Vazhdimi i negociatave nga Thaçi nuk është lajm i mirë për Kosovën. Përderisa në pjesën e parë të procesit e përdori mashën e vet, Edita Tahirin, këtu do “t'i grahë” ashtu siç ia merr mendja, pa pëlqimin e askujt. Prandaj, Kuvendi duhet ta detyrojë ekzekutivin që ta ndërrojë qasjen në dialogun politik. Kurse tash, më shumë se kurrë, nevojitet edhe presioni i opinionit publik që nuk mund të vazhdojë të funksionojë vetëm si shikues pasiv
Kosova, ky vend i absurdeve nuk pranë së befasuari javë më javë. E kjo e fundit u përmbyll me emërimin e shefit aktual të Policisë për shef të ri të AKI-së -- pra një lëvizje që nuk do të duhej befasuar, ngase për Maxhunin thuhet se është njeri i Thaçit. Por absurdja në këtë situatë është se Maxhuni, si shef i Policisë, ka po aq përgjegjësi për dëbimin e gjashtë turqve sa kishin edhe tash ish-ministri Sefaj dhe ish-kryespiuni Gashi. Përderisa këta dy u detyruan të tërhiqen, ky i treti u promovua: në njeriun që do të na i dijë të gjitha sekretet, bile edhe ato që do t'i shpikë AKI-ja sa herë të urdhërohet për një gjë të këtillë.
Haradinaj “shakaxhi”
Situata e përshkruar më lart qe përmbyllja e një jave përplot me ngjarje e ndodhi, që na janë bërë pjesë e përditshme e absorbimit të budallallëqeve në doza të larmishme.
Njëra nga to qe intervista mjaft e përfolur e kryeministrit Haradinaj një televizioni serb me emër cirku, Happy TV -- demek televizioni gazmor. Fakti se ka pranuar t’i japë intervistë një mediumi serb, edhe nuk do të duhej të ishte çështje që do të duhej brengosur shumë. Brengos fakti se pranoi t'i japë intervistë një televizioni që emeton reality show gjithë ditën dhe që ka një emision qendror që quhet “Qirilica”. Për më tepër ka pranuar të japë intervistën në gjuhën që nuk e zotëron mirë, serbishten, me mangësi të theksuar shprehjesh që e linin të papërfunduar çfarëdo mendimi. E jo që kryeministrin e kemi shumë elokuent edhe në shqipe, ama kjo e kësaj interviste qe bajagi si skandaloze.
Të papëlqyeshme pyetjet, edhe më të papëlqyeshme përgjigjet, kinse me humor, kinse njeri i popullit, kinse i sinqertë. Ka shumë kohë që Haradinajt nuk i besohet për sinqeritet, për shkak të veprimeve dhe vendimeve të tij politike. E në këtë intervistë doli keq, sado që ka mëtuar të paraqitej si njeri i thjeshtë, burrështetas i sinqertë.
Dhe problemi me këtë intervistë është vlerësimi i cektë që ia bëri ai daljes në këtë emision. E aq më i cektë vlerësimi i kushedi sa duzinë këshilltarësh që i ka që është dashur bile ta këshillonin të përgjigjej në shqip, mbasi tashmë ishte vendosur të intervistohej. Për shkak se në fund, u intervistua si kryeministër e jo si individ -- dhe për fat të keq doli të paraqitej si pasqyrë e keqe e qytetarëve të Kosovës. Pikërisht ashtu siç na shikojnë serbët: inferiorë dhe të padijshëm.
Qeveria gënjeshtare
Në vazhdën e veprimeve që ofendojnë inteligjencën e këtij populli të dërrmuar ishte edhe kumtesa për shtyp e Qeverisë së Kosovës pas publikimit të Raportit të progresit, apo më mirë thënë të regresit, që Bashkimi Evropian na e solli këto ditë. “Ky raport është raporti më pozitiv që ka pas Kosova në vitet e fundit, qoftë sa i përket të arriturave konkrete, e qoftë trendeve në funksion të avancimit të proceseve”, është mbase fjalia që më së shumti bie në sy nga kjo kumtesë.
