OpEd

1989-a dhe raporti transatlantik – të vetëkënaqur në krizë

Më 9 nëntor 1989 gjendesha në pjesën lindore të Murit të Berlinit në banesën e një pastori evangjelist kritik të Qeverisë. Kur ne u futëm në dhomën e ditës, pastori Rainer Eppelmann më tregoi mjetet e dëgjimit të Stasit dhe ma bëri me shenjë për te një vend më të sigurt – vitrinën e rrobave – për të diskutuar për atë se si gjatë vjeshtës së vitit 1989 mijëra njerëz kishin filluar që çdo të hënë të çdo jave kishin filluar të demonstrojnë në rrugët e Leipzigut, Dresdenit dhe shumë qytete të tjera gjermanolindore.

“Njerëzit kanë frikë”, më thoshte Eppelmann. Ata frikësoheshin që forcat e sigurisë së trupave ruse do të reagonin me forcë. Eppelmann, pastori i kishës samarite në Berlinin Lindor, shfrytëzonte hapësirat e shtetit diktatorial duke mbajtur shërbime të Zotit me muzikën amerikane blues – e cila gjithmonë ishte një forcë subversive – që tërhiqte masën rinore të njerëzve. Shumë vinin për të diskutuar për besimin e tyre, por edhe më shumë për të diskutuar për frikën e tyre.

Pasi e takova Eppelmannin duhej të kthehesha në Berlinin Perëndimor. U ktheva duke kaluar Murin e Berlinit – si gjithmonë – përmes Checkpoint Charlie. Si zëvendësdrejtor i Aspen Institutit në Berlin, përpiqesha që funksionarë të RDGJ-së dhe shteteve të tjera të Bllokut Lindor së bashku me kritikët e tjerë lindorë të regjimit t’i sillja në bisedime, të cilat organizoheshin në Aspen Institut atëbotë në Wannsee auf Schwanenwerder. Në atë mbrëmje ne kishim një festë për një kolege – që tregon që askush se kishte menduar që atë natë do të hapet muri, pasi që edhe kryetari i Komunës ishte aty njëjtë sikur edhe politikanë të Berlinit Perëndimor, madje edhe aleatë perëndimorë sikur edhe funksionarë dhe ekspertë sovjetikë dhe gjermanolindorë.

“Diçka do të ndodhë“, tha ai

Në këtë festë fola edhe me Wolfgang Vogel, një avokat gjermanolindor, i cili në shkëmbim të shumave shtetërore për vete dhe mësuesin e tij politik kishte organizuar largimin e mijërave gjermanolindorëve përmes Perdes së Hekurt në Gjermaninë Perëndimore. “Çfarë do të ndodhë”, e pyeta unë atë. “Diçka do të ndodhë“, u përgjigj ai. Dhe ashtu u bë.

Nata e 9 nëntorit 1989 ishte momenti në të cilin kishte përfunduar Lufta e Ftohtë, ora në të cilën populli gjerman u bashkua përsëri, nata në të cilën Perandoria Sovjetike u plasarit. Në këtë natë Berlini ishte definitivisht party më i madh në botë. Qyteti, i cili deri më tani kishte simbolizuar ndarjen e Evropës, menjëherë u bë simbol i një kontinenti të rritur bashkë. Porosia nga mesi i Evropës ishte i qartë: muret e vjetra u rrëzuan. Filloi një epokë e re.

Për çerekshekullin e ardhshëm të Evropës u vendos një paradigmë e re në të gjitha pjesët e saj. Ndarjet e kontinentit do të tejkaloheshin përmes një rregulli tërheqës të padiskutueshëm dhe ekspandues të futur përmes Evropës Lindore, ku sipas mundësisë vend do të gjente edhe Rusia. SHBA-ja do të ndikohej si një fuqi pozitive evropiane, do të binin tensionet ushtarake dhe të forcës, ndërvarësia dhe kufijtë e hapur do të zvogëlonin konfliktet dhe njëkohësisht do të përkujdeseshin për siguri dhe mirëqenie. Në afërsi dukej një Evropë e bashkuar dhe e lirë, sikur që thoshte presidenti i atëhershëm George H. W. Bush, u shfaq një e ardhme e prekshme.

