OpEd

“Shqipëria e Madhe” ante portas*

Shqipëria e Madhe, nga një parullë e nacionalistëve shqiptarë dhe konstrukt me rrnesë prej dy motmotesh i nazifashistëve (1942- 44) është shndërruar ngadalë në deklaratë të zbehtë politike, që e përdorin disa shqiptarë (politikisht të papërfillshëm.)

Kjo deklaratë politike përfundon pas betejave elektorale te shqiptarët.

Kurse për Serbinë postmilosheviqiane është shndërruar në ‘Casus beli’ kundër shtetit kosovar. ‘Casus beli’ është një akt që shihet si justifikim i një lufte ose që po e shkakton një luftë; Qeveria aktuale e Serbisë po përpiqet ta gjejë një shkaktar për luftë me shqiptarët!?

Luftë diplomatike po e cilësojnë ata që përditë bëjnë plane për inkursione në veriun e Kosovës...

Së fundi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka hyrë një misioni të pamundshëm (nëse nuk i ndihmojnë edhe vetë nacionalistët dhe populistët shqiptarë) për të dëshmuar se disa nga figurat kyç perëndimore që mbrojtën kauzën e drejtë të kosovarëve për liri, dhe që përkrahen bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, na qenkan për Shqipërinë e Madhe, atë të konstruktuar nga nazifashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila ka zgjatë vetëm një-dy motmote.

“Tani e gjithë bota ka dëshmi në dorë se William Walker është lobist shqiptaromadh dhe se edhe kur ishte shef i OSBE-së në Kosovë është angazhuar për realizimin e këtij projekti. Serbia në çdo vend dhe në çdo nivel do të prezantojë këtë dëshmi lapidare se Walkeri asnjëherë nuk ka pasur për qëllim të mbrojë të drejtat njerëzore në Kosovë, por luftën kundër Serbisë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Kështu i ka deklaruar “Sputnjikut” rus kryetari i porsazgjedhur serb.

Ashiqare konstrukti “Shqipëri e Madhe” përdoret nga Serbia për ta goditur të drejtën e kosovarëve për të pasur shtetin e tyre kombëtar dhe mbi të gjitha për propagandë me të cilën mësyhet të bindet Perëndimi se ka gabuar rëndë kur e ka bombarduar Serbinë...

Vuçiq akuzon Walkerin se e paskësh “trilluar” Reçakun për t’i akuzuar serbët për varrezën masive dhe se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë të persekutuar nga regjimi serb, porse ideja e tyre ishte krijimi i Shqipërisë së Madhe!?

“... Domethënë, ata që nga fillimi e kanë pasur në kokën e tyre krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe jo për gjoja luftën kundër njëfarë regjimi. E gjitha ishte e trilluar. Çdo gjë ishte fiksion. Gjithë çka ishte vetëm shkas i mjaftueshëm për të sulmuar Serbinë dhe që t’i shkëputet asaj një pjesë e territorit. Kjo me Walkerin nuk do të kalojë ashtu lehtë! Nuk do të ketë vend në botë ku nuk do të flasim për këtë…”

Presidenti serb ndonëse nacionalit i çartur, del edhe naiv, ai nuk e di se njohja ndërkombëtare është kat i pakthyeshëm dhe vazhdon akuzat e tij kundër Walkerit, i cili realisht është një qytetar i lirë amerikan, pa asnjë angazhim politik…

“... nuk mund të besoj dhe nuk ma kap mendja se një njeri që ishte shef i OSBE-së, e gjithë bota ishte angazhuar që ai të ishte në atë pozitë, që gjoja të kontrollonte se çfarë bënte Serbia në Kosovë e Metohi. E çfarë ka bërë Serbia – ka kontrolluar, e çfarë ka bërë ai – ka krijuar “Shqipërinë e Madhe”. Këtë e shohim tani dhe këtë fare nuk e fshehin. Kjo pafytyrësi shkon deri në ata kufij”, thotë Vuçiq për publikun rus.

Pse pra është e rrezikshme të përtypet teza për “Shqipërinë e Madhe” nga vetë shqiptarët?

