OpEd

Thaçi do ta sjellë Kosovën para aktit të kryer

Mashtrohen ata politikanë në Kosovë të cilët mendojnë se nëse presidenti Thaçi merret vesh me Vuçiqin për diçka që nuk e ka mbështetjen e tyre dhe të shumicës në Kosovë do ta rrëzojnë në Kuvend. Sepse krejt çka Thaçi do të marrë si obligim, do të konsiderohet si obligim i Kosovës dhe do të ketë presion të paparë ndaj Kosovës që ta zbatojë, me kërcënime edhe për izolim. Thaçi e di këtë, prandaj edhe dëshiron ta bëjë marrëveshjen me Vuçiqin si një akt të kryer dhe t’i imponohet Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është e vetmja konstante e dialogut që zhvillohet në Bruksel. Të gjithë aktorët e tjerë në rolet kryesore kanë ndryshuar e ai ka mbetur, pa marrë parasysh se çfarë posti ka pasur në momentin e caktuar të procesit. Atë e kishin identifikuar nga BE-ja si personin me të cilin do ta kishin më së lehti të punonin dhe i cili do ta ketë fuqinë që të zbatojë atë që Kosova merr përsipër. Kështu, në fillim në BE dëgjohej se “me Thaçin e fortë në Kosovë dhe Tadiqin e fortë në Serbi mund të bëjmë çudira!”. Më vonë ishin “Thaçi dhe Daçiqi”, ndërsa tash janë “Thaçi e Vuçiqi”. Pra, përfaqësimi i Kosovës në këtë dialog është personifikuar me Hashim Thaçin, tani president i Kosovës. Nga pala e Serbisë janë ndërruar tre interlokutorë, ndërsa edhe nga BE-ja ka pasur ndryshime. Në fillim ishte përfaqësuesja e lartë, Catherine Ashton, me drejtorin Robert Cooper, e tash është Federika Mogherini me drejtoreshën Angelina Einchhorst. Por, Thaçi mbetet. Dhe ai pa dyshim se do ta mbajë edhe tash e edhe në të ardhmen rolin kryesor në këtë dialog dhe të jetë jo vetëm përfaqësuesi kryesor i Kosovës, por edhe personi i vetëm që merr vendime.

Në këtë moment atij i shkon për shtati edhe mosinteresimi apo diçka tjetër nga kryeministri Haradinaj. Kryeministri lë përshtypjen sikur t’i kenë ndarë punët, që Thaçi të përfaqësojë Kosovën në dialog, ndërsa ai do të merret me punët në Kosovë. Thaçi tashmë është mishëruar me rolin e tij në dialog saqë nuk do t’i komentoj’ as vendimet të cilat edhe Beogradi e edhe BE-a i shohin si problematike, siç është ai për vendosjen e taksave prej 10 për qind për importin e mallrave nga Serbia. “Nuk dua që këtu nga Brukseli të komentoj deklaratat e politikanëve lokalë në Kosovë”, porositi Thaçi pas takimit me homologun e tij nga Serbia në Bruksel, të enjten e kaluar.

Thaçi ka zgjedhur një rrugë jashtëzakonisht të suksesshme të veprimit të tij. Ai është njeri botëror, takon presidentë dhe kryeministra, merr pjesë nëpër ceremoni, për të shkruhen libra dhe vazhdon përpjekjet për arritjen e paqes. Të tjerët politikanë të Kosovës janë “politikanë lokalë”. Madje edhe vetë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për të cilin herë pas here thuhet se ka mospajtime me Thaçin, ndonëse mospajtime të tilla nuk janë vërejtur në veprimet e tyre, e ka lavdëruar atë që e ka quajtur “përvojë të madhe ndërkombëtare” të presidentit.

Mënyra e veprimit të Thaçit në dialog ka qenë e njëjta që nga fillimi. Ai për ndonjë marrëveshje së pari ka kërkuar mbështetjen ndërkombëtare të BE-së dhe SHBA-së, e atëherë, me mbështetjen e tyre, i ka sjellë para aktit të kryer institucionet e Kosovës. Sa herë që dikush ka kundërshtuar atë që Thaçi dhe përfaqësuesit e tij kanë pranuar si kompromis në Bruksel janë quajtur si “antievropianë “ dhe “antiamerikanë” dhe janë akuzuar se duan ta izolojnë Kosovën. Kështu janë detyruar t’i bekojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

E njëjta gjë po përgatitet edhe tash kur thuhet se Thaçi dhe Vuçiqi, me ndihmën e përfaqësueses së lartë Mogherini janë shumë afër marrëveshjes “gjithëpërfshirëse, obliguese ligjore, për normalizimin e raporteve”. Kjo “gjithëpërfshirje” me gjasë përfshin edhe ndryshimet e kufijve të Kosovës, pa marrë parasysh a do të quhet “korrigjim kufijsh” apo “shkëmbim territoresh” apo diçka tjetër. Në fjalët se “nuk do të ketë ndarje në vijat etnike” më nuk beson askush, sepse edhe vetë presidenti i Serbisë, Vuçiq, flet për kufirin mes “serbëve dhe shqiptarëve” e jo mes “Kosovës e Serbisë”.