Unë nuk e di se ku e ka gjetur Qeveria këtë pozitivitet, dhe pse në fakt e merr përgjegjësinë e dështimeve të Qeverisë së kaluar, meqë ky raport e përfshin edhe 2016-n. Sa për të ilustruar se sa është “pozitiv”, një mike në FB është përkujdesur ta nxjerrë edhe këtë statistikë, që nuk ka nevojë për komente shtesë: prej 13 raporteve të progresit që nga viti 2005, fjala korrupsion zakonisht është cilësuar “i përhapur”. Kështu, më 2005-n, thuhej se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet dhe fjala korrupsion është përmendur 20 herë; më 2010-n, thuhej se korrupsioni i përhapur në të gjitha nivelet vazhdon dhe fjala korrupsion është përmendur 47 herë; më 2015-n thuhej se ka kapacitet shumë të dobët institucional për sundimin e ligjit krahas korrupsionit të përhapur, ku fjala korrupsion është përsëritur 66 herë, dhe, më 2018-n, thuhet se korrupsioni është i përhapur dhe është çështje brengosëse, me ç'rast fjala korrupsion është përsëritur 76 herë.
Nëse përsëritja e shtuar e fjalës korrupsion raport pas raporti është progres -- atëherë po i tërheq fjalët e kritikës ndaj kumtesës së Qeverisë.
Dhe ky raport na vjen në kohën kur Shqipërisë e Maqedonisë u është bërë ftesa për nisjen e negociatave për anëtarësim, e cila fazë për ne është shumë, shumë e largët. E edhe më e largët do të na bëhet përderisa vazhdojmë të gjejmë progres në secilin dështim që na e thellon krizën e brendshme në të gjitha sferat e jetës.
Dy skandale
E se krizën vështirë do ta tejkalojmë e tregon më së miri fakti se sa jemi të varur nga importi. Deficiti tregtar i Kosovës e ka mbërritur 2,2 miliardëshin (importojmë 2,5 miliardë euro mallra, kurse eksportojmë nja 300 milionë) dhe në këto kushte organizojmë panaire ku të ftuar kemi madje 70 firma nga Serbia dhe vetëm një nga Shqipëria, për shembull.
Ky ishte një vendim shumë i kritikuar i Odës Ekonomike, mbase jo kaq shumë pse nuk u ftuan firmat e Shqipërisë aq sa pse u ftuan gjithë këto firma të shtetit që po na mban të bllokuar në të gjithë sektorët dhe me të cilët kemi llogari të papastruara që moti.
Fakti se Kosova mëton të ketë ekonomi të tregut, nuk e arsyeton fare faktin se importojmë mallra nga Serbia rreth 400 milionë euro në vit -- në vend se këto para të na orientohen në zhvillimin ekonomik, ne e ndihmojmë zhvillimin ekonomik të shtetit që nuk na njeh dhe ka qasje armiqësore ndaj nesh. Dhe nuk mund të merren si arsyetim as “fqinjësia e mirë” e as “normalizimi” si motive që e kanë shtyrë OEK-un t'i ftojë gjithë këto firma serbe në këtë panair -- sepse rezultati përfundimtar mund të jetë madje edhe rritja e importit nga Serbia në të ardhmen. Me fjalë të tjera edhe rritja e varshmërisë së Kosovës nga fqinji verior prej të cilit nuk na vjen asnjë e mirë.
Ekonomisë së shtrirë përtokë që mezi mbijeton në një shtet thuajse të bankrotuar, nuk i ndihmon fare as gjyqësia inerte që rri ulur mbi raste të korrupsionit që e kanë dëmtuar shtetin shumë seriozisht.
Përderisa diskutohej çështja e panairit, doli në pah raporti i GAP-it që vlerësonte se me ndërtimin e termocentralit të ri, sipas kontratës së nënshkruar dhe ende të papërkthyer, rryma në Kosovë do të rritej që në start për minimum 44%. Natyrisht, në kontekstin e gjithë asaj që ka ndodhur në të gjithë këta vjet të pasluftës në sferën e energjetikës, nuk kishte si të shmangej rrëfimi për privatizimin e distribucionit. E me të edhe dy probleme shtesë: monopoli i furnizimit me rrymë që është krijuar me faljen e distribucionit, si dhe papërgjegjësia absolute në lidhje me faljen e katër hidrocentraleve që erdhën si dhuratë shtesë kur u dhurua vetë distribucioni.