Ne jemi bërë të vetëkënaqur

Në këtë periudhë ishte arritur mjaft shumë. Një strukturë euroatlantike e përbërë nga institucione bashkëpunuese të rrjetëzuara nga një numër i madh i shteteve iu mundësonte të kalonin përmes dyerve të NATO-s, të Unionit Evropian, të Këshillit të Evropës, të OECD-së dhe organizatave të tjera, madje pa ngarkuar shtetet apo institucionet e tjera. Evropa nuk ishte tërësisht e plotësuar, por nuk ishte më e ndarë. Nuk ishte plotësisht e lirë, por pjesë të mëdha të kontinentit nuk qëndronin më nën kontrollin e autokratëve vendës ose të mbikëqyrësve të huaj. Nuk kishte gjithkah liri, por kontinenti ishte më i sigurt se në cilëndo kohë të shekullit të kaluar.

Ne kemi të gjitha arsyet të jemi krenarë për të gjitha këto suksese. Por ne duhet të kemi guximin për ta pranuar që jemi bërë të vetëkënaqur. Me kalimin e kohës, vizioni për një Evropë të lirë dhe të bashkuar u bë më shumë një parullë, sesa një projekt dhe shansi dhe detyra historike për të ndërlidhur mes vete vendet e kontinentit qëndron e papërfunduar. E tani shkrirja e krizave ka tronditur aq shumë supozimet tona për zhvillimin dhe rendin evropian, që do të mund të bëhej një vizion për një paradigmë të humbur.

30 vjet pas asaj nate Evropa prapë qëndron në mes të epokave strategjike. Koha nga Lufta e Ftohtë ka përfunduar. Ka filluar një epokë e re – më e rrjedhshme, më turbulente, më e hapur.

Paradigma pas Luftës së Ftohtë nisej nga ajo që kishte përfunduar tërmeti evropian i shekullit të kaluar. Arkitektura e re e Evropës do mund të arrihej mbi një bazë stabile. Nga kjo perspektivë do të duhej të zgjidheshin konfliktet që digjeshin në vetvete në Evropën Lindore dhe Juglindore, në Gjeorgji dhe Ukrainë. Tragjike, por periferike për t’i rregulluar.

Evropa Lindore është aq jopaqësore si kurrë më parë

Këto pohime më nuk iu përgjigjen realiteteve të sotshme. Fatkeqësisht tërmeti evropian nuk përfundoi as në vitin 1989 e as në vitin 1991. Evropa Lindore është më pak e sigurt dhe paqësore, sesa në fillim të kësaj dekade. Çështja e trashëgimtarit sovjetik mbetet ende e hapur edhe më tutje dhe ai e trondit ende hapësirën evropiane. Intervenimet ruse në Gjeorgji dhe Ukrainë nuk ishin raste të izoluara, ato ishin simptomatike për rryma më të thella. Realitet është fakti që hapësirat e gjera të Evropës Lindore për një kohë të parashikueshme do të mbesin turbulente dhe të dhunshme.

Intervenimet e Moskës në Gjeorgji dhe në Ukrainë i kanë zgjuar shumë – jo të gjithë – evropianët nga ëndrra e tyre që e ardhmja u takonte “fuqive civile”. Mesazhi i trefishtë i presidentit rus, Vladimir Putin, është i qartë: Hard Power mbetet i rëndësishëm, kufijtë evropianë mund të ndryshohen me dhunë dhe Rusia nuk ka “humbur në transicion” disi, ajo shkon rrugës së vet. Megjithatë, duket që jo çdo kryeqytet evropian e ka marrë këtë memo.

