OpEd

Shtet gati i falimentuar

Po sillemi thuajse kemi shtet, e në fakt ai është pronë private e politikanëve që me vite na riciklohen. Në të kanë humbur vlerat edhe njerëzore, për të mos i përmendur ato ekonomike. Solidaritetin që e patëm e qitëm shpejt nën tepih, e pasurinë mbi të cilën menduam se mund të rritemi, e shkrimë me hajni dhe mashtrime. Tash e presim me padurim verën, që mërgata të na nxjerrë prej lloçit edhe një herë, bile financiarisht

Nuk është fare për t'u çuditur se java të përmbyllej me një skandal ndaj të cilit nuk pati ama bash asnjë reagim as nga institucionet e as nga opozita. Gazeta dje e publikoi lajmin se njëri nga gjashtë të dëbuarit për në Turqi ishte arrestuar, ani pse emri i tij nuk gjendej në listën e përpiluar nga autoritetet turke. Ajo që dihet është se i arrestuari u përcoll nga Policia e Kosovës deri në aeroport dhe u fut në avionin që i çoi drejt e në burg. E, edhe një gjë dihet: që ish-shefi i Policisë në kohën kur ndodhi ky skandal u avancua në shef të AKI-së. Që tregon për vlerat e falimentuara të establishmentit politik kosovar -- po qe se ndonjëherë ka kuptuar se çfarë janë vlerat.

Është për keqardhje heshtja edhe ndaj këtij elementi të ri të këtij skandali për të cilin krejt thonë se “po e presim raportin”, ani që gati ka kaluar muaji qëkur ai ndodhi. Po shihet me kilometra larg se qëllimi i fundit i raportit që pritet është të mos zbulojë asnjë gjë dhe që i gjithë rrëfimi të përfundojë me dorëheqjet e Sefajt dhe Gashit. Dhe eventualisht të ndonjë polici, sa për sy e faqe. Paturpësi që brina nuk ka.

Kuvendi i turpit

Skandalin tjetër, po dje, e organizoi Kuvendi i Kosovës. Me kërkesën e 70 deputetëve u thirr seanca për ta diskutuar çështjen e të pagjeturve. Kur erdhi puna për ta votuar rezolutën, në sallë u gjendën 56 deputetë, ani pse tashmë në listën e mëditjeve ishin nënshkruar mbi 90 sish. Pas pauzës në sallë u kthyen vetëm 10 deputetë.

Arsyetimet se shumë nga deputetët kishin shkuar nëpër fshatra për t'i nderuar të zhdukurit do të kishte pasur logjikë po qe se nuk do të nënshkruheshin e nuk do të koriteshin për kaq pak. Vendi ku deputetët është dashur ta tregonin nderimin për ta ka qenë pikërisht Kuvendi -- aty ku është dashur ta shikonin filmin dhe ku është dashur ta votonin rezolutën që nuk kaloi për mungesë kuorumi.

Fotografimi në Mejë e në Krushë është sendi më i pështirë që kanë mundur ta bënin: të fitojnë poenë politikë te “baza”, të cilën me ngulm e shpërfillin në të gjitha aspektet.

T'u thuash turp është pak. Se jo vetëm që i ofenduan familjarët e të pagjeturve, porse shkelën mbi çfarëdo vlere që nënkupton respekti për jetën dhe dhimbjen e këtyre njerëzve që vuajnë qe njëzet vjet. Asnjë vendosje e kurorave të luleve kudo, në këtë ditë, nuk i amniston. Më mirë ka qenë që të mos thirret fare kjo seancë, sesa të përjetohet nënçmim i këtillë.

Falimentimi i kurdisur

E që skandalet në këtë Kosovë janë turlifare, e dëshmon rrëfimi i moçëm i Telekomit të Kosovës. Telenovela për shitjen e asetit të vetëm fitimprurës deri para pesë vjetësh kishte nisur diku më 2009-n. PDK-ja ishte munduar ta kontrabandonte shitjen e PTK-së nëpërmjet Ligjit për Buxhetin, që çuditërisht ishte ndalur disi. Dikur më në fund më 2012-n e kishte shpallur një tender ndërkombëtar, për të cilin që në start i kishte shpenzuar 8 milionë euro një firme të kotë konsulente për “ekspertizë financiare”. Tenderin në mes dy ofertuesve e kishte fituar një firmë fantome, për ta quajtur disi, dhe e cila e kishte detyruar PTK-në t'i ngrinte si garanci hiç më pak se 35 milionë euro -- në vend se të ishte e kundërta.

Oferta fituese kishte qenë diku rreth 277 milionë, që pa këta 35 milionët e ngrirë i binte aktualisht diku rreth 242 milionë, që nuk erdhën kurrë. Njëherë afati për pagesë u shty nga fituesi, e më pas nga Qeveria -- duke e shkaktuar një penallti që do të mundë të na kushtojë me ndonjë vendim arbitrazhi që do ta shikojë firmën imagjinare si viktimë të Kosovës.

Sidoqoftë, në kohën kur u shpall fituesi që s'u bë, PTK-ja tashmë i kishte kontribuuar buxhetit të Kosovës me rreth 460 milionë euro për pesë vjet sa zgjati muaji i mjaltit. Dhe kur u shpall fituesi, PTK-ja realizonte fitim prej rreth 50 milionë eurosh në vit.

