Kur gjeta pasionin tim, ecjen nëpër male, në ndërdije unë ngarkohesha më shumë jo nga sfida e ngjitjes së ndonjë mali që më priste, por më shumë nga frika se më duhej të angazhohesha shumë më shumë me u tregu burrave që unë mundem me mbajtë peshë të rëndë në çantë njëjtë sikur ata, me përballu të ftohtit e frymën dhe se forca nuk matet me gjini, por me dashurinë dhe fuqinë e brendshme, që zbulohej në momentet e mia më të vështira. Më asgjë nuk mund të më ndalë: as fjala, as paragjykimet, as sfidat. Sepse unë arrita me gjetë lirinë time e cila do të mbetet gjithmonë e paprekshme
Si më e vogla e familjes jam rritur me mendimin që fati jonë është ky: që nana duhet të kujdeset për ne katër fëmijët, sepse është obligim i saj me na ushqy, me na vesh, me na eduku, me na rrit me mundësitë ashtu siç i kishim. Ndërkaq baba edhe pse nuk ishte fizikisht me ne asnjëherë, por na përkrahte financiarisht, ai ishte shtylla kryesore e familjes. Si ka mundësi njëri prind me arrit me dhënë fizikisht dashurinë, kujdesin, edukimin për katër fëmijë? Është e pamundur! Atëherë të mos çuditemi se si vazhdimisht lejojmë me pranu të papranueshmet. Sepse jemi rritur e jemi përballë me të padrejtat pa i ditur dhe pa i menduar si rrjedhojë e nivelit të zhvillimit kulturor e ekonomik të shoqërisë, ku gruaja ka qëndru në shtëpi e burri ka dalë me bë zgjidhje për të mbajtë familjen! Rregull shoqëror i pashkruar.
Fjalinë qe më së shumti e kam dëgju është: “Se ai po ju mban”. Britmat e burrave sa herë i kam dëgju e kryelartësinë e burrave sa herë e kam pa, kam mendu që ashtu duhet se “ata po i mbajnë familjet” ose për djem se “ata do të rriten e do të mbajnë familjet”.
Krejt këto koncepte, botëkuptime që më duken tash si iluzion i kam përjetu, por kam arrit t’i ndryshoj atëherë kur para 11 vjetësh nga familja m’u lejua që të largohesha nga shtëpia ime në Pejë për të filluar studimet në Prishtinë. Ishte hera e parë që më duhej të kalkuloja mirë koston e banesës, jetesës dhe studimeve. Fillova të ndihem në faj dhe jo rehat, sepse po shpenzoja dhe isha e varur nga familja. Për një moment m’u kujtua barra e rëndë e nanës që krejt jetën e ka mbajtë për ne. Me qenë e varur dhe me prit prej dikujt me të mbajt! Kjo m’ka nxitë që pas dy vjetëve, ende pa i përfundu studimet të punësohem. Kur e kam marrë pagën e parë kam fillu me marrë frymë shlirë, kam fillu me kuptu që pavarësia financiare t’i heqë barrierat, fillova me respektu dhe vlerësu veten, punën, njerëzit, familjen.
Tjetra, mbaj mend kur si studente në një banesë ku po qëndroja me shoqe, qëllova unë aty kur erdh pronari i banesës për të rregulluar një problem. M’u ka afru me m’prek…burrë në moshë. E kam shty dhe ka mbetë pa fjalë. Unë mbeta pa frymë. Nuk ka më rëndë se ngacmimi direkt që vjen prej njeriut që mund të jetë baba yt. M’u kujtua këshilla e nanës që të kem kujdes se jam femën e mundet me m’ndodhë gjithçka. Ec e tregoja ngjarjen. Më vinte marre. S’kam ditë me kë muj me bisedu se jam frikuar se keqkuptohem. Qe besa s’kam dasht me shqetësu askënd, sepse prej tjerëve e kam dëgju që kur i flet problemet e tilla, i vetmi ngushëllim është shprehja “sa gjynah”. E sot e them që duhet me rrit zanin me tregu kur kjo të ndodhë ty, asaj, atyre. Se nuk është marre me fol. Marre është me të ndodhë e mos me fol.
Tjetra, kur gjeta pasionin tim, ecjen nëpër male, në ndërdije unë ngarkohesha më shumë jo nga sfida e ngjitjes së ndonjë mali që më priste, por më shumë nga frika se më duhej të angazhohesha shumë më shumë me u tregu burrave që unë mundem me mbajtë peshë të rëndë në çantë njëjtë sikur ata, me përballu të ftohtit e frymën dhe se forca nuk matet me gjini, por me dashurinë dhe fuqinë e brendshme, që zbulohej në momentet e mia më të vështira. Më asgjë nuk mund të më ndalë: as fjala, as paragjykimet, as sfidat. Sepse unë arrita me gjetë lirinë time, e cila do të mbetet gjithmonë e paprekshme.
Tjetra, e vërteta është që majat e botës i arrita me përkrahje të disave që për ta mbetem heroina dhe e ardhmja e këtij vendi. Ky është momenti që unë kam fillu me ba diferencën njerëzore t’u e besu që ka njerëz të mirë, ka burra të cilët përkrahin gra e vajza pa të ngarku në asnjë aspekt, por veç duke të inkuraju: “Vazhdo, ushtro, ndjeke ëndrrën se e ki përkrahjen”.
Edhe Çka po zgjedhim të studiojmëTjetra, vitet e fundit kam pasë mbështetjen e gjithanshme nga një grua e cila me ka leju që afër saj të ndihem vetvetja, të nxjerri edhe atë pak forcë që e kam pas që të mos ndalem aty ku gjithçka më është dukur e errët. Duke qëndru afër saj, sot besoj edhe më shumë në fuqinë e jashtëzakonshme të grave.
Nëpërmjet këtyre pak pikave të realitetit tim jetësor unë sot qëndroj e fortë, veç t’u mendu qysh edhe çka mund të bëj me tejkalu barriera, me arrit të pamundurën edhe me motivu të gjitha ato gra e vajza që ende nuk e dinë që janë drita e këtij vendi.
(Arineta Mula është alpiniste dhe pjesëmarrëse në ekspeditën e parë kosovare në Mont Everest. Shkrimi është shkruar në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës mbi baza gjinore”)