OpEd

“Trumpimi” i Francës

Çfarëdo që të vendosë Zemmouri, ai, së bashku me “CNews” dhe media të tjera të krahut të djathtë, kanë ndryshuar debatin, duke detyruar të gjithë kandidatët të përqendrohen në emigracionin dhe krimin. Macronit, gjithashtu, i është dashur të përshtatet, e reflektuar në vendimin e tij për të vendosur kufizime të rrepta në autorizimet e vizave për shtetasit marokenë, algjerianë dhe tunizianë. Pa u bërë ende kandidat, Zemmouri është tashmë një forcë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm

Sipas një anketimi të ri që dridhi mbarë Francën, Eric Zemmour, eseisti djathtist dhe drejtuesi i njohur i një emisioni analitik televiziv, do të fitonte 17 për qind të votave nëse do të garonte në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Kjo do ta vinte në vendin e dytë, para Marine Le Penit të së djathtës ekstreme, Marshin Kombëtar.

I njohur qysh prej fillimviteve dy mijë për paraqitjet e tij popullore televizive dhe kolumnën e tij të rregullt në gazetën konservative, “Le Figaro”, Zemmour është kthyer në lojtar të rëndësishëm në një lojë politike që ai shpreson ta destabilizojë – megjithëse ka pak gjasa për mundësinë e tij për garën presidenciale. Megafoni i tij politik është “CNews”, kanal televiziv me ndikim i mbështetur nga miliarderi Vincent Bollore, pronar i rëndësishëm i grupit “Vivendi”. Megjithëse programet më të shikuara të tij nuk joshin më shumë se 800 mijë shikues, “CNews” ka dyfishuar audiencën në katër vjetët e fundit, duke dalë në vendin e dytë në mesin e kanaleve televizive franceze me program prej 24 orësh.

Modeli i biznesit i kompanisë kombinon mbulimin e lajmeve me komente dhe debate që thjeshtësojnë çështje të ndërlikuara, shpesh duke përfshirë qëndrime ekstreme. Çelësi për “CNewsin” dhe suksesin e fundit të Zemmourit është fakti se kanë nxjerrë një leksion nga Donald Trumpi: tregohu ekstrem dhe provokues. Qëndrimi i fundit i skajshëm i Zemmourit ta zëmë ishte thirrja për ndalimin e emrave të huaj, si Muhamed.

Derisa e djathta ekstreme franceze është fiksuar qe tridhjetë vjet me islamin, migracionin, dështimet në arsim dhe rënien e supozuar të civilizimit francez, retorika ekstremiste e Zemmourit ka spikatur këto çështje në krye të debatit. “Ekstremist” nuk është fjalë e nënkuptuar: në vitet e fundit, Zemmouri është dënuar dy herë për gjuhë të urrejtjes dhe nxitje të dhunës racore.

Zemmouri ka spikatur tema të nxehta në librin e tij të ri, “La France n’a pas dit son dernier not” (Franca nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit). Duke ngatërruar islamin dhe islamizmin, ai shpreson të stigmatizojë krejt religjionin dhe të nxitë kundërshtime ndaj migracionit. Ai pretendon se emigrantët myslimanë do të “dynden” dhe do t’ua marrin anën banorëve vendas të Evropës, dhe se “islamizimi i rrugëve të qytetit” prej “kolonizuesve” të rinj kërcënon mbijetesën e kombit francez. “Asnjë qytet i vogël, asnjë fshat i vogël në Francë nuk është i sigurt nga grupet e egra të bandave çeçene, kosovare, magrebase ose afrikane, të cilët vjedhin, plaçkitin, torturojnë ose vrasin”, shkruan ai.

Nuk është befasi se Zemmouri qëllimshëm shtrembëron historinë. Regjimi Vichy, aleat i nazistëve, pretendon ai, “mbrojti hebrenjtë francezë” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mizogjinia dhe homofobia e tij agresive janë po aq “de rigeour”.

Zemmouri dëshiron që këto tema të jenë në qendër të debatit në zgjedhjet presidenciale të pranverës së ardhshme. Rregullatori francez i transmetimeve, “Le Conseil Superieur de l’Audiovisuel” (CSA), tashmë ka vendosur ta trajtojë atë si kandidat, duke përcjellë kohën e emisionit të tij, me qëllim që të mos mund të marrë më shumë kohë televizive se kandidatët e tjerë.

