Se a po fillon epoka e shuarjes së fuqisë së komandantëve, meqë nisën të shtohen ftesat për pjesëtarët e hierarkisë më të lartë komanduese të UÇK-së, do të mbetet të shihet. Ashtu siç do të mbetet të shihet nëse Specialja e ka përnjëmend, apo do të jetë mjet i spastrimeve të kufizuara politike, varësisht se kush dhe sa ka lobuar për ta shpëtuar lëkurën e vet.
Java përfundoi ashtu siç askujt nuk i kishte shkuar në mendje: me dorëheqjen emotive të Haradinajt nga posti i kryeministrit, për shkak të ftesës së ardhur nga Specialja në cilësinë e të dyshuarit.
Dhe, natyrisht, një vendim i këtillë i një peshe të madhe politike, përnjëherë i qiti krejt në hije, sepse tash nis koha e kalkulimeve të mëdha politike, dhe e kombinimeve të llojllojshme, që do të na përcjellin deri në kohën kur t'iu vijë koha zgjedhjeve të reja.
E ngjarjet që ndodhën gjatë javës, hiç nuk janë më pak të rëndësishme sesa kjo dorëheqje, së cilës do t'i kthehemi më vonë.
Racizmi pa brina
Ngjarja më e rëndë, dhe e cila thuajse nuk pati asnjë jehonë qe rasti i djaloshit 12-vjeçar të gjetur të vdekur nën një palë shkallë në Fushë- Kosovë. Viktimë e keqtrajtimit seksual nga një mashkull 20 vjeç, e gjeti vdekjen e dhunshme. Dhe pos tri reagimeve të vakëta të shoqërisë civile, u desh të kalonte një javë që Policia dhe Prokuroria ta shprehnin "tronditjen" e tyre për shkak të vdekjes, dhe që "me zemër e me shpirt ta ndanin dhembjen me familjen".
Fëmija ishte dhunuar që në fillim të vitit. Nëna e kishte denoncuar rastin në Polici. I dyshuari ishte lënë i lirë. Nëna kishte folur edhe me prindërit e dhunuesit. Kot. Dhunimi kishte vazhduar deri në vdekje. Kodi Penal i Kosovës nuk e njeh pedofilinë si vepër penale. E njeh dhunimin si vepër penale dhe rrethanat rënduese nëse përdoret dhuna. Porse as kjo duket nuk u ka mjaftuar organeve të ndjekjes që ta fusin në burg dhunuesin, i cili duket të ketë keqtrajtuar edhe fëmijë të tjerë.
Shprehja e keqardhjes nga këto dy trupa do të duhej të jetë përcjellë nga masat disiplinore e madje edhe penale, po qe se është e aplikueshme, ndaj atyre që nuk ndërmorën gjë dhe me kohë që ta parandalonin këtë që ka ndodhur.
Pa paragjykuar, megjithatë, përshtypja është se reagimi do të kishte qenë tjetër po qe se ky fëmijë nuk do të kishte qenë rom dhe i biri i një gruaje mbase analfabete, që nuk ka kush as e udhëzon e as e ndihmon.
Ministria e analfabetizmit
E Ministrinë e Arsimit ka edhe kush e udhëzon dhe kush e ndihmon, porse kjo ministri është më së paku e interesuar për arsimin. Pas vendimit të parë skandaloz të Haradinajt kur e shkarkoi Agjencinë Shtetërore për Akreditim, duke i favorizuar qartazi institucionet private arsimore që nuk ishin akredituar për disa programe, u patën emëruar anëtarët e rinj të Bordit të Agjencisë, që supozohej se i kënaqnin kriteret e kësaj qeverie.
Dhe çka ndodhi? Agjencia vendosi që të mos i akreditojë programet e studimit në tri universitete publike dhe në një privat. Reagimi i Haradinajt qe i menjëhershëm dhe akuzues: ky vendim ishte bërë për t'i favorizuar institucionet private të arsimimit universitar, tha, duke shtuar se ky vendim duhej të ndryshonte, për shkak se kufizohet mundësia e shkollimit të atyre që i synojnë fakultetet.
Nuk e besoj se ka shumë njerëz, pos atyre që punojnë në ato universitete, që nuk do të pajtoheshin me vendimin e Agjencisë për Akreditim. Rezultatet po i shohim, dita më ditë - nivelin e nxënies e kemi shumë të ulët dhe prodhojmë masë analfabetësh funksionalë nëpër universitete, që u themeluan si premtime fushatash, e jo si institucione të mirëfillta. Ende vazhdoj të besoj se Kosova është shumë e vogël për t'i pasur madje 6 universitete publike, ku përherë ligjërojnë supermenët që i mbajnë nga 17-18 lëndë.
