Një nga mësimet e dala nga rrëzimi i autokracive është se ato nuk bien për shkak të masivitetit të pakënaqësisë së qytetarëve, por shkaku i përçarjes së elitës së regjimit dhe humbjes së besimit në liderin autokratik. Millosheviqi nuk ra si pasojë e protestave qytetare, por ngase elita serbe e kuptoi që Millosheviqi ishte letër e shpenzuar. Rrjedhimisht, ajo çfarë e pret Serbinë nuk është revolucion, ku regjimi momental do ta humbasë papritmas kontrollin mbi pushtetin, por evolucion politik, ku elitat do të kuptojnë se Vuçiqi është letra e shpenzuar dhe rrjedhimisht edhe do të zëvendësohet me një figurë të re, por të ngjashme
Beteja mes demokracive dhe autokracive është më aktualja e kohës sonë. Ndonëse dikur ajo ishte vetëm betejë politike, sot, me pushtimin rus në Ukrainë, është edhe kinetike. Në thelb të pushtimit rus qëndron fakti se një autokraci nuk mund ta tolerojë një demokraci në kufijtë e saj. As rajoni ynë nuk ka ngelur imun karshi përpjekjeve për ta ngadalësuar ecjen drejt demokracisë. Rajoni është ndikuar nga forcat e jashtme autokratike, të cilat kanë synuar ta projektojnë fuqinë e tyre në Ballkan, por njëkohësisht ka prodhuar edhe vetvetiu autokratë lokalë.
Si fenomen, autokracitë janë relativisht të reja. Deri pas Luftës së Dytë Botërore, sistemet politike janë ndarë në dy kampe: vende demokratike dhe totalitare. Personi i parë për të cilin kjo ndarje dypolare ishte e pamjaftueshme qe sociologu spanjoll Juan José Linz. Linzi ka vërejtur se regjimi i Francos nuk ishte as demokratik e as totalitar. Kështu, dalëngadalë Linzi e filloi themelimin e një dege të veçantë të studimit, e cila e prodhoi gjithë atë që e dimë sot për autokracinë.
Sot në Ballkan termi apo akuza e autokratit përdoret mjaft lirshëm në mes të kundërshtarëve politikë. Përdorimi i tepërt i akuzës së autokratit rrezikon ta zhvlerësojë apo ta relativizojë vetë akuzën. Në këtë sens është e dobishme që ta krijojmë një botëkuptim më të drejtë publik për atë se çfarë konstituon një autokraci. Kjo jo vetëm që do ta bëjë përdorimin e termit më efektiv, por edhe do të na pajisë me mjete të nevojshme për t’iu përgjigjur rreziqeve që i kërcënojnë demokracitë tona.
Përdorimi i lirshëm i akuzës së autokratit është edhe deri diku i kuptueshëm, sepse është fenomen shumë likuid dhe si pasojë nuk ekziston një përkufizim i qartë dhe strikt për atë se çfarë është autokracia. Thënë ndryshe, ajo vjen në forma dhe madhësi të shumta. Rrjedhimisht, gjëja më e mirë për të bërë është që të mundohemi t’i identifikojmë disa cilësi të regjimeve politike, të cilat ato i bëjnë autokratike. Në këtë drejtim ekziston një konsensus i gjerë se për ta cilësuar një regjim autokratik, ai duhet t’i përmbushë pesë kritere.
Kriteri i parë është përdorimi sistematik i aparatit të dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Regjimet autokratike kuptojnë që nuk e kanë legjitimitetin e shumicës dhe rrjedhimisht e krijojnë dhe e mirëmbajnë aparatin e dhunës i cili është mjaftueshëm i motivuar për ta mbrojtur regjimin autokratik. Ky motivim e merr formën e motivimit ideologjik dhe financiar. Rrjedhimisht, çdo regjim autokratik shpenzon një pjesë të madhe të buxhetit të tij në mirëmbajtjen e besnikërisë së aparatit të dhunës. Kjo nuk e merr vetëm formën e aparatit zyrtar të represionit, siç janë policia dhe ushtria, por edhe të grupimeve jozyrtare të dhunës, siç janë krimi, mafia apo huliganët. Regjimi autokratik e koordinon të gjithë këtë aparat të dhunës për ta siguruar mbijetesën e tij.
Kriteri i dytë është shitja e pasurisë shtetërorë me qëllim të mirëmbajtjes së pushtetit. Mirëmbajtja e një regjimi autokratik është ndërmarrje jashtëzakonisht e kushtueshme. Është e kushtueshme, ngase në epiqendër të saj qëndron fakti se sistemi nuk i shpërblen meritokracinë, inovacionin dhe progresin, por lojalitetin për regjimin. Kësisoj, për ta siguruar besnikërinë për regjimin, vendet autokratike krijojnë një dinozaurus të aparatit shtetëror i cili kërkon të ushqehet çdoherë e me më shumë para. Regjimet autokratike e zgjidhin këtë problem, duke ua shitur pasuritë e tyre nëntokësore (naftën, diamantet, arin, litiumin etj.) dhe mbitokësore (bregdetin, bjeshkët, monopolet etj.) oligarkëve lokalë apo investitorëve të huaj.
