OpEd

Problemet demografike në Kosovë janë më të rënda sesa mendohet

Në BE problemet demografike tash e disa vjet janë prioritet. Dhe përkundër masave, problemi është thelluar për shkak të plakjes së popullsisë. Në Kosovë ky problem për të cilin nuk është menduar sa duhet është bërë ekstrem. Kosova ndoshta është i vetmi vend në Evropë ku përkundër natalitetit pozitiv në mënyrë dramatike zvogëlohet numri i banorëve. Me këtë trend Kosova do të bëhet shumë shpejt një shtëpi e të pensionuarve

Edhe pse Kosova është shumë larg Bashkimit Evropian, për arsye të ndryshme, ajo është goditur nga një trend negativ përmes të cilit kalon edhe BE-ja. Por për dallim nga BE-ja që bën plane afatmesme dhe afatgjata për përballje me këtë trend, Kosova nuk ka bërë plane të tilla. Fjala është për sfidat demografike që shpërfaqen përmes plakjes së shpejtë të popullsisë, largimit të madh të të rinjve nga vendi, derdhjen e trurit, dhe si pasojë zvogëlimin e shpejtë të numrit të punëtorëve. Këtë e kanë dëshmuar edhe rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë që treguan se në Kosovë si banorë rezidentë nuk ka as 1,6 milionë. Dhe kjo nuk është shifra e vetme shqetësuese. Në dhjetë vjetët e fundit paralelisht me uljen e numrit të banorëve është rritur edhe mosha mesatare e tyre, ndërsa është rritur edhe numri i objekteve të banimit që janë të zbrazëta.   

Në BE problemet demografike tash e disa vjet janë prioritet. Dhe përkundër masave problemi është thelluar për shkak të plakjes së popullsisë. Në Kosovë ky problem për të cilin nuk është menduar sa duhet është bërë ekstrem. Kosova ndoshta është i vetmi vend në Evropë ku përkundër natalitetit pozitiv në mënyrë dramatike zvogëlohet numri i banorëve. Me këtë trend Kosova do të bëhet shumë shpejt një shtëpi e pensionistëve. Të rinjtë do të vazhdojnë të largohen nga Kosova, numri i lindjeve do të ulet, ndërsa pensionistët nga diaspora gjithnjë e më shumë do të vendosin të kalojnë kohën në Kosovë. Është vendlindja e tyre, dhe në anën tjetër me pensionet nga Gjermania, Zvicra, Belgjika apo Suedia në Kosovë do të kenë një jetë më të mirë sesa që do ta kishin në ato vende ku kanë punuar dhe ku e kanë fituar pensionin. Këto janë fenomene të cilat i kanë përjetuar disa zona në Itali, Greqi, Spanjë dhe Portugali, vende mesdhetare, por për nga standardet e BE-së jo edhe aq të pasura. Jo vetëm se janë kthyer bashkatdhetarët, por kanë ardhur edhe britanikët, gjermanët dhe të tjerët për të kaluar kohën e pensionimit në vendet e ngrohta.        

Sipas parashikimeve, Kosova ka nivelin e lindjeve 14,4 në 1000 banorë, që përkundër uljes dhe dallimit të madh me vendet e Afrikës dhe Azisë e bën Kosovën si vendin me natalitetin më të lartë në Evropë. Në pothuajse të gjitha vendet e BE-së ky nivel është nën 10 bebe për 1000 banorë. Por akoma numri më i madh i lindjeve sesa i vdekjeve në Kosovë në vit nuk ka ndihmuar që të ketë rritje të numrit të banorëve. Kjo kryesisht për shkak të migrimit nga Kosova që ka qenë një trend tash e njëzet vjet. Kjo në afat të gjatë do të jetë një barrë e madhe për Kosovën, sidomos duke pasur parasysh numrin e tepërt të punësuarve në sektorin publik krahasuar me atë privat, dhe rritjen e numrit të pensionistëve dhe kategorive të tjera që varen nga asistenca sociale. E gjithë kjo në kushtet e mosekzistimit të një sistemi efikas të sigurimit shëndetësor të qytetarëve. Në shikim të parë ky fenomen duket i njëjtë me sfidat me të cilat po përballet edhe BE-ja.

Në këtë moment në BE për çdo pensionist janë 2,6 të punësuar. Por në vitin 2050, që nuk është aq larg, pritet që ky raport të jetë 1,6 të punësuar në një pensionist, që do ta bënte sistemin e tashëm të pensioneve në Evropë, që kryesisht bazohet në solidaritetin e gjeneratave, të paqëndrueshëm.

Sipas anketave të Eurostatit, 70% e qytetarëve të BE-së i shohin sfidat demografike si rrezik afatgjatë për ekonominë evropiane. Ndërsa mbi 40 për qind e shohin plakjen e popullsisë si sfidë urgjente. Trendi i tashëm në Evropë do ta vështirësojë problemin e mungesës së fuqisë punëtore, të rrisë presionin ndaj buxhetit publik dhe të ndikojë negativisht në investime dhe produktivitet.

Problemet demografike janë sfidë me të cilat duhet të merren ekspertët, ndërsa politikanët duhet të veprojnë duke mos e keqpërdorur këtë problem për beteja afatshkurta politike, pasi është një sfidë e cila kërkon masa afatgjata.

