OpEd

Putino-adhuruesit e Zvicrës

Adhuruesit e Vlladimir Putinit në Zvicër i bashkon shpesh edhe propaganda kundër pavarësisë së Kosovës. Shumica e këtyre figurave i përkasin partisë populliste SVP. Absurde është se kjo parti ka edhe disa simpatizantë shqiptarë

1.

Çdo mëngjes Roger Köppel ua dërgon lexuesve një Newsletter. Kjo është njëfarë mode e re e redaksive për të qëndruar "afër popullit". Çdo mëngjes letrën e tij me lajme Köppel e shoqëron edhe me një video, ku i thekson, kryesisht, tri gjëra: Perëndimi nuk duhet të jetë aq i moralshëm, mediat e tjera po e heshtin të vërtetën dhe Vlladimir Putini ndoshta mund të ketë të drejtë. Sepse Putini është i keqkuptuar, kështu ka shkruar revista e Köppelit "Weltwoche" më 24 shkurt, në ditën kur i keqkuptuari vendosi të sulmojë Ukrainën. Në të kaluarën Köppel s'ka përtuar të flasë për televizionin propagandistik rus RT. Në një intervistë Köppel e quan veten "realistin e fundit në Evropë", tani ka shkruar një tekst ku vë në pah egoizmin e tij si "(mirë)kuptues i Rusisë". Rusia në këtë rast tingëllon si sinonim për Putinin. Vitin e kaluar, kur i dha intervistë RT-së ruse, Köppel e kishte bashkëbisedues dhe pyetjebërës Thomas Fasbenderin, një gazetar gjerman që mes tjerash, punon për RT, pra zyrën ruse të propagandës televizive. Tani Fasbender shkruan edhe për revistën e Köppel "Weltwoche". Adhurimi i Putinit nga autorët e "Weltwoche" merr përmasa groteske në rastin e një gazetari të pensionuar gjerman. Ai dikur ka qenë korrespondent i një gazete të respektuar gjermane nga disa kryeqendra të botës, në fund edhe nga Zvicra. Para pensionimit ai kaloi nga gazeta liberale gjermane te punëdhënësi i ri "Weltwoche". Nuk ka asgjë më qesharake se kur një burrë i frustruar dhe i pensionuar gjerman përpiqet të bëhet më radikal se publicistët e djathtë zviceranë. Ky autor gjerman në njërin nga numrat e fundit të "Weltwoche" e ka portretizuar kryetarin ukrainas Vollodimir Zelenski si "diktator komik", i cili i fitoi zgjedhjet me premtimin për paqe, por tani "po i prin vendit në luftë". Kjo mënyrë e fajësimit të viktimës dhe e amnistimit të agresorit është tej mase e neveritshme.

2.


Përveç se është botues i revistës "Weltwoche", Köppel është deputet i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) dhe anëtar i komisionit për politikë të jashtme. SVP është partia më e madhe politike e Zvicrës. Dikur parti që përfaqësonte kryesisht interesat e bujqve, SVP në 30 vjetët e fundit është shndërruar në një grup politik që “biznes” kryesor e ka ashpërsimin e ligjeve ndaj të huajve dhe organizimin e fushatave kundër të huajve, sidomos shqiptarëve.
Agresioni rus kundër Ukrainës ka shpalosur edhe më shumë një anë të neveritshme të SVP-së: simpatinë e disa eksponentëve të saj, por edhe shumë votuesve të SVP-së për Vlladimir Putinin. Një anketë tregoi se 40 për qind e simpatizantëve të SVP-së e përqafojnë këtë mendim: “E dënoj luftën, por mund t’i kuptoj motivet e Putinit”. 6 për qind madje thonë: “Unë simpatizoj Putinin dhe palën ruse”.
Njëri nga propagandistët më të zëshëm të Putinit në Zürich është i lartpërmenduri Roger Köppel, revista “Weltwoche” e të cilit rregullisht boton shkrime kundër pavarësisë së Kosovës apo shqiptarëve në përgjithësi.
Së fundi në fletushkën e tij "Weltwoche" Köppel, mes tjerash, merrej edhe me Kosovën: "Sikur e drejta ndërkombëtare do të ishte zgjidhja e të gjitha problemeve, nuk do të kishte më luftë. Kur në vitet 90-të Kosova shpalli pavarësinë, NATO e sulmoi Jugosllavinë e mbetur sovrane për të mbrojtur të drejtën e vetëvendosjes të kosovarëve. Shkelja e së drejtës ndërkombëtare u arsyetua me evitimin e 'gjenocidit', për të cilin deri më sot mungojnë dëshmi".
Në këtë copëz shkrim ka aq shumë të pavërteta. Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, jo në vitet 90-të. Intervenimi ndodhi për të evituar gjenocidin dhe duke pasur parasysh gjenocidin e kryer në Srebrenicë (Bosnjë) më 1995. Në dy rezoluta (1160 dhe 1199) të miratuara më 1998, OKB nuk përjashtoi përdorimin e forcës kundër regjimit serb nëse vazhdon represionin në Kosovë. Gjendja në Kosovë u klasifikua si rrezik për paqen botërore. Të dyja rezolutat i votoi edhe Rusia, atëbotë.
NATO nuk ndërhyri në Kosovë për të "të mbrojtur të drejtën e vetëvendosjes të kosovarëve", hyri për të shpëtuar një popull nga krimet masive shtetërore të Beogradit dhe për t'i hapur rrugë një procesi politik që do të çonte në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Në atë proces pala kosovare ishte treguar kooperative. Më 2005 shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit (përfshirë Rusinë) thanë se nuk do të ketë kthim të Kosovës në situatën para vitit 1999. Kështu u hap rruga për negociatat e Vjenës dhe procesin e pavarësisë.