Fenomeni Zemmour shqetëson partitë politike franceze në mbarë spektrin politik, megjithëse jo për të njëjtat arsye. Hallin e ka Le Peni, sepse shpreson se do të jetë kandidate që përfaqëson të djathtën. Tradicionalisht, vota e protestës në Francë është ndarë ndërmjet populistëve dhe abstenuesve, dhe së paku deri në zgjedhjet e vitit 2017, kjo tendencë favorizoi kryesisht partinë e saj.

Për ta paraqitur veten si kandidate presidenciale legjitime më 2017, Le Pen moderoi mesazhin e partisë dhe u distancua nga babai i saj (themeluesi i partisë dhe ish-lider i saj) dhe nga retorika e tij reaksionare, raciste dhe antisemite. Vitin pasues, ajo madje ndryshoi emrin e partisë. Por moderimi nuk i ka shkrepur mirë në shumicën e bazës së saj, një hise e mirë e së cilës ka shkuar te Zemmouri. Një anketim i kryer më 28 shtator sinjalizoi se mbështetja për Le Penin ishte rreth 16 për qind nga 28 për qind në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017.

Zemmouri shqetëson edhe partinë tradicionale të qendrës së djathtë, “Les Republicains”. Derisa shumë konservatorë francezë do të turpëroheshin prej votimit për Marshin Kombëtar në dritën e së kaluarës antisemite, mund ta shohin Zemmourin, hebre sefarid, si zëdhënës i pranueshëm për qëndrimin e së djathtës bashkëkohore ndaj migracionit.

Edhe më keq është se Zemmouri është shfaqur si kampion i gaulizmit, duke u marrë me tri temat më të preferuara të Charles de Gaullet: pavarësinë kombëtare, politikën sociale dhe idenë e Francës së krishterë. Duke luajtur me kufijtë fluidë ndërmjet dë djathtës dhe së djathtës ekstreme, ai po merr vota nga republikanët që Le Peni nuk do të shpresonte t’i fitonte.

Por ndërsa një kandidaturë e Zemmourit mund të dëmtojë të djathtën, ajo gjithashtu mund t'i shërbejë asaj. Nëse Zemmour e mposht Le Penin, një kandidat tjetër i krahut të djathtë, siç është Xavier Bertrand, një favorit aktual në sondazhet e opinionit, mund të mbizotërojë si sfidues ndaj presidentit Emmanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve. Macron do të kishte shumë më tepër pse të shqetësohej në një balotazh kundër Bertrandit, kandidat i cili mund të kërkojë mbështetje të gjerë, përfshirë votuesit e majtë dhe centristë që duan të parandalojnë me çdo kusht një mandat të dytë të Macronit.

Macron gjithashtu mund të lëndohet nga efekti negativ që temat e së djathtës ekstreme do të kenë në debatin e përgjithshëm. Ai do të dëshironte të nxirrte në pah arritjet e tij ekonomike dhe sociale, masat arsimore dhe bindjet pro-evropiane. Por kjo nuk do të jetë e lehtë kur bën fushatë kundër një kundërshtari që ka vetëm "islamin" dhe "emigrimin" në gojën e tij.

Mbetet për t'u parë nëse Zemmouri do të kandidojë. Disa analistë dyshojnë se ai mund të marrë miratimet e nevojshme nga të paktën 500 kryetarë bashkish. Por 17 për qind e votuesve francezë që mbështesin kandidaturën e tij nuk mund të injorohen. Një pjesë e konsiderueshme e publikut është qartësisht e zhgënjyer me rezultatin aktual të elitave politike.

Çfarëdo që të vendosë Zemmouri, ai, së bashku me “CNews” dhe media të tjera të krahut të djathtë, kanë ndryshuar debatin, duke detyruar të gjithë kandidatët të përqendrohen në emigracionin dhe krimin. Macronit, gjithashtu, i është dashur të përshtatet, e reflektuar në vendimin e tij për të vendosur kufizime të rrepta në autorizimet e vizave për shtetasit marokenë, algjerianë dhe tunizianë. Pa u bërë ende kandidat, Zemmouri është tashmë një forcë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

(Autorja, ligjëruese e shkencave politike, ka ligjëruar për mediat dhe demokracinë në Universitetin e Harvardit dhe në Shkencat Po. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)