OpEd

Rizbulimi i Kosovës në “Cafe Le Rostand”

Balta në gomën e kamionit kinez që do të hyjë në rrëfim, diktatori që nuk deshi të bëhet president, mjeshtëria e të liruarit të fjalës në një fjali të disiplinuar, tundja e kokës së Ismail Kadaresë si rrëfim odash në dimrat gjithnjë e më të gjatë dhe rrëfime të tjera, të zëna për të jetuar fatin e peshqve

1.
Ismail Kadare filloi ta rizbulojë Kosovën në “Cafe Le Rostand” prej ditës kur arriti në Paris, së bashku me namin e njeriut që iku nga komunizmi në Shqipëri, rrëfimet e shënuara në kokë e që kërkonin lirinë e tyre në një copë letre tregimi, a novele, a romani dhe një ankth-gjendje pothuajse kronike - për një ardhmëri të jetës së tij, dukjes fizike, gatishmërisë mendore e shpirtërore që rrëfimet e ruajtura në kokë të dalin në letër ashtu siç e përcakton mjeshtëria e një zejtari të veçantë.

Një numër gjithnjë e më i madh shqiptarësh gjenin mënyra për t’u lajmëruar, me rekomandim të këtij apo atij, emra që zakonisht kishin domethënie për të e ndonjëherë kurrfarë dhe për shkrimtarin mjaftonte përmendja e prejardhjes kosovare- diçka që prekte te ai telin e ciklit të kreshnikëve dhe baladave të Veriut të Shqipërisë-që të pranonte e të caktonte takimin e radhës , mundësisht dikur pasdite, pas orës 18.

Zejtari Kadare e kishte të zënë gjithnjë dhe për çdo gjë mëngjesin deri në mesditë; dikur nga ora 10 i vinin në “Cafe Rostand” kreshnikët, rrugët e gurit, fermanët e dërguar nga Stambolli me vulën e fatit në të, balta e ngjitur në gomën e kamionit kinez që përpiqet t’i bëjë ballë moçalishtes për të arritur me kohë për ballon pranverore të punëtorëve më të dalluar, mes të cilëve edhe një bukuroshe me emër ende të pazbuluar. Që të gjithë ata kërkonin, me të drejtë, hapësirën e vet; të gjallë në botën e vet hynin ashtu te porta e Zejtarit, vetëm ishte punë e tij se si do të vazhdonin më tutje, ky ishte vendimi përfundimtar i atij që vendos për jetën e vdekjen, shkrimtari.

Në 12 merrte vendimet e përkohshmërisë së veprave të pakryera, deri të nesërmen në të njëjtën kohë.

2.

Në orën 18 Zejtari merrej me një ëndërr sepse nuk do të qe e mundur të ishte realitet që t’i vinin folësit e ndryshëm dhe i tregonin për vendet e largëta shqiptare, për mjekë që bëhen politikanë, për poetë që bëhen ministra, për ministra që hapin dyqane, për të burgosur që do të sundojnë dhe për sundimtarë që do të bëhen të burgosur.

Ndër ta ishin të shumtë kosovarët. I vinin nga ëndrra e tij e vitit 1980 kur kishte qenë në Kosovë. Atje kishte parë godina më të mëdha se ç’kishte parë ndonjëherë në Shqipëri, rrugë më të rregulluara, njerëz më të veshur e vajza më të bukura. Familjet kishin televizorë me ngjyra dhe frigoriferë e megjithatë i ankoheshin dhe kur i ankoheshin flisnin me të si me Nënën Shqipëri, e ai nuk ishte nënë. Mund të ishte ndoshta më shumë se kaq, ishte shqiptari dhe Shqipëria ashtu siç do ta donin atje në Kosovë - një të vargjeve mbi shiun, një të tri harqeve të urës, një të okupatorëve që zakonisht mbledhin eshtrat e ushtarëve të vet në tokat arbërore, një e gjuhës e cila është aq e qëndisur sa ndonjëherë pyetesh se a është e mundur që ta ketë shkruar dora e njeriut dhe ku dreqin kishte qenë e fshehur për këta dymijë vjetët e kaluar. Në atë ëndërr Kadare shkonte në Kosovë si njeri i kufizuar në liritë e tij pos në atë thelbësore, të të zbuluarit në kushte represioni artin e rrëfimit në gjuhën shqipe. Kosovarët e mirëprisnin, me ndjenjën se kishin më shumë liri se Kadare, përfshirë edhe atë të përdorimit të gjuhës shqipe, por nuk dinin si. Ky ishte misteri i ruajtur mirë nga Zejtari. 

Një Kosovë e tërë u rrit me Kadarenë; një gjysmë e saj krenare që gjuha shqipe kishte gjetur tregimtarin e saj, një gjysmë tjetër - gazetarë, shkrimtarë,mësues e profesorë, hulumtues shkencorë dhe joshkencorë- të dëshpëruar në heshtje të thellë se po e njëjta gjuhë, me po të njëjta shkronja, gramatikë e sintaksë nuk po mund të përshkruajë në të njëjtën formë atë që duan të përshkruajnë, apo atë që ende nuk dinë se çfarë duan të përshkruajnë.

