Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Shqisa e përkryer

Përderisa skenat e kaosit nuk mungojnë, kur bota rri pezull në pritje të përgjigjeve që nuk vijnë, kalon një periudhë e kthehet një copë normaliteti...

Suzana është një epidemiologe, ndërsa Michael është një kuzhinier në një restorant modest. Botët e të dyve janë kthyer mbrapsht nga pandemia. Përderisa Suzana me ekipin e saj arrijnë të kuptojnë e shpjegojnë nuanca nga simptomat që i shohin te pacientët, shpërthen vala tjetër, rrjedhimisht duke e kthyer në pikën zero edhe punën e ekipit të epidemiologëve. Secila prej valëve e kanë një të përbashkët: marrin me vete një prej 5 shqisave të njeriut. Michael, ndërkohë, është duke tymosur jashtë objektit të restorantit të tij bashkë me një prej ndihmësve të tij. Pak myshterinj kanë pasur. Nuk është që janë lodhur, por ndonjë tym pas ndërrimit duket se është më shumë rutinë sesa reflektim i nevojës për të.

Këto mund të duken fragmente të një kronike të përditshme, por janë disa prej skenave të filmit Perfect Sense (Shqisa e përkryer), ku rolin e Suzanës e luan Eva Green e Michael portretizohet nga Ewan McGregor. Ky i fundit ishte arsyeja që e kisha shikuar për herë të parë filmin. Në secilin prej filmave të tij karakteret më duken krejt të shkujdesur për të arritur qëllime të caktuara, por që në mënyra të magjishme i arrijnë ato. Natyrshmëria e karaktereve duket krejt në përputhje me realitetin, ku jo rrallëherë na ndodh të shohim magjinë në vepër: ndodhin gjëra të jashtëzakonshme, të mira e të këqija, për të cilat nuk është se jemi munduar/angazhuar. Edhe Eva Green, që në takimin e parë, të jep një ndjenjë se fsheh mistere të shumta të cilat të thërret t’i zbulosh bashkë me karakterin e saj. Në thelb, filmi është një tregim dashurie që lind në rrethana krejt jashtë normales. Por, ngjashmëria e filmit me rrethanat në të cilat aktualisht jam duke shkruar këtë kolumne, e realisht pjesa më e madhe e globit, janë deri diku të frikshme.

E përmenda se në film karakteret gradualisht humbin shqisat e tyre, përveç asaj të prekjes. Nis me nuhatjen dhe, para se t’u humbet kjo shqisë, karakteret mbërthehen nga nostalgjia, thyhen emocionalisht dhe fillojnë të qajnë. Përshkrimi që i bëhet humbjes së shijes është edhe më dramatik, pasi skenat që janë xhiruar në restorantin ku punon Michael, por edhe në ambientet e punës së Suzanës, janë deri diku bizare: njerëz duke ngrënë çfarëdo që gjejnë para tyre, e në një restorant mund të hasësh në gjithçka - të paktën të ngrënshme, por kjo nuk mund të thuhet edhe për një ambient laboratori.

Megjithatë, përshtypje më bën përshtatja e njerëzve me rrethanat e reja. Përderisa skenat e kaosit nuk mungojnë, kur bota rri pezull në pritje të përgjigjeve që nuk vijnë, kalon një periudhë e kthehet një copë normaliteti. Restoranti ku Michael punon arrin të mbijetojë edhe pse myshterinjtë nuk mund të nuhasin, e madje e kanë humbur edhe shqisën e shijes. Mjaftohen me atë që shohin. Në film përshkruhet edhe humbja e shqisave të tjera, dëgjimit e shikimit.

Kur e përmenda realitetin e frikshëm në të cilin po e shkruaja kolumnen, ngjashmërinë e ngjarjeve të filmit me atë që po përballemi, e kisha fjalën për atë se ndër simptomat te miliona njerëz që u infektuan ishte humbja e përkohshme e aftësisë për të shijuar e nuhatur. Por, edhe alarmi se një pasojë afatgjate mund të jetë edhe dobësimi i syve, shikimit.

Një prej pyetjeve të shumta, përgjigjen e së cilës e kërkova pas filmit, ishte se cila prej shqisave është më e rëndësishmja. Por, kishin kaluar vite nga hera e parë që e kisha parë e nuk kisha menduar për përgjigjen e fundit. Tani, kur kanë kaluar muaj nga kur jam zyrtarisht i deklaruar si 'rast negativ', shqisat e mia të të nuhaturit, shijes e shikimit janë dukshëm më të dobësuara dhe ende nuk konsideroj se janë kthyer në normalitet.

Edhe Michelle Pfeifferi thotë se mëmësia i ka sjellë ekuilibër Showbiz 3 muaj më parë Michelle Pfeifferi thotë se mëmësia i ka sjellë ekuilibër

Nuk është se besoj shumë në konspiracione e teori mbi 'të pamundshmet' reale, por nga fillimi i pandemisë nuk e kam hequr nga mendja filmin. E kam rishikuar bashkë me gruan, për të qarë sërish në fund, në atë agoni të pazë, kur dy karakteret kryesore, Suzana e Michael, e kuptojnë se vetëm duan që të jenë bashkë e asgjë tjetër nuk ka rëndësi, por që për shkak se kanë humbur dëgjimin të japin ankth të papërshkrueshëm kur janë aq afër e nuk i dëgjojnë thirrjet e njëri-tjetrit.

Në vitin që po hyjmë, del se mbushen 10 vjet nga premiera e filmit, për herë të parë të shfaqur në Sundance. Në vitin që po hyjmë, përfundimisht, e kam të qartë se të pesë shqisat, megjithëse disa më të dobësuara, do të më duhet t’i shfrytëzoj më shumë se kurrë. Të nuhas gjithçka, t’i shijoj të papriturat e jetës, t’i dëgjoj rrëfimet e harruara, t’i shikoj me kujdes rrudhat në ballin e gjyshes, e ta prek lëkurën e një bebeje të porsalindur, për t’u siguruar se fundi nuk do të jetë i errët si në film. Por, edhe nëse filmi do të bëhet realitet, të paktën nuk do të jem i vetëm.