Është shtet i cili e kupton se është shtet nëse një herë në vit ndonjë ishull diku ia pranon shtetësinë; kur Majlinda Kelmendi me shoqet (dhe shokët besa) e fiton një medalje diku në ndonjë garë; kur UEFA e dënon Rumaninë për racizmin e shprehur kundër shqiptarëve dhe Kosovës; kur ndonjë film ia del të garojë për “Oskar”; kur Kuvendi i saj ndonjëherë mblidhet dhe e kalon ndonjë marrëveshje ndërkombëtare; apo kur edhe dikur dilet në protestë edhe me flamur të Kosovës
Para një kohe më ra në duar një libër i jashtëzakonshëm që flet për Kosovën në frymën e depesheve diplomatike edhe të kohës para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Nga ky libër lexuesi shqiptar do ta mësojë historinë ndryshe nga ajo si e kemi mësuar: qoftë brez pas brezi, qoftë duke lexuar libra që do të nxirrnin versione të ndryshme, varësisht se kush është autori.
Sado që lexuesi do të mundë ta ketë dyshimin për objektivitetin e plotë të shkruesit të depesheve, edhe pse sipas shtetësisë do të duhej të ishte neutral, megjithatë në ata rreshta zbulohen aq shumë tipare përshkruese të njerëzve dhe mentalitetit tonë, saqë vështirë do të mundë të konkludoje se rrëfimet janë të trilluara.
E mendova me vete, me prezencën kaq të madhe të diplomatëve në Kosovë, në veçanti pas pavarësisë, kush e di sa vëllime librash për Kosovën do të mundë të botoheshin pasi t'iu jetë hequr klasifikimi “konfidencial” depesheve përkatëse. Me siguri do ta tejkalonim botimin e së famshmes Encyclopedia Britanica (me 32 vëllime dhe 32.640 faqe në botimin e vet të fundit të shtypur). Sepse ky vend nuk ka ditë që nuk ta qet në sipërfaqe edhe një temë për të cilën nuk ke si të mos flasësh.
E tillë qe edhe java që e lamë pas.
E mandej, pse s'ka liberalizim?
U desh që gazeta ta kontaktonte Prokurorinë e kjo ta aktivizonte kallëzimin penal të Policisë kundër të birit të shefit të AKI-së, të cilit i ishte zënë një armë dhe drogë në veturë. Dikush në polici qëllimisht e kishte mbajtur lëndën pa e proceduar në Prokurori. Kush? Mbase nuk do të merret vesh kurrë. Porse, nga ana tjetër, Policia e Prokuroria me shpejtësi nisën hetimet kundër katër policëve, të cilët i shohin si burime të lajmit -- të cilëve ua kanë konfiskuar edhe telefonat. Ndërkohë, nuk ka informata të jenë nisur hetimet ndaj atij apo atyre që e kanë fshehur rastin.
Pra, rasti i të birit të Maxhunit është shembulli më i freskët i drejtësisë selektive në Kosovë. Po të mos kishte qenë i biri i tij i implikuar në një rast që qëllimisht është fshehur, e që ka gjasa që edhe të manipulohet sa u përket provave, me siguri në këtë çështje nuk do të ishte implikuar Kryeprokurori i Shtetit. E Lumezi e shfrytëzoi intervistën në televizionin publik për të gjetur shumë "argumente" për ta relativizuar rastin.
Jo pak shokuese qenë deklaratat e Lumezit se "nuk është vepër penale nëse në makinën që ju e vozitni ka drogë apo armë pa leje”, apo edhe se "personat si në rastin e djalit të shefit të AKI-së Prokuroria i trajton si dëshmitarë", edhe atëherë kur arma i është gjetur të birit të Maxhunit. E tash, kur kryeprokurori jep këso deklarate, kjo nuk ka si ndryshe të kuptohet veçse si çek bllanko për t'u marrë me kontrabandë a tregti drogash e armësh -- për shkak se nëse këto gjenden në veturën e kujtdo, s'është gjë, se s'qenkan vepra penale.