Dhe Kadare filloi të rrisë dyshimin mbi veten e rolin e tij ndërsa i lajmëroheshin personazhe të ndryshme të ëndrrës së orës 18. I vinin për intervista, i sillnin libra për të nënshkruar, e lusnin për të dalë në fotografi me ato kamera Polariod që nxjerrin foton menjëherë dhe për të cilat Ai kishte mendim negativ sapo t’i shihte - fotografitë duhet t’i ngjasonin atyre të disa viteve më parë, mundësisht atyre të kohës së studimeve, por me kokëfortësi refuzonin ta bënin. 

Një ditë i erdhi njëri dhe i tha se Ismaili duhej të pronocohej për intelektualin më të madh të Kosovës e për të cilin ai nuk kishte dëgjuar ndonjëherë; e pranoi kërkesën, aq e madhe ishte Kosova e ëndrrave të tij sa me siguri në të do të ketë ekzistuar ai personazh për të cilin foli in extenso.

I erdhi një tjetër, personazh televiziv, i cili kur u kthye në Kosovë e përshkroi ngjarjen, i pritur nga miqtë e tij në një kafene, me meze e pije të porositur nergut për këtë ngjarje. 

-Ishim kështu, gu m’gu qysh jemi tash e i thashë: Smajl bre...

Ai m’tha: He!

Smajl bre, a bon me t’dvet dishka?

He!

Çka po bohet me Kosovën, pashë at’Zot?

Në atë moment bëhet pauza e rrëfimtarit, e mjaftueshme për të porositur raundin e ardhshëm të pijeve e mezes dhe për të shënuar heshtjen e fortë, të disiplinuar të të gjithë atyre që qenë bërë sy e vesh me respektin e thellë dhe pritshmërinë për fjalët që duhet të pasojnë si përgjigje.

-Ai vetëm tundi kokën, herë këndej, herë andej, kishte një msheftësi në atë lëvizje, një msheftësi që nuk deshti ta ndante me mu.

Tundja e tij e kokës do të hyjë në rrëfim, odë pas ode, oxhak pas oxhaku, fshat pas fshati e dimër pas dimri - sa më i gjatë, aq më i mirë për rrëfim - dhe gjysma e rrëfimtarëve do të tregojnë se tundja e kokës ishte sinjali i Kadaresë se gjërat janë aq të koklavitura sa nuk ka kush t’i bjerë në fije e gjysma tjetër do të betohen se tundja e kokës ishte shenjë se Ismaili dinte se Kosova po hynte së shpejti në luftë, por këtë fjalë nuk mund ta nxirrte nga goja pa lot në sy e tashmë është e ditur se burrat nuk duan të shihen se si qajnë.

3.

Edhe unë u takova në “Cafe Le Rostand”, mund të ketë qenë edhe ndonjë kafe tjetër, por tashmë është bërë legjendë ajo “Rostand” e unë me këtë shkrim bëhem disi pjesë e asaj legjende, të çdo njërit prej nesh veç e veç e të gjithëve së bashku, që përpiqet të gjejë “msheftësitë”, ato që deshi apo nuk deshi t’i ndante me mua.

Në këtë rast ishin msheftësitë që deshi t’i ndante. U paraqit në kafe në orën e caktuar së bashku me Helenën, që të dy kuriozë ta takojnë një kosovar të ri për të cilin kishin dëgjuar të ishte pjesë e lëvizjes demokratike të fillimviteve nëntëdhjetë. U bënë edhe më kuriozë kur biseda vazhdoi nga Kosova në Shqipëri e nga puna e opozitës te zgjedhjet dhe te kandidati më i mirë për president dhe te konstatimi im se Shqipëria me president Ismail Kadarenë do t’i kishte dyert e hapura në botë, sepse më herët këto i kishte hapur një shkrimtar nga Shqipëria me të njëjtin emër e mbiemër.

Buzëqeshi me gjentilesën e një njeriu që e pranon këtë si një kompliment. Buzëqeshi me befasinë e këndshme që i krijoi fillim mendor në të cilin e shihte veten, së bashku me Helenën, në kryeqytetet e mëdha të botës, me presidentë e mbretëresha e princër, duke mahnitur të pranishmit me fjalitë jokonvencionale të një shkrimtari, të marra nga thesari, herë në “Iliadë”, e herë te burimi për të i pashtershëm i Dantes, herë nga thëniet e Malësisë së Madhe. Dhe pas buzëqeshjeve erdhi qetësia e njeriut që tashmë e kishte menduar këtë gjë dhe kishte verdiktin më bindës e dramatikisht të sinqertë që kam dëgjuar ndonjëherë për të mos qenë i zgjedhur në një demokraci:

-Jam diktator. Jam shkrimtar dhe unë përcaktoj jetët e vdekjet në rrëfimet e mia; fjala ime bën dhe shkatërron botë. 

