BE-ja jo vetëm që i injoroi lutjet tona për sanksione dhe rishikim të strategjisë së saj energjetike të varur nga Rusia; disa zyrtarë evropianë madje filluan të justifikojnë Rusinë. Kur BE-ja nisi Misionin e Pavarur Ndërkombëtar Faktmbledhës për Konfliktin në Gjeorgji, Rusia manipuloi me sukses raportin përfundimtar për t'iu përshtatur interesave të saja.
Luftërat janë më të lehta për t'u nisur sesa për t’u përfunduar dhe finalja e tyre rrallë pason ndonjë skenar të përshkruar. Por, nëse ju jeni agresori, një fitore e qartë me shumë zero është rrallë si opsion.
Gjithsesi, duke mos parë përfundimin e Luftës Ruso-Ukrainase, thirrjet nga disa në Perëndim për t'i dhënë presidentit rus Vladimir Putin mundësi “për të shpëtuar fytyrën” nga konflikti po bëhen gjithnjë e më të forta. Shumica e këtyre argumenteve fillojnë me supozimin e gabuar se Putini kishte arsye të vlefshme për luftën e tij, e cila do të justifikonte paqen që komprometon sërish sovranitetin e Ukrainës.
Samiti i NATO-s i vitit 2008 në Bukuresht supozohej se nxiti zemërimin e Putinit duke i dhënë Gjeorgjisë dhe Ukrainës premtimet për anëtarësim eventual në aleancë. Mos u shqetësoni që nuk kishte asnjë plan veprimi për anëtarësimin për asnjë vend të paraqitur, për shkak të mungesës së mbështetjes nga Gjermania dhe Franca.
Ndërsa mosvendimi i NATO-s i sinjalizoi Putinit se duhet të bënte gjithçka që mundej për t'i bërë të pamundura premtimet e tilla, ngurrimi i Francës dhe Gjermanisë i dha atij mundësi për të krijuar pykën midis anëtarëve të Aleancës. Ai e kapi atë duke nisur luftën në Gjeorgji në vitin 2008, duke pushtuar territorin që mbetet nën kontrollin rus edhe sot e kësaj dite. Mjerisht për botën, kjo lojë funksionoi: shumica e anëtarëve të NATO-s bënë hapin vendimtar prapa nga mbështetja politike e procesit të pranimit për Gjeorgjinë dhe Ukrainën.
Bota ka të ngjarë të ishte vend shumë ndryshe sot, nëse Samiti i Bukureshtit do ta kishte vënë Gjeorgjinë dhe Ukrainën në rrugën e anëtarësimit në NATO. Perëndimi do t'i ishte përgjigjur pushtimit të Gjeorgjisë me më shumë se deklarata dhe Ukraina me shumë gjasa do të ishte kursyer nga gjakderdhja e sotme.
Kjo nuk ndodhi. Teksa zyrtarët gjeorgjianë paralajmëruan në 2008-09 se mosndëshkimi për Rusinë për pushtimin e saj dhe aneksimin e territorit do të çonte në më shumë akte agresioni kundër Ukrainës dhe të tjerëve, ata u refuzuan si paranojakë ose të shqetësuar vetëm për mbijetesën e tyre politike pas luftës katastrofike. Si ambasadore e Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian midis 2005 dhe 2013, mua shpesh më thoshin nga politikëbërësit e lartë evropianë se Rusia nuk do të guxonte kurrë të aneksonte Krimenë ose të pushtonte Ukrainën.
BE-ja jo vetëm që i injoroi lutjet tona për sanksione dhe rishikim të strategjisë së saj energjetike të varur nga Rusia; disa zyrtarë evropianë madje filluan të justifikojnë Rusinë. Kur BE-ja nisi Misionin e Pavarur Ndërkombëtar Faktmbledhës për Konfliktin në Gjeorgji, Rusia manipuloi me sukses raportin përfundimtar për t'iu përshtatur interesave të saj. Më pas administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, mori detyrën dhe vazhdoi “rivendosjen” e saj fatkeqe me Rusinë, duke dërguar sinjal të qartë se Putini nuk do të përballej me asnjë përgjegjësi domethënëse për nisjen e luftës për të copëtuar Gjeorgjinë.
Në vitin 2012, presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, të cilin Putin shpesh e përshkroi si armik personal, u rrëzua nga pushteti. Disa në Perëndim e morën humbjen e tij si shenjë se marrëdhëniet me Rusinë duhet të normalizohen më tej.