Evropa e ka një zgjidhje afatshkurtër, sado që jo e popullarizuar të jetë ajo. Vendet e BE-së plakjen e popullsisë, që reflektohet detyrimisht në zvogëlimin e numrit të banorëve të aftë për punë, e kompensojnë me importin e fuqisë punëtore. Kosova në vitet e fundit, sado e vogël, ka dhënë një kontribut të madh për vendet e BE-së duke eksportuar fuqi punëtore. Dhe Kosova ka qenë për BE-në shembull se si mund të sigurohet një imigrim i kontrolluar i fuqisë punëtore në BE.

Në fillim, largimi i të rinjve nga një vend mund të ketë efekte pozitive që mund të përdoren në paraqitjen e të dhënave statistikore. Largimi i tyre ul nivelin e papunësisë, ndihmon në zvogëlimin e obligimeve për asistencë sociale, ndërsa ata përmes remitencave rrisin të ardhurat vendore dhe ndihmojnë konsumin duke rritur edhe ekonominë. Shembulli më drastik për këtë është Kroacia.

Kroacia sot ka njërin prej niveleve më të larta të rritjes ekonomike në Evropë. Dhe ka nivelin më të ulët të papunësisë në histori, që është nën mesataren e Bashkimit Evropian. Sot Kroacia ka vetëm 6 për qind të papunë, ndërsa para dhjetë vjetësh ka pasur 17 për qind. Por kjo rritje e Kroacisë konsiderohet nga ekspertët si “rritje përtej kapaciteteve”, pasi faktorët kryesorë të këtij “suksesi ekonomik” janë të jashtëm. Kroacia të ardhurat kryesore i siguron nga turizmi (pra nga ardhja e të huajve), nga remitencat e diasporës (para që vijnë nga jashtë) dhe nga fondet e mëdha të BE-së përmes politikës së kohezionit dhe planit për rritje dhe rimëkëmbje. Nga këto fonde Kroacia ka përfituar për shtatë vjet më shumë se 12.5 miliardë euro pa nevojë që t’i kthejë. Edhe ulja e papunësisë është rezultat i largimit të të rinjve që kanë shkuar në vendet më të zhvilluara të BE-së. Kjo “mrekulli ekonomike” në Kroaci ka rezultuar me rritjen e rrogave në nivelin mesatar prej 1300 eurosh sa është sot. Që i është afruar shumë mesatares së BE-së.

Por Kroacia ndërkohe ka pësuar një goditje të rëndë demografike. Për dhjetë vjet ka humbur gjysmë milioni banorë. Kur kishte nisur negociatat e anëtarësimit, Kroacia kishte 4.4 milionë banorë, ndërsa sot i ka vetëm 3.8 milionë. Në këtë periudhë Irlanda për shembull nga 4.4 milionë në vitin 2004 është rritur në 5.5 milionë banorë. Pra, Irlanda që kishte numrin përafërsisht të njëjtë të banorëve me Kroacinë para 20 vjetësh, sot ka 1.7 milionë banorë më shumë. Irlanda ndërkohë sot, pas Luksemburgut, është shteti më i pasur në Evropë për nga Bruto Prodhimi Vendor për kokë banori. Ky është rezultat i migrimit pozitiv në Irlandë, dhe atij negativ në Kroaci. Irlanda mund të jetë edhe shembull pozitiv, sepse irlandezët janë ndoshta krahas hebrenjve kombi historikisht më i goditur nga emigrimi. Supozohet se jashtë Irlandës ka 10 herë më shumë irlandezë (me prejardhje) sesa në Irlandë. Pra, diku rreth 55 milionë njerëz me prejardhje nga Irlanda jetojnë jashtë vendit të tyre amë, më së shumti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tash Irlanda është vendi i preferuar për ardhjen e emigranteve. 

Dhe pikërisht Irlanda ka qenë destinacioni i parë për të rinjtë nga Kroacia, të cilët pas anëtarësimit të këtij vendi në BE u larguan nga vendi i tyre.

Por është gabim që për këtë të fajësohet anëtarësimi në BE. Ky anëtarësim vetëm e ka bërë më të barabartë dhe më njerëzor largimin, duke përdorur të drejtën e lirisë së lëvizjes së punëtorëve në tregun unik. Sikur është gabim që në Kosovë të fajësohet liberalizimi i vizave për largimin e madh të të rinjve. Nga Kroacia njerëzit janë larguar edhe para anëtarësimit të këtij vendi në BE, ndërsa nga Kosova janë larguar edhe para heqjes së vizave. Si destinacion i preferuar i kosovarëve ka qenë edhe Kroacia, ku supozohet se në tre vjetët e fundit me leje pune kanë shkuar rreth 20.000 kosovarë. Dhe kanë qenë të mirëpritur, sepse ata kanë zënë vendet e punës që kishin mbetur bosh pas largimit masiv të kroatëve. Tashmë nuk ka as kosovarë që duan dhe mund të shkojnë në Kroaci, dhe fuqia punëtore në këtë vend vjen nga vendet si Filipinet, Nepali, India dhe Bangladeshi. Këto janë trende të pandalshme, sepse në tërë botën ka lëvizje të punëtorëve drejt vendeve ku të ardhurat janë më të larta. Me qindra mijëra gjermanë dhe francezë punojnë në Luksemburg e Zvicër ku janë të ardhurat më të larta.

Por Kosova duhet që tash, me urgjencë, të adresojë problemet demografike që po shihen sot dhe pasojat në ekonomi, me të cilat do të përballet në vitet në vijim.