Përderisa parimi juridik e njeh përgjegjësinë penale si individuale -- është e qartë se barrën për këtë vepër penale, nëse mundësohet dëshmimi i saj pa ndërhyrje nga jashtë, do të duhej ta bartte i biri i Maxhunit. Porse, nga ana tjetër, Maxhuni, si shef shumëvjeçar i Policisë e tash i spiunëve të Kosovës, do të duhej të dorëhiqej për shkaqe morale (e di që po kërkoj shumë -- fjala "morale" është gjerësisht e panjohur në Kosovë), për shkak se është përgjegjës për edukimin e fëmijës së tij, si dhe për zbatimin e ligjit.
Porse natyrisht, duke qenë Maxhuni njeri i afërt i Thaçit, kurse duke dashur ky i fundit ta mbajë nën kontroll edhe Policinë, edhe AKI-në dhe krejt të tjerat që mund t'i hyjnë në përdorim, në skenë inkuadrohet kryeprokurori, për ta mbrojtur jo drejtësinë, por sistemin. Sistemin që edhe atë e mban nën kontroll për shkak të shantazhit të lidhur për dosjen e tij të manipuluar të jurisprudencës.
E luftimi i krimit vazhdon të jetë arsyeja që mund ta bllokojë liberalizimin e vizave për kosovarët. Dhe mund të jetë faktor vendimtar, pavarësisht kërcënimeve kot të zëvendëskryeministrit Hoxhaj, i cili insiston se nëse nuk na e japin liberalizimin, ne do ta ndryshojmë qëndrimin karshi BE-së. Përnjëmend? E me kë do të lidhemi në këtë rast? Me Rusinë?
Perandori Hashimoto
Nuk e di nëse Hoxhaj e ka pyetur shefin e tij Thaçin kur e ka dhënë dhe përsëritur këtë deklaratë. Thaçi vazhdon të mbajë të uzurpuar fuqinë e negociatave në Bruksel, pra në BE, me miqtë e tij Mogherinin dhe Vuçiqin, duke folur për shumë gjëra për të cilat nuk ka autorizim.
Porse pjesë e BE-së është edhe Gjermania -- pra shteti më i fuqishëm i unionit, i cili jo një herë, por disa herë e ka përsëritur se nuk e pranon opsionin e këmbimit të territoreve dhe të fizkulturave të ngjashme. Aq seriozisht i është qasur kësaj pune, saqë kancelaria Merkel para disa ditësh e nisi në Kosovë emisarin e saj special, deputetin Beyer. Dhe në takim me Thaçin, Beyeri i tha se opsioni i këmbimit të territoreve nuk është opsion që përkrahet nga Gjermania, kurse ky iu përgjigj: "Unë jam kryetar i këtij vendi, unë vendosi".
Ta merr mendja është lartmadhëria e tij, pronari absolut tu Kosovës, aq sa e ka merituar titullin e monarkut, i identifikueshëm me emrin Perandori Hashimoto (jam e vetëdijshme se me këtë emër ia bëj pak të padrejtë Japonisë që është përnjëmend monarki parlamentare kushtetuese) -- ama shumë po i përshtatet ky titull.
E Hashimoto na sillet pikërisht si mbret. Zgjedh të komunikojë me ne nëpërmjet FB; kurdo që e sheh se bie vëmendja për përrallat që na i thotë, e thërret një konferencë për shtyp; shkon nëpër intervista, i akuzon gazetarët e i quan rrenca; gojën plot transparencë, nuk lejon që dokumentet që i argumentojnë shpenzimet e tij marramendëse gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, ministër i Jashtëm, e tash kryetar, t'u dorëzohen deputetëve që po e hetojnë. Dhe, në manirin tashmë të dëshmuar nga e shkuara, gjithsesi do që t'i marrë meritat për ndonjë gjë të mirë, e të rrallë, që na ndodh: me para të buxhetit prodhon filma për të na treguar se puna e ushtrisë ka qenë punë e tija, se krejt këto të tjerat që ndodhën në muajt e fundit s'janë me rëndësi (fake news).
