Për herë të parë që nga Samiti i Zagrebit, në vitin 2000, një samit BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet jashtë territorit të Bashkimit Evropian. Por situata në BE dhe ajo në rajon nuk japin shumë arsye se ky samit do të ketë shumë gjëra për të festuar. Megjithatë, mund të shënojë një kthesë në procesin e zgjerimit, nëse në BE do të ketë më shumë unitet e në vendet e rajonit më shumë sinqeritet
Po bëhen përgatitjet përfundimtare për samitin e madh që më 6 dhjetor do të mbahet në Tiranë. Në kryeqytetin e Shqipërisë do të takohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka pasur në historinë e Shqipërisë takim më të madh të nivelit të tillë. Dhe kjo, krahas vizitave që ka bërë Papa në Shqipëri, do të jetë sfidë logjistike edhe për autoritetet e Shqipërisë. Zhvillimi i samiteve të BE-së, përfshirë edhe ato të përbashkëta mes BE-së dhe vendeve të rajonit, është sfidë logjistike edhe për Belgjikën, e cila është mësuar me samite të tilla, sepse në Bruksel është selia e BE-së dhe e NATO-s dhe së paku 5 herë në vit këtu mblidhen liderët e vendeve anëtare dhe përditë vijnë vizitorë të nivelit më të lartë.
Por Shqipëria, falë edhe shkathtësisë për improvizim, pa dyshim do të jetë nikoqire e mirë e liderëve. Ajo që duket më shumë e paqartë është se çfarë rezultati konkret do të ketë ky samit sa i përket përmbajtjes. Çfarë porosish do të dërgohen nga ai dhe a do të sqarojë ndonjë gjë. Sa i përket simbolikës, ky samit do të ketë rëndësi të veçantë gjithsesi, sa për Shqipërinë aq edhe për tërë rajonin.
Për herë të parë që nga Samiti i Zagrebit, në vitin 2000, një samit BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet jashtë territorit të Bashkimit Evropian. Por situata në BE dhe ajo në rajon nuk japin shumë arsye se ky samit do të ketë shumë gjëra për të festuar. Megjithatë, mund të shënojë një kthesë në procesin e zgjerimit, nëse në BE do të ketë më shumë unitet e në vendet e rajonit më shumë sinqeritet.
Samiti i Zagrebit ishte zhvilluar kur BE-ja i kishte vetëm 15 vende anëtare, kur Kroacia nuk kishte as status kandidati. Por ishte zhvilluar në kohën e shpresës së madhe në Evropë. Më shumë se 12 vende evropiane, prej tyre 10 ish-komuniste, ishin në pritje të integrimit në BE. Disa ishin bërë anëtare të NATO-s e disa të tjera ishin në pritje. Ishte koha e unifikimit të Evropës, koha e liderëve të guximshëm që zgjerimin e shihnin si një detyrim të gjeneratës së tyre, dhe nuk shikonin vetëm interesat financiare e ekonomike.
Ishte një kohë e optimizmit të madh edhe në rajon. Kishte përfunduar lufta në Kosovë, ndërsa në Serbi nga pushteti ishin rrëzuar Slobodan Millosheviqi dhe mbështetësit e tij. Besohej se edhe Serbia ishte nisur drejt të ardhmes së ndritshme evropiane dhe kishte lënë prapa të kaluarën e errët të kohës së Milosheviqit.
Në Samitin e Zagrebit vendeve të rajonit të Ballkanit iu premtua e ardhmja evropiane. Ajo u përsërit në shumë samite të përbashkëta të zhvilluara më vonë, në Selanik në vitin 2003, në Sofije më vonë, pastaj edhe në Bërdo, e kështu me radhë.
