Diplomacia e Kosovës është pasqyrë e skenës politike të Kosovës. Ajo nuk mund të jetë më e mirë sesa që është skena politike në vend. Por në diplomacinë e Kosovës, që nga hapat e parë të saj, ka pasur dhe ka njerëz të ndershëm, profesionistë, të ndërgjegjshëm dhe me integritet. Për hir të tyre nuk do të ishte mirë që të stigmatizohet e tërë diplomacia e Kosovës. Por për t’u kthyer në një shërbim profesional, që i shërben gjithmonë vendit, pa marrë parasysh se kush është në momentin e caktuar në pushtet, e jo “shefave” apo partive politike, një auditim profesional është i domosdoshëm. Vetëm në këtë mënyrë diplomacia mund të pastrohet nga njollat e shumta që i janë bërë
Para disa vjetësh një kolege gazetare gjermane na ftoi për pije. Gjermanët janë të njohur për shumëçka, por jo edhe për spontanitet. Prandaj edhe pyetëm se “cila është arsyeja”. “Jam pranuar në shërbimin diplomatikë të Gjermanisë”, u përgjigj ajo. Gazetare e mirë, me përvojë të madhe ndërkombëtare, me magjistraturë nga një universitet i njohur, me njohje të rrjedhshme të gjuhëve të huaja, përfshirë edhe frëngjishten dhe spanjishten. Duke i marrë parasysh të gjitha, këtu nuk do të duhej të ishte befasi pse e kishin pranuar për të punuar në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
“E ku do të shërbesh”, e pyeti një koleg nga një shtet juglindor?
“Në Berlin, së pari. Në shkollë”, tha ajo.
Shumë prej nesh heshtëm. Nuk e kuptonim se si një person i tillë, me aq përvojë, tash prapë duhet të shkojë në shkollë. “Ashtu janë procedurat. Duhet të shkoj një vit në Ministrinë e Jashtme të ndjek akademinë e brendshme të saj, pastaj, nëse kaloj, mund të postohem diku si diplomate”, tha ajo.
Natyrisht për atë kohë sa do të jetë në “shkollë” do të marrë një pagesë. Tash është diplomate gjermane në një shtet. Me hapa “të sigurt”, shumë të ngadalshëm, avancon në këtë shërbim.
M’u kujtua kjo ish-gazetare, tash diplomate, këto ditë kur po debatohet në Kosovë për mënyrën se si emërohen diplomatët kosovarë. Me procedura të çuditshme apo pa procedura fare. Por pa asnjë dyshim me kritere politike, familjare, partiake, më shumë sesa profesionale.
Nuk mund të presim që të jemi Gjermani. Po, e vërtetë është. Por në anën tjetër e kemi ndërtuar diplomacinë nga fillimi. Prandaj nuk kemi pasur nevojë ta reformojmë. Nuk kemi pasur, për shembull, përvojën e Shqipërisë që diplomatët të mos pranojnë të kthehen, apo të kërkojnë azil në shtetet në të cilat deri vonë kishin shërbyer si diplomatë të shtetit të tyre që tash po ia kthenin shpinën. Duke pasur parasysh se kemi pasur një prani të madhe ndërkombëtare në Kosovë, dhe shtetet mike që ishin të gatshme të na japin këshilla të mira, kemi pasur mundësi ta ndërtojmë një diplomaci të vërtetë dhe shumë të suksesshme.
Në anën tjetër, ka pasur edhe shumë potencial. Pasi pavarësia është vonuar, ato vite të pasluftës kishin nxjerrë disa gjenerata të rinjsh që kishin kryer studimet në shkollat më të mira të Evropës dhe Amerikës. Kam takuar shumë të tillë. Në Bruksel, në Heidelberg, në Universitetin Katolik të Louvenit, në Firence të Italisë, në Brugge të Belgjikës, në Leiden dhe Mastricht të Holandës. Pos që ishin të gatshëm të jenë në shërbim të Kosovës, shumë prej tyre e kishin marrë këtë edhe si obligim formal. Sepse shtetet mike, apo fondacionet e huaja, që ua subvenciononin studimet, i kushtëzonin që pas tyre, së paku për një kohë, të jenë në shërbim publik të Kosovës, qoftë në diplomaci apo nëpër ministri.
