OpEd

Si po kufizohet Kosova me Euro-Azinë

Një lexim sondazhi i IRI-t mund të tregojë se si për qytetarët e Kosovës së orientuar në formë plebishitare kah bota euroatlantike sfida e radhës është një ekonomi më dinamike me drejtësinë e një shteti social, ndërsa për Serbinë, që prejse është bërë kandidate për anëtarësim në BE, është afruar gjithnjë e më shumë me botën euroaziatike, është si të vendosë një udhëheqje që do ta shkapë vendin nga korrupsioni. Sfida kosovare mund të jetë evolucioni, ajo e Serbisë revolucioni

1.

Si do të duken Kosova dhe Serbia në vitin 2030, nëse pyeten qytetarët e vet?
Përgjigjja e parë që mund të ketë probabilitetin më të lartë është se Kosova do të jetë më afër botës euroatlantike e Serbia do të jetë më afër asaj euroaziatike. Në sondazhin e porsabotuar të IRI (Institutit Ndërkombëtar Republikan), të zhvilluar gjatë muajve maj-korrik në Ballkanin Perëndimor (përjashto Shqipërinë), Kosova vazhdon me qenë shteti me përkrahje më të madhe prej 85 për qind për Perëndimin (NATO dhe BE), ndërsa Serbia vazhdon të jetë shteti me përkrahje më të madhe për Rusinë e Kinën. 
Një qasje e këtillë e popullatave të dy shteteve nuk do mend se ka të bëjë me perceptime të sigurisë, për të cilën Kosova vazhdon të shikojë në formë pothuajse plebishitare rolin prijës të SHBA-së e Serbia vazhdon të mendojë (madje 72 për qind e respondentëve) se Amerika nuk ka çka të kërkojë në Evropë. Për më tepër, për integrim në NATO janë 83 për qind të qytetarëve, ndërsa në Serbi 80 për qind më pak - pra vetëm 3 për qind e respondentëve. Dhe, ndonëse Serbia është shtet kandidat për anëtarësim në BE, vetëm 39 për qind e qytetarëve do të votonte pro integrimit krahasuar me 89 për qind të kosovarëve.
Por, dallimet janë edhe më të mëdha e më të thella se kaq. Kosova nga aspekti kulturor beson se është pjesë e Perëndimit; gati 70 për qind të qytetarëve të Kosovës besojnë se i përkasin botës kulturore e intelektuale perëndimore, ndërsa në Serbi 22 për qind. Tek moraliteti e vlerat, mbi 70 për qind të kosovarëve besojnë se i ndajnë me Perëndimin e në Serbi njerëzit që besojnë se ndajnë moralitetin e vlerave ruse është dyfish më i madh sesa i atyre që mendojnë se ndajnë vlerat perëndimore. 
E tëra kjo do të thotë se edhe po të bëhej një ndryshim politik në udhëheqjen e Serbisë, qytetarët e saj jo domosdo do të ktheheshin drejt Perëndimit; problemi është më i thellë se ai i elitave në pushtet.

2.

Po ta lexoja këtë sondazh në Bruksel (BE dhe NATO) do të isha i brengosur për dy arsye dhe do të isha i lumtur për së paku një. 
Pra, brenga e parë është se një çerekshekulli investimesh politike në regjionin e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë shndërruar kufirin Kosovë-Serbi (mund të thuhet edhe Serbi-BeH) në kufi të përbashkët shtetesh që kanë aspiratë të përbashkët euroatlantike. Përkundrazi, është lehtë e dëshmueshme se prej momentit kur Serbia ka filluar negociatat ajo i është afruar më shumë botës euroaziatike sesa asaj euroatlantike. Dhe, kështu, kufiri mes Kosovës e Serbisë vazhdon të forcohet si kufi mes botës euroatlantike së cilës i përket me besimin e vet Kosova dhe botës euroaziatike së cilës në masë të konsiderueshme i përket me besimin e vet Serbia.
Këtu është brenga e dytë për një Evropë, e cila po konfrontohet me një përpjekje të sforcuar të Rusisë për të përcaktuar hapësirën e sigurisë në Evropë dhe rolin e saj në të. Të imagjinosh se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, sipas disponimit të treguar të sondazhit të tanishëm, do të jetë vija ndarëse mes Perëndimit dhe botës euroaziatike, nuk të jep ndonjë shenjë sigurie evropiane.
E, në mesin e këtyre dy brengave njëri prej indikatorëve që jep optimizëm është vetëperceptimi i rrezikut të qytetarëve të Kosovës, Serbisë e madje të gjitha shteteve të tjera. Tek qytetarët e këtyre vendeve ekziston ndjenja e rrezikut nga lufta (më së shumti në BeH dhe Serbi), ekziston vetëdija se lufta në Ukrainë ka ndikim gjithandej në Evropë, pra edhe në regjion, por – dhe ky është elementi i ri për mendimin tim –qytetarët nuk besojnë se do të ketë luftë të re në regjion ose pse këtë nuk do ta lejojë Perëndimi (siç besohet në Kosovë) apo pse nuk ka më disponim popullate për të luftuar (BeH dhe Serbi).

