Çfarë përfundimi do të mund të nxirrte njeriu për këtë vend? Më të logjikshmin - se ky vend është i paparë. Se akoma nuk kemi parë gjë, se kush e di edhe sa skandali e sa turpi do të na kaplojë në muajt që vijnë
Nuk e besoj se Avdullah Hotit do t'i kishte shkuar në mendje se fjalia e shqiptuar në konferencën për shtyp, që e kishte thirrur për t'u lavdëruar, do t'i kthehej bumerang po atë pasdite.
Thënia, të cilën e ka për qejfi Edi Rama, duket se prej kohësh është shndërruar në moton e Kosovës së pasluftës. Nuk ka ditë që kalon e që do të mund të ilustrohej me "hala gjë s'kemi parë". Po e kam shumë vështirë ta kuptoj se përse përditë pushtetarët e Kosovës dhe njerëzit që i rrethojnë ia dalin të na befasojnë me gjërat që truri i një njeriu të rëndomtë nuk mund t'i kapë, për shkak se as që mund t'i imagjinojë.
Shkoi Task-Forca
Mëngjesi i së hënës nisi herët për Qeverinë e Kosovës. Me një deklaratë të thënë me gjysmë zëri dhe me një formulim jo pak absurd, Hoti e arsyetonte shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion të Policisë, dhjetë vjet pasi ishte themeluar, për shkak se "ishte antikushtetuese dhe se Kosova i ka pushtetet qartazi të ndara".
Pra, një njësit i veçantë i Policisë që, megjithatë, ia kishte dalë që t'i hetonte rastet që kanë dëmtuar rëndë buxhetin e Kosovës dhe ku ka pasur abuzim me pushtetin u shua, thuhej, në bazë të një vendimi të miratuar para dhjetë vjetësh. Ndërkohë që ky vendim i para dhjetë vjetësh ishte marrë në shkurt të 2010-s, kur Kosovën e sundonte koalicioni PDK-LDK. Do të kujtojmë se LDK-ja ishte në pushtet edhe prej 2014 deri më 2017, me Mustafën kryeministër, dhe çuditërisht deri tash nuk ishte vlerësuar se ky trup ishte antikushtetues.
Trupi i cili funksionoi dhjetë vjet ishte një nga të paktat institucione që kishte marrë notë kaluese në Raportin e fundit Progresit të BE-së.
Pra, diçka po kundërmon këtu.
E para, nëse trupi është jokushtetues ose jo nuk e përcakton kryeministri me një fjali, por e përcakton Gjykata Kushtetuese. Por edhe në rastin se paskësh qenë jokushtetuese, do të thotë se LDK-ja e paska ushqyer dhe përkrahur një aktivitet antikushtetues me vite, e që për atë të mos ketë dhënë llogari.
Po ja që ky trup nuk ka qenë antikushtetues, me gjasë, dhe e ka bërë "gabimin" që i ka hetuar milionat e falur “Bechtel Enkas”; e ka hetuar punën e rrugës së Gjilanit, tenderët në Gjilanin e udhëhequr nga Lutfi Haziri; rastin “Pronto”; punën e blerjes e shpronësimit të tokave diku në Malishevë, e në fund, e kishte arrestuar nënkryetarin e LDK-së për shkak të dyshimit se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
Ndërkohë, dikur më parë, po ky trup kishte marrë në pyetje Hykmete Bajramin dhe vetë Avdullah Hotin në cilësinë e dëshmitarëve për rastin e 53-milionëshin e “Bechtelit”.
Pra, do të mund të thuhej se që të dy anëtarët e kabinetit të tanishëm potencialisht kanë pasur konflikt interesi kur kanë votuar për shuarjen e këtij trupi. Se a është ashtu apo jo nuk e di - mbase më nuk ka trup që do të mund ta hetonte këtë pretendim. Për shkak se u shua, me një vendim të rrufeshëm dhe me një arsyetim hiç bindës.
U zhdukën 2 milionë e fiu
Pra, dy ditë pasi e shoi Task-Forcën, në të cilën kishte investuar aq shumë SHBA-ja, duke dëshmuar se tashmë nuk kishte nevojë të tregonte se sa proamerikan është, sepse me gjasë atë muhabet e ka kryer në Washington, pas dy ditësh Hoti e thirri konferencën për shtyp për të treguar se sa shumë kishte bërë për këta katër muaj qëkur u zgjodh kryeministër.
Nejse, aty e tha këtë fjalinë e famshme, dhe pas disa orësh doli ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, për të treguar se nga buxheti i Kosovës ishin avulluar 2.1 milionë euro. Bajrami tha se kishte qenë ajo që e kishte alarmuar Policinë, edhe pse në fakt paraqitjen e rastit e kishin bërë shërbyesit civilë. Sipas raportit të ditës së nesërme, doli që dikujt iu paskan nevojitur 8 minuta për t'i bërë katër transferime në ca xhirollogari, kurse pranuesve të parave jo shumë kohë për t'ua humbur gjurmët parave.
