T’i thërrasim nevojës, sepse nevoja e shumicës duhet të vendoset mbi luksin e dëshiruar të pakicës, në këtë kontekst duhet të ndalohet çdo tentim për të thyer këtë parim. Kështu po e nis shkrimin tim për tentim-krimin mjedisor në Badovc, në një nga ekosistemet ujore me rëndësi jetike për qytetarët e vendit tonë. Duke pasur parasysh që po prekim një nga rezervarët e furnizimit me ujë të pijshëm për një pjesë të madhe të vendit tonë, por njëkohësisht edhe për një vendbanim për një numër të madh të specieve bimore dhe shtazore që popullojnë aty.
Shtrohet pyetja. Cili është dëmi ekologjik i një ideje për ndërtim lagjesh atje? Cilat janë pasojat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata? Cilat janë defektet ligjore dhe interpretimi i pëlqyer i tyre nga disa? Të gjitha këto pyetje kanë një emërues të përbashkët – “blerjen” e pasurive natyrore nga paraja aristokrate.
Çdoherë kur faktori njeri ka tentuar të shfrytëzojë natyrën për luksin e tij, përtej nevojës jetësore, atëherë gjithmonë ka pasur efekte boomerang në shfaqjen e problematikave natyrore dhe pasojave të ndryshme natyrore. Ndërtimi i një lagjeje të tillë në Badovc afër liqenit do të kishte pasoja të mëdha ekologjike në të ardhmen duke pasur parasysh nivelin e kulturës sonë ekologjike dhe efektit zinxhir që do të shkaktonte për investime në zona të tilla. Prerja e pyjeve, ndotja nga ujërat e zeza dhe të bardha, ndotja nga pluhuri dhe pollutantët e tjerë gazorë, ndotja nga mbeturinat dhe nga zhurma, fragmentimi i habitateve, zhdukja e llojeve etj., do të ishin disa nga dëmet për të dyja ekosistemet, ujor dhe atë tokësor, që gërshetohen në këtë zonë, dhe jashtëzakonisht i dëmshëm për shëndetin e popullatës dhe ekzistencën e llojeve të ndryshme prezente në atë vendbanim. Andaj, rrjedhimisht pasojat do të ishin ireverzibile (të pariparueshme) në kontekstin e rivitalizimit të kësaj zone.
Infrastruktura ligjore ne raport me ekosistemet e tilla ujore në Kosovë duhet të ndryshojë dhe avancojë në drejtim pozitiv, duke mos lënë vende boshe për interpretime të pëlqyera nga pala investuese, duke i shndërruar këto ekosisteme në vende, të cilat mbrohen me ligj dhe si vende me rëndësi vitale për vendin tonë. Përfundimisht njëherë e përgjithmonë duhet të marrë fund loja e “pingpongut” ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, për të shfajësuar secila vetveten, duke tentuar kolonizimin dhe betonizimin e ekosistemeve natyrore dhe për të cenuar të drejtën e popullatës për të jetuar shëndetshëm.
(Autori me profesion është ekolog)