OpEd

“Unë jam mirë kur asht mirë Shypnija” - ISA BOLETINI

E titullova këtë shkrim me thënien e heroit tonë kombëtar Isa Boletini “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”, e cila, edhe pse u tha para më shumë se 100 vjetësh, ende reflekton me po të njëjtin realitet dhe fuqi, dhe ngjarjet e fundit na e dëshmojnë të gjithë këtë. Nuk ka shqiptar që mund të ndihet mirë, kur Shqipëria rënkon dhe njerëzit e saj janë të përvuajtur

28.11.2019

Ende pa kaluar as java e plotë, mua më duhet që të ulem dhe të shkruaj sërish ditarin tim me plot emocion. Koincidon që të jetë Dita e Flamurit koha kur po i shkruaj këta rreshta. Të gjithë jemi të prekur nga rasti i tërmetit katastrofal prej 6.4 shkallësh, i cili ndodhi në Shqipëri ditën e martë, dhe i cili deri në këto momente, kur unë po e shkruaj ditarin tim, mori 41 jetë njerëzish.

Por çfarë ndodhi që nga mëngjesi i kobshëm i 26 nëntorit? Fillimisht Facebooku u vërshua nga statuse të shumta nga miqtë e mi të shumtë, të cilët tërmeti i fuqishëm i kishte zgjuar nga gjumi. Komentet të shumtën ishin me tone satirike dhe aso të frikës, sepse shumica e tyre kishin qenë në gjumë kur ai ndodhi. Pas fare pak kohësh u kuptua se epiqendra kishte qenë rreth rajonit të Durrësit. Me të kuptuar këtë gjë m’u kujtua tërmeti i muajit shtator, i cili ishte më i ulët për nga intensiteti, por që prapëseprapë arriti që të krijonte dëme materiale. Këtu lindi frika ime se posa që të zdritej ne do ta kuptonim se gjendja në terren nuk do ishte aq e lakmueshme. Shpresoja që viktima të mos kishte. Me të zdritur dhe me të arritur të lajmeve të para nga terreni, u kuptua se kishte pasur ndërtesa të cilat ishin kolapsuar nga tërmeti në Durrës, Thumanë, Laç dhe ca vendbanime të tjera.

Në atë mëngjes 42 trupa të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të specializuara në “Kërkim-shpëtim”, morën rrugën për t’u dalë në mbrojtje vëllezërve dhe motrave të tyre shqiptare.

Tërmeti më bëri ta kuptoja brishtësinë e shtetit shqiptar dhe organizimin e tij për t’u përballur me fatkeqësi të këtilla. Nuk jemi duke folur për qindra ndërtesa të kolapsuara, por rreth dhjetë sosh. Sigurisht se shumë pyetje legjitime duhet të ngrihen në lidhje me këto ndërtesa, të cilat kolapsuan. Kush i ndërtoi? Kush i dha vlerësimet për pranimet teknike të ndërtimeve të tyre?!! Kush i dha lejet e ndërtimeve? Edhe pse tërmeti ishte i fortë, ndërtimet do të duhej që ta përballonin atë. E njëjta pyetje legjitime do të duhej të bëhej edhe për të gjitha ndërtimet e pasluftës në Kosovë? Cilat ishin kriteret e ndërtimeve? Kush i dha lejet? Si dhe kush i bëri kontrollet e pranimeve teknike të ndërtimeve të tilla (nëse ua ka bërë ndonjëherë dikush)?

Mos na provoftë fati me ndonjë tërmet të tillë në Kosovë, pasojat as që dëshiroj t’i paramendoj.

Menjëherë aty, pas organizimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, filluan edhe organizimet nga Vetëvendosje për dërgimin e ndihmave të ndryshme për të goditurit nga tërmeti në Shqipëri. Në qytet “Plisat” ishin organizuar dhe aty po mblidhnin ndihmat për të goditurit nga tërmeti. Nuk vonuan dhe filluan organizimet për ndihma të ndryshme nëpërmjet Facebookut. Brenda 24 orëve organizimet për ndihmë vëllezërve dhe motrave të tyre nga Shqipëria kishin marrë një hov të paparë. Qytetarë të shumtë po ofronin shtëpitë e tyre anembanë Kosovës, familje të shumta ishin të gatshme që të ndanin kulmin dhe kafshatën e tyre me vëllezërit dhe motrat e tyre shqiptare. U hapën fondacione të ndryshme online në përkrahje të viktimave të tërmetit.

Brenda 24 orësh këto fondacione u vërshuan me donacione nga mërgimtarët shqiptarë dhe shumat arrinin në qindra e mijëra, si dhe dhjetëra mijëra euro. U organizua edhe “Klubi i prodhuesve kosovarë” me mbi 200 tonelata nga prodhimet e ndryshme vendore. Qeveria e dorëhequr e Kosovës ndihmoi me 500.000 euro!

Edhe pse shumë nga njerëzit që po ndihmonin në secilën mundësi, që ata e kishin në dispozicion, po thoshin se po e kthenin të mirën të cilën vëllezërit tanë na e kishin bërë në vitin 1999, kur na strehuan nga lufta. Unë mendoj se kjo nuk bëhet për atë arsye!

