BE-ja mund të pohojë se në dialog është “neutrale”, por ajo nuk është neutrale ndaj Kosovës dhe Serbisë. Sepse Serbinë e konsideron si shtet e Kosovën jo. Kjo dëshmohet edhe me “hartat zyrtare të BE-së”, ku kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk konsiderohet si kufi ndërshtetëror. Kohëzgjatja e dialogut deri tash dhe pohimet se “nuk do të ketë afate artificiale kohore” dëshmojnë se as për BE-në dialogu nuk është ndonjë prioritet i madh. Dhe ndaj Serbisë nuk ka presion për ta njohur Kosovën, së paku jo nga BE-ja. Prandaj dialogu, prioritet apo jo, do të zgjasë edhe shumë vjet
Në Kosovë është bërë zakon që të entuziazmohen kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaron se “pret presion të madh ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën”. Nuk janë mësuar ende me lojërat e Vuçiqit, që i bën me shumë sukses për opinionin e brendshëm. Ndaj Serbisë nuk ka dhe nuk duket se do të ketë së shpejti ndonjë presion për ta njohur Kosovën. Kur ai flet për “presione të tmerrshme ndaj Serbisë”, e bën këtë qëllimisht për të thënë më pastaj se ai “u bëri ballë të gjitha presioneve me sukses”. Fjala presion nënkupton kërkesa të prera me përmendjen e pasojave se çfarë do të ndodhë nëse ato nuk përmbushen. Presion për shembull Shtetet e Bashkuara i bënë Kosovës përmes ambasadorit Grenell, duke kërcënuar me ndaljen e fondeve investive për vendet më të pazhvilluara të botës, në kuadrin e një nisme amerikane. Presion është ajo që BE-ja i bëri Kosovës për të ratifikuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi sepse, në të kundërtën, nuk do të liberalizoheshin vizat. Vizat në fund nuk u liberalizuan, as pas përmbushjes së këtij kushti “të fundit”. Presion ishte kur Kosovës iu tha ta bekojë Gjykatën Speciale për gjykimet e krimeve të supozuara të UÇK-së, pra një gjykatë “kosovare”, ku kosovarët do të jenë vetëm të akuzuarit.
Ndaj Serbisë asnjëherë nuk ka pasur presione për ta njohur Kosovën. Po të kishte, ndoshta edhe Serbia do ta kishte më lehtë ta njihte Kosovën. Do të thoshin “nuk kishim rrugëdalje tjetër”. Kështu, duke shprehur mirëkuptim ndaj Serbisë, ajo ndihet shumë e sigurt në kundërshtimin e Kosovës dhe inkurajohet të vazhdojë me këtë qëndrim. Shtetet që nuk e njohën Kosovën i dhanë një argument të madh Serbisë. Shumë prej atyre që e njohën Kosovën u shprehën se “e kuptojnë qëndrimin e Serbisë”.
Është e vërtetë se aty-këtu Serbisë i thuhet se epilogu i dialogut për normalizimin e raporteve me Kosovën duhet të jetë njohja e ndërsjellët. Por, kjo asnjëherë nuk është parashtruar si kërkesë në formën e presionit. Sidomos jo nga Bashkimi Evropian, i cili vazhdon ta inkurajojë Serbinë në qëndrimin e saj, duke mos e pranuar as vetë Kosovën si shtet. Vërtet se në BE vendimet në politikën e jashtme dhe të sigurisë miratohen me konsensus të të gjitha shteteve anëtare. Pra, me këtë formë jodemokratike fiton gjithmonë pakica, ajo që është kundër. Ekuacioni është se “nëse 22 vende e njohin Kosovën si shtet e 5 nuk e njohin, fitues janë 5 vende dhe Kosova për BE-në nuk është shtet”. Ky qëndrim i BE-së ka qenë konsistent që nga viti 2007. Jo 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, por 2007 kur BE-ja nuk arriti të krijojë qëndrim unik për ta mbështetur Pakon e Ahtisaarit. Që prej atëherë, Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia iu bashkuan qëndrimit të Rusisë e jo të shumicës së BE-së. Kohëve të fundit, kur shumica e madhe e zyrtarëve në BE që merren me çështjen e dialogut