3.

Jashtë gjeopolitikës, megjithatë, Kosova dhe Serbia me arsye e me motive të ndryshme po hyjnë në një periudhë sfiduese të ndryshimeve. Sipas sondazhit, shumica (56 për qind në Kosovë, krahasuar me 30 për qind në vitin 2024) mendon se vendi është duke ecur në drejtim të gabuar, ndërkohë që në Serbi numrat janë të ngjashëm (51 për qind krahasuar me 37 për qind në 2024).
Dallimi i motiveve të pakënaqësisë tregon edhe drejtimin e ndryshimeve dhe në që të dyja shtetet kemi të bëjmë me hyrjen në një periudhë poskonfliktive. Në Kosovë, Serbia nuk është në top-pesë problemet (është diku në numrin 11). Top-problemi i Kosovës për një numër impresiv qytetarësh (45 për qind) janë ekonomia, çmimet, kostoja e jetesës. Në Serbi, ndërkaq, ndonëse Kosova është në numrin pesë të top-listës së problemeve, korrupsioni është numër një për 29 për qind të problemeve.
Kosova në veçanti, por edhe Serbia, gjykuar sipas sondazhit, po hyjnë në fazë normalizimi të shoqërisë, përkundër kontekstit gjeopolitik. Për Kosovën, pothuajse 70 për qind të qytetarëve janë të brengosur me probleme socio-ekonomike dhe kërkojnë ndryshim. Dhe, kërkesa për ndryshim duhet të zgjojë radarët e partive politike: një shumicë prej 62 për qind e atyre që kërkojnë ndryshim në Kosovë e adresojnë tek ekonomia, drejtësia sociale, standardet dhe praktikat kulturore (përfshirë në medie), ulje të dhunës dhe ndryshime në standarde administrative që të ulet korrupsioni. Nëse do të shndërrohej në detyrë për parti politike, ajo do të tingëllonte kështu: si të forcohet Kosova si ekonomi produktive dhe shtet social.
Sfida e Serbisë është pak më ndryshe. Nëse brenda kontekstit të atyre që kërkojnë ndryshim kombinohen numri i atyre që kërkojnë ndryshim udhëheqjeje me numrin e atyre që kërkojnë ndryshim administrativ në institucione e zvogëlim korrupsioni, atëherë del një numër impresiv prej 70 për qind të qytetarëve. Nëse këtij numri i shtohet edhe kërkesa për shtet social, atëherë numri del në 92 për qind. Përshkrimi i sfidës që ka përpara Serbia është se si të vijë në pushtet një udhëheqje e re që do ta shkapë shtetin prej rrjetit korruptiv.

4.

Kosova dhe Serbia po kalojnë krizat e tyre politike, me shtytës të tjerë socio-ekonomikë e politikë, por megjithatë kjo po reflektohet në disponimin e qytetarëve të të dy shteteve. Lavjerrësi ka kaluar kufirin mesatar të pakënaqësisë me gjendjen dhe duhet bërë ndryshime. 
Ndoshta leximi i sondazheve mund të ndihmojë më shumë. Për shembull, të tregojë se si sfida e Kosovës gjatë pesë vjetëve të ardhshëm do të jetë evolucioni drejt një ekonomie më produktive dhe dimensioneve të barazisë në shtetin social, një model bashkëkohor evropian. Po ky lexim mund të tregojë se sfida e Serbisë është një revolucion, një që duhet të vërë në krye forca politike që duan shkapjen e shtetit prej merimangës korruptive.