Kriteri i tretë është asgjësimi i opozitës. Duke e njohur faktin se nuk e gëzojnë legjitimitetin e shumicës, ekzistenca e një opozite vibrante është kërcënim serioz për regjimet autokratike. Për ta arritur këtë qëllim, ata përdorin një paletë të gjerë të instrumenteve, siç janë dhuna, arrestimet, dënimet, intimidimet e anëtarëve familjarë të figurave opozitare, mbyllja e bizneseve të tyre personale apo të mbështetësve të tyre, propagandë për sjellje jopatriotike, amorale apo korruptive, etj. Kësisoj regjimet krijojnë mjedis politik ku kostoja e qenët opozitë është jashtëzakonisht e madhe dhe opozita rrjedhimisht asnjëherë nuk mund konsolidohet në një forcë serioze politike.
Kriteri i katërt është kontrolli i hapësirës mediatike. Media e lirë dhe hulumtuese është e patolerueshme në regjime autokratike. Kjo nuk do të thotë që duhet ndaluar media e lirë në tërësi, por regjimet do të kujdesen që ato asnjëherë të mos e kalojnë vijën e kuqe. Çdo akt i tillë sanksionohet me akuza të shpikura ose gjysmë të shpikura dhe me masa administrative e gjyqësore të cilat sigurohen që mediat të disiplinohen. Kësisoj regjimi kujdeset që qytetarëve t’u servohet vetëm e vërteta e dizajnuar nga regjimi.
Kriteri i pestë është ekzistimi i një narracioni popullor apo përralle, po deshët. Çdo regjim autokratik, herët apo vonë, do ta krijojë një përrallë se si vendi rrezikohet nga një armik i jashtëm apo i brendshëm. Tek armiqtë e jashtëm do të flitet për një konspiracion ndërkombëtar, ndërsa tek armiqtë e brendshëm do të flitet për politikanë të korruptuar dhe për elementet subversive elitiste. Në këtë kuadër regjimi do t’i glorifikojë të kaluarën patriotike të popullit heroik dhe fantazi të ngjashme për t’i zgjuar ndjenjat nacionaliste të qytetarëve.
Natyrisht që brenda këtyre pesë kritereve ka variacione të shumta. Ka autokraci me aparat profesional dhe joprofesional të dhunës. Ka autokraci që janë më të afta t’i kontrollojnë hapësirën mediatike dhe narracionin popullor, e ka edhe ato që janë më pak të afta. Për shembull, aparati i dhunës i Tunizisë, i Egjiptit dhe i Libisë u shpërbë nën valën e revoltës qytetare, ndërsa, në anën tjetër, ai i Iranit, i Bjellorusisë dhe i Serbisë vazhdon të mirëmbajë regjimin.
Këtu tek ne në rajon është vetevidente që Serbia është shteti i vetëm, i cili në masë të madhe i përmbush të gjitha pesë kriteret për t’u cilësuar regjim autokratik. Prandaj edhe nuk është rastësi që qytetarët serbë prej disa vjetësh të fundit kanë organizuar protesta të mëdha për ta kundërshtuar regjimin. Këto protestat e kanë arritur zenitin e tyre me protestat e fundit të studentëve. Sidoqoftë, deri më sot po duket që regjimi në Beograd ngelet nën kontroll të pushtetit. Edhe në rast të organizimit të zgjedhjeve të reja, me pjesëmarrjen e listës studentore, gjasat janë që regjimi do t’i fitojë zgjedhjet. Vazhdimi i protestave vështirë se do të ndryshojë ndonjë gjë.
Një nga mësimet nga rrëzimi i autokracive është se ato nuk bien për shkak të masivitetit të pakënaqësisë së qytetarëve, por shkaku i përçarjes së elitës së regjimit dhe humbjes së besimit në liderin autokratik. Millosheviqi nuk ra si pasojë e protestave qytetare, por ngase elita serbe e kuptoi që Millosheviqi ishte letër e shpenzuar. Ajo çfarë e pret Serbinë nuk është një revolucion, ku regjimi momental do ta humbasë papritmas kontrollin mbi pushtetin, por një evolucion politik, ku elitat do të kuptojnë se Vuçiqi është letra e shpenzuar dhe rrjedhimisht edhe do të zëvendësohet me një figurë të re, por të ngjashme. Thënë ndryshe, është shumë herët t’i gëzohemi shkuarjes së Vuçiqit.