OpEd

Tri rrëfime për një shkollë

Greva, shkolla, SBASHK-u e Qeveria, ishin fjalët më të përdorura edhe këtë javë. Mendime u dhanë sa të duash se kush ka të drejtë, kush gabim e cilat janë pasojat. Analiza u bënë me bollëk... E qartë është se kriza që po na shpërfaqet dhe përdorimi i fëmijëve si monedhë kusurimi, kanë marrë përmasa absurdi. Sido që të jetë, fokusi na është kthyer ku është dashur të jetë qëmoti: Se shkollat tona përballen me telashe të mëdha, ka apo nuk ka grevë, se potenciali i shumë fëmijëve shkon huq, edhe kur shkojnë në shkollë, se prindërit nuk kanë ku të ankohen e ka edhe mësimdhënës të mirë. Tri rrëfime nga tri pikëvështrime, ai i nxënësit, prindit dhe mësimdhënësit, lidhin përvojat njerëzore me shkollën

 

1.

“Dëgjoni mirë, sidomos ju djemtë, nëse lazdroheni e bëni zhurmë, dijeni që krejt arsimtarët kanë me ju marrë më sy të keq e me ju vnu njësha”.

Djaloshi sykaltër ia kishte ngulur sytë kujdestarit. Ditën e parë të kthimit në shkollë, pas ndarjes nga mësuesja, e kishte menduar ndryshe. Por shkolla apriori po e paragjykonte atë dhe shokët e tij si problematikë, e dijen po e barasvlerësonte me sjelljen. Për fjalë inkurajuese, për ca fëmijë që po hynin në një fazë të re jete, as që bëhej fjalë.

Quaje ters, por nuk do të kalonte shumë kohë e vetë djaloshi do ta fitonte nofkën e të qenit “problematik”. Rastësisht, tek vraponte në oborr, do ta rrëzonte një shok të klasës. Kësisoj, paralajmërimi ogurzi i kujdestarit, i dhënë atë ditë, do ta ndiqte pas. Paradoks në vete ishte fakti se djaloshi kishte një thellësi dhe mendjemprehtësi. Madje, hynte në kategorinë e atyre me inteligjencë të lartë. Por duhet pranuar se ishte dembel. I nevojiteshin vazhdimisht shtytja dhe fjalët inkurajuese. Duhet pranuar, po ashtu, se në fillim ai ishte munduar me të veten që “të binte në sy të mirë”. Nuk i kishte ecur.

Do ta jepte më të mirën në orën e gjuhës shqipe, por eseja e tij do të përcillej nga arsimtarja me vlerësim të tipit: “Ti djalo send nuk paske bo”. Do të mundohej të jepte prej vetes edhe tek arsimtarja e fizikës. Por, kot.

Ëndrrat e dikurshme të djaloshit, se do të bëhej shkencëtar, do të shkërmoqeshin. Në një situatë hipotetike, ai mund të ishte bërë shkencëtar. Madje, shumë i mirë. Por tani kishte hequr dorë.

2.

“As na nuk po kemi çka me i ba!”

I kishin mbetur disa muaj para pensionimit, por drejtori ishte zënë ngushtë. Tek rrudhte krahët, ai mundohej të shfajësohej për sjelljet e arsimtares së gjeografisë. Fjala është për arsimtare (të gjithëve na ka rastisur), së cilës i frikësohen krejt nxënësit. Secila shkollë i ka një apo dy të tilla. Por, t’i kthehemi fokusit të këtij rrëfimi tonë, prindit. Në rastin tonë konkret, nëna e një vajze të klasës së tetë po kërkonte llogari. Arsimtaren e gjeografisë e akuzonte për hakmarrje.

“Vetëm se i kërkova që vajzës t’ia jepte një mundësi, ta pyeste për pesëshe”, po i tregonte zëvendësit. “Por ajo nuk ishte as për katërshe”, ia kishte kthyer arsimtarja, duke e marrë këtë kërkesë si sfidë të drejtpërdrejtë mbi mënyrën e saj të vlerësimit. Muhabeti nuk kishte ngelur me aq. Vogëlushen arsimtarja do ta pyeste sërish, me njëfarë ndjenje ngadhënjimi, kur ajo habitej, sa herë që ia ngrinte tonin dhe rrudhte sytë. “Ha”, ua bënte shokëve e shoqeve të klasës së vogëlushes. “Ani më thoshte nëna: ‘Vajza mëson...’”

S’do mend se vogëlushja do të notohej me 1-sh, për t’i larë “mëkatet” e nënës.

Sado të kishte bazë ankesa e njërës apo tjetrës palë, secilës shkollë i mungon një mekanizëm adekuat që do t’i trajtonte rastet e tilla. Edhe po të ekzistojë, duhet të jesh bukur vigjilent dhe të kesh njoftësi për t’ia dalë. Hallka shkollë-prind-nxënës është e shkëputur. Në vorbullën e krijuar, prindërit mund ta ndiejnë veten viktima. Janë ata që nuk kanë ku të ankohen, por të cilëve u vihet tërë barra e përgjegjësisë.

3.

Prej se e njihte veten kishte dashur të bëhej mësuese. Natyrisht, këtu nuk e kemi fjalën për atë përgjigjen që japin vajzat në klasën e parë, sa për ta kaluar më lehtë situatën e pakëndshme kur pyeten se çfarë do të bëhen kur të rriten. Mësuesja e rrëfimit tonë kishte qenë e prerë rreth profesionit qysh më herët. Të gdhendur nga koha e fëmijërisë e kishte kujtimin në prehrin e nënës, tek i lexonte. Mbase atëherë i ishte formësuar dëshira për mësimdhënie. Ishte rritur në Kosovën e pragluftës dhe hiperinflacionit, vajzë e dy prindërve në arsim...ishte rritur në një kohë kur të jepje mësim ngërthente sakrificë.

E qartë, edhe në ato raste duhej menduar për paratë dhe ta ushqeje familjen, por ndryshe perceptohej shkolla.

Mësuesja e rrëfimit tonë do t’ia dilte kur të rritej. Do të bëhej ajo mësuese që profesionin e konsideron thirrje e jo vend pune. Quaje fat, por ajo punë do të gjente njërën prej shkollave më me nam të kryeqytetit. E mira do të ishte se ajo njëmend do të veçohej si shembull, e keqja se do të ishte një prej të paktave. Dikur edhe mund të “dorëzohet”.

P. S: “Me rëndësi me u kthy fëmijët në shkollë”