OpEd

Turqia e BE-ja kanë probleme më shumë sesa ulja në një divan

Përkundër mospajtimeve dhe tensioneve mes Turqisë dhe BE-së, ekziston një ndërvarësi. BE-së i duhet Turqia për të menaxhuar krizën e imigrantëve, ndërsa edheTurqisë i duhet BE-ja edhe si treg, edhe si partner ekonomik. Përkundër pakënaqësive në raportet me Turqinë, BE-ja nuk ka shkuar asnjëherë aq larg sa ta konsiderojë Turqinë si një rrezik apo kërcënim, apo kundërshtar strategjik, siç ka bërë me Rusinë dhe Kinën. Për habi, në këtë kohë Turqia është afruar edhe me Rusinë e Kinën, në kohën kur është larguar nga BE-ja

Kur të kalojë kriza e shkaktuar nga pandemia, BE-ja do të përballet me problemin tjetër të madh. Atë të parandalimit apo së paku zvogëlimit të imigrimit ilegal në BE. Në vitet 2015 dhe 2016 ky ishte problem aq i madh, saqë nxori në shesh ndasitë e mëdha mes shteteve anëtare dhe mungesën e madhe të solidaritetit. Problemi është zbutur, por nuk është zgjidhur. BE-ja nuk e ka reformuar politikën e përbashkët të azilit dhe migracionit. Nuk ka unitet as rreth ndarjes së barrës së strehimit të imigrantëve mes shteteve anëtare. Dhe kur të kthehet si pika kryesore e rendit të ditës, BE-ja do të kthehet në pikën ku kishte mbetur, si të parandalojë valë të mëdha të imigrantëve ilegalë. Për momentin numri i atyre që vijnë në BE është më i vogël sesa në kohën e valëve të mëdha. Kjo është pak edhe për shkak të pandemisë, por, para së gjithash, për shkak se kufijtë e jashtëm të BE-së po ruhen me masa më të ashpra, ndërsa edhe Turqia nuk i ka stimuluar refugjatët nga Siria dhe vendet e tjera që të drejtohen nga BE-ja.

Në BE janë të vetëdijshëm se Turqia në masë të madhe mban çelësin e krizës së refugjatëve. Dhe kjo mund të jetë një armë në duart e presidentit të Turqisë, Erdogan, për kusuritje me BE-në. BE-ja nuk e ka problem të jep miliarda euro ndihmë për refugjatët. Por thjesht nuk i do në tokë të saj, së paku jo më në numra të mëdhenj siç ishin në vitin 2015 dhe 2016. Turqia ka në territorin e saj rreth 4 milion refugjatë, prej tyre vetëm nga Siria 3.6 milionë. Në kohën kur BE-ja kishte arritur një marrëveshje me Turqinë për të menaxhuar këtë krizë, duke i premtuar deri në 6 miliardë euro ndihmë, BE-ja kishte premtuar edhe liberalizim vizash për Turqinë, edhe vazhdim të negociatave për anëtarësim në BE dhe shumë gjëra të tjera. Por, pos ndihmës financiare, premtimet e tjera të BE-së nuk u realizuan. E në anën tjetër, as Turqia nuk dëshmoi se e çan fort kokën për standardet evropiane të cilat do të duhej përmbushur për t’u afruar me BE-në. Ndodhi e kundërta. Turqia me masa të shumta të Qeverisë, që nga BE-ja u panë si shkelje e të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit, u largua edhe më shumë nga ajo që quhet rrugë evropiane.

Në anën tjetër, BE-ja fajësoi Turqinë edhe për ngritjen e tensioneve në Mesdhe. Por, përkundër mospajtimeve dhe tensioneve mes Turqisë dhe BE-së, ekziston një ndërvarësi. BE-së i duhet Turqia për të menaxhuar krizën e imigrantëve, ndërsa edhe Turqisë i duhet BE-ja edhe si treg, edhe si partner ekonomik. Përkundër pakënaqësive në raportet me Turqinë, BE-ja nuk ka shkuar asnjëherë aq larg sa ta konsiderojë Turqinë si një rrezik apo kërcënim, apo kundërshtar strategjik, siç ka bërë me Rusinë dhe Kinën. Për habi në këtë kohë, Turqia është afruar edhe me Rusinë e Kinën, në kohën kur është larguar nga BE-ja.

Për të ripërtërirë partneritetin, dy shefa të dy institucioneve kryesore të BE-së, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para disa ditësh u nisën drejt Pallatit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara. Vizita u paralajmërua si historike, si rast për uljen e tensioneve dhe rikonfirmimin e interesave të përbashkëta. Por ndodhi një incident i vogël që u bë shumë i madh. Aq i madh, saqë la në hije tërësisht përmbajtjen e bisedimeve mes dy liderëve të BE-së dhe mikpritësit të tyre.

