OpEd

Si po iu kushton grave COVID-i

Por ne duhet të tregohem syçelë dhe të sigurohemi se reformat dhe politikat e rëndësishme për promovimin e barazisë gjinore nuk do të shtyhen ose të përmbysen, derisa vëmendjen e politikëbërësve rrokin prioritete të tjera. Në vende me të ardhura të ulëta, duhet të sigurohemi që t’u ofrojmë të gjitha vajzave mundësi për kthim në banka shkollore kur të rihapen shkollat. Të gjitha masat mund të jetësohen me një kosto të arsyeshme. Por që ndryshimi të ketë efekt real kërkohet një perspektivë gjinore kundrejt pandemisë që deri tani ka munguar

Megjithëse infektimet dhe vdekjet nga COVID-19 janë në ngritje të lartë në shumë pjesë të botës, lajmet e fundit për vaksinën potencialisht të suksesshme kanë ofruar dritë në fund të tunelit. Të gjithë shpresojmë se së shpejti do të mund ta kthejmë vëmendjen kah nevoja urgjente për të shpëtuar jetë njerëzish dhe kostot afatgjata të pandemisë; pa harruar asnjëherë sfidat dhe kostot më të mëdha që i përjetojnë gratë.

Pandemia ka përkeqësuar edhe më shumë një problem të kahershëm të grave anembanë botës: pengesat e mëdha dhe të përhershme për të marrë pjesë në ekonomi dhe në jetën publike barabar me burrat. Në një studim të publikuar së fundmi nga databaza e Grupit për gratë, biznesin dhe ligjin të Bankës Botërore, bashkautorët dhe unë kemi treguar se pavarësisht disa dekadave me përparim në reduktimin e diskriminimit gjinor, ende ka dallime të theksuara se si gratë dhe burrat trajtohen sipas ligjit. Mesatarisht, gratë kanë tri të katërtat e të drejtave që i gëzojnë burrat, dhe ato vuajnë më shumë nga pabarazia në lidhje me pagat dhe akomodimet për prindërit.

Pasqyra është edhe më e errët në disa prej vendeve me më së shumti popullsi të botës – përfshirë Indinë, Pakistanin dhe Kinën – dhe në shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Dhe këto të dhëna mbulojnë vetëm diskriminimin e mishëruar në ligje; format de fakto të diskriminimit në shtëpi dhe vendet e punës mendohet se janë të gjithëmbarshme, madje edhe në ekonomitë e avancuara.

Pavarësisht prej kërkimit mjekësor që dokumenton shkallë më të ulët vdekshmërie nga COVID në mesin e grave, shumë vrojtues kanë paralajmëruar se pandemia po i godet më së rëndi gratë në shumë forma. Pos rreziqeve të dukshme që virusi përbën për punëtorët e shëndetësisë, të cilat janë kryesisht gra, ndikimi i masave të mbylljes ekonomike ka bërë që të ketë telashe në sistemin e kujdesit amënor dhe ngritje të dhunës në familje.

Kriza e COVID-it ka pasur edhe efekte të shpërputhura ekonomike te gratë. Gjatë tkurrjeve të kaluara ekonomike, humbja e vendeve të punës ishte kryesisht më e lartë në mesin e burrave, sepse recesionet godisnin para së gjithash sektorët që punësonin më shumë burra se gra, si prodhimi dhe ndërtimi. Sidoqoftë, pandemia ka goditur më së shumti sektorët e shërbimeve, si gastronomia, ku numri i grave përbën shkallë më të lartë të të punësuarve se i burrave. Të dhënat e fundit, të përafërta të bazuara në shifra të Shteteve të Bashkuara dhe Indisë, tregojnë se shkalla e vendeve të humbura të punës së grave për shkak të pandemisë ka qenë për 1.8 herë më e lartë se vendet e humbura të punës te burrat.

Ka një mal me literaturë në ekonomi që dëshmon se humbja e vendeve të punës gjatë rënieve të mëdha ka efekte afatgjata, sepse papunësia priret të lërë lidhjet profesionale dhe shkathtësitë e punës me kalimin e kohës. Këto efekte negative janë kërcënuese për t’i davaritur mundësitë ekonomike të grave në të ardhmen.

