Lajmin për vdekjen e intelektualit, profesorit universitar dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Anadrini, prof. dr. Sabahajdin Cena, ishte ndër lajmet më të dhimbshme jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij në mbarë Kosovën dhe më gjerë. Që në fillim të këtij shkrimi, në përkujtim të jetës dhe veprës së tij, mund të them me plot gojën se të rrallë janë intelektualët sikur ishte profesor Sabahajdin Cena, i cili përherë ishte në mesin e popullit dhe në shërbim të tij.
Fati deshi që ta njihja nga vitet ‘70. Fillimisht mbaj mend shkrimet e tij në revistat e kulturës së kohës, veçmas në atë “Fjala”, dhe në botimin shkencor të Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike” për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Anadrini, Llapushë e Drenicë, për mbledhjen e folklorit shqiptar, për ninullat në Anadrini, Llapushë dhe në rajone të tjera. Mbaj mend në veçanti hulumtimin e prof. Sabahajdinit botuar në “Gjurmime Albanologjike” me titull “Disa elemente të gjuhës shqipe në të folmen e popullsisë së Rahovecit”, “Analiza e këngës për Halil Hamzën” dhe shumë shkrime të tjera me rëndësi të posaçme për letërsinë popullore, folklorin shqiptar në përgjithësi. Ndërkaq, në vitet ‘80 kam pasur nderin që ta takoja disa herë në Prishtinë dhe Rahovec edhe fizikisht dhe të këmbeja mendime për pozitën tejet të vështirë të popullit shqiptar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ai përherë kishte guximin që të shprehte opinionin e tij për të dhe rolin e intelektualëve shqiptarë për çlirim e bashkim kombëtar.
Prof. Sebahajdini u jepte kurajë luftëtarëve të lirisë
Pas shpërthimit të luftës frontale midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe në Drenicë, profesor Sabahajdini ishte ndër intelektualët e parë që iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së në Anadrini. Si udhëheqës i Drejtorisë për Marrëdhënie Civile dhe Publike në Zonën Operative të Pashtrikut, prof. Sabahajdini arriti të kontribuonte shumë në ngritjen e moralit te luftëtarët e lirisë. Duke marrë pjesë edhe vetë në shumë beteja frontale me forcat serbe në Anadrini, ai me guximin dhe vlerat e larta prej intelektuali, përmes vargjeve të rilindësve shqiptarë, iu ka dhënë kurajë edhe më të madhe luftëtarëve të rinj e të rejave të UÇK-së që të luftojnë me tërë fuqinë kundër atyre që mundoheshin që ta thyenin vullnetin e popullit tonë për liri e pavarësi. Vërtet ai ka prezantuar me dinjitet figurën shembullore të një intelektuali dhe luftëtari-eprori të UÇK-së. Profesor dhe komandant Sabahajdin Cenën e kam takuar disa herë edhe gjatë periudhës së luftës. Në vjeshtë të vitit 1998, në malet e Kleçkës legjendare, më kujtohet fytyra e tij e buzëqeshur dhe optimiste, i bindur se UÇK-ja do ta fitonte luftën. Ai këtë e argumentonte me faktin se asaj iu kishin bashkëngjitur të rinjtë dhe të rejat nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora, si dhe që e mbështetnin intelektualët dhe mbarë populli ynë liridashës. Madje, kur më pa mua dhe kameramanin Abaz Zeka duke xhiruar imazhe të luftëtarëve të lirisë, nuk e la pa u shprehur me këtë fjali: “Nuhi, kur të pashë ty dhe Abazin, po e shoh edhe civilizimin, sepse si intelektualë dhe gazetarë e keni lënë Prishtinën dhe me punën tuaj profesionale po e prezantoni para botës luftën e UÇK-së. Kjo të gjithë neve na inkurajon, na jep zemër se liria është e pashmangshme!” Edhe unë ia kthej: Prof. faleminderit për këtë vlerësim të çmuar tëndin. Ne jemi pjesë e këtij populli dhe e kemi obligim që të jemi pranë luftëtarëve të lirisë. Mirëpo, edhe angazhimi yt, si profesor dhe intelektual, ia jep imazhin e një ushtrie gjithëpopullore dhe që ka mbështetjen e plotë edhe të intelektualëve tanë.” Fjalët e profesorit Sabahajdin edhe mua e Abazit na impresionuan dhe na kanë shërbyer si udhërrëfim deri në fund të luftës, që me emisionet tona ta mbanim gjallë shpirtin liridashës dhe çlirimtar të të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë sonë Çlirimtare. Dhe vërtet, në qershor të vitit 1999, Kosova përfundimisht u çlirua dhe nga ajo u larguan të gjitha forcat pushtuese dhe administrata serbe.
