Se pse këta 18 vjet na shkuan duke na tallur kushdo që mbërrin, është lehtë e shpjegueshme: ky vend nuk ka zbatim ligji, në këtë vend Kushtetutën e shkel kushdo, kur të dojë, pa asnjë pasojë. Ky vend ka udhëheqës që shtetin e konsiderojnë pronë private; ka të tillë që krejt artin e politikës e kanë shndërruar në shaka, sepse e udhëheqin një popull inert dhe që nga dëshpërimi i skajshëm vuan nga depresioni kolektiv
Figura më e dalluar e javës, natyrisht, dhe pa dyshim, u bë sërish Majlinda Kelmendi. Për të tretën herë u shpall Kampione Evropiane në xhudo. Nëse shënimet e IJF-së janë të sakta, kjo është medalja e saj e 56-të që nga fillimi i karrierës, dhe e 38-a e artë. Jemi me fat që e kemi dhe që atë e udhëheq një njeri, Toni Kuka, që di edhe të menaxhojë edhe të formësojë talente me shumë punë, sakrificë e përkushtim. Të kishte pasur Kosova veç 20 njerëz të këtillë për ta udhëhequr këtë vend, kush e di se ku kishim mbërritur 18 vjet mbas lufte.
Për fat të keq, Kosovën e kanë zaptuar diletantët arrogantë dhe për pasojë jemi shndërruar në shaka republikë, që as banana republikës nuk i ngjason.
Deklarata e javës
Kësaj jave u dallua me aktivitetin më intensiv edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova. Fillimisht u keqcitua me një deklaratë në lidhje me Zajednicën – kinse do t’i drejtohej Kushtetueses për sqarimin e marrëveshjeve, gjë të cilën nuk e kishte thënë. E më pas u citua në mënyrë të duhur kur, më në fund, doli për të sqaruar çështjen e kushteve për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, ku morën pjesë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe deputetët e Parlamentit Evropian, ministri i Jashtëm deklaroi se demarkacioni i kufirit të Kosovës me Malin e Zi është kushti i vetëm dhe i fundit, dhe se për këtë shkak nuk kemi liberalizim vizash. Pas tij u dëgjua ministrja për Integrim tek thoshte se kushti për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është plotësuar, duke i përmendur ca shifra nga Prokuroria. Nuk vonoi shumë dhe u lajmërua Apostolova, për të thënë se liberalizimi i vizave ka mbetur peng i dy dhe jo një kushti. “Nga 95 kushte janë plotësuar 93. Kanë mbetur vetëm dy: Ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kuvendi dhe lidershipi e kanë çelësin për t’i përmbushur”.
Shyqyr që foli dhe më në fund e vërtetoi atë që jemi duke e përsëritur qe sa kohë: edhe po të kalonte demarkacioni, nuk ka kurrfarë garancish se liberalizimi do të miratohej, për shkak se Kosova e ka një problem shumë më të madh – që është krimi dhe korrupsioni, kusht i cili nuk mund të plotësohet me dy tri-raste gjykimesh që nisin e kurrë nuk përfundojnë. E as nuk mund të plotësohet me vdekjen e dyshimtë të të burgosurve nëpër burgje.
Atë që po e thotë Apostolova është se përgjegjësia për liberalizimin e vizave që nuk po ndodh është te zyrtarët institucionalë të Kosovës – ata që duhet ta luftojnë krimin dhe korrupsionin. Ata të cilët ende nuk e kanë zbuluar formulën se si duhet ta ndjekin vetveten.
Shakatë institucionale
Njëri nga anëtarët më të devotshëm të klubit të përgjegjësve për gjendjen të cilën e jetojmë është Hashim Thaçi me idetë e veta megalomane. Nja një muaj ditë na maltretoi me idenë për transformimin e FSK-së me ligj. Mori poza, foli fjalë të mëdha, dhe në fund ia shkroi një letër Kuvendit duke kërkuar që të mos e procedojë tutje ligjin. E Kuvendi, nga ana tjetër, e shpërfilli kërkesën e tij për pezullimin e procesit, ngase kjo kërkesë është në kundërshtim me ligjin dhe me vetë Rregulloren e Kuvendit. Për pasojë, ai do të kalojë nëpër komisionet përkatëse dhe me gjasë do të dalë në seancë plenare. Dhe më pas çka? Me gjasë dikush nga miqtë ndërkombëtarë do të çojë porosi që ai të tërhiqet – e që për atë dikush ta gjejë modusin që askush të mos akuzohet se nuk deshi ta transformonte FSK-në.