Paradigma pas Luftës së Ftohtë nisej nga fakti që kualitetet tërheqëse të UE-së edhe më tutje të krijojnë mirëqenie dhe të sigurojnë demokracinë. Realitet i ri është që eksperimenti evropian, i cili në fakt edhe më tutje është prijës dhe në shumë pikëpamje atraktive, për shumë evropianë brenda dhe jashtë Unionit ka humbur mjaft shumë nga fuqia e vet transformative.

Një Union, shoqëritë e të cilës kufizohen nga njëra-tjetra, nuk është Unioni, i cili është në gjendje të integrojë edhe shoqëri të tjera të cilat i trokasin në derë. Një çerekshekulli kaloi duke u marrë me atë se si mund të ndryshohen fqinjët. Tani është çështja se si mund të shmanget ndryshimi i ndikuar nga këta fqinj. Vizioni i gjerë i një Evrope të bashkuar dhe të lirë rrezikohet të zëvendësohet nga imagjinata shkurtpamëse e një Evrope, e cila mbron disa evropianë nga evropianë të tjerë.

Pothuaj sikur të mos ishin këto probleme aq të mëdha, evropianët janë të habitur nga fakti që protagonistët e tyre kryesorë të huaj - Rusia, Kina dhe madje edhe SHBA-ja – janë bërë në një farë forme forca revizioniste në raport me rregullin evropian.

Përderisa Moska zëshëm i thyen rregullat, Pekini i prish ato në qetësi. Kina është një fuqi ambicioze. Gjerësia ekonomike, përparimi i shpejtë teknologjik, rritja e aftësive ushtarake, diplomacia globale, të cilat orientohet në norma shumë të ndryshme dhe nevojat enrome të resurseve e bëjnë atë një sfidues sistematik. Në kundërshtim me të fuqia e Rusisë po dobësohet. Regjimi i Moskës nuk i posedon resurset që i ka Kina. Megjithatë, edhe është dyshuese po aq sa është afër. Kjo domethënë që në një afat të shkurtër e më së shumti të mesëm mund të bëhet edhe më e rrezikshme.

Më e paparashikueshmja: SHBA-ja

Për shumë evropianë është enigmatikë që akteri më i paparashikueshëm në këtë përzierje është ndoshta SHBA-ja. Ardhja e administratës së Trumpit i ka dridhur jo vetëm supozimet evropiane për stabilitet dhe besueshmëri të aleatit të tyre të madh, por ka sjellë në pah njëkohësisht edhe realitetin e dhimbshëm të varësisë së tyre të vazhdueshme që për sa shumë duket si një superfuqi e paparashikueshme dhe e pamëshirshme. Hidhërimi i Evropës për të qenë e varur nga Donald Trump është po aq e madhe sa edhe frika për t’u braktisur nga ai.

Për t’u braktisur nga SHBA-ja nuk është një skenar i mundshëm. SHBA-ja edhe më tutje angazhohen intensivisht për sigurinë në Evropë. Por është duke u zhvilluar një zhvendosje e nuancuar e qasjeve amerikane në raport me Evropën. E kjo nuk ka filluar me Donald Trumpin. Thënë troç, SHBA-ja lëviz nga një fuqi evropiane në një fuqi në Evropë. Ky ndryshim i thjeshtë i frazave ka ndikim të thellë në raportet transatlantike dhe në sigurinë evropiane.

Qe 70 vjet SHBA-ja është një forcë evropiane. Ajo ishte pjesë integrale e baraspeshave dhe koalicioneve brenda-evropiane të cilat përmblidhnin si Luftën e Ftohtë ashtu edhe Evropën pas Luftës së Ftohtë. Kjo nuk ndodhi vetëm për shkak të impulsit hegjemonial, por edhe për shkak të një radhe njohurish themelore.

Përpjekja për t’u tërhequr

Së pari, njohuria që Evropa ende nuk ishte në gjendje që vetë t’i kontrollojë dhe t’i ndalë luftërat e veta qytetare. Së dyti, që Evropa qëndron turbulente dhe e papërfunduar. Përkrahja e një Evrope të bashkuar dhe të lirë u pa si e rëndësishme dhe e domosdoshme për interesat e SHBA-së. Së treti, ishte pikëpamja se rregulli evropian ishte boshti kryesor i rregullit botëror.