Askush nuk dukej se e kishte vënë re në atë kohë që qeveria properëndimore e Saakashvilit u zëvendësua nga oligarkia miqësore me Rusinë, e cila që atëherë ka ngecur progresin e Gjeorgjisë drejt demokracisë dhe integrimit me Perëndimin. Gjatë dekadës së fundit Qeveria gjeorgjiane ka minuar projekte me rëndësi të madhe strategjike për NATO-n në rajonin e Detit të Zi – si Porti i Detit të Thellë të Anaklisë – ndërkohë që ka treguar vetëm mbështetje të vakët për Ukrainën në luftën e saj për mbijetesë.
Në mënyrë të ngjashme, vendimi i Gjermanisë për të ecur përpara me gazsjellësin “Nord Stream 2” – fillimisht pas pushtimit të Gjeorgjisë nga Putini, dhe më pas përsëri pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga ana e tij – tani qëndron si gabim strategjik krejtësisht i pamend (edhe pse sigurisht nuk është i vetmi). Të gjithë këta hapa të gabuar na ndihmuan të na sjellin këtu ku jemi sot. Siç paralajmëroi kohët e fundit presidenti i SHBA-së, Joe Biden, perspektiva e “Armagedonit” bërthamor tani duket më e madhe se sa ka qenë që nga kriza e raketave kubane e 60 vjetëve më parë.
Ndërsa Perëndimi shqyrton opsionet për të shmangur Luftën e Tretë Botërore, nuk duhet të përsërisë gabimet që bëri në vitin 2008, kur praktikisht nuk bëri asgjë në lidhje me luftën agresive të Putinit kundër Gjeorgjisë. Duke pretenduar se ka aneksuar pjesë të mëdha të territorit ukrainas përmes referendumeve të rreme dhe duke argumentuar se Ukraina është vend i rremë, Putini nuk i ka fshehur qëllimet e tij përfundimtare. Megjithatë, sipas atyre që bëjnë thirrje për negociata paqësore, Putini mund të “pajtohet” me ekzistencën e vazhdueshme të një shteti të vogël ukrainas nëse kjo do të thotë se ai mund të mbajë territoret e aneksuara ilegalisht dhe nëse NATO-ja angazhohet të mos e pranojë kurrë Ukrainën.
Argumente të tilla janë muzikë për veshët e Putinit. Ai po luan kumar se dimri i ftohtë, çmimet e larta të energjisë dhe lodhja nga lufta do të minojnë unitetin e Perëndimit dhe do t'i bëjnë sirenat e zbutjes të papërmbajtshme. Sa më pak shanse të ketë për fitore ushtarake në kohë (nga secila palë), aq më e madhe është shtysa për diplomatët perëndimorë që të ndërhyjnë dhe të fillojnë të shtyjnë Ukrainën për të negociuar dhe për t’u marrë vesh.
Por Lufta e Gjeorgjisë e vitit 2008 dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014 duhet të kishin vërtetuar deri më tani se qetësimi sjell më shumë agresion. Mënyra e vetme për Perëndimin për të siguruar paqen është të ruajë unitetin dhe të mbështesë Ukrainën (ushtarakisht, ekonomikisht dhe me diplomaci) derisa të rimarrë të gjithë territorin e saj.
Kjo do të thotë të mos dorëzohesh ndaj kërcënimeve bërthamore të Putinit (të cilave u vjen era dëshpërim), dhe të mos kundërshtosh asnjë marrëveshje afatshkurtër që e ndihmon atë të krijojë iluzionin e fitores. Ashtu si kanceri gjysmë i trajtuar, Rusia thjesht do të rigrupohet dhe do të kundërpërgjigjet edhe më agresivisht nëse Putini qetësohet.
Ukraina ka paguar tashmë çmimin marramendës për lirinë e saj – dhe për kauzën e lirisë kudo. Më e pakta që duhet të bëjë Perëndimi është t'i japë shans për të siguruar paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë. Kjo fillon duke mos ia shitur Ukrainën atyre që mohojnë të drejtën e saj për të ekzistuar.
(Salome Samadashvili, ish-shefe e Misionit të Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian, është anëtare e Parlamentit të Gjeorgjisë dhe sekretare politike e partisë Lelo në Gjeorgji. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)