Kur Komandanti Suprem i Aleatëve, Mareshali francez Ferdinand Foch, pa Traktatin e Versajës ai tha “Kjo nuk është paqe. Ky është armëpushim njëzetvjeçar”. As ai vetë nuk ka ditur sa e saktë do të jetë profecia e tij. Sot liderët perëndimorë ballafaqohen me po të njëjtën sfidë me të cilën ishin ballafaquar paraardhësit e tyre një shekull më parë: a do të arrijnë paqe apo armëpushim?
Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore e gjithë bota u mblodh në Paris për të diskutuar ngritjen e një rendi të ri botëror. Në gjashtë muajt e parë të vitit 1919 të gjithë sytë ishin drejtuar drejt katër liderëve kyçë të konferencës së Parisit: presidentit amerikan c, kryeministrit anglez Lloyd George, kryeministrit francez Clemenceau dhe kryeministrit italian Orlando. “Katër të Mëdhenj” kishin para vetes një detyrë të jashtëzakonshme: të propozojnë një rend të ri botëror pas kolapsit të katër perandorive në një sfond kur i gjithë sistemi politik dhe ekonomik botëror ishte rrënuar. Nga dëmshpërblimet dhe përcaktimi i kufijve, e deri te lindja e shteteve të reja dhe ngritja e sistemit të ri politik ndërkombëtar – të gjithë prisnin zgjidhje nga “Katër të Mëdhenj”. Dhe ata prisnin zgjidhje të shpejtë. Për të vështirësuar gjithë këtë edhe më shumë “Katër të Mëdhenj” kishin interesat dhe synimet e kundërta. Me një moment dramatik kryeministri italian Orlando do të shpërthejë në lot i thyer kur kupton që Italia nuk mund të këtë qytetin e Rijekës së sotme. Por përkundër dallimeve të tyre ata u përpoqën të organizojnë dhe të drejtojnë punën e konferencës. Ata pritën dhjetëra delegacione, organizuan qindra takime dhe shpenzuan ditë të pafundme së bashku për të përcaktuar të ardhmen e botës. Ato gjashtë muajt e negociatave në Paris vazhdojnë të ushqejnë debate të pafundme nëse konferenca e Parisit ishte sukses, nën rrethanat e kohës, apo ishte dështim. Sidoqoftë për një gjë të gjithë pajtohen: ajo kishte një detyrë shumë të vështirë. Në një moment rraskapitjeje nikoqiri kryeministri Clemenceau la në histori fjalët e tij të urta kur konkludoi se “Të bërit paqe është shumë më vështirë se bërit luftë”.
Kjo është tani histori, por ky kapitull i historisë ofron një mësim të rëndësishëm për ditët e sotme kur bota po mundohet të negociojë fundin e luftës në Ukrainë. Lufta në Ukraine filloi kollaj me pushtimin e paligjshëm dhe të egër të Rusisë, por sot ajo është në vitin e saj të katërt dhe dështimi i vazhdueshëm i procesit negociator na kujton se sa vështirë është të bësh paqe. Dhe ndonëse presidenti Trump kishte premtuar se do t’i japë fund luftës “brenda 24 orëve”, fundi i saj nuk po shihet në horizont. I ballafaquar me realitetin kompleks të pushtimit rus të Ukrainës Trumpi tani kupton që asgjë nuk mund të arrihet shpejt. Ndonëse fillimisht ushtroi presion të madh ndaj Ukrainës, Trumpi ngadalë po fillon të ballafaqohet me realitetin dhe përgjegjësinë kyçe që mban Rusia për përfundimin e luftës.
Palët - Rusia dhe Ukraina - nga ana tjetër nuk po shfaqin ende interesim serioz për proces negociator. Ato ende besojnë që mund të arrijnë më shumë përmes luftimeve sesa përmes bisedimeve. Rusia së fundi lansoi një nga sulmet më të mëdha që nga fillimi i luftës, ndërsa Ukraina këtë javë me operacionin “Rrjeti i Merimangës” realizoi sulmin më të sofistikuar ushtarak deri më sot. Në këtë sfond tre raunde të procesit negociator kanë arritur vetëm progres të kufizuar sa i përket çështjes së shkëmbimit të pengjeve të luftës. Dhe deri tani procesi negociator nuk i ka bërë palët që të ulin intensitetin e luftimeve, por në fakt ato kanë shfrytëzuar procesin negociator për të zhvilluar disa nga luftimet dhe sulmet më të ashpra pikërisht gjatë procesit negociator.
Negociatat e sotme nënvizojnë edhe kompleksitetin e çështjeve që kanë në tavolinë Ukraina dhe Rusia. Negociatat e suksesshme kërkojnë adresimin e së paku tre çështjeve kyçe: anëtarësimi i Ukrainës në NATO, garancitë perëndimore të sigurisë për Ukrainën dhe kapacitetet ushtarake të Ukrainës.
Me një anë pozicioni rus është që Ukraina duhet të heqë dorë nga NATO-ja, duhet të refuzojë praninë e forcave të huaja ushtarake në territor të saj dhe duhet të kufizojë kapacitetet e ushtrisë së saj. Në anën tjetër pozicioni ukrainas është që Ukraina do të përcaktojë vetë fatin e saj sa i përket NATO-s, nuk pranon asnjë kufizim në kapacitetet e ushtrisë së saj dhe ajo pret garancitë konkrete perëndimore për të ndaluar çfarëdo agresioni të ardhshëm rus. Këto pikënisje negociatore kanë një det në mes vete dhe pa adresimin e këtyre aspekteve themelore të sigurisë është e pamundur të imagjinohet një përfundim i qëndrueshëm i luftimeve dhe vazhdimi i suksesshëm i procesit negociator. Thënë ndryshe, interesat primare të sigurisë së palëve janë i vetmi themel i qëndrueshëm mbi të cilën mund të ngrihet një proces i suksesshëm negociator.
Duke iu kthyer konferencës së Parisit, “Katër të Mëdhenj” dhanë çdo gjë nga vetja për të negociuar një varg traktatesh dhe marrëveshjes që do të garantonin paqen evropiane. Por shumëkush qysh atëherë ishte skeptik dhe ishte i bindur se Traktati i Versajës nuk do të sigurojë paqe. Kur Komandanti Suprem i Aleatëve, Mareshali francez Ferdinand Foch, pa traktatin ai tha “Kjo nuk është paqe. Ky është armëpushim njëzetvjeçar”. As ai vetë nuk ka ditur sa e saktë do të jetë profecia e tij.
Në gjithë këtë sfond të gjithë duhet të përgatitemi për një proces të gjatë negociator i cili ka më shumë gjasa të dështojë sesa të këtë sukses. Edhe me vullnetin më të mirë të palëve negocimi i çështjeve kontestuese do të kërkojë kohë, energji dhe kompromise të mëdha në mes palëve. Dhe kësisoj liderët e sotëm ballafaqohen me po të njëjtën sfidë me të cilën ishin ballafaquar paraardhësit e tyre një shekull më parë: a do të arrijnë paqe apo armëpushim?