Liderët politikë do të bënin mirë që të dëgjonin porosinë e votuesve, e ajo është: normalitet.
1.
Çka ndodhi për një moment e që bashkoi LVV-në, LDK-në dhe PDK-në në vitin 2017? Përfaqësuesit e LVV-së filluan të dalin në TV me kravata dhe të flasin më shumë për shtetin zhvillimor sesa për nevojën e rrotullimit të veturave të EULEX-it. LDK-ja filloi të nxjerrë fytyra të reja, që argumentin më të madh për mbrojtjen e qëndrimit të vet nuk do ta kishin emrin e Ibrahim Rugovës. Dhe PDK-ja filloi të flasë me emra njerëzish që gëzojnë nam në qytetet e tyre, dhe nam për të mirë, jo nam të klanit “Pronto”.
Ajo që ndodhi ishte të kuptuarit e këtyre partive politike se ekziston një rezervuar i madh votash në hapësirën e quajtur Qendër. Në atë hapësirë, në demokracitë e avancuara, një parti konservatore si ajo e zonjës Merkel merr votues nga socialdemokratët e liberalët dhe një parti e majtë si ajo laburiste e Tony Blairit merr vota nga konservatorët dhe liberalët tradicionalë.
Në demokracinë tonë ende të pakonsoliduar, Qendra është ajo hapësirë të cilën e zbuloi LVV-ja, duke joshur ata që tradicionalisht u jepnin vota partive të tjera, duke e shpërblyer atë për konsekuencë. Këtë hapësirë e rizbuloi me të shpejtë LDK-ja, me fytyra të reja dhe me fushatë që komunikon me gjenerata të reja. Dhe në këtë hapësirë po përpiqet të futet PDK-ja: për shembull me përzgjedhjen e kandidatëve në Prizren dhe Mitrovicë deshi të jepte shenja konkrete se do të fitojë një imazh të ri të një partie politike e jo të një klani të organizuar që merret edhe me politikë.
2.
Fakti që Prishtina e Prizreni qenë kaq afër në rezultate mes dy kandidatëve mund të ketë shkaktuar nervozë dhe shprehje tejemocionale; mund të jenë edhe shenja brengosëse për partitë politike që garuan. Por mund të lexohet edhe si shenjë inkurajuese e shëndetit demokratik, me faktin që gara po zhvillohet për ta fituar Qendrën. Në momentin kur partitë garojnë për ta përfituar një hapësirë jashtë profilit të vet tradicional, ato i kanë hyrë konkurrencës për të fituar besimin e qytetarit. Dhe kjo nënkupton , atëherë, që partitë duhet t'i adaptohen qytetarit, e jo siç ka ndodhur rëndom, që qytetari t'i adaptohet partisë politike.
Nëse ky do të ishte leximi, pra nëse Kosova ka hyrë në periudhën e konkurrencës për Qendrën, atëherë kjo është shenjë e njërës prej kërkesave bazike të kësaj shoqërie, kërkesës për normalitet, sepse Qendra nënkupton pikëtakimin e të gjitha mendimeve kundërthënëse tek një emërtues i përbashkët.
3.
Një porosi e këtillë më duket se duhet të dëgjohet nga të gjithë liderët, në pushtet dhe opozitë. Në dhjetë vjetët e pavarësisë së vendit janë provuar të gjitha opsionet polarizuese të udhëheqjes. Që prej ditëve të para të ballafaqimit me realitetin e quajtur shtet i pavarur vendi ka hyrë në çdo sfidë dhe në çdo vendim thelbësor duke mos përfillur konsensusin politik e shoqëror. Dhe kjo gjendje polarizuese është e kundërta prej normalitetit.
Në mungesë konsensusi është lehtë të parashikohet se si do të zhvillohen gjërat më tutje. Në gjendjen ku Qeveria ka shumicën më të hollë të mundshme, ajo shndërrohet në gjah për opozitën. Dhe, është lehtë e imagjinueshme, po ashtu që për një pjesë të opozitës (LDK) tema e parë që do të quhet si gjah legjitim do të jetë ajo e demarkacionit me Malin e Zi, çështje që shërbeu si shkas për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr prej LDK-së. Në momentin kur kjo çështje të mbërrijë në Kuvendin e Kosovës do të jetë e qartë se Qeveria nuk ka vota për asnjë opsion: qoftë për të shtyrë ndonjë propozim të vetin, qoftë për të miratuar propozimin e vjetër. Kështu, kjo çështje mund të shërbejë vetëm për polarizim të vazhdueshëm të brendshëm : kush, kur dhe ku fali apo mbrojti tetë mijë hektarë tokë? A fali fare? Dhe, kështu kjo çështje nuk do të arrijë të zgjidhet as nga kjo e as nga ndonjë qeveri e ardhshme.
4.
Mund ta ketë dozën e thellë të paradoksit dhe ironisë dita kur kryeministri i tanishëm të mos ketë përkrahje për çfarëdo opsioni në kauzën e demarkacionit, me të cilën u personalizua ai e u identifikua një pjesë e madhe e lëvizjes opozitare gjatë qeverisë së kaluar. Ai është sot në pushtet, sepse fitoi akuza e tij, se kryeministri i kaluar nuk kishte zgjidhje për demarkacion, zgjidhje të cilën nuk mund ta gjejë as vetë.
Kjo ironi e paradoks mund të sjellë satisfaksione personale te liderët politikë apo te komentuesit në rrjete sociale, por do të vazhdojë deri në agoni me kulturën politike të konfrontimeve. Andaj, ndoshta mu ky paradoks mund të shërbejë që liderët e pushtetit dhe të opozitës të provojnë një qasje të re. Për shembull, atë që provuan të bëjnë në garën zgjedhore vendore, të synojnë Qendrën, normalitetin.
Ata mund të ndërmarrin një hap që duket i thjeshtë dhe formal : të evidencojnë se çështja e demarkacionit meriton një përgjigje konsensuale. Deri më tani nuk ka ndodhur një bisedë normale dhe formale mes liderëve të pushtetit dhe atyre opozitarë, një këmbim mendimesh dhe vërejtjesh dhe një përpjekje që nga aty të dalë një përgjigje e unifikuar.
Tash mund ta bëjnë këtë. Kryeministri i vendit, sapo ta ketë gati raportin, duhet që së bashku me kryetarin e Kuvendit t'i ftojë liderët e opozitës që të bisedojnë për atë se çfarë përmban raporti, çfarë mund të ishin intencat e Qeverisë dhe çfarë mund të ishte përgjigjja e përbashkët e pushtetit dhe e opozitës në këtë çështje.
Natyrisht, mund edhe të mos e bëjnë, të vazhdojnë me të vjetrën. Derisa të vijë një valë e re politike që i shtyn gjërat më shumë kah Qendra.