Hashimoto e ka edhe një tipar -- mendon që është më i mençmi edhe atëherë kur krejt çohen për t'ia kundërshtuar idetë. Qe sa muaj është duke na maltretuar me çështjen e negociatave duke na thënë se ato do të jenë të rënda dhe kompromise të dhimbshme. Kur e vërejti se kishte shkretuar me fjalën "kompromis", e qiti në tavolinë punën e bashkëngjitjes së Luginës Kosovës. Luginasit i shëtit herë lart, herë poshtë; flet me njerëz, kush e di çka iu thotë, dhe më pas i akuzon e i ofendon të tjerët që nuk mendojnë si ai.
Se çka është duke zier tash Hashimoto është vështirë të dihet, përderisa Kuvendi nuk ia pret krahët dhe e kthen në vendin e vet. Tash po flitet për opsionin e një takimi të ri me Vuçiqin në Paris, ku do të rihidhej ideja e shkëmbimit të territoreve, gjatë shënimit të 100-vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore. Mbase pos Mogherinit do të gjendet edhe dikush tjetër që do ta përkrahë këtë ide, porse përherë do të duhej ta kenë parasysh se pas Luftës së Parë, erdhi Lufta e Dytë Botërore, edhe më e keqe sesa ajo e para. E aty shpëtuan pa ndonjë siklet monarkët që i braktisën shtetet e tyre, por ata që pësuan qenë civilët. Si gjithmonë.
Sporadiku
E Kosova e ditëve të sotme është ndarë në civilë dhe politikanë (përfshirë strukturat e këtyre të dytëve). Dhe viktimat më të mëdha të kësaj ndarjeje që nga lufta kanë qenë civilët, përkatësisht populli që jeton në perandorinë e pashpallur (ende) të Hashimotos.
Për Kosovën përherë thonë se është e vogël dhe për shkak së është e vogël, është e natyrshme që në vende udhëheqëse dhe aty ku ka para vendosen kushërinjtë dhe përkrahësit e "elitës" politike. Pra, as Hashimoto nuk paraqet ndonjë përjashtim në këtë rregull. Njëri nga vëllezërit e tij, me vite shef i Byrosë së Sigurimeve, u përfshi në një rrahje "sporadike", siç e përshkroi vetë ky i pari në FB, natyrisht, për shkak se po i rrezikohet vendi të cilin e ka mbajtur shumë gjatë. Të kujtojmë se Kosova ende nuk është anëtare e kartonit të gjelbër.
Më pas, dje për drejtor të KEK-ut e zgjodhën Njazi Thaçin, kushëririn e tij, që për shumë vjet kishte qenë shef i prokurimit aty. Gjatë asaj kohe ky ishte akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sepse atëbotë i ishte dhënë një tender milionësh një kompanie të afërt me vëllanë tjetër të Hashimotos. Meqë Kosova është e vogël, me siguri kjo është vetëm punë rastësie.
* * *
Gjetja që Hashim Thaçi i bëri rrahjes së të vëllait është përshkruesi më i mirë i Kosovës. Kosova është shtet sporadik.
Është shtet i cili e kupton se është shtet nëse një herë në vit ndonjë ishull diku ia pranon shtetësinë; kur Majlinda Kelmendi me shoqet (dhe shokët besa) e fiton një medalje diku në ndonjë garë; kur UEFA e dënon Rumaninë për racizmin e shprehur kundër shqiptarëve dhe Kosovës; kur ndonjë film ia del të garojë për “Oskar”; kur Kuvendi i saj ndonjëherë mblidhet dhe e kalon ndonjë marrëveshje ndërkombëtare; apo kur edhe dikur dilet në protestë edhe me flamur të Kosovës.
Është shtet sporadik, për shkak se në pjesën më të madhe të kohës është perandoria e pashpallur (ende) e Hashimotos -- ky vend i vogël, i varfër, i pafuqi, i udhëhequr nga injoranca dhe arroganca.