OpEd

Siguria e Ballkanit nuk është vetëm çështje e Evropës

Përveç shekujsh të tërë të nxitjes së intrigave në Ballkan nga Moska, dështimi i BE-së dhe mospërfillja e përbashkët amerikano-evropiane nxisin gjithashtu aktorët lokalë që të ndërmarrin veprime të njëanshme dhe të ndezin kriza të reja etnoreligjioze. Rreziku këtu qëndron në faktin se 300 vjet të historisë evropiane tregojnë se krizat dhe konfliktet në Ballkan e kanë vënë në rrezik pashmangshëm tërë sistemin e shtetit evropian

Sot dëgjojmë shumë për autonominë evropiane, ndonëse përkufizimi i saktë mbetet bishtnues. Siç na e rikujton Bismarcku, politikisht, Evropa mbetet thjesht një nocion gjeografik dhe asgjë më shumë. Për më tepër, organizatat që deklarojnë se flasin në emër të Evropës, të tilla si Bashkimi Evropian (BE), paraqesin një spektakël të vazhdueshëm të dështimit, paaftësisë, jovendosmërisë dhe mosveprimit.

Politika e BE-së për energji qartazi ka dështuar, nuk ka program për sfidën e migrimit dhe është duke luftuar me anëtarët që çdo ditë e më shumë shfaqin mungesë demokracie në qeveritë e tyre. As Brukseli nuk ia ka idenë se si të përballet me sfidat e shumta të Rusisë, as në Ukrainë, ku pavarësisht qëndrimeve nga niveli më i lartë që Ukraina nuk ka të drejta apo bazë për ekzistencë të pavarur, vazhdon të mundohet ta angazhojë Moskën në bisedimet diplomatike të keqkuptuara dhe të kota në formulat e vjetruara rreth Ukrainës.

Dështimet e BE-së përfshijnë gjithashtu - çfarë me gjasë është çështja më urgjente në sigurinë evropiane dhe një që mund ta ndezë një tjetër raund konfliktesh, më saktë tensionet mes serbëve dhe kosovarëve dhe tensionet e pazgjidhura boshnjake. Këto janë pjesë e një mozaiku më të madh të problemeve të pazgjidhura të Ballkanit që u ofrojnë Moskës dhe mbështetësve të saj shumë mundësi që ta dobësojnë sigurinë dhe paqen rajonale.

Por, përveç shekujsh të tërë të nxitjes së intrigave në Ballkan nga Moska, dështimi i BE-së dhe mospërfillja e përbashkët amerikano-evropiane nxisin gjithashtu aktorët lokalë që të ndërmarrin veprime të njëanshme dhe të ndezin kriza të reja etnoreligjioze. Rreziku këtu qëndron në faktin se 300 vjet të historisë evropiane tregojnë se krizat dhe konfliktet në Ballkan e kanë vënë në rrezik pashmangshëm tërë sistemin e shtetit evropian.

Është e vërtetë se ndërprerja apo zgjidhja e këtyre krizave potenciale ndodh kur qeveritë apo institucione evropiane marrin timonin për t’i menaxhuar apo zgjidhur. Në momentin kur këto institucione fillojnë ta shpërfillin Ballkanin apo u bëjnë bisht përgjegjësive, ato pavetëdijshëm e hapin kutinë e Pandorës apo ua mundësojnë personave që kërkojnë pushtet që ta bëjnë këtë gjë me pasojat e ditura lokale dhe kontinentale.

Kështu që tensioni më i fundit mes Beogradit dhe Prishtinës, i nxitur nga një mosmarrëveshje rreth çështjes që është jokushtetuese e tabelave të veturave e nënvizon dështimin e qëndrueshëm të Brukselit në Ballkan dhe nevojën urgjente për përforcimin e pranisë diplomatike amerikane aty. Kjo prani është thelbësore për t’i parandaluar aktorët lokalë nga dorëzimi në joshjen për të luajtur në galeritë e brendshme dhe nxitja e krizave të reja, për shembull kriza e fundit me tabelat e veturave.

Kjo krizë, ndoshta jo aksidentale, është materializuar pak para zgjedhjeve lokale në Kosovë, kur autoritetet në Prishtinë në mënyrë të njëanshme vendosën një politikë të re të tabelave të veturave, e cila i preku minoritetet serbe, siç duket për ta mobilizuar bazën mbështetëse të tyre për zgjedhjet lokale.