Pas këtij debakli, për të treguar se ai vazhdon të jetë faktor në këtë vend, menjëherë pas deklaratës kot të Edi Ramës, doli për ta thënë të njëjtën gjë: nëse BE-ja i mbyll dyert për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme. Përderisa po e kuptoj se Rama do që të paraqitet si një lider i fuqishëm panshqiptar, duke qenë kryeministër i shtetit amë, nuk po e kuptoj se si u bë që Thaçi e përqafoi filozofinë e Vetëvendosjes, me të cilën është në “luftë”. Nejse, e kuptoj, se është edhe një në mesin e pesë milionë frazave të thata që i thotë pa asnjë pasojë.
Po të organizohej referendumi për bashkim kombëtar qetash, edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri, e kam bindjen e thellë se Shqipëria nuk do të votonte për. Për një arsye shumë të thjeshtë: sepse Shqipëria i ka hyrë procesit të gjatë të anëtarësimit në BE, nga i cili mund të ketë shumë më tepër përfitime sesa po të bashkohej me Kosovën e katandisur në zero. Për më tepër, Shqipërisë do të duhej t’i mjaftonin të korruptuarit e vet, e nuk ka nevojë t’i shtojë vetes edhe më shumë telashe.
Sa flet gjëra për konsum populist, më mirë do të bënte ta jepte atë dorëheqjen e premtuar për FSK-në dhe të hapte rrugë për ndryshime në këtë vend. Udhëheqja e tij gati dhjetëvjeçare me këtë shtet ka qenë katastrofale, pasojat e së cilës do t’i vuajmë edhe kush e di sa kohë.
Kompleksi i inferioritetit
E njëri prej shumë vendimeve të këqija që i ka marrë në karrierën e tij politike ka qenë edhe ajo e nisjes së dialogut të Brukselit krye më vete. Tashmë po i dimë “rezultatet” – si për shembull marrëveshja ndërkombëtare për rehabilitimin e Urës së Ibrit. Përralla e urës nuk përfundoi ende. Para dy ditësh kryetari i Mitrovicës Veriore i ndërpreu punët. Veç pse mundet. Dhe? Asgjë, natyrisht. Asnjë reagim i vetëm nga Qeveria, e besa as nga garantuesja, BE-ja. Mbase edhe kjo shkon në favor të integrimit të serbëve në institucionet kosovare.
Kështu, në emër të integrimit të përkufizuar në Bruksel, administratës që e paguan buxheti i Kosovës i janë bashkuar 483 persona që zyrtarisht ende janë pjesë e Mbrojtjes Civile – një strukture të krijuar me Ligjin e mbrojtjes së Serbisë. S’ka dert që nëpër institucione mund të na sillen njerëz që dikur kanë qenë pjesë e forcave të sigurisë së Serbisë që kanë bërë kërdi gjatë luftës në Kosovë.
E sikur kjo të mos mjaftonte, Kuvendi i Kosovës e hartoi Projektligjin e veçantë për punësimin në veri, ku serbët që do të riaftësoheshin për punësim, do të subvencionoheshin me nga 300 euro në muaj me para të buxhetit të Kosovës. Kur e pashë titullin e ballinës të ditës së martë m’u kujtua edhe një ligj special, në bazë të të cilit 150 mijë shqiptarë i kishin humbur vendet e tyre të punës në fillim të ’90-ve. Ai quhej Ligji i punës në rrethana të veçanta (nejse titullin e ka pasur nja një kilometër të gjatë, porse kjo ishte esenca) – dhe ai ua mundësonte serbëve të masave të dhunshme të na qitnin ne shqiptarëve prej vendeve tona të punës, në kundërshtim me ligjin që vlente në të gjithë ish-Jugosllavinë.
Atëherë serbët i kanë pasur të gjitha në dorë. Na kanë shkelur sa kanë mundur dhe jo rrallë, në jemi treguar inferiorë – thuajse kemi vuajtur nga ky kompleks. Se pse tash, pas sa e sa vjetësh na përsëritet e njëjta gjë – nuk mund të shpjegoj ndryshe veçse ky kompleks ende është i gjallë në mesin e politikanëve shqiptarë të Kosovës, që nëse nuk ndihen inferiorë ndaj serbëve, atëherë gjithsesi ndihen inferiorë ndaj të huajve që ua “sugjerojnë” këto ide. Ky ligj edhe ka mundur të rridhte prej deputetëve minoritarë, porse në thelb është diskriminues dhe nuk do të duhej të kalonte në procedurë parlamentare, as në emër të përpjekjes për “integrimin e serbëve në institucione”.
