Nëse Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, e thotë se nuk do ta njohë, e kjo në këtë moment as që kërkohet nga ajo, e nëse njohja e ndërsjellë është e vetmja zgjidhje finale, atëherë dialogu është i dënuar të mos avancojë në arritjen e normalizimit gjithëpërfshirës. “Kriza e targave të veturave” ishte një test se a është Kosova shtet apo jo dhe a mund të sillet si shtet. Dhe, a ka Kosova autoritet në tërë territorin e saj. Përgjigje të prerë, me të cilën do të pajtoheshin të gjithë nuk ka. Dhe, kështu do të vazhdojë, sepse BE-ja nuk ka fuqi të ndryshojë asgjë. Prandaj, edhe BE-ja do të merret me targa të veturave, fatura të energjisë dhe çështje të tjera të rëndësishme për qytetarët dhe ky është limiti i BE-së në këtë moment
Janë mbushur saktësisht një vit e gjysmë prej kur nisi mandati i ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së ishin pajtuar me emërimin e tij ani pse pati disa dyshime, por jo edhe në mënyrë të hapur, për arsye se ai, sikur edhe shefi i tij, Josep Borrell, vjen nga një shtet i BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që të dy si ministra kanë zbatuar politikën kundër njohjes së pavarësisë, duke qenë më afër qëndrimeve të Rusisë dhe Serbisë lidhur me statusin sesa të shumicës së shteteve të BE-së. Por, ishte më se e qartë se Lajçakun, fuqishëm e mbështeste edhe Gjermania, vendi më i fuqishëm i BE-së.
Me gjithë dyshimet, ai nisi mandatin më 1 prill të vitit 2020 me një ambicie që “brenda muajsh e jo vitesh “të arrihet edhe marrëveshja finale”. Tash një vit e gjysmë, marrëveshja duket më larg sesa kurrë më parë. Madje, siç pamë javën e shkuar, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale sesa para se të fillonte dialogu, ndërsa fuqia e BE-së edhe më e vogël.
Ka shumë gjëra që kontribuojnë në këtë. BE-ja nuk jep më garanci për anëtarësim të vendeve të rajonit. Kosova nuk ka as liberalizim vizash. Shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk kanë lëvizur fare në këtë drejtim. Lajcak, duke thënë se “5 vendet e BE-së do të pranojnë atë që pranon Serbia”, i ka dhënë Serbisë edhe të drejtë vetoje. Nuk ka pasur lëvizje në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Prapë Lajçak dhe ekipi i tij kanë shkaktuar më shumë huti sesa që kanë ndihmuar me deklaratat herë se “duhet zbatuar edhe duke marrë parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, e herë se “Kushtetua nuk është Bibël dhe mund të ndryshohet”.
Pa dyshim se BE-ja, fajtore për mungesë të progresit do t’i konsideroj palët. Do të vazhdojë të pohojë se “marrëveshja varet nga vullneti i palëve për kompromis” dhe për këtë do ta ketë edhe mbështetjen amerikane. Kjo na jep edhe më pak arsye për shpresë se mund të ketë marrëveshje në ndonjë të ardhme të afërt.
Pas 11 vjetësh jemi pothuajse në fillim. Prapë diskutohet për çështje teknike. Por, për dallim nga fillimi kur edhe BE-ja, edhe Kosova thoshin se “ky është dialog vetëm për çështje teknike”, tash të gjithë thonë se “asgjë nuk është teknike, por gjithçka është politike”. E, sa bizare është situata dëshmon edhe “suksesi i fundit historik” ku palët u pajtuan që të krijohen grupe të përbashkëta punuese për të gjetur një zgjidhje për targat e veturave. Dhe, edhe kjo zgjidhje, do të jetë “sipas standardeve evropiane”.
Nëse Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, e thotë se nuk do ta njohë, e kjo në këtë moment as që kërkohet nga ajo, e nëse njohja e ndërsjellë është e vetmja zgjidhje finale, atëherë dialogu është i dënuar të mos avancojë në arritjen e normalizimit gjithëpërfshirës. “Kriza e targave të veturave” ishte një test se a është Kosova shtet apo jo dhe a mund të sillet si shtet. Dhe, a ka Kosova autoritet në tërë territorin e saj. Përgjigje të prerë, me të cilën do të pajtoheshin të gjithë nuk ka. Dhe kështu do të vazhdojë, sepse BE-ja nuk ka fuqi të ndryshojë asgjë. Prandaj, edhe BE-ja do të merret me targa të veturave, fatura të energjisë dhe çështje të tjera të rëndësishme për qytetarët dhe ky është limiti i BE-së në këtë moment.
Nëse lëmë anash vlerësimet e tifozërisë në Kosovë e Serbi se kush fitoi e kush humbi në “krizën e targave” krejt kjo situatë ishte një rikujtim i dështimit të dialogut. Ky dialog e ka futur Kosovën në një grackë nga e cila nuk mund të dilet. Së paku jo pa pasoja. Ka dëshmuar se nuk ka ndodhur kurrfarë integrimi i strukturave paralele të veriut në strukturat e Kosovës. Ka ndodhur vetëm forcimi i rolit të Serbisë në zhvillimet në Kosovë. Beogradi në Bruksel pranoi marrëveshjen që përfshin heqjen e barrikadave nga pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë. Pra me këtë, edhe Beogradi, edhe BE-ja, pranuan se Beogradi ka vendosur për atë bllokadë dhe do ta heqë. Kurrfarë “proteste spontane e qytetarëve të frikësuar” nuk ishin ato bllokada.