Por realiteti ndryshoi, në BE nuk u pa zgjerimi vetëm si sukses, lindën shumë dyshime dhe u nxorën shumë mësime. Disa tash mendojnë se “ka pasur gabime” dhe “nuk është dashur në këtë mënyrë të zgjerohej BE-ja”. Nga vendet e rajonit të gjitha shtetet arritën Marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit me BE-në, që shihen si një paradhomë drejt anëtarësimit. Këtë e bëri edhe Kosova. Por Kroacia është i vetmi vend i rajonit i cili e kaloi ciklin e plotë dhe u bë anëtar i Bashkimit Evropian. Dikush do të thoshte se “edhe shtetet e tjera kanë bërë shumë përparim në rrugëtimin drejt BE-së”. Dhe kjo është e vërtetë. Të gjitha shtetet, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, kanë statusin e vendit kandidat dhe të gjitha ato që kanë statusin e tillë i kanë hapur edhe negociatat e anëtarësimit. Të fundit që e kanë bërë këtë ishin Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Dhe kjo do të përmendet në Samitin e Tiranës si një sukses i madh i këtij viti. Por, të mos harrojmë se nga Samiti i Zagrebit kanë kaluar saktësisht 22 vjet. Kur krahasohen etapat e vendeve të rajonit në procesin e zgjerimit me 22 vjet të kaluar, atëherë nuk ka shumë vend për kënaqësi. As pesimistët më të mëdhenj nuk e kishin menduar para 22 vjetësh se do të kalojë aq shumë kohë që vendet e rajonit, me përjashtim të Kroacisë, të mos jenë as në gjysmë rruge drejt anëtarësimit në BE. Bosnjë-Hercegovina as në fillim e Kosova as në stacionin nga i cili niset treni.
Ndërkohë edhe në rajon kanë ndryshuar gjërat. Disa për të mirë e disa për të keq. Shqipëria dhe Serbia thonë se i kanë raportet “më të mira në histori” dhe së bashku duan të krijojnë “Ballkanin e Hapur”. Por në Serbi janë në pushtet pikërisht ata humbjen e të cilëve Evropa dhe rajoni i festonin në Samitin e Zagrebit para 22 vjetësh. Janë në pushtet ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Slobodan Milosheviqit, të cilët nuk janë distancuar nga politika e tij. Raportet e Serbisë me Kosovën, Kroacinë dhe Malin e Zi janë jashtëzakonisht të tensionuara.
Në një tekst të shkruar në ditën e Samitit të Zagrebit në të përditshmen “Jutarnji list” publicisti kosovar Veton Surroi kishte shkruar se ai samit nuk do të jep përgjigjen në pyetjen se sa shtete janë në rajon.
As tash, 23 vjet më vonë, as Samiti i Tiranës nuk do të jep përgjigjen se sa shtete janë në rajon. Për shkak se Kosovën nuk e kanë njohur 5 vende të BE-së dhe dy të rajonit. Në samit dhe në dokumentet që mund të dalin nga ai nuk do të përmenden “gjashtë shtetet”, por vetëm “partnerët” apo “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”.
Për më tepër, sot Evropa po përballet me një luftë të tmerrshme, me shumë pasoja për të gjithë. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar ndryshime tektonike në Evropë dhe në tërë botën. Është ndarë bota, sepse jo të gjithë ia kanë kthyer shpinën Rusisë. Serbia nuk i mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, opinioni dhe skena politike në Serbi janë në masë të madhe në anën e Rusisë. Dhe në këtë mënyrë nuk jep dëshmi se Serbia e ka anëtarësimin në BE si synim të sinqertë strategjik. Prandaj negociatat e anëtarësimit mes BE-së dhe Serbisë praktikisht janë ngrirë. Nuk është hapur, e as që do të hapet, ndonjë kapitull për më shumë se një vit.
Samiti i Tiranës, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të miratojë dhe një deklaratë të përbashkët. Në të, së paku mendon BE-ja, pritet të përsëritet përkushtimi i BE-së për t’i ndihmuar vendet e rajonit, por edhe ato se do të mbështesin vlerat evropiane, përfshirë edhe përshtatjen me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
Është dëshmuar nga e kaluara se, sado e vështirë të ketë qenë miratimi i deklaratave të tilla me gjuhën që i kënaq të gjithë, ato nuk janë shndërruar në veprime. Sepse as në BE nuk ka pasur gjithmonë gatishmëri për të lëvizur përpara as kur vendet e rajonit i kanë përmbushur të gjitha kriteret që janë kërkuar nga to. Së fundi po shihet kjo qartë në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën, kur në momentet e fundi bëhen bllokada absurde nga disa vende anëtare. Përkundër kësaj, vendet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, e kanë të qartë se nuk kanë asnjë alternativë më të mirë sesa të synojnë integrimin në BE. Prandaj do ta shohin edhe Samitin e Tiranës si një rast të mirë për të përparuar drejt realizimit të këtij qëllimi.