Nga ngacmimet e tilla të pasioneve etnike përfiton vetëm Moska dhe në fund dëmtohen interesat e vetë Prishtinës. Shefi i politikave të jashtme në BE, Josep Borrell, e ka vlerësuar saktë këtë krizë kur ka thënë se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, që e vënë në rrezik stabilitetin, janë të papranueshme”. Në fakt, as Prishtina e as Beogradi nuk mund ta ndryshojnë status quonë. Pra, nëse Prishtina do të përparojë në statusin e saj ndërkombëtar, duhet të arrijë marrëveshje me Beogradin, përderisa gjysma e botës ende nuk e njeh dhe e mohon hyrjen e saj në organizatat ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, nga status quoja aktuale dhe e pazgjidhur mes Beogradit dhe Prishtinës përfiton Moska. Rusia e shfrytëzon ndikimin mbi konfliktin e dy palëve për ta mbrojtur varësinë serbe mbi të. Prandaj, vazhdimi i kësaj status quoje është i rrezikshëm për Serbinë, Kosovën dhe tërë Ballkanin. Kosova, që varet nga Perëndimi, duhet që sipas rregullave t’i marrë parasysh interesat e Perëndimit në paqen dhe sigurinë e Ballkanit, para se të veprojë vetëm për interesat e saj të ngushta.

Kriza e njëanshme, e krijuar rreth pikëpyetjes së tabelave të veturave, ishte dritëshkurtër, duke e detyruar Serbinë që të varet nga mbështetja ruse, në këtë mënyrë duke e konsoliduar praninë e Rusisë në Ballkan. Nga këto rezultate nuk përfiton as Prishtina, as Evropa e as SHBA-ja. Kështu që për t’i ndihmuar vetes dhe Perëndimit dhe ta çlirojë Serbinë, nëse jo Ballkanin, nga ndikimi rus, Prishtina dhe Beogradi duhet që së bashku të negociojnë për normalizimin e raporteve.

Sidoqoftë, kjo gjë do të kërkojë përfshirje më të madhe amerikane. Pjesëmarrja e Beogradit dhe e Prishtinës në një proces diplomatik të udhëhequr nga SHBA-ja (dhe të mbështetur nga BE-ja) do të jetë fitimprurëse për të dyja palët. Nëse ky projekt mund të ndikojë që të përparohet apo të zgjidhen problemet e vazhdueshme mes tyre, do t’i japë fund izolimit dhe do ta lehtësojë integrimin e përbashkët në Evropë. Kështu që ky rezultat do t’i vërë të dyja palët nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s, do ta përmirësojë qeverisjen e tyre demokratike, do ta reduktojë shumë aftësinë e Rusisë për të ndërhyrë në politika dhe për t’i korruptuar ato, dhe, më e rëndësishmja, do të ndihmojë që të ketë raporte më paqësore mes shteteve me kalimin e kohës. Precedenti për këtë është suksesi i Washingtonit në reduktimin dhe në zhdukjen graduale të tensioneve të Izraelit dhe Arabisë.

Qartazi, nëse u lihet mekanizmave të saj, BE-ja nuk mund të arrijë progres në këto probleme të ndërlikuara sigurie të Ballkanit. Dhe dështimi i saj për të vendosur rreth anëtarësisë dhe raporteve paqësore mes Serbisë dhe Kosovës dhe mes Serbisë dhe Bosnjës siguron miell të pafund për mullinjtë e aktorëve lokalë dhe për ata në Rusi që duan t’i përkeqësojnë tensionet.

Ky fakt e lë Washingtonin si të vetmin ndërmjetësues të mundshëm që mund ta udhëheqë procesin deri në përfundim. Vetëm Washingtoni zotëron përqendrim të devotshëm për ta fituar besimin e të dyja palëve, po qe se vendos që t’i udhëheqë nismat e reja. Dhe vetëm Washingtoni mund të ofrojë, me mbështetjen e BE-së, atë që analistët e quajnë “pagesa anësore” për të ndihmuar në zgjidhjen për problemet e vazhdueshme dhe për t’i tejkaluar pengesat e brendshme në bisedimet për paqen.

Përndryshe, nëse ne dhe aleatët tanë thjesht e braktisim agjendën e sigurisë ballkanike për të ecur me rrymën, herët a vonë kjo rrymë do të vërshojë sërish nga bankat e saj dhe do ta zhdukë sigurinë evropiane. Nëse ne dhe aleatët tanë jemi vërtet seriozë për sigurinë dhe autonominë evropiane, nuk mund të injorojmë pothuajse tre shekuj të historisë evropiane. Siguria e Ballkanit është siguria evropiane dhe siguria evropiane është jetike për sigurinë amerikane. Logjika e padiskutueshme e këtij këndvështrimi, e vërtetuar nga një histori tragjike, duhet ta nxisë Washingtonin që të veprojë tani në vend që të presë për krizën e ardhshme, e cila atëherë mund të jetë përtej riparimit.

(Doktor Stephen Blank është bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme (FPRI). Ai është gjithashtu ish-profesor i Studimeve të Sigurisë Kombëtare Ruse dhe Çështjeve të Sigurisë Kombëtare në Institutin e Studimeve Strategjike të Kolegjit të Luftës së Ushtrisë Amerikane. Ai është ish-bashkëpunëtor i MacArthur në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane. Blank është konsulent i pavarur i fokusuar në gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë e ish-Bashkimit Sovjetik, Rusisë dhe Euroazisë.)