Dhe sot më shumë se kurrë e kam të çimentuar bindjen se arsimi në Kosovën e pasluftës është shkatërruar sistematikisht dhe qëllimisht, për shkak se gjithmonë është më lehtë të sundohet një popull që prodhon analfabetë të shkolluar sesa njerëz me kapacitete mendore dhe intelektuale që ia kalojnë hiperinflacionit të masterave dhe doktorave që na kanë dalë si shishe prej fabrikës në 20 vjetët e fundit.
Specialja ndez motorët dhe ndjek hierarkinë
Jo vetëm rrënimi i arsimit, por i gjithçkaje që e ka parandaluar Kosovën nga zhvillimi normal dhe shndërrimi në një shtet funksional është pasojë e udhëheqjes së keqe të instaluar nga komandantët dhe të ndihmuar gjerësisht nga LDK-ja oportuniste.
Se a po fillon epoka e shuarjes së fuqisë së komandantëve, meqë nisën të shtohen ftesat për pjesëtarët e hierarkisë më të lartë komanduese të UÇK-së, do të mbetet të shihet. Ashtu siç do të mbetet të shihet nëse Specialja e ka përnjëmend, apo do të jetë mjet i spastrimeve të kufizuara politike, varësisht se kush dhe sa ka lobuar për ta shpëtuar lëkurën e vet.
I papritur qe reagimi i Haradinajt dje. Tha që kishte marrë ftesë nga Specialja dhe për këtë u dorëhoq, duke e bërë me dije qartë se pas kësaj shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ajo që nuk befasoi qe fakti se e ka marrë ftesën: daja i tij, Lahi Brahimaj, me gjithë dënimin nga Tribunali i Hagës, ishte ftuar nga Specialja. Kjo, tregonte se kushdo që të ketë kaluar në sitën e Tribunalit Ndërkombëtar, nuk e kishte të sigurt se nuk do të ftohej nga Specialja. Ngase përherë do të mundë të dilnin pretendimet e reja që nuk kanë mundur të dëshmoheshin në Tribunal. E gjasat janë se këto pretendime janë mbledhur në këta tetë vjet që kur prokurorët e Speciales i kanë nisur hetimet.
Pra, deri tash Specialja i ka ftuar ish-komandantët e zonave të Llapit, Drenicës dhe Nerodimes, kurse që dje edhe atë të Dukagjinit. Pra, katër nga gjashtë zona sa i ka pasur UÇK-ja. Që të gjithë këta kanë qenë nën komandën, sepse gjithë kohën është insistuar se kjo është ushtri, e Shtabit të Përgjithshëm. Dhe nga Shtabi i Përgjithshëm dihet se është ftuar ish-kryekomandanti Sylejman Selimi dhe dje Bislim Zyrapi. E në atë shtab kanë qenë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Xhavit Haliti e Ramë Buja, ndër të tjerë.
Sipas kësaj logjike, del se të ftuar të mundshëm mund të jenë edhe Rrahman Rama, si komandant i Zonës së Shalës, edhe ndokush i Pashtrikut (ish-komandant Drini është vrarë pas luftës) dhe pa dyshim edhe ndokush nga Shtabi i Përgjithshëm. E nëse duhet mbështetur në atë që e thonë burimet ndërkombëtare, dy sish tashmë janë marrë në pyetje nga Specialja, porse kanë zgjedhur të mos e bëjnë publike, natyrisht. E këta dy janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Dhe po qe se përcillet logjika që e ka nisur Specialen, që ka qenë Raporti i Dick Martyt, atëherë pa dyshim se i pari që do të duhej të jetë ftuar nga Specialja është Hashim Thaçi, njeriut të cilit i përsëritet emri 26 herë në dokument. Veseli do të ishte i dyti, ngase përmendet 7 herë në të. Se a kanë ndodhur këto intervista, besoj se herët a vonë do të zbulohet e vërteta.
Nëse ky do të jetë trendi i Speciales, gjasat janë që nuk do të kalojë shumë kohë dhe e gjithë kupola e komandantëve do të detyrohet të tërhiqet nga postet. Porse edhe po të largoheshin nga to për sado kohë që kjo mund të marrë, problemi mbetet rrjeti i merimangës që e lënë pas dhe të cilin do të vazhdojnë ta kontrollojnë.
