OpEd

Tani Erdogani do ta kontrollojë edhe Kuranin

Në të ardhmen edhe interpretimi i librit të shenjtë të myslimanëve do të jetë në kompetencën e drejtpërdrejtë të autoritetit shtetëror fetar në Turqi. Me këtë hap, presidenti Rexhep Taip Erdogan synon t’i frikësojë teologët liberalë

Rexhep Taip Erdogani e sheh veten si sulltan modern të Turqisë. Idhulli i tij më i madh është despoti Abdylhamiti II, i cili e sundoi Perandorinë Osmane me dorë të hekurt nga viti 1876 deri më 1909. Ai nuk hezitoi ta pezullonte kushtetutën, t’i përndiqte kundërshtarët politikë dhe t’i mobilizonte qarqet konservatore-islamike kundër qytetërimit perëndimor.

Në më shumë se dy dekada në pushtet, Erdogani e ka centralizuar dhe personalizuar sundimin e tij, njësoj si dikur Abdylhamiti II. Zërat kritikë shtypen në mënyrë sistematike dhe kundërshtarët politikë përfundojnë në burg, sidomos kur para zgjedhjeve e përbëjnë një rrezik real për pushtetin e Erdoganit.

Së fundi, presidenti 71-vjeçar ngarkoi një grup juristësh për ta hartuar një kushtetutë të re – kjo, siç tha, po bëhej në interes të vendit. Por për kritikët e tij është e qartë: Erdogani po e kërkon një mënyrë për të qëndruar në krye të shtetit edhe pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2028, dhe të vazhdojë të jetojë në pallatin e tij madhështor me 1000 dhoma në Ankara.

Sepse Erdogani ka ende plane të mëdha. Një nga qëllimet kryesore të tij është transformimi i shoqërisë dhe edukimi i një “brezi besimtarësh të devotshëm”. Për ta arritur këtë, ai synon prej kohësh të ketë kontroll mbi interpretimin e Kuranit. Së fundmi, koalicioni qeverisës e miratoi në parlament një ligj që ia hap Erdoganit rrugën drejt këtij qëllimi. Në të ardhmen, autoriteti shtetëror fetar, Diyanet, do të mund të shkatërrojë përkthime të Kuranit nëse i konsideron të papërshtatshme.

Kritikët e akuzojnë Erdoganin se me këtë hap kërkon t’i frikësojë teologët liberalë dhe t’i censurojë interpretimet e tyre të Kuranit. Këta të fundit angazhohen për një shumëllojshmëri interpretimesh dhe kërkojnë një kontekstualizim historik të librit të shenjtë.

Selçuk Ozdag nga Partia opozitare e së Ardhmes deklaroi në parlament: “Kjo qeveri dëshiron të hyjë në histori – me djegien e Kuranit.” Ai e akuzoi kabinetin dhe autoritetin fetar Diyanet për shkelje të parimeve themelore të Islamit. Si shumë herë më parë, edhe ky ligj i shërben politizimit të fesë. “Të paktën mos u përzieni në fenë tonë të shenjtë”, tha Ozdag.

Por Erdogani vështirë se do t’iu kushtojë vëmendje zërave kritikë. Ligji që ai e ka shtyrë përpara e mundëson ndër të tjera ndalimin e teksteve fetare në internet, si edhe të regjistrimeve audio dhe video që devijojnë nga interpretimi zyrtar i Kuranit.

Kreu i Diyanetit i emëruar nga Erdogani, Ali Erbas, njihet si ultrakonservator. Ai ka në varësi të tij 90 mijë xhami në Turqi. Në të kaluarën Erbas është bërë i njohur për deklarata homofobe apo antisemitike.

Kompetencat e reja të Diyanetit mund t’i prekin edhe degët e Diyanetit në vende të tjera. Për shembull në Gjermani, Zvicër, Austri.

Në vetë Turqinë, Erdogani i ka ndërtuar dhjetëra xhami gjigante brenda pak vjetësh. Por xhamitë zakonisht mbeten bosh. Sipas një studimi të fundit të institutit të njohur kërkimor KONDA, përqindja e qytetarëve që e përshkruajnë veten si fetarë ka rënë nga 55 për qind në vitin 2008 në vetëm 46 për qind sot.

Por Erdogani nuk heq dorë. Programi i ri mësimor, i miratuar vjeshtën e kaluar, i jep rëndësi të madhe historisë osmane, traditave, rolit të fesë, si dhe vlerave dhe moralit turk. Sindikatat e mësuesve dhe mbrojtësit e trashëgimisë laike të themeluesit të shtetit Mustafa Kemal Ataturk e kritikojnë këtë si të papajtueshme me një arsim laik, shkencor dhe demokratik. Erdogani e paraqet kështu: Bëhet fjalë për edukimin e fëmijëve në njerëz moralë, të guximshëm, patriotë dhe me virtyt.

Por fakti që të rinjtë kanë pak interes për fenë, u tregua këtë pranverë. Pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, u ngrit në këmbë veçanërisht “Brezi Z” – të rinjtë nga 18 deri në 29 vjeç kërkojnë mundësi më të mira arsimimi, vende pune që e sigurojnë jetesën dhe një shtet demokratik të së drejtës. Sipas sondazheve më të fundit, vetëm 11 për qind e tyre mund ta imagjinojnë të votojnë për partinë në pushtet AKP.

Për Erdoganin kjo është një kambanë alarmi. Protestat ai i shtypi me represion të ashpër, por pakënaqësia nën sipërfaqe vazhdon të vlojë. Qysh në vitin 2023, një studim i fondacionit gjerman Konrad-Adenauer tregoi se 63 për qind e të rinjve turq dëshironin të emigronin. Që nga ajo kohë, dhjetëra-mijëra e kanë braktisur vendin.