Më tha “jam krijuesi” dhe nuk jam i sigurt në kishte menduar me “k” të vogël a të madhe.

4.

Sekretarja amerikane e shtetit Albright kërkoi ndihmën e Kadaresë. Në të vërtetë, kërkoi një autoritet moral shqiptar që ta bindte delegacionin e Kosovës në Rambouillet më 1999 se refuzimi i Marrëveshjes do të ishte gabim historik. Disa prej anëtarëve të delegacionit ishin të pabindur për këtë kthesë historike dhe diplomacia amerikane mendoi se një autoritet moral dikush që është i pakontestueshëm brenda kombit - ai që në shtete të tjera do të ishte një prijës fetar, një rektor universiteti apo një ish president - do të mund të bindte se në udhëkryqin mes të Mirës dhe të Keqes është mirë të përcaktohesh për rrugën e Perëndimit.

Kadare i shkroi një letër delegacionit. Nuk ishte Zejtari i orës 10 e as Pritësi ceremonial i rrëfimtarëve të ëndrrave të orës 18. Ishte ai që nuk ishte i lindur në Kosovë, por që ndiente se ajo ishte pjesë e tij sa ç’kishte parë që ai ishte bërë pjesë e saj.

Letra u lexua nga Rexhep Qosja njëri i cili shpesh kishte shprehur mospajtime publike me të, jo edhe gjithaq të kuptueshme si pjesë të një debati intelektual.

Një pjesë e anëtarëve të delegacionit e kuptuan këtë letër si një përpjekje fisnike e njeriut më të madh të letrave shqipe, një pjesë tjetër e anëtarëve si një përpjekje dëshpërimi sepse të gjitha format e tjera të të bindurit duket se dështuan, një pjesë tjetër shprehën respekt për letrën e Kadaresë dhe kërkuan të kalohet në pikën tjetër të rendit të ditës, një pjesë tjetër që kishin ndërprerë komunikimin me letërsinë te “Lugjet e verdha” nuk komentuan publikisht, por pyetën njëri-tjetrin athua cili artist do të na lajmërohet pasdreke...

Delegacioni ende mbeti i padakorduar. 

Në legjendë do të thuhet se Ismail Kadare bëri që shqiptarët e Kosovës ta përqafojnë Rambouillet.
Në histori do të hyjë fakti se duke kërkuar një autoritet moral ndër shqiptarët gjithandej kombit, diplomacia amerikane e gjeti shkrimtarin, atë që e kishte bërë gjuhën shqipe të kuptueshme për tërë botën.

5.
Një ditë në Qerret erdhi nga deti si dhuratë një peshk i zënë prej një peshkatari gjeneroz. Gjysma e peshkut të madh ishte dhuratë për mua, gjysma për Ismailin.

Shkova ta dorëzoja dhuratën menjëherë, i vetëdijshëm se po hyja në zonën e orës 10 të mëngjesit, zonën ku Ismaili jeton me shtojzovallet, rrethin e radhës të Dantes, psenë e vërtetimit të përhershëm të Dostojevskit se Zoti ekziston, nevojën për disiplinë të hekurt të fjalisë e njëkohësisht të lirisë që fjala të vallëzojë e vetme në të po të dojë.

Shpresoja që do të hyja me diskrecion dhe t’ia dorëzoja Helenës. Ajo doli për një çast më vonë se ç’mendoja dhe Ismaili më pa me peshkun e kapur për bishti duke ardhur nga pylli, një skenë gjithsesi më afër zonës së tij të preferuar antike. Më ofroi që të ulesha për një çast se “edhe ashtu nuk e kam pirë kafenë para se ta filloj punën”. Në tavolinën e verandës, duke shikuar nga pylli dhe deti kishte dy fletore, njërën në të cilën shënonte mendime që i vinin dhe citate që i zbulonte a rizbulonte. Në tjetrën tashmë kishte filluar esenë e radhës. 

Pas dhjetë minutash e lash, të gëzuar që po i rihynte punës, asaj në të cilën kishte gjetur formulën. Aty qe ulur ende një student i letërsisë në Moskë, që kishte marrë sikur balerinat, baritonët e violionistët, më të mirat e teknikës së shprehjes - Gogol e Turgenjev, Tolstoj e Dostojevski, Lermontov e të tjerë të zbuluar pastaj - dhe i kishte ftuar që të ndërtojnë së bashku rrëfimin e shqiptarëve, një që si çdo rrëfim veç e veç e të gjitha së bashku janë sa lokale aq universale, për ta bërë atë rrëfim pjesë të pasurisë së civilizimit bashkëkohor.

6.

Kadare vdiq pa arritur zonën e orës 10. Do të jetë listë e gjatë e rrëfimeve që qenë duke pritur ta kalojnë Portën e Mjeshtrit. Tash janë aty diku, duke pritur fatin e peshqve dhe rastësisë për t’u zënë.