OpEd

Kënga e balonave të shfryrë

Nuk ka mbetur asgjë nga ‘grassroots’ te nismat kulturore. Skena e pavarur kulturore e Kosovës e ka humbur krejt lidhjen me audiencat. Ka kohë që kjo skenë është e zhytur në hipokrizi dhe premtime të rreme, duke u bërë shërbëtore e narracioneve të agjendave që sinqerisht pak u interesojnë njerëzve. Duket prej aeroplanit se ajo çka bën kjo skenë nuk lë gjurmë te njerëzit. Arti, që supozohet të nxisë “dialog shoqëror” dhe “ndryshim të thellë”, shpesh reduktohet në prezantime, ekspozime e performanca të përkohshme me shumë zhurmë nëpër rrjete sociale, por pa ndonjë ndikim të qëndrueshëm. Ajo që u premtua si “grassroots” dhe “bottom-up approach” në propozime, mbeti vetëm një papagallëri e “social media influencers”, ku frazat e bukura si “promovimi i dialogut shoqëror” dhe “nxitja e ndryshimit” vazhdojnë të ndodhin përmes – në rastin më të rëndë - abuzimit të parasë publike. Njerëzit nuk janë në këtë skenë! Art për hir të artit? Meh! Përpjekje e mirë, por jo, ju faleminderit!

Rreth 7 vjet më parë e pata shkruar një tekst në KOSOVO 2.0 për nevojën e krijimit të një kulturëbërjeje me përgjegjësi e të përgjegjshme në relacion me publikun e taksapaguesin. Për zhvillim me dëshmi e kundër supozimeve në kulturë e prodhim artistik.

Ky tekst flet për nevojën e nismës së një dialogu të sinqertë me dhe për skenën e pavarur kulturore: qëllimeve të saj karshi audiencës e adresimit të nevojave të tyre. Një dialog që përveç tjerash – te një shoqëri civile - mund të gjenerojë edhe vetëkritikë. Por kjo skenë, e cila përveç spektakleve të zhurmshme në rrjete sociale e koncepteve në anglisht, deri më tani nuk po tregon muskuj as për dialog e as vullnet për vetëkritikë. Kjo paaftësi për t’u artikuluar…kjo është për keqardhje.

Financimet publike për skenën e pavarur kulturore, të menaxhuara nga Ministria e Kulturës, janë rritur ndjeshëm, por ato nuk maten se në çfarë prodhimtarie kulturore e artistike shkojnë, e çfarë nevojash komunitare adresojnë.

Dua të besoj se paratë publike këtyre organizatave po u jepen me kushtin që të zhvillojnë një program më me kuptim, diçka që i kthehet shoqërisë e taksave të tyre, të paktën si brumë për t’u fiqiruar, si guxim për të shtruar pyetje të vështira e për të kontestuar gjithçka që u shërbehet e që nuk është në interes të së mirës së përgjithshme. Diçka më shumë se fotografitë e mira në Facebook. Dua të besoj se kjo duhet matur me shpërblime dhe sanksione të bazuara në performansë. Por këtë film nuk e kam parë ende.

Mënyra se qysh kjo skenë prezantohet e përfaqësohet nuk ofron përvojën komunitare (Communal experience) që shërben për angazhim, edukim, provokim e transformim komunitar. Këto fjalë që zakonisht gjenden në projekt-propozime si ndikime tek audienca, asnjëherë nuk e zbatojnë efektin e tyre të vërtetë. Gjuha e këtyre organizatave është shpesh e zhytur në formate gjuhësore mbi artin, të prezantuara shabllon në anglisht, që nuk transferohen sinqerisht në gjuhën e audiencave vendore. Pa u futur pastaj në aspektin e cektësisë konceptuale.

Nëse punëtorët e institucioneve kulturore janë shërbëtorë publikë edhe të ata të skenës së pavarur duhet trajtohen si të tillë, meqë kryesisht aktivitetet e tyre financohen nga paratë publike.

Para ca ditëve po e shikoja një intervistë të vitit 1980 me aforistin e gazetarin serb, Dušan Radović, i cili po i tregonte gazetarit se kultura e vërtetë është rritje morale dhe intelektuale, e jo manifestim i zhurmshëm zyrtar. Diçka që piqet heshturazi, larg pompozitetit, dhe jo si argëtim sipërfaqësor me festivale apo ekspozita.

“Kultura nuk është kurrë e shtrenjtë. Ajo që kushton shtrenjtë është një popull i pakulturuar”, ka thënë regjisori italian, Paolo Magelli në një intervistë në televizionin shtetëror kroat para pak javësh.

Me këtë logjikë, jam i bindjes që arti duhet të jetë një pasqyrë që nxit vetënjohje dhe llogaridhënie, e jo platformë pompoze argëtimi me “one-time shows” që shpesh harrohen më shpejt se kohëzgjatja e prezantimit të tyre. Në fund të fundit, besoj që shumë nga ne, nëse jo të gjithë, do të pajtoheshim që publiku paguan — jo biletat — për këto iniciativa dhe meriton zhvillime ku ata përfshihen, që ia flasin gjuhën, që ia reflektojnë kontekstin e assesi për një cirk estetik, pa substancë, pa formë e pa frymë.