Për më keq, të dhënat shkencore me gjasë nënvlerësojnë ndikimin e vërtetë ekonomik që pandemia do të ketë në gratë e punësuara në ekonomitë me të ardhura të ulëta, shumica prej të cilave të punësuara në sektorin joformal (gjë që nuk mbulohet edhe nga anketimet dhe hulumtimet zyrtare të qeverive). Për një hise të madhe të punëtorëve të sektorit joformal, puna nuk është opsion gjatë mbylljeve ekonomike shkaku i pandemisë. Edhe përpjekjet për punësim formal janë të pakta për shkak të mundësive të pakta dhe mungesës së ndihmës. Për më tepër, politikat publike, si transferi me para në dorë, kërkojnë identifikim të besueshëm dhe qasje në shërbime digjitale; por në vendet me të ardhura të ulëta, rreth 45 për qind e grave të moshës mbi pesëmbëdhjetë vjeçe nuk janë të identifikuara në sektorin e punës, krahasuar me burrat me 30 për qind.

Mbyllja e shkollave ka pasur, gjithashtu, pasoja të ashpra për gratë dhe vajzat. Edhe nëse kanë qenë për periudha të shkurtra kohore, mbylljet në vendet me të ardhura të ulëta mund të rezultojnë me humbje afatgjate të kapitalit njerëzor në mesin e vajzave. Hulumtimet e mëhershme të bazuara në shpërthimin e Ebolas më 2014 në Sierra Leone kanë treguar ngritje të shtatzënive pa kurorë, dhe kanë treguar se me rihapjen e shkollave, djemtë u kthyen në banka shkollore, por jo edhe shumë vajza.

Kjo shihet edhe në efektin e mbylljeve ekonomike dhe të shkollave për punën e kujdesit për fëmijë. Me dadot, familjaret ose fqinjët e gjyshërit me mundësi të kufizuara për të ndihmuar, shumë familje është dashur të merren vetë me shkollimin e fëmijëve në shtëpi. Dhe duke pasur parasysh rolet tradicionale gjinore në shtëpi, barra e kësaj pune shtesë u ka rënë shpërputhshëm grave. Dhe nuk është befasi se shumë prej këtyre grave, të përballura me dyfishim detyrash shtëpiake, janë shtrënguar të dalin krejtësisht nga tregu i punës. Në Shtetet e Bashkuara, të dhënat nga Zyra e Statistikave të Punës spikasin se katërfish më shumë gratë se burrat dolën nga tregu i punës në shtatorin e vitit 2020.

Për t’i adresuar këto pabarazi, së pari duhet sjellim çështjet gjinore në krye të debateve politike, mbulimit mediatik dhe hulumtimeve shkencore. Dimensioni gjinor i pandemisë ka rrokur vëmendje larg më të madhe se aspektet e veta racore dhe socio-ekonomike. Kurdo që do të devijojmë përqendrimin tonë në rimëkëmbjen post-pandemike, duhet ta përdorim këtë rast për të injektuar ndryshime që do ta përmirësojnë jetën e grave.

Përshtatja dhe promovimi i orareve të punës është një prej kryeprioriteteve. Krejt ndryshe është puna kërkimore dhe shkencore e atyre grave që duhet të merren njëherësh edhe me fëmijët, krahasuar me punën gjatë së njëjtës periudhë të burrave. Orari më fleksibil i punës ua mundëson grave ta vazhdojnë karrierën pa pasur nevojë të sakrifikojnë kohë shtesë të familjes. Pandemia ka spikatur se çfarë mundësish ofron për punë teknologjia e sotme, dhe mbylljet kanë treguar se me sa shumë sfida përballen shumë prindër kur vjen puna te kujdesi ndaj fëmijëve. Dhe krejt kjo ka ndikim në ekonomi.

Ana e mirë e kësaj pandemie është se mund të shpjerë drejt një ndryshimi real në sjelljen kundrejt punëve të shtëpisë, prindërimit dhe kujdesit për fëmijët. Kujdesi universal dhe falas për fëmijët do t’ua mundësonte të gjitha nënave që të përqendroheshin në karrierën e tyre, pavarësisht nëse punojnë ose jo nga shtëpia. Do të mund të gjeneronte edhe më shumë punësim në vende pune që nuk kërcënohen nga robotët dhe tkurrjet ekonomike.

Por ne duhet të tregohemi syçelë dhe të sigurohemi se reformat dhe politikat e rëndësishme për promovimin e barazisë gjinore nuk do të shtyhen ose të përmbysen, derisa vëmendjen e politikëbërësve rrokin prioritete të tjera. Në vende me të ardhura të ulëta, duhet të sigurohemi që t’u ofrojmë të gjitha vajzave mundësi për kthim në banka shkollore kur të rihapen shkollat.

Të gjitha masat mund të jetësohen me një kosto të arsyeshme. Por që ndryshimi të ketë efekt real, kërkohet një perspektivë gjinore kundrejt pandemisë që deri tani ka munguar.

(Autorja, ish-kryeekonomiste e Grupit të Bankës Botërore dhe kryeredaktore e “American Economic Review”, është profesoreshë ekonomie në Universitetin e Yalet. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)