Nga ky takim erdhi një pamje e shkurtër, e cila u pa si skandal. Dy burra dhe një grua ecnin së bashku. Dy burra u ulën në dy karrige të përgatitura për liderët, me flamujt e Turqisë dhe të BE-së në prapavijë, ndërsa një grua, kryetarja e Komisionit Evropian, mbeti e hutuar, nuk kishte për të karrige për t’u ulur si e barabartë me Erdoganin dhe Michelin, dhe u desh të ulej anash në një divan.

Kjo pamje ishte tema kryesore në BE për një javë. E tejkaloi për nga kureshtja edhe temën e vaksinimit jo edhe aq të suksesshëm kundër COVID-19. Dikush e pa këtë si dëshmi se si presidenti i Turqisë i “ofendon gratë” dhe se ky “shovinizëm mashkullor për habi u pranua edhe nga presidentit i Këshillit Evropian”. U nisën hetimet se kush dhe ku bëri gabim në protokoll.

Të gjithë ata që e dinë se si funksionon Turqia, një shtet serioz, e kanë vështirë të besojnë se gjërat e tilla ndodhin rastësisht. Sepse pak shtete kujdesen aq shumë për hollësitë e protokollit dhe fuqinë e pamjeve nga takimet, si Turqia.

Turqia u arsyetua se “BE-ja me kohë ishte e njoftuar për protokollin”. Në BE nga ana tjetër ka nisur edhe debati se kush është më i fortë, kush është “më i barabartë se të tjerët” dhe cili institucion ka më shumë fuqi. Ndonëse në Komisionin Evropian në fillim u munduan ta lënë përshtypjen se “nuk duan të bëjnë temë nga kjo ngjarje” u vërejt se janë të pakënaqur me mënyrën se si në Ankara ishte trajtuar kryetarja e Komisionit Evropian.

Sipas zëdhënësit të Komisionit Evropian, “presidentja është e barabartë me rang me presidentin e Këshillit” dhe si pasojë, ajo është dashur të ishte e ulur së bashku me dy kryetarët e tjerë në atë takim.

Por ky interpretim i Komisionit nuk është krejtësisht i saktë, sepse presidenti i Këshillit, megjithatë, është “i pari ndër të barabartët”. Se kjo është ashtu ka konfirmuar edhe ish- kryetari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, duke thënë se shpesh edhe ai ishte ulur në divan, nëse ka qenë së bashku në delegacion me presidentin e Këshillit Evropian. Por “gafat” e tillë janë të rrallë dhe pakkush beson se Turqia nuk e ka bërë qëllimisht. Turqia ka mohuar gjëra të tilla. Fundi i fundit, Turqia mund të thotë se i takon BE-së të vendosë se kush në emër të saj është “kryesori” kur dy së bashku vijnë në vizitë. Ndoshta Erdogani nuk ka dashur të jetë në një foto me dy liderë të BE-së, të cilët kanë ardhur t’i mbajnë ligjërata për të drejtat e njeriut. Sidomos për të drejtat e grave, pasi kjo është dashur të ishte temë për shkak se Turqia kishte vendosur të largohej nga Konventa e Stambollit për mbrojtjen e të drejtave të grave.

Sido që të jetë, ky “skandal” ndoshta ka ardhur si dhuratë për të lënë në plan të dytë përmbajtjen e takimeve dhe problemet në raportet mes BE-së dhe Turqisë, për të cilat pak është folur në media. E ato janë të shumta. Dhe nuk duket se do të përmirësohen së shpejti. Këtu as njëra e as pala tjetër nuk janë serioze. Turqia nuk është e interesuar që të dëgjojë kërkesat e BE-së për përmbushjen e standardeve që kërkohen nga një shtet kandidat për anëtarësim në BE. Por nga ana tjetër edhe po t’i përmbushte Turqia këto kushte, BE-ja më nuk ka vullnetin ta pranojë këtë shtet si anëtar. Turqia negociatat e anëtarësimit i kishte nisur në vjeshtën e vitit 2005, por pak ka lëvizur drejt anëtarësimit, ndërkohë që negociatat tash e sa vjet janë të ngrira. Kroacia i kishte nisur negociatat të njëjtën ditë kur edhe Turqia dhe është bërë anëtare në vitin 2013. BE-ja i ka hequr vizat për shtetasit e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe shumë shteteve të tjera, por nuk i shkon mendja që këtë ta bëjë edhe për Turqinë. E sa u përket standardeve, BE-ja ka probleme me vetë shtetet e saj anëtare. Në kohën kur BE-ja shpreh shqetësim se Turqia është larguar nga Konventa e Stambollit, janë 6 shtete të BE-së të cilat nuk e kanë ratifikuar të njëjtën dhe nuk u shkon mendja ta bëjnë këtë. E sa i përket afrimit të Turqisë me Rusinë e Kinën, po ashtu ka shtete të BE-së që po trashin raportet me këto dy shtete po ashtu.

Pa marrë parasysh se kush ishte fajtor për këtë “skandal”, ai në asnjë mënyrë nuk ndihmon që raportet mes Turqisë dhe BE-së të kthehen në një situatë normale. Por, ndërvarësia mes tyre do të vazhdojë dhe asnjëra palë nuk ka interes t’i dëmtojë edhe më shumë raportet.