Kronikani i heronjve të UÇK-së
Pas luftës profesor Sabahajdinin e kam takuar në Rahovec e Malishevë duke drejtuar tubimet gjithëpopullore në përkujtim të përvjetorit të betejës së UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec dhe në tubimet përkujtimore për nder të dëshmorëve të Anadrinisë. Prof. Sebahajdini ishte në krye të protestave gjithëpopullore të qytetarëve të Rahovecit kundër vendosjes së forcave të ushtrisë ruse në kuadër të Misionit të KFOR-it në Rahovec. Ai në një intervistë që e kisha zhvilluar lidhur me këtë protestë dhe barrikadat në malet afër Rahovecit deklaronte: “Për shkak se në Rahovec dhe rrethinë ende ka kriminelë serbë, të cilët kanë bërë masakra mbi popullatën civile shqiptare në këtë qytet, forcat ruse janë të padëshirueshme. Ne jemi të vendosur që pa dhunë, por në mënyrë civilizuese të kundërshtojmë dhe pengojmë vendosjen e forcave ruse në Rahovec. Rusia ka interesa strategjike për të vendosur ushtarët e vet në Rahovec dhe për të bashkëvepruar me kriminelët serbë, duke i destabilizuar Rahovecin dhe Kosovën.” Meqë fshati im i lindjes, Shkoza, është afër Rahovecit dhe prof. Sebahajdini gjatë luftës kishte bashkëpunuar edhe me Njësitin e UÇK-së në Shkozë dhe me familjarët e mi, pas luftës ai mori pjesë edhe në tubimet përkujtimore për dëshmorët e këtushëm që u mbanin në Shkozë çdo 2 prill. Madje, disa herë ka qenë edhe në odën e babait tim - Malushit dhe kishin një respekt të ndërsjellë. Kur realizoja një seri dokumentarësh për Radiotelevizionin publik të Kosovës kushtuar heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam pasur nderin që të bashkëpunoja edhe me prof. Sebahajdin Cenën, duke e intervistuar lidhur me kujtimet e tij si bashkëluftëtar për figurat qendrore të luftës në Anadrini, Llapushë, Dukagjin e Drenicë. Ai gjithmonë ishte i gatshëm që me mburrje të rrëfente për heroizmin e Komandant Tonit e Micit, të Agim Çelës, Sadik Shalës, Hamdi Berishës, Avdullah Bugarit, Sheh Myhedinit, Feim e Bedrush Gashit, Mensur Zyberajt, Brahim Morinës, Salih Bytyçit, Muharrem Hoxhës dhe dëshmorëve të tjerë. Herën e fundit prof. Sabahajdinin e kam takuar bashkë me djalin e tij shumë të edukuar Samedinin (avokat), në prill të vitit 2021, kur në Lugun e Gjeraqinës me kameramanin Bekim Qyqallën, në prani të birit të dëshmorit Brahim Morina – Islamit, e kam intervistuar atë lidhur me kujtimet e tij për kontributin dhe sakrificën sublime të dëshmorit Brahim Morina nga Drenoci i Malishevës. Si rëndom, modest dhe i drejtpërdrejtë, prof. Cena rrëfente me pietet edhe për shumë detaje për këtë figurë të ndritshme të luftës për liri. Prof. Sabahajdin Cena ishte autor i më se 20 veprave të ndryshme, ku dominojnë monografitë kushtuar atdhetarëve shqiptarë të të gjitha kohërave. Pra, profesor Sabahajdini vërtet ishte njeri i penës dhe i pushkës për liri e pavarësi. Ai kurrë nuk u ndal së punuari duke u bërë kronikan i palodhur i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, si dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë Veriore, veçmas duke pasqyruar sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Ai ishte edhe autor i biografive të shumë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare botuar në “Feniksët e lirisë”.
Vepra e prof. Sabahajdinit është e pavdekshme, sepse ai përherë si intelektual ishte në shërbim të plotë të interesave të popullit. Emri i tij pa dyshim do të shkruhet në historinë më të re kombëtare. Shkrimet e prof. Sabahajdin Cenës për UÇK-në do të vazhdojnë të jehojnë edhe më fuqishëm dhe do ta kompletojnë historinë e lavdishme të UÇK-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë.
Lavdi e përjetshme bashkëvendës dhe miku im, profesor Sabahajdin Cena!