OpEd

Protestat e guximshme në Serbi dhe krimet e varrosura

Fred Abrahams

Studentët e guximshëm që protestojnë në Beograd dhe qytete të tjera mund të mos mbajnë pankarta për Srebrenicën ose për varrezat masive të fshehura nën tokën serbe. Por revolta e tyre lidhet me të njëjtën të vërtetë: një shtet që mbron rrethin e ngushtë politik është i njëjti shtet që mbron kriminelët e luftës.

Fred Abrahams

Prej muajsh tashmë, studentët serbë kanë sfiduar kërcënimet dhe arrestimet për të mbushur rrugët e vendit me protesta energjike. Kërkesat e tyre janë të qarta: fundi i korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe sundimit të gjatë të presidentit Aleksandar Vuçiq. Ata duan qeverisje transparente, media të lira dhe gjykata që zbatojnë ligjin në vend që t’u shërbejnë udhëheqësve.

Sfida tani është: si të ndërtohet një e ardhme më e ndritur pa u përballur haptazi me të kaluarën e errët të Serbisë — dhe si të lidhet lufta për drejtësi në vend me përgjegjësinë për abuzimet që kanë tejkaluar kufij dhe breza.

Kjo lidhje del në pah sot, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina shënon 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Në këtë përvjetor të dhimbshëm, të mbijetuarit dhe familjarët, së bashku me shumë njerëz në mbarë botën, kujtojnë sërish se si forcat serbe të Bosnjës masakruan mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë — mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. 

Qeveria e Vuçiqit vazhdon ta mohojë rolin e Serbisë në ndihmën dhe mbështetjen e këtij krimi. Ndërsa, lëvizja demokratike e udhëhequr nga studentët ende përballet me pyetjen se si, ose nëse, duhet të ballafaqohet me këtë trashëgimi të rëndë.

Disa kritikë akuzojnë studentët për shmangie të qëllimshme të kësaj historie, për të qetësuar ose kënaqur rrymat nacionaliste. Të tjerë thonë se është e padrejtë të pritet nga të rinjtë — shumë prej të cilëve nuk kishin lindur akoma në atë kohë — të mbajnë përgjegjësi për krime të kryera disa dekada më parë.

Por cilado qoftë pikëpamja, lidhja nuk mund të injorohet: një shoqëri më demokratike, e ndërtuar mbi parimin e sundimit të ligjit, do të ketë themele të dobëta pa një përballje të sinqertë me krimet e së kaluarës.

Merrni rastin e fundit të Vlastimir Gjorgjeviq, i cili drejtoi policinë e Serbisë gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit dhe luftës së Kosovës më 1998–99. Muajin e kaluar, Gjorgjeviq u kthye në atdhe pasi përfundoi një dënim 18-vjeçar të caktuar nga tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vetëm disa ditë pas lirimit, ai u shfaq krenar gjatë ceremonisë për riemërtimin e një rruge në nder të njësive speciale të policisë që ai dikur i komandonte — forca përgjegjëse për tortura, vrasje masive, dhunë seksuale dhe zhdukjen e afro 1,000 trupave për të fshehur provat.

Këto mbetje, të hedhura në varreza masive në komplekset e policisë dhe vende të tjera në mbarë Serbinë, nuk janë zbuluar ende plotësisht.

Mirëpritja e tij nuk ishte rastësi. Zyrtarë të tjerë të lartë, të dënuar nga tribunali i OKB-së, janë kthyer në shtëpi me duartrokitje. Ata flasin në tubime publike, shfaqen në televizionin shtetëror dhe mohojnë krimet për të cilat janë dënuar — teksa gjyqet për krime të luftës në vendin e tyre kanë stagnuar dhe të dyshuarit e nivelit të lartë mbeten të paprekur.

Studentët e guximshëm që protestojnë në Beograd dhe qytete të tjera mund të mos mbajnë pankarta për Srebrenicën ose për varrezat masive të fshehura nën tokën serbe. 

Por revolta e tyre lidhet me të njëjtën të vërtetë: një shtet që mbron rrethin e ngushtë politik është i njëjti shtet që mbron kriminelët e luftës. Një qeveri që varros të vërtetën për të kaluarën nuk mund të besohet se do të sjellë drejtësi të vërtetë, transparencë dhe demokraci të mirëfilltë.

* Fred Abrahams raportoi për Ballkanin në kuadër të organizatës ndërkombëtare jo-qeveritare  “Human Rights Watch” nga viti 1993 deri më 2000. Ai dëshmoi në gjyqet për krimet e luftës kundër Sllobodan Millosheviqit, Vlastimir Gjorgjeviq dhe liderëve të mëhershëm serbë.