vinë nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ky qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës është bërë më i qartë, por nuk është qëndrim i ri. E si mund të besohet se presion Serbisë për ta njohur Kosovën i bën dikush që vetë nuk e ka njohur dhe vazhdon të mos e njohë? Ky qëndrim nuk është më “status neutral”, por “status negativ”. Zëdhënësi i BE-së tash thotë se “BE-ja nuk ka qëndrim ndaj statusit të Kosovës”, e nganjëherë nga BE-ja dëgjojmë se “BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit”. As kjo nuk është e qartë, sepse këto dy pohime dallojnë. Njëri do të nënkuptonte se BE-ja mendon se Kosova ka status, por BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit. E tjetri është se BE-ja nuk ka fare qëndrim ndaj statusit. Pra, për BE-në, Kosova as që ka status. Kjo shkon kundër shumicës së madhe në BE, e cila në rastin e Kosovës është bërë një “shumicë e heshtur” dhe rolin kryesor e kanë marrë shtetet që nuk e njohin Kosovën. Me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja, heshtja e shteteve që ta promovojnë Kosovën si shtet është rritur edhe më. Të gjitha veprimet e BE-së duhet t’u përshtaten nevojave të shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe Serbinë, që nga hartat e deri te përdorimi i termeve në dokumente.
Të presësh që Serbia ta njohë Kosovën, e pastaj këtë ta bëjnë shtetet e tjera, është t’i japësh Serbisë të drejtë vetoje. E në këto rrethana nuk mund të pritet arritja e një marrëveshjeje së shpejti. E kur nuk pritet marrëveshja në një kohë të shkurtër, nuk mund të thuhet se kjo çështje po shihet me prioritet. Sepse diçka që do të ishte prioritet nuk do të zgjaste më shumë se dhjetë vjet.
BE-ja mund të pohojë se në dialog është “neutrale”, por ajo nuk është neutrale ndaj Kosovës dhe Serbisë. Sepse Serbinë e konsideron si shtet e Kosovën jo. Kjo dëshmohet edhe me “hartat zyrtare të BE-së”, ku kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk konsiderohet si kufi ndërshtetëror. Kohëzgjatja e dialogut deri tash dhe pohimet se “nuk do të ketë afate artificiale kohore” dëshmojnë se as për BE-në dialogu nuk është ndonjë prioritet i madh. Dhe ndaj Serbisë nuk ka presion për ta njohur Kosovën, së paku jo nga BE-ja. Prandaj dialogu, prioritet apo jo, do të zgjasë edhe shumë vjet.
Ka të drejtë presidenti i Serbisë kur thotë se “është tallje të përdoret termi njohje e ndërsjellët”, sepse, sipas tij, “Serbia nuk ka nevojë për njohje nga Kosova”. Ndoshta kjo mund të ndryshojë me aplikimin e një reciprociteti të vërtetë nga ana e Kosovës. Ndoshta atëherë Serbia do të kishte nevojë për njohje edhe nga Kosova, qoftë ajo nevojë e madhe apo e vogël. Por, në kushtet e tashme, me mungesën e ndonjë vizioni nga ana e BE-së, e cila herë paralajmëron “marrëveshje të shpejtë”, herë “nuk do afate artificiale kohore”, e herë kërkon “zgjidhje inovative”, nuk shihet ndonjë marrëveshje në horizont.
Nëse zgjidhja duhet të nënkuptojë njohjen e Kosovës nga Serbia, e kjo do të duhej të nënkuptohej, nëse kjo njohje nuk kërkohet me urgjencë, atëherë nuk do të ketë marrëveshje. Nëse BE-ja mendon se “progresi në rrugën përkatëse evropiane” është “presion”, atëherë BE-ja po tallet me të gjithë, edhe me vetveten. Nëse ky kusht do të vendoset para Serbisë për t’u anëtarësuar në BE, atëherë paraqitja e këtij kushti na pret diku pas dhjetë vjetësh. Prandaj, Kosova nuk e ka luksin që ta trajtojë dialogun si prioritet, ndonëse nuk mund t’u ikë obligimeve që të marrë pjesë në të.