S’kena!

Po, të gjithë nganjëherë po harrojmë që Kosova është shtet i varfër, duket më i varfëri në Evropë. Por skena kulturore – me këtë qasje – po i kontribuon pranimit të varfërisë si gjendje shpirtërore, varfërisë si mënyrë jetese, në vend se të jetë një ofertë për të kundërtën.

Ka një nevojë të jashtëzakonshme për një dialog të sinqertë për t’u kuptuar e për të përcaktuar se 1. Për kë po bëhen këto projekte? dhe 2. Për çka e si shërbejnë ato?

Këtu është i nevojshëm një kah, një drejtim. Skena kulturore ofron spektakël që mua nuk më nevojitet, nuk më hyn në punë, nuk më angazhon e as nuk më provokon dhe ndodh, sepse programi që e ofron nuk është i dizajnuar me prioritet përgjegjësinë shoqërore e as nuk ka qasje veprimi e as grup synimi.

Me çfarë ofertë kulturore – etike dhe estetike - vijnë artistët për publikun. Deri më tani kam parë mjaftueshëm workshop-kulturë, produksion arti të krijuar me agjenda jopublike e të prezantuar si ndryshim, në rastin më të keq sipas të cilave, këtu te ne s’ka ndodhur asgjë, se krejt kemi faj. Jo që e mendoj këtë, por e di. Që do të thoshte shkrimtari e intelektuali i njohur boshnjak, Abdulah Sidran, në tekstin e tij të titulluar Cirku i kërkimfaljes e mashtrimi i pajtimit: “Nuk po mundem ta kuptoj atë terminologji! Çfarë pajtimi, po çka po flisni? Ne me askënd nuk jemi grindur, e që tani të pajtohemi. Me kë duhet të pajtohen nënat e Srebrenicës…me kë janë grindur e ngatërruar ato?”.

Në tehun tjetër kulturor – atë estetik – skena e pavarur kulturore nuk e humb asnjë rast të humbasë rastin që të ofrojë një diversitet estetik. Esenca e përbërësi kryesor kulturor projektohet e manifestohet në mënyrë jashtëzakonisht konformiste - si ndonjë protokoll synetie, ceremoni varrimi apo formalitet martese…shumë formale dhe e huaj. Të ia shtojmë këtij formaliteti edhe ndonjë dimension shtesë, p.sh. atë të vënies së konceptit abstrakt të festivalit në gjuhën angleze – që e tëhuajëson jashtëzakonisht idenë e prezantimit në gjuhën amtare e kremtimit të saj – kjo për mua nuk përkthehet ndryshe përveç se një cektësi deklarative në tentim të arsyetimit të fondeve. Për kë vihet në anglisht tema e festivalit? E në fund, gjithmonë, dilet me deklaratë mbi ndikimin në ekonominë lokale. Prit një moment… kemi nevojë ta kuptojmë drejt nëse këtu qenka i gjithë qëllimi: që ta dimë se sa byrekë janë shitur?  

Qysh e kuptoj – dhe në çka besoj – është se arti nuk nevojitet të ofrojë një derë për ikje duke u përpjekur që t’i zbavitë njerëzit duke vënë drita e balona me ngjyra në përpjekje ti bëjnë ata të harrojnë. Kjo skenë duhet ta kuptojë se balonat janë shfryrë.

Në tekstin e tij të ri në The Guardian, producenti legjendar, Brian Eno, i tregon arsyet pse po e organizon koncertin për Palestinën në Wembley, ku thotë se “artistët si rrëfimtarë kanë fuqi të jashtëzakonshme të formësojnë hapësirën në të cilën politikanët mund të operojnë”.

Po më qeshet prej sikletit pse kur i kujtoj propozimet për “transformim e dialog shoqëror” më duhet ta shkruaj prapë se arti pra është i dizajnuar ta dizajnojë software-in e qytetarit aktiv, ta ndërtojë narracionin për angazhimin qytetar, t’u tregojë njerëzve një pasqyrë tjetër përmes së cilës do ta njohin veten më mirë, t’i bëjë që të marrin e të kërkojnë (më shumë) llogari. Por, të dashur, balonat janë shfryrë.

Arif Muharremi (1978) ka qenë gazetar e redaktor i kulturës në Koha Ditore, Express e autor i së përjavshmes Kultura në Kosovë (BIRN). Ka koordinuar programe për trashëgimi kulturore (Këshilli i Evropës), ka menaxhuar programe të BE-së për kulturë (Culture for Change) e Manifesta 14-Western Balkans. Është autor i librit me poezi e strip (OH!) dhe i lojërave edukative të bazuara në kulturë, trashëgimi e art “Zbulo Prishtinën” dhe “Kush jam unë?”. Shkruan edhe recensione të albumeve muzikore të artistëve të Kosovës.