Përderisa te monopoli, ZRRE-ja nuk është në gjendje të gjejë zgjidhje, sepse thotë se KEK-u detyrohet t'ia japë rrymën KEDS-it/KESCO-s, sipas kontratës, te hidrocentralet e kontrabanduara, Prokuroria fle mbi dy vjet lëndën pa e marrë asnjë vendim për ngritje të aktakuzës ndaj personave të profilit të lartë që e kanë lejuar këtë punë. Një grumbull ish-ministrash kanë deklaruar se nuk kanë ditur për këtë punë kur është vendosur shitja e distribucionit, kurse Prokuroria ende është duke u menduar nëse duhet marrë vendim për nisjen e hetimeve. Mbase në kohën kur të vendosin për këtë punë, pas dy javëve, lënda do të parashkruhet, si shumë e shumë të tjera. Natyrisht, kjo në kontekstin e vërtetimit të pozitivitetit të Raportit të progresit që e presim vitin që vjen.
Sërish shpërfillja e Kuvendit
Derisa për çdo ditë duhet të ballafaqohemi me probleme të këtilla që na e bëjnë jetën edhe më të mundimshme, mbi ne përherë rri varur reja e zezë e negociatave, të cilën me çdo kusht po e shtyn BE-ja. E të cilën Thaçi, pa e pyetur kë, e ka pranuar si obligim.
Procesi shtatëvjeçar i “bisedimeve teknike” që gjatë gjithë kohës ishin politike dhe rezultuan me një sërë marrëveshjesh që nuk i respekton kush dhe me një obligim të rëndë politik që do ta ndryshojë rregullimin kushtetues të Kosovës -- erdhi në fazën e re. Së paku kështu na thonë. Dhe kjo ka qenë arsyeja se pse Qeveria e ka hartuar një Platformë për dialog që i përmban 9 pika, me të cilën mëtohet të shkohet tutje në Bruksel.
Qëllimi i proklamuar është njohja reciproke Kosovë-Serbi dhe pranimi i Kosovës në OKB. Dhe sipas Qeverisë, s'ka askush më i mirë ta udhëheqë këtë fazë të bisedimeve pos kryetarit të shtetit. Njeriut që e ka dëshmuar se nuk ka lidhje me negociata dhe që e ka nënshkruar Zajednicën. E besa edhe demarkacionin.
Problemi me këtë platformë është se nuk pati debat publik për të. Nuk pati kontribute nga partitë politike e as fuqizim të sajën me ndonjë vendim të Kuvendit. Për shkak se ajo fare nuk shkoi në Kuvend. Ose më mirë thënë, shkoi derisa njëkohësisht Haradinaj ia dorëzonte Thaçit një kopje të platformës, të cilën me gjasë ky i fundit ka urdhëruar të shkruhet ashtu siç është përpiluar.
Kuvendi do ta debatojë në ndonjërën seancë ndonjëherë, porse nga përvoja paraprake, kjo nuk do ta ndalë Thaçin që të mos shkojë në Bruksel të takohet me Vuçiqin edhe pa pëlqimin e Kuvendit. E kjo do të vazhdojë të ndodhë edhe nëse Kuvendi nuk e miraton këtë platformë, për shkak se trupi i fundit që pyetet për çfarëdo në këtë vend është Kuvendi i paaftë për të ushtruar çfarëdo kontrolli mbi këdo.
Vazhdimi i negociatave nga Thaçi nuk është lajm i mirë për Kosovën. Përderisa në pjesën e parë të procesit e përdori mashën e vet, Edita Tahirin, këtu do “t'i grahë” ashtu siç ia merr mendja, pa pëlqimin e askujt. E aq më pak me konsensus të gjerë, të cilin e ka prishur vetë Thaçi kur ka refuzuar ta krijojë Grupin e Unitetit më 2011-n.
Kuvendi duhet ta thotë fjalën e vet dhe duhet ta detyrojë ekzekutivin që ta ndërrojë qasjen në dialogun politik. E tash më shumë se kurrë, nevojitet edhe presioni i opinionit publik që nuk mund të vazhdojë të funksionojë si shikues pasiv.
Vazhdimi i negociatave të udhëhequra nga Thaçi janë vazhdim i rrugëtimit drejt humnerës. Për shkak se pasojat e marrëveshjeve të këqija, në të cilat do të hyjë, do t'i bartim ne. Për të është krejt njësoj. Ai i ka rehatuar edhe nipat që do t'i vijnë.