Kur u shpenzohet patriotizmi si armë për të mbledhur fuqi politike, liderëve shqiptarë (në Tiranë e Prishtinë) u vjen në mendje Kosova dhe dëshira e saj për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Dhe së fundi shqiptarët dhe shqiptaret e dëgjuan këtë tezë nga goja e Edi Ramës, i cili nacionalizmin shqiptar e ka shndërruar në “art marcial” për t’i mashtruar shqiptarët dhe për t’ua marrë votat atyre.

Së këndejmi teza e dr. Vjosa Musliut, profesoreshë në Universitetin Gent se Shqipëria e përdori Kosovën për të fabrikuar krenari kombëtare, del të jetë shumë e saktë!

Përderisa e pasoi presidenti kosovar, Hashim Thaçi, i cili për publikun ndërkombëtar e mohoi ta ketë mbështetur Ramën, madje ai e akuzoi Serbinë se e ka fabrikuar tezën e “Shqipërisë së

Madhe” porse presidenti kosovar me atë harç akuzoi edhe BE-në për mungesë lidershipi, duke pretenduar se shqiptarët do të bashkohen nëse BE-ja nuk i merr përdore dhe nuk i shpërblen me karamele edhe kur lidershipet e tyre bëjnë veprime kriminale!?

Ideja për bashkim kombëtar si postulat populiste, pra bashkimi i Kosovës me Shqipërinë tek një pjesë e madhe e politikanëve, akademikëve, gazetarëve dhe vetë shoqërisë kosovare, si çdo ide tjetër e madhe përcillet me emocione të mëdha (joracionalitet), pa i menduar edhe rreziqet e mëdha

Dikush e cilëson si ëndërr të nacionalistëve shqiptarë e dikush vetëm si pronocim ose deklaratë politike për të mbledhur sa më shumë vota nga ëndërrimtarët nacionalistë.

Porse të gjitha serbit dhe të gjitha qeveritë serbe në politikat e tyre shtetërore – në njëqind vjetët e fundit – e kanë shfrytëzuar për ta goditur Kosovën – “Shqipëria e Madhe” është fantomi që Qeveria e mbjell tek shtetasit serbë, dhe e cila e shumëzon frikën dhe ndihmon pushtetet për t’i sunduar më lehtë. Mirëpo tashti, liderët “e moderuar” serbë po përpiqen të ndikojnë tek perëndimorët, për t’i bindur se kanë gabuar me bombardimin e Serbisë për hatër të shqiptarëve kosovarë, sepse Serbia e kontrollonte në Reçak “Shqipërinë e Madhe”, tek vriste shqiptarë në masë, kurse Walkeri dhe Perëndimi po e krijonin!?

Vetëm “deklaratë politike” e cilëson Patrick J. Geary në librin “Miti i kombeve”, kombin unik shqiptar dhe Shqipërinë e Madhe, kurse Oliver Jens Schmitt thekson se pavarësisht nga debati emocional, nuk ka plane konkrete për krijimin e një shteti të tillë.

"Nuk ka pasur asnjë debat që përmbush kërkesat intelektuale dhe vëzhgon faktorët kushtetues" dhe se “Shqipëria nuk e promovon zyrtarisht qëndrimin e "Shqipërisë së Madhe."

Afirmimi i Republikës së Kosovës në OKB dhe integrimet euroatlantike janë pa alternativë. Kalkulimet dhe teoritë e tjera, tezat dhe idetë e reja, (që rëndom në Ballkan janë skizofrene), pas 17 shkurtit 2008, janë thjesht projeksione pakicash profetike (inferiore por agresive), sado që duken fisnike. Janë plot sherr!

E për ta ruajtur një Kosovë unike në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht (sipas Kushtetutës së vitit 1974 nën Federalizmin jugosllav dhe parimeve të panegociueshme të Grupit të Kontaktit si dhe Pakos Ahtisaari) duhet të realizohet një pluralizëm kulturor (dy ose më shumë kanale televizive kombëtare të jenë njëlloj të kapshme në po të njëjtin “truall”) dhe de-fetishizimi i truallit, përndryshe, alternativë e kësaj është spastrimi etnik.