SHBA-ja është angazhuar si fuqi evropiane, ngase ata e kishin parë se pas dy luftërave botërore ku evropianët e kishin shkatërruar kontinentin e tyre, ata duhet të luanin rolin e tyre si paqebërës evropianë. Duke sjellë sigurinë e tyre në koordinim me aleatët, ata i ndihmuan aleatët e tyre të ndërtojnë sigurinë së bashku e jo kundër njëri-tjetrit. NATO ofroi një ombrellë mbrojtëse nën të cilën mund të lulëzonte eksperimenti evropian. Pas Luftës së Ftohtë, SHBA-të u angazhuan edhe më tutje dhe punuan së bashku me evropianët në tërë kontinentin për ta zgjeruar hapësirën e stabilitetit, në të cilën thjesht nuk ka luftë, në të cilën zotërojnë demokracia, liria dhe mirëqenia.

Këtë herë më në fund SHBA-ja do të mund të përfundonte përpjekjet e vazhdueshme që të tërhiqej nga çështjet evropiane. Donald Trump është sinonim i kësaj vazhdimësie, por përpjekja për t’u tërhequr është e gjerë, po aq edhe më e thellë sesa Trumpi. Këtë herë ekziston rreziku që Amerika të bëhet nga një fuqi evropiane në një fuqi në Evropë.

Kjo nuk është Amerika, e cila i duhet Evropës

Me këtë e mendoj një vend, i cili nuk është i angazhuar në çështjet evropiane në mënyrë selektive dhe përmbledhëse dhe, po ashtu, i koncentruar që të reduktojë dhe të ndajë ngarkesat, një vend i cili pjesërisht vepron si pranues bastesh e pjesërisht si “prishës i lojës”, i cili integrimin e përkrah më pak dhe është më i hapur për të “ç’ grumbulluar”, i cili është i prirë që t’i bëjë evropianët të dalin kundër njëri-tjetrit, një vend i cili është më pak i bindur intuitivisht që çështjet evropiane janë tejet të rëndësishme ose që ka një ndërlidhje të veçantë në mes të rregullit evropian dhe atij global.

Kjo nuk është Amerika që i duhet Evropës. Mund të ishte Amerika të cilën do ta marrë Evropa, përpos nëse evropianët dhe amerikanët të cilët kujdesen për çështjet evropiane munden prapë të afirmojnë me sukses që interesat e përbashkëta afatgjata – një Evropë që ofron paqe, një Evropë në paqe me vetveten, një Evropë e cila nuk dominohet ose rrezikohet nga një fuqi apo konstelacion fuqish, një Evropë e cila mund të jetë homologe e Amerikës e jo kundërpesha – më së miri mund të ecet përpara me një Amerikë, e cila është fuqi evropiane e jo një fuqi në Evropë.

Debati amerikan është me rezultate më të hapura, sesa që mendojnë evropianët dhe më i prirë për ndikim sesa që ndoshta ata mendojnë. Dhe sikur edhe në të kaluarën, sinjalet që vijnë nga mesi i Evropës mund të jenë vendimtare.

Dr. Daniel S. Hamilton drejton katedrën e Fondacionit Austriak të Planit Marshall në Universitetin Johns Hopkins në Washington DC. Nga viti 1982 deri në 1990 ishte zëvendësdrejtor i Institutit Aspen në Berlin dhe më vonë udhëheqës i Departamentit për Çështje Evropiane dhe zëvendësdrejtor i Shtabit Planifikues në Departamentin e Shtetit në SHBA. Botohet në shqip me lejen e autorit

Përktheu Dr. Faruk Ajeti, Fellow në Institutin për Politikë të Jashtme në Universitetin Johns Hopkins në Washington DC.