Potezi i Ramushit
Haradinaj e dha dorëheqjen, në një çast, natyrisht jo të lehtë për të. Vendosi të ndërmerrte një veprim politik, të cilin ka mundur edhe ta kapërcente, përderisa nuk ka aktakuzë zyrtare kundër tij. Dhe veproi politikisht me mend.
Dorëheqja erdhi në çastin kur plasaritja ndërmjet anëtarëve të koalicionit është thelluar më shumë se kurrë. Kërcënimi i një mocioni votëbesimi që po mblidhte edhe vota të koalicionit për të shkuar para po bëhej më i madh. Gjasat ishin reale që do ta pësonte fatin e Isa Mustafës, në rrëzimin e të cilit kontribuoi jo pak edhe ai, edhe pse aty lojën Mustafës ia luajti Thaçi.
Doli nga Qeveria duke e lënë taksën në fuqi - atunë që e përdori për të ndalur negociatat që krye më vete i zhvillonte Thaçi me idetë e veta të çoroditura në kërkim të shpëtimit nga Specialja. Taksën mund ta heqë vetëm Qeveria, e kjo Qeveri në dorëheqje nuk do ta bëjë atë. Për shkak se taksa sjell vota.
E vota sjell edhe vendimi i tij që të tërhiqet për të dytën herë nga ky post, herën e parë për aktakuzë, e kësaj radhe për ftesë, duke thënë se nuk do të shkojë në Hagë si kryeministër i Kosovës, por do të shkojë si Ramush Haradinaj. Problemi është se, për dallim nga hera e shkuar, tash nuk e ka propozuar pasuesin e tij për ta vazhduar mandatin. Prandaj do të shkojë në Hagë si kryeministër në dorëheqje, me fuqi të plota ekzekutive deri në zgjedhjet e reja dhe në formimin e Qeverisë së re. Dhe përderisa nuk do të ketë aktakuzë që e detyron të rrijë në Hagë, tash i mban nën kontroll edhe negociatat, edhe taksën, edhe madje edhe autostradën e Dukagjinit, ngase nuk ekziston ligj qeverie që do t'ia ndalonte marrjen e vendimeve strategjike në kohë kur e udhëheq Qeverinë në dorëheqje.
Ramush Haradinaj i hidhëruar me Veselin që e akuzoi se ky po sillej me SHBA-në ashtu siç po sillej me Serbinë, tash e ka në dorë komplet procesin e zgjedhjes së kryeministrit të ri. Po qe se Thaçi do ta zgjidhte mandatarin e ri nga radhët e PAN-it, tash nuk do të mundë të llogariste në votat e AAK-së (12), e kjo është e qartë nga ajo që e tha Haradinaj: "mandatin ia kthej popullit". Po qe se mandatin do t'ia ofronte opozitës, sërish kjo nuk do të mundë të llogariste në votat e AAK-së, ngase kryeministri i dorëhequr e shtoi edhe këtë: "Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike".
Pra, zgjedhjet mund t'i kemi sipas këtij kalkulimi: brenda 10 ditësh nominohet mandatari. Ky i ka 15 ditë për t'u votuar në Kuvend. Nëse dështon, brenda 10 ditësh kemi mandatar të ri. Edhe ky apo kjo i ka 15 ditë për t'u votuar. Nëse dështon, shpallen zgjedhjet e parakohshme që duhen të mbahen brenda 45 ditësh. Pra, zgjedhjet mund të ndodhin më së voni brenda tre muajsh, d.m.th. mesi i tetorit. E mund të ndodhin edhe në shtator, po qe se mandatarët potencialë nuk i shpenzojnë 15 ditët për formimin e Qeverisë që apriori nuk mund t'i mbledhë 61 vota.
Në zgjedhje mund të shkohet edhe nëse Kuvendi shpërbëhet me dy të tretat e votave, porse është vështirë të besohet se kjo gjë tash u konvenon AAK-së, LDK-së e PSD-së.
Zgjedhjet janë paralajmëruar moti, porse nuk e besoj se ndokush do të ketë menduar se kjo do të ishte rruga që do të na çonte te to. Dhe shumëçka në këto zgjedhje, tash po shihet qartazi, do të jetë e diktuar nga shpejtësia me të cilën do të veprojë Specialja. Ndërkohë, fushata zgjedhore që me gjasë do të zgjasë 10 ditë, sikurse herën e shkuar, qysh sot ka filluar.