Për kapak, prej pardje u bëmë me ministër të ri të Administrimit të Pushtetit Lokal – e me njeriun që deri para disa ditëve ka qenë kryetar ilegal i Komunës së Zveçanit. Njeriun që i ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën, e që tash bëhet pjesë e vendimmarrjes qendrore, duke e udhëhequr një dikaster jo pak të rëndësishëm. Qeveria do të mundë të arsyetohet se ky është i deleguari i partnerit të koalicionit, porse çështja e parë që ngrihet është se pse, në rend të parë, është dashur që Lista Srpska të jetë anëtare e koalicionit. Natyrisht, përgjigjja është e thjeshtë: sepse ashtu u kanë “këshilluar” të huajt që e kanë formuar këtë qeveri koalicioni që ka pasur perspektivën e dështimit që nga çasti kur u krijua.
Super-shakaja
Nuk e di nëse edhe AKI-ja do ta ketë pasur perspektivën e njëjtë kur u themelua. Sinqerisht nuk di as me çka merret AKI-ja – dhe nuk do të duhej të dija, sepse këta janë “spiunë” konspirativë që do të duhej të përkujdeseshin për sigurinë kombëtare. Porse ajo që tingëlloi shumë e çuditshme, për të mos thënë qesharake, qe deklarata që doli pas raportimit të shefit të porsaemëruar të AKI-së, në lidhje me mobilizimin masiv të policisë para festës së Pashkëve.
Sipas kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, paska pasur konfirmime për kërcënime kundër kryetarit, kryeministrit dhe liderëve opozitarë pikërisht për këtë festë. Se kush e si – natyrisht se do të mbetet sekret shtetëror, por bëhej fjalë për disa apo shumë elemente terroriste.
Sinqerisht, njerëzit më të mbrojtur në këtë shtet janë shefat e institucioneve shtetërore që askund nuk lëvizin pa truproja dhe pa eskorta mobile policore. Nëse ata paskan qenë të rrezikuar, më së lehti ka qenë që ata të izoloheshin, e që të mos krijohej atmosfera e frikës me prezencën aq të shtuar të forcave të rendit dhe të sigurisë. Tensionimi i tillë i situatës për katër a pesë ditë la një hije të keqe – sepse është vështirë të besohet se një kërcënim real mund të zgjasë vetëm tri a sa ditë, e që ai të mos vazhdojë gjatë gjithë kohës sa këta mbajnë mandatet e tyre.
Nuk po paragjykoj, porse megjithatë e kam shumë vështirë të besoj në vërtetësinë e këtij kërcënimi. Dhe shpresoj të kem të drejtë, dhe se kjo ka qenë vetëm një shaka.
* * *
Se pse këta 18 vjet na shkuan duke na tallur kushdo që mbërrin, është lehtë e shpjegueshme: ky vend nuk ka zbatim ligji, në këtë vend Kushtetutën e shkel kushdo, kur të dojë, pa asnjë pasojë. Ky vend ka udhëheqës që shtetin e konsiderojnë pronë private; ka të tillë që sillen me të sikur ta kishin shtet rezervë, të cilin do ta mjelin deri në skaj, e prej të cilit mund të largohen kurdo që ua merr mendja për të jetuar në ndonjë ishull ekzotik; ka të tillë që krejt artin e politikës e kanë shndërruar në shaka, sepse e udhëheqin një popull inert dhe që nga dëshpërimi i skajshëm vuan nga depresioni kolektiv.
E mandej po çuditemi se pse askush nuk na merr seriozisht. E qysh ndryshe mund të na shikojnë pos si një tufë gusash të humbura në mjegullën, të cilën na e prodhojnë shakaxhinjtë tanë demagogë.
P.S.
Harrova ta përmend edhe një “shaka”. Kosova me gjasë nuk ka para për t’i dërguar ekspertët mjekoligjorë për të mbikëqyrur zhvarrosjen e viktimave të luftës në Serbi. Ama para për shëtitje, dreka, darka, telefona, e laptopa ka me bollëk. Mjaftohemi që atje janë ekspertët e EULEX-it. Shtet shaka!