Duhet ditur se askund dhe asnjëherë kufijtë e shtetit nuk përputhen me kufijtë e kolektiviteteve historike, sepse nuk ka kombe kulturore porse vetëm kombe artificiale, politikisht të konstruktuara…

Dhe, kësisoj më 17 shkurt e drejta e vetëvendosjes së jashtme është konsumuar, ngase Kosova i ka plotësuar tri kushtet themelore për të qenë shtet sipas parimit të vetëvendosjes së popujve të kolonizuar: 1. Kosova u trajtua si territor i okupuar nga Serbia (më 1989), 2. Shumica e kosovarëve kishin një vullnet politik për pavarësi dhe 3. Trajtimi gjenocidal i tyre nën shtetin serb.

Sot, shqiptarët janë objektivisht një popull me origjinë të përbashkëta etnike dhe linguistike, me një shtet kombëtar shqiptar (Republika e Shqipërisë) dhe me një shtet shumetnik (me shumicë etnike shqiptare) Kosova dhe një entitet shtetformues (shqiptarët e Maqedonisë).

(komb shumëkombësh, shih: Maritain

Për kombin ekzistojnë përkufizime të shumta ,madje thuhet qe çdo nacionalizëm nxjerr edhe teoricienët e vet, madje Hugh Seton Watson vjen në përfundim që se nuk mund të ketë përkufizim shkencor të kombit.

Por si të përafrohemi me një definicion për lexuesit e vëmendshëm, për shkollarët e studentët që shfaqin një interesim për këtë çështje dhe ndeshen me teori të ndryshme duke rënë në konfuzion teorik?

Problemi thelbësor mendoj se është tek përdorimi i gabuar i nocionit të kombit në shkollën shqipe, pra përdorimi i dendur i nocionit të kombit sipas definimit stalinist (enverist në rastin tonë) dhe, identifikimin e këtij nocioni me atë të etnisë (gjakut, gjuhës, kulturës) dhe popullit territorial (truallit dhe historisë së përbashkët.)

Kur jemi të shqiptarët si shoqëri etnolinguistike asnjëra nga këto paradigma nuk na dalin të përputhshme me një komb unik shqiptar në kuptimin modern të fjalës.

Pra, shqiptarët janë një etni në çarje e sipër identitare, për shkak të interesave disparate, pra janë duke u formësuar dy identitete kombëtare, ajo shqiptare dhe ajo kosovare.

E sa për shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, ata kanë dy shtete me shumicë të origjinës etnike, pra dy adresa për të kërkuar më shumë mbrojtje, por natyrisht se janë shumë më afër identitetit kosovar.

Por t’u rikthemi diskutime aktuale. A do të mundë të shkrihet një ditë Kosova e pavarur në një “Shqipëri Etnike” apo “Shqipëri të Madhe”?

“Shqipëria Etnike” apo edhe “Shqipëria e Madhe” nuk kanë ekzistuar asnjëherë si njësi të pavarura politike, si “komb konstitucional” dhe me kufij të njohur ndërkombëtar. Ideja e “Shqipërisë Etnike” e ndan Kosovën mes serbëve dhe shqiptarëve dhe kjo krijon probleme për 100 vjetët e ardhshëm. “Shqipëria Etnike” është projekt i kombit kulturor (edhe pse teorikët nuk mund të identifikojnë komb të kulturës as të gjuhës!?)

Republika e Shqipërisë ka absorbuar dhe integruar pakicat e saja kombëtare dhe bashkësitë etnike joshqiptare. Në rastin e Shqipërisë, kombi dhe shteti janë njësuar tashmë.

Ëndrra e unifikimit të Kosovës dhe Shqipërisë ka fituar energji të re që kur vendi i vogël i Ballkanit Qendror shpalli pavarësinë, në shkurt 2008. Lëvizja nacionaliste Vetëvendosja është forca e tretë më e madhe në Parlamentin kosovar dhe ajo përdor dendur retorikat populiste.

Në Shqipëri, ekzistonte Aleanca Kuq e Zi (e themeluar në verën e vitit 2012 nga Kreshnik Spahiu) me një platformë të ngjashme si VV-ja porse u defaktorizua shpejt dhe kurrë nuk arriti vëmendjen e publikut shqiptar.

Pavarësia e Shqipërisë më 1912 ishte thjesht diktati i momentit, shpjegon historiani Oliver Jens Schmitt: "Deklarata e pavarësisë së Shqipërisë nuk ishte rezultat i një plani afatgjatë të nxitur nga nacionalistët shqiptarë".