Dhe? Pra erdhi 2104-a dhe nisi rënia e shpejtë e PTK-së, deri në pikën ku para një jave, para Qeverisë, u shfaq kryetarja e Bordit të PTK-së, për të thënë se kompania po shkonte drejt falimentimit dhe se kishte para për të mbijetuar edhe 12 muaj. Porse që kishte nevojë që Qeveria t'ia falte nja 60 milionë për t'i larë ca borxhe. Përfshirë edhe zgjidhjen e kontestit me Z-Mobilen, që ka qenë kontrata më skandaloze që të jetë nënshkruar ndonjëherë (sa për rikujtim, PTK-ja pati lidhur kontratë me Dardafonin, operatorin virtual të telefonisë mobile, që për shfrytëzimin e gjithë infrastrukturës së PTK-së madje do të shpërblehej me 78% të fitimit, duke ia lënë PTK-së kockën prej 22%).

Superpolitizimi i kësaj ndërmarrjeje dhe nepotizmi masiv përcjellë nga keqmenaxhimi kronik e sollën PTK-në në gjendjen në të cilën është sot. Ndarja e Telekomit nga Posta krijoi dy kompani të falimentuara, me gjithë krejt predispozitat për t'u zhvilluar në treg. Në vend të kësaj, ajo që ndodhi qe hapja e shtegut për fitim të pastër kompanive private që punojnë me më pak të punësuar, por që kanë investuar aty ku këto dy firma kanë ndenjur duarkryq.

Në vend se të krijohej rrjeti funksional dhe efikas i internetit e të zhvillohej IPTV-ja, Telekomi shtrinte kabllo bakri dhe ankohej se si Viberi po i bënte konkurrencë. Në vend se të ofronte shërbime të shpërndarjes express të dërgesave, posta mjaftohej me blerjen e motorëve për postierët për dërgesat që do të vinin edhe me një javë vonesë brenda Kosovës.

E vetmja ndërmarrje që na sillte njëfarë fitimi thuajse më nuk është. Ia kanë humbur vlerën qëllimisht dhe tash do të pranojnë që të na vijë edhe ndonjë kompani me emrin “Miu” për ta marrë nominalisht për pak para, por me një tall që do të jetë kushedi sa milionësh. Njësoj siç qe folur gjatë për skemën e Distribucionit. E këta që do ta shesin, do t'i fërkojnë duart: pse, a mos po e shesin tokën e babës, a? Sado që të shitet do të jetë e mirëseardhur, se në fakt kurrë nuk do t'i shohim ata miliona që do të shpërndahen nën tavolinë.

Shyqyr u zbuluan tavolinat

E kur jemi te tavolinat, shyqyr që këtë javë u zbuluan se mund të shërbejnë për të folur, ani që bëhet fjalë për bisedë të shurdhërish.

Nuk po di kush ua “dhezi motorat”, por qe indikative që brenda tri ditësh na dolën tri iniciativa për krijimin e një konsensusi politik në lidhje me “çështjet madhore” që na presin. Qeveria ka vendosur që topin e negociatave t'ia hedhë njeriut që paraqet gjithçka pos unitetit të qytetarëve. Veseli doli me një platformë konsensuale që kërkon unifikim qëndrimi rreth: Dialogut me Serbinë; themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe; themelimit të Ushtrisë së Kosovës; agjendës së integrimeve evropiane dhe reformës zgjedhore. I fundit doli Mustafa, ani pse jo prezent fizikisht, me platformën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja -- të cilat krejt i duan, por për të cilat asnjëri nuk duket të jetë gati.

Kërkesa për konsensus po vjen me shtatë vjet vonesë që do të dëshmohen kyç në falimentimin politik dhe ekonomik që i ka ndodhur shtetit. Vjen pasi janë bërë gabime trashanike në procesin e “bisedimeve teknike” dhe në kohën kur dukemi se gjendemi në rrugë qorre, për shkak se pas 20 vjet përvoje në politikë, politikanët tanë tregojnë se nuk kanë tru për gjë tjetër pos si të pasurohen. Duhet pranuar se edhe kjo është aftësi e tyrja, por çmimin që po e paguajmë është tepër i lartë.

Se a do të arrijnë të merren vesh bajraktarët se cili po e merr i pari flamurin, këtë nuk e di. E di se Thaçi nuk është njeri që do të duhej ta udhëhiqte procesin e krijimit të konsensusit, për shkak se deri tash është dëshmuar të jetë shkatërruesi më i madhi i saj.

Mbase më në fund ka ardhur koha që dikush i/e ri/re, i/e mençur të vihet në krye të një procesi në të cilin janë duke na futur si pa kokë. Dhe në të cilin po futemi duke shpresuar se bashkësia ndërkombëtare do të na i zgjidhë problemet që ne vetë i krijojmë, sepse nuk dimë ndryshe. Po ajo bashkësi ndërkombëtare që pasi na çliroi, për fat të keq, na i mbajti në pushtet këta që sot po na qahen.

* * *

Ia nisi me u bë nxehtë këto ditë, dhe prilli sa nuk ka përfunduar. Po i gëzohem fundit të majit dhe krejt qershorit. Sepse atëherë do të na vijë mërgata në pushime. Dhe me gjithë përqeshjen që do t'ua bëjmë mërgimtarëve, ata do të na nxjerrin, bile përkohësisht, nga kriza e përhershme financiare e këtij shteti gati të falimentuar.

[email protected]