3.


Mund të duket e pabesueshme, por ka shqiptarë në Zvicër që hapur e simpatizojnë SVP-në. Në vitin 2017 një gazetë e Zvicrës qendrore portretizoi një kosovare, e cila me krenari tregonte se është anëtare e SVP-së. Në nivele lokale ka pasur edhe kandidatë shqiptarë të SVP-së. Logjika e shëndoshë nuk e shpjegon dot këtë angazhim politik. Çka i bashkon këta shqiptarë me SVP-në? Botëkuptimi konservator, kryesisht. Supozohet se në Zvicër jetojnë rreth 100 mijë shqiptarë me të drejtë vote. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk marrin fare pjesë në zgjedhje dhe referendume. Simpatia e eksponentëve të SVP-së për Putinin dhe shkrimet e shpeshta kundër Kosovës dhe shqiptarëve në mediat e afërta me SVP-në, do të duhej të ishin motiv shtesë për shumë shqiptarë që të marrin pjesë në jetën demokratike të Zvicrës dhe të votojnë për parti të ndryshme, me përjashtim të SVP-së.

4.


Ka edhe kuriozitete të tjera bizare nga SVP. Kush e përdor fjalën “luftë” në kontekst të agresionit rus ndaj Ukrainës, në Rusi mund të dënohet me burg shumëvjeçar. Duket se nga vendimi i diktatorit rus është inspiruar edhe deputetja e parlamentit zviceran, Magdalena Martullo-Blocher. Ajo është shefe e firmës së madhe EMS-Chemie. Siç shkruan gazeta javore zvicerane “Wochenzeitung”, Martullo-Blocher ditë më parë u ka dërguar një email drejtuesve të firmës së saj me këtë përmbajtje: “Në Rusi përdorimi i fjalës ‘luftë’ në kontekst të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë dënohet me burg. Në grupin e firmës EMS si në komunikimin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm menjëherë do të flitet për ‘konfliktin në Ukrainë’. Fjala ‘luftë’ nuk do të përdoret”.
Magdalena Martullo-Blocher është njëra nga drejtueset e Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), një grup politik skajshëm i djathtë. Në emailin e saj Martullo-Blocher thotë se vendimin e ka marrë për t’i “mbrojtur punëtorët dhe biznesin tonë”. Në Rusi EMS i ka 67 punëtorë. Numri total i punëtorëve të EMS është 2600.
Martullo-Blocher është e bija e Christoph Blocher, njërit prej popullistëve më të njohur të Zvicrës, i cili ka qenë ministër i Drejtësisë dhe është shkarkuar nga parlamenti vite më parë. SVP është partia më e madhe politike e Zvicrës dhe e njohur për qëndrime shpesh të ashpra kundër të huajve. Në vitin 2017 dy eksponentë të kësaj partie u dënuan nga Gjykata Federale e Zvicrës, për shkak që ishin përgjegjës për një poster të partisë me titullin: “Kosovarët masakrojnë zviceranët”. Gjykata arriti në përfundimin se me këtë poster SVP-ja kishte njollosur një etni të tërë dhe kishte bërë thirrje për urrejtje dhe diskriminim.