Mediat e Serbisë janë përplot pohime për “Fitoren e madhe të Vuçiqit”. Kësaj radhe, pos “analistëve” nga Serbia që flasin për “kapitullimin e shqiptarëve”, gjejnë të citojnë edhe disa gazetarë, analistë apo politikanë nga Kosova e Shqipëria që flasin për “Humbjen e Albin Kurtit”. Në mediat e Serbisë nuk citohen vlerësimet nga mediat e shteteve tjera, si të Gjermanisë apo Kroacisë, që flasin për dështimet e Vuçiqit, sidomos me dërgimin e forcave ushtarake, inspektimin e tyre nga diplomatë dhe ushtarakë rusë.
Por, kjo tashmë është bërë zakon në Serbi që gjithçka duhet të paraqitet sipas nevojave të pushtetit që kontrollon pothuajse të gjitha mediat.
Edhe pas gjithë kësaj që ndodhi, dhe pas “suksesit historik të BE-së dhe SHBA-së” për të arritur zgjidhjen për targat e veturave, potenciali për tensione të reja është ende i madh. Sepse kanë mbetur shumë gjëra të pasqaruara. Për shembull, pse BE-ja nuk thotë qartë se nuk ekziston asnjë detyrim i Kosovës që të dërgojë Njësitë Speciale në vendkalimet kufitare. I vetmi detyrim dhe kjo përmes shkëmbimit të letrave të atëherë kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të BE-së Anders Fogh Rasmussen, është që të mos dërgohen Njësitë e FSK-së pa konsultim me KFOR-in.
Pra, Serbia e ka shpikur kinse ka marrëveshje që të mos dërgohen as Njësitë Speciale Policore. Dhe, nuk është hera e parë që u dërguan në veri. Ishin edhe kur u arrestua zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Gjuriq. Ishin edhe kur u nis “treni rus”. Dhe mund të shkojnë sa herë që të jetë nevoja dhe kur vlerësohet se njësitë e rregullta policore nuk mund ta kryejnë detyrën e caktuar.
Nëse vërtet ka marrëveshje që Kosova të mos mund të dërgojë Njësi Speciale të Policisë, ato mund të jetë të fshehta. Dhe nëse janë të tilla, ato janë të rrezikshme. Sepse në atë rast mund të kuptohet si pranim për ndarjen e Kosovës.
BE-ja nuk duhet të bjerë në grackën e liderëve të Serbisë që thonë se “ROSU nuk guxon të shkojë në veri”, apo siç shprehen ata “asnjëherë çizmja shqiptare nuk guxon të shkelë veriun”. Qëndrimet e Serbisë janë shumë të kuptueshme dhe të sinqerta. Ajo ka investuar aq shumë në këto 20 vjet për ndarje të Kosovës, duke e mbajtur nën kontroll veriun, saqë nuk mund të heqë dorë aq lehtë nga ky qëndrim. Por, ky nuk guxon të jetë qëndrim i BE-së, pa marrë parasysh se cilat janë qëndrimet personale të atyre që merren me këtë çështje në emër të BE-së.
Me vendosjen e reciprocitetit sa i përket targave, Kosova ka dëshmuar se së paku ajo veten e konsideron si shtet. Ata që mendojnë se Kosova nuk ka guxuar të veprojë në këtë mënyrë, kanë kërkuar pra që Kosova të mos sillet si shtet. Edhe këtu Serbia ka pasur qëndrim të qartë dhe të sinqertë ”Kosova nuk mund të bëjë atë që bën Serbia, sepse Serbia është shtet, e Kosova jo”. Pra, ky mund të jetë qëndrim i Serbisë. Por, nuk guxon të jetë qëndrim i BE-së pa marrë parasysh se 5 nga 27 shtete anëtare nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Nga Kosova nuk mund të kërkohet që të sillet në mënyrë neutrale ndaj statusit të vetvetes.
Paqartësitë në qëndrimet e BE-së rreth statusit, herë “qëndrime neutrale ndaj statusit” e herë “nuk ka qëndrim rreth statusit” vazhdojnë të jenë arsye për limitet që ka edhe i dërguari i Posaçëm Lajçak. Kur BE-ja e konsideron si armën më të fortë ndaj palëve vërejtjen se “nga dialogu varet integrimi juaj në BE” fitohet përshtypja sikur ky integrim është para dere dhe do të vijë shumë shpejt. Por, ky qëllim është shumë larg. Presidenti i Serbisë e ka kuptuar këtë dhe tash thotë se “E dimë se pa e zgjidhur çështjen e Kosovës nuk mund të hyjmë në BE”. Në fakt ai e di se, me apo pa zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”, siç e quan ai, Serbia nuk mund të hyjë në BE për një kohë të gjatë. Dhe e tillë çfarë është sot, nuk do të duhej të hyjë fare. Pra, ai nuk ka arsye që për integrim në BE ta njohë Kosovën në këtë moment. Paramendojeni se në çfarë pozite është vënë Kosova, e cila në këtë “skenar të BE-së” duhet të dëshirojë që Serbia sa më shpejt të bëhet anëtare e BE-së, sepse kur të vijë në prag të anëtarësimit, do ta njohë Kosovën apo “t’i normalizojë raportet”.
Prandaj, edhe do të merremi përsëri me targat e veturave, telefoninë mobile dhe faturat e rrymës. E, këto edhe pas 11 vjetësh “suksese historike të dialogut” po dëshmohen të jenë çështje, të cilat shkaktojnë aq shumë tensione saqë rreth kufijve të Kosovës të fluturojnë avionët ushtarakë, të dërgohen Njësitë e Policisë Speciale dhe të vendosen trupat e NATO-s në njërën anë të kufirit, ndërsa në anën tjetër tanket serbe të vizitohen nga diplomatë dhe ushtarakë të Rusisë. Dhe, për tërë rajonin edhe kjo është një e vërtetë e hidhur: “A mund të integrohet në BE një rajon kur targat e veturave mund të shkaktojnë luftë?”.