Thaçi nuk lë artikull të ndonjë gazete të huaj që mbështet idenë e shkëmbimit të territorit pa e shpërndarë në rrjetet sociale, por nuk kemi vërejtur t’u gëzohet artikujve që kundërshtojnë këtë ide.

Duket se edhe tash Thaçi po punon që ideja të fitojë sa më shumë mbështetje ndërkombëtare e atëherë t’i detyroj’ edhe forcat politike të Kosovës ta mbështesin. E Thaçi është në rrugë të mirë për ta siguruar këtë. Modus operandi është i njëjtë: “mua më përkrah Evropa e Amerika e ju që jeni kundër, jeni për izolimin e Kosovës”. Me këtë fjali ai do të korrë sukses në Kosovë. Ata politikanë të Kosovës që do të jenë kundër, nëse arrihet një marrëveshje e tillë, do të vizitohen nga diplomatë të huaj, qoftë në zyrat apo shtëpitë e tyre, dhe do të ndërrojnë qëndrimet “për hir të miqve tanë ndërkombëtarë”.

Mashtrohen ata politikanë në Kosovë të cilët mendojnë se nëse presidenti Thaçi merret vesh me Vuçiqin për diçka që nuk e ka mbështetjen e tyre dhe të shumicës në Kosovë do ta rrëzojnë në Kuvend. Sepse krejt çka Thaçi do të marrë si obligim do të konsiderohet si obligim i Kosovës dhe do të ketë presion të paparë ndaj Kosovës që ta zbatojë, me kërcënime edhe për izolim. Thaçi e di këtë, prandaj edhe dëshiron ta bëjë marrëveshjen me Vuçiqin si një akt të kryer dhe t’i imponohet Kosovës. Madje edhe nëse një marrëveshje e tillë do të vihet në referendum, do të jetë një presion i madh ndaj popullit për të zgjidhur mes dy të këqijave, sepse populli i cili e ka në vetëdije se lirinë ua solli ndërhyrja ndërkombëtare, ajo e NATO-s, nuk e ka lehtë të votojë diçka që do të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova tashmë ka dalë joserioze në dialog. Së pari ka qenë joserioze kur ka pranuar që me marrëveshjen e parë të vitit 2013 të obligohet që të krijoj “Asociacion/ Bashkësi” të komunave me shumicë serbe, dhe nuk ka insistuar që Serbia të mos ketë mundësi të pengojë anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare. Tash Kosova para BE-së po del joserioze për moszbatimin e obligimit për “Asociacionin/Bashkësinë”, ndërsa Serbia pa pengesa dhe pa pasoja bën lobim kundër Kosovës kudo që të ketë mundësi. Madje edhe duke e përdorur pikërisht dialogun në favor të saj dhe duke u thënë shteteve se “çështja e Kosovës nuk është kryer, sepse për këtë po bëhet dialogu në Bruksel”.

Për fat të keq presidenti i Serbisë, Vuçiq, pati të drejtë kur me arrogancë iu drejtua gazetarëve Kosovarë në Bruksel duke u thënë se “Serbia është krenare për pengesat që ua bën Kosovës dhe njohjeve, sepse Serbia në asnjë vend nuk ka marrë obligim që të mos e pengojë Kosovën”. Në vërejtjen e gazetarëve se “kjo nuk është në frymën e normalizimit” ai ndërhyri: “Lëreni ju frymën e normalizimit, por ma gjeni ku shkruan se ne nuk bën ta pengojmë Kosovën”.

Ky ka qenë lëshimi i parë i Kosovës vetëm për të mundësuar një marrëveshje të ngutshme në vitin 2013. Ideja që atëherë ka qenë që marrëveshja ta përfshijë obligimin e palëve që “të mos e pengojnë njëra- tjetrën në integrimet në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale” por në fund, me insistim të Serbisë dhe pranim të Kosovës, kjo u zbut në fjalinë që “palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në rrugën e tyre evropiane”. Kjo e fundit nuk do të thotë asgjë, sepse “rruga evropiane” nuk është diçka e definuar fare, ndërsa edhe nëse me këtë mendohet në integrimin në BE, as Kosova e as Serbia nuk munden, edhe po të duan, ta pengojnë njëra-tjetrën, sepse nuk janë vende anëtare. Ndoshta Serbia një ditë, nëse anëtarësohet para Kosovës, do të mundë ta bllokojë Kosovën, por kjo nuk është realitet tani.

Edhe tash ka rrezik që Serbia, përmes lojës së fjalëve, të sigurojë diçka për vete pa marrë obligime të qarta për njohje të Kosovës apo për mospengim të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Nëse duan të nxjerrin mësime nga e kaluara, liderët politikë të Kosovës duhet të sigurohen se marrëveshja është na favor të Kosovës para se ajo të arrihet, sepse nëse ajo arrihet nuk do të ketë hapësirë për përmirësime, së paku jo pa ndonjë çmim për Kosovën.