Logjika e tyre mund te thotë ashtu, por unë jam më se i sigurt se, edhe po qe se lufta mos të kishte ndodhur ndërsa ky termet po, ndihma e shqiptarëve nga Kosova nuk do të ishte aspak më e zbehtë. Arsyeja, më pyesni? Zemra edhe gjaku vëllazëror nuk e pret të mirën në mënyrë që ta kthejë me një të mirë tjetër. Ai dhe ajo veprojnë në instinktin vëllazëror. Nga ajo që unë e pashë është se në këto momentet më të vështira ne organizohemi shumë më mirë se ç’mund të na organizonin qeveritarët tanë dhe njerëzit të cilit qeverisin shtetet tona.

Në fakt, si diplomat më duhet që t'ua përkujtoj liderëve dhe politikanëve tanë se mënyra e sjelljes së popullit shqiptar të Kosovës e edhe i njerëzve të afektuar nga tërmeti në Shqipëri ishin një lloj plebishiti për disa çështje të “hapura politike”.

  • Mendoj se së pari njëherë e përgjithmonë u mor një përgjigje në atë se na qenka një komb i shpifur kosovar diku. Patëm vetëm shqiptarë qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët u dolën në ndihmë vëllezërve dhe motrave të tyre shqiptare në Republikën e Shqipërisë.
  • Mini-Shengenat e Maxi Legenave Ballkanikë nuk mund të jenë as temë duke anashkaluar shqiptarët e Republikës së Kosovës.
  • Se nuk ka taksë që do ta ndalojë vëllanë për ta ndihmuar vëllanë. Askush nuk është kundrejt një lloj pagese për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”, por insistimi qesharak i Edi Rampës që ajo medoemos të paguhet edhe nëse bëhet fjalë për ndihma humanitare, kur vjen nga goja e dikujt, i cili ishte edhe kundër ndërtimit të kësaj rruge, i kap përmasat e skeçeve humoristike të “Portokallisë”.
  • Duke mos dashur që të tingëlloja populist, por pika kufitare e Morinit vetëm se ç'na e rikujtoi se sa e kotë është aty dhe se zemra e gjaku nuk njohin kufij administrativë të vendosur në letër nga mendja e njeriut.

Shqipërinë me siguri se do ta presë një periudhë e gjatë e rehabilitimit të familjeve, të cilat e kanë pësuar nga ky tërmet. Njerëzit të cilët e humbën jetën në këtë fatkeqësi natyrore nuk do të mundemi që t’i kthejmë prapa, por mendoj se populli duhet ta arrijë pjekurinë që të kërkojë përgjegjësi nga njerëzit që udhëheqin dhe të cilët udhëhoqën shtetin e tyre për 30 vjetët e fundit. Si është e mundur që një shtet, i cili pretendon të hyjë në Evropë, mos t’i ketë forcat e veta të avancuara, të stërvitura dhe të pajisura të “Kërkim- shpëtimit”? Nga statusi i një miku në Facebook lexova se “jepen 1.11 milionë dollarë për trajnimin e qenve të specializuar, ku futen edhe ata për kërkimin e viktimave në gërmadha, dhe s'kanë asnjë për këso rastesh”! E dikush për këto gjëra duhet dhënë përgjegjësi, që nga Edi Rampa e teposhtë!

Dikush do të më thoshte se nuk është koha për t’u marrë me kritikat ndaj politikanëve.

Po pikërisht ajo kohë është, u pëlqeu atyre apo jo! Nuk do të ishim fare në këtë pikë po qe se nuk do të udhëhiqeshim nga këso krijesash kleptokratike që të gjitha të zezat i bënë, por shtet nuk bënë. Aty u ndihmuam edhe ne, që me aq naivitet iu besonim premtimeve të tyre dhe i votonim.

Së fundmi, Kosova e ka bërë një hap para në këtë aspekt dhe votoi për ndryshimin. Pritshmëritë tani janë shumë të mëdha saqë ende, as pa e filluar mandatin, Albin Kurti ka filluar të shikohet nën llupë dhe që të kritikohet jo tha kështu, jo e bëri ashtu.

E titullova këtë shkrim me thënien e heroit tonë kombëtar Isa Boletini “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”, e cila, edhe pse u tha para më shumë se 100 vjetësh, ende reflekton me po të njëjtin realitet dhe fuqi, dhe ngjarjet e fundit na e dëshmojnë të gjithë këtë. Nuk ka shqiptar që mund të ndihet mirë, kur Shqipëria rënkon dhe njerëzit e saj janë të përvuajtur.

Shqipërinë duhet bërë. Mendoj se qytetarët e saj do të jenë në gjendje që kësaj radhe ta shohin realitetin e tyre me sy hapur dhe mendje të kthjellët. Shteti i tanishëm nuk është në gjendje që qytetarëve të saj t’u ofrojë as ndihmën bazike me rastin e katastrofave të tilla natyrore. Duhet zgjedhur njerëz me përgjegjësi dhe në secilin hap të kërkohet përgjegjësia nga ta e këta të gjithë, të cilët udhëhoqën atë në 30 vjetët e fundit, asnjë të mos amnistohet nga barra e përgjegjësisë, të cilën e kanë pasur e ndaj së cilës janë sjellë me injorancën dhe arrogancën më të thellë të mundshme.

Shqipëri, këta (politikanët) nuk të bënë, por do të bëjmë ne (populli)!

Për fund, do të dëshiroja që t’ua uroj 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit, dhe dashtë fati që kurrë më të mos e presim një të këtillë, të përcjellë me tragjedi, përsëri.