Sipas Schmittit, rënia e sundimit otoman dhe fakti se trupat serbe, malazeze dhe greke kishin përparuar shumë shpejt në territoret e banuara me shqiptarë, ndikuan që ata të marrin një plan të fuqive të mëdha të kohës, veçanërisht monarkisë Austro-Hungareze dhe Italisë.

Sepse Fuqitë e Mëdha ishin të shqetësuara ngase Serbia, një aleate e ngushtë e Rusisë, do të zgjeronte territorin e saj në detin Adriatik, duke ndryshuar kështu balancën e pushtetit në rajon.

Shqipëria është konstituuar si shtet njëqind vjet më parë porse në kondita shumë të ngjashme sikur edhe Republika e Kosovës.

Nuk shqetësohet Beogradi zyrtar për serbët kosovarë porse shpirti i rrënohet se ka një shtet të quajtur Republika e Kosovës, prandaj përmes nxitjes së shqiptarëve për të krijuar agjendë për bashkim me Shqipërinë bën që në Beograd të mësyhet zhbërja e shtetit kosovar dhe ndarja e Kosovës, si projekt shtetëror serb, që tashmë po i afrohet një shekulli jete!?

Mirëpo duke marrë shkas nga një deklaratë e dëgjuar nga nacionalistë shqiptarë kafeneve të Ballkanit se William Walkeri, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, e ka një projekt “për unifikimin e shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, por edhe në diasporë”, Vuçiq ka thënë se Walker e ka në dorë dokumentin për bashkimin e shqiptarëve. Afër mendjes, Vuçiq po sillet si dikur (1981) maqedonasi Lazar Mojsov që tundte një letër në dorë dhe e quante “Stabski dokument” (Dokumenti i Shtabit) për Republikën e Kosovës.

Dhe po e përdor këtë deklaratë për ta shantazhuar Perëndimin, përkatësisht për ta destabilizuar Kosovën.

Tash po del se vërtet Vuçiqit i konvenon “Letra e Walkerit” për ta delegjitimuar shtetin e Kosovës dhe vazhdon klithmat e tij:

“Për këtë mesazh të Walkerit do të flasim më vonë. Madje në të gjitha vendet dhe nivelet në Evropë e në botë. William Walker nuk ia ka futur kot. Ai ka thënë se e ka projektin, se ka planin për bashkimin e Shqipërisë, Kosovës dhe të të ashtuquajturës diasporë shqiptare. Domethënë, de fakto, e ka planin për krijimin e “Shqipërisë së madhe””, është shprehur Vuçiq duke pretenduar se çdo gjë që nga fillimi ishte e orientuar, jo kundër Sllobodan Millosheviqit ose së paku jo vetëm kundër tij. Por para së gjithash kundër Serbisë. “Tani për këtë kemi dëshmi të padiskutueshme. Kjo tani nuk është më vetëm shkrim i shtypit tonë. Tani nuk është më çështje nëse dikush nga ne po mendon. (…) Raportet e tyre (organizatave ndërkombëtare. Vër. H.M.) ishin ‘casus belli’ për luftë. Për sulm më të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Serbisë”.

Kryeministri dhe presidenti i ardhshëm i Serbisë tashti pretendon se e ka një letër të fortë për luftën e tij diplomatike kundër Kosovës, së paku për ta penguar atë që të shndërrohet në shtet funksional dhe mundësisht këtë ta arrijë me ndihmën e vet shqiptarëve.

Prandaj shqiptarë – kudo që jeni – mos i ndihmoni Vuçiqit!

P.S.

Hanibal ka qenë gjeneral i Kartagjenas, armik i përbetuar i Romës, i cili sipas Ciceros pothuajse e tmerroi Romën, por nuk e nënshtroi kurrë. Pra Kartagjenasi i mnershëm mbeti vetëm fantazmë që mund të jetë duke ardhur, ose duke na vëzhguar pas dere…

Kur thuhej: "Hannibal ante portas", (Hanbiali është pas dere) kishte kuptimin: "Hannibali është para portave" dhe mendohet se nënat romake kur nuk u flinin fëmijët i frikësonin me këtë thënie.