Bajrami pati guximin të dilte para gazetarëve, por jo edhe për të dhënë dorëheqje. Pavarësisht faktit se ajo mund të mos ketë pasur asnjë lidhje me zhdukjen e këtyre parave. Për shkak se me dorëheqjen e saj do të tregonte se ndihej përgjegjëse që në sistemin elektronik të pagesave, në dikasterin që e udhëheq ajo, ishte krijuar një vrimë e zezë. Menjëherë i doli në mbrojtje shefi i saj, Isa Mustafa, i cili fjalën "dorëheqje" duket mos ta ketë në fjalor, dhe të gjithë të tjerët që u mjaftuan me faktin se ky paska qenë "akt individual", dhe se këtu nuk ka përgjegjësi institucionale.
Na u tha se paratë "ishin të sigurta", kurse formën që e kishin zgjedhur për t'i "siguruar" paratë ishte një letër që Thesari ia kishte nisur njërit nga të arratisurit, duke i thënë se paratë i kishin shkuar gabimisht në konto dhe se duhej kthyer.
Paratë, me gjasë, i hëngri macja. Dhe tash nuk ka task-forcë që e ndjek këtë çështje, për shkak se dy ditë më herët kishte ndodhur vërtetimi se "në Kosovë pushtetet janë të ndara". E një këso vjedhjeje ashiqare vërtet nuk e kishim parë akoma. I kishim parë dy hajni në dhomat e dëshmive të policisë, ama jo vjedhje prej Thesarit. Së paku jo të bërë publike në këtë formë.
U avullua arka 300-kilogramëshe
Po atë natë, pra në kalimin prej datës 21 në datën 22 tetor, u avullua arka e Agjencisë së Veterinës dhe e Ushqimit nga selia e kësaj të fundit. Arka, thuhej se, peshonte 300 kilogramë. Për më tepër, gjendej në katin e dytë të ndërtesës. Thuhej se nuk kishte pasur dëmtime të dyerve të një objekti nën vëzhgimin e Policisë.
Është hyrë nga prapa ndërtesës, është bartur e gjithë arka, dhe është zhdukur bashkë me atë apo ata që e kanë vjedhur. Po them "atë", se mbase ka qenë Casperi i filmave vizatimorë ai që ka hyrë dhe e ka marrë - sepse si fantazmë që është kamerat nuk e xhirojnë dot. E po them "atë", sepse mbase do të ketë qenë Supermani ai i cili është futur në objekt dhe që me një të shkrirë të dorezës dhe nën sqetull do ta ketë marrë arkën për të fluturuar në Krypton.
Po them ata, për shkak se një objekt me peshë prej 300 kilogramësh nuk mund ta bartë një njeri i vetëm. Varësisht se sa janë të fuqishëm, mbase katër kanë mundur ta bartnin, dhe kjo jo me pak mund, meqë është dashur të zbrisnin shkallëve pa bërë zhurmë dhe pa u parë.
Dhe, e keqja në këtë muhabet është se nuk dihet se çfarë ka pasur në arkë. Thuhej shumë e konsiderueshme parash dhe jo pak dokumente. E pyetja është: pse paska pasur para në arkë, ku logjikisht do të duhej të mbahej vetëm një shumë simbolike për shpenzime të imëta? Nëse ky është vendi ku mblidhen pagesat e taksave, ato nuk kanë nevojë të bëhen në të gatshme, për shkak se në Kosovë ka 20 vjet që punon sistemi bankar. Besa edhe ai i Thesarit, ani që ndonjëherë vjedhin para prej aty.
E dyta, cilat janë ato dokumente që kanë nevojë të futen në arkë, e nuk ekziston një dhomë arkivi të sigurt dhe të monitoruar me kamera dhe me sistem arkivimi.
E se nuk ka asnjë shkatërrim në objekt, dhe se s'ka asnjë të lënduar apo çfarëdo gjurme me gjasë, tregon se kjo është punë e përgatitur dhe e realizuar përbrenda. Mbase për të fshehur diçka edhe më të madhe, që akoma nuk e kemi parë.
Menjëherë pas luftës arkën e Bankkosit, që tash është shtëpi e mallrave aty afër Rektoratit, e kishin hedhur nga kati i dytë. Nuk e di se a kanë gjetur ndonjë para aty (e dyshoj që policët e paramilitarët serbë nuk do t’i kenë lënë pa i vjedhur), ama kjo kishte qenë një send që përputhej me thënien: "akoma s'kishim parë gjë". E pamë edhe atë, e tash edhe këtë të AVUK-ut.
* * *
Dhe pas këtyre përshkrimeve, çfarë përfundimi do të mund të nxirrte njeriu për këtë vend? Më të logjikshmin - se ky vend është i paparë. Se akoma nuk kemi parë gjë, se kush e di edhe sa skandali e sa turpi do të na kaplojë në muajt që vijnë. Posaçërisht tash, që duket se aktakuzat kundër Thaçit dhe Veselit janë konfirmuar, ndërkohë që Mustafa, Haradinaj e Limaj ulen të merren vesh se si ta ndajnë kulaçin tutje.
Njëmend, akoma kemi shumë për të parë. Të shohim edhe sa.