Por nuk ishin të gjithë të mirëpritur kur ktheheshin. Hasnin shumë në rezistencë. Kam dëgjuar raste t’u kenë thënë se “ju e keni obligim të ofroheni, por ne nuk e kemi obligim t’ju marrim”. Profesionalizmi i tyre, njohuritë e fituara, njohja e gjuhëve dhe përvoja, nuk ishin për të gjithë përparësi. Seleksionimi nuk bëhej përmes procedurave të cilat do t’u ofronin shanse të barabarta të gjithëve. Kështu u bë nëpër ministri, e kjo u reflektua edhe në diplomaci.
Ka edhe shtete të tjera ku njerëzit mund të kërcejnë nga gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, biznesmenë, në nivelin më të lartë të diplomacisë. Por kjo është më shumë përjashtim sesa rregull. E në Kosovë u bë më shumë rregull. Prandaj tash të gjithë habiten pse bëhet zhurmë për një djalë të një politikani e nuk është bërë zhurmë për rejat, vajzat, nipat, mbesat e të tjerëve. “Kanë bërë edhe të tjerët” - është argumenti më i shpeshtë. Pra, një gjë e parregullt dhe jonormale është bërë normë e pranueshme dhe normale në Kosovë.
Në këtë debat viktima mund të jenë edhe diplomatët e përfolur. Sepse as atyre nuk u është bërë shërbim nëse janë katapultuar nga bankat shkollore në krye të diplomacisë. Shumë prej tyre mund të jenë vërtet të aftë për postet ku janë emëruar. Fakti se janë bijtë, nipat, mbesat apo tezakët e dikujt nuk duhet të jetë as pengesë. Por duhet parashtruar pyetjen se a kanë kaluar procese të selektimit ku e kanë dëshmuar se janë më të mirë sesa disa të tjerë. Duhet pyetur edhe sa ka të rinj që nuk u është dhënë fare rasti që të dëshmohen dhe të hyjnë në diplomaci.
Diplomacia e Kosovës është pasqyrë e skenës politike të Kosovës. Ajo nuk mund të jetë më e mirë sesa që është skena politike në vend. Por në diplomacinë e Kosovës, që nga hapat e parë të saj, ka pasur dhe ka njerëz të ndershëm, profesionistë, të ndërgjegjshëm dhe me integritet. Për hir të tyre nuk do të ishte mirë që të stigmatizohet e tërë diplomacia e Kosovës. Por për t’u kthyer në një shërbim profesional, që i shërben gjithmonë vendit, pa marrë parasysh se kush është në momentin e caktuar në pushtet, e jo “shefave” apo partive politike, një auditim profesional është i domosdoshëm. Vetëm në këtë mënyrë diplomacia mund të pastrohet nga njollat e shumta që i janë bërë.
Kosova do të ketë një diplomaci të mirë, pa njolla, kur do ta kuptojë se diplomacia duhet t’i shërbejë shtetit e jo politikanëve, duhet ta ketë angazhim interesin e shtetit e jo që shërbimet diplomatike të shndërrohen në agjenci udhëtimi apo logjistikë për të rregulluar dhe realizuar vizita të shefave të tyre jashtë Kosovës. Kur të kuptohet se diplomatët dërgohen në shërbim për të punuar e jo për t’i “rehatuar”. Kur diplomatët të merren më shumë me takime me zyrtarë të shtetit mikpritës, me promovime të interesave të Kosovës në raporte me to, e më pak me rezervimin e veturave dhe restoranteve për vizitat e politikanëve.