar.

Gëzuar!