OpEd

Princat me pincetë

Para pak ditësh princat e “shoqërisë civile” u mblodhën në Prishtinë, në një hotel privat, për të folur për Universitetin Publik! U mblodhën në hotelin e pronarit, i cili si një obskurant, kampusin universitar të Prishtinës planifikon ta shndërrojë në hapësirë fetare - thua se është shekulli i njëmbëdhjetë e jo njëzet e një! U mblodhën në Ditën e Alfabetit zyrtar, për ta paraqitur Universitetin e Prishtinës si burim të analfabetizmit funksional!

Universiteti i Prishtinës prej themelimit të vet e këndej është ballafaquar me sfida e ndërskamca të llojllojshme. Pushtetet e ndryshme disa herë kanë provuar që këtë Universitet ta vënë në pranga për ta penguar zhvillimin, për ta dështuar misionin dhe mjegulluar vizionin. Ato patën përdorur etiketa të ndryshme për të: pushteti serb fillimisht e pati quajtur “top” ose “artileri në duart e shqiptarëve”, e pastaj “çerdhe e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”. Shqiptarët, nga ana tjetër, duke e tjetërsuar prej rolit të tij të vërtetë, e idealizonin dhe mitizonin duke i thënë “simbol i shtetësisë së Kosovës”, “tempull i dijes” ose “i shenjtë”. Veç kësaj, Universiteti disa herë e pati ndërruar edhe emrin e vet: fillimisht quhej Universitet i Prishtinës, pastaj i Kosovës, dikur përsëri i Prishtinës dhe tash “Hasan Prishtina”. Të gjitha këto etiketa dhe emra u vunë vetëm brenda katër dekadave. Kjo flet për shtrëngesat ideologjike që i ka pasur në krye ky Universitet, për prangat që i ka pasur në duar dhe për barrën që e ka bartur mbi supe. Kjo flet për dëshirën që forcat e ndryshme politike dhe ideologjike ta fusin në dorë dhe ta kontrollojnë atë, dikur duke e kërcënuar dhe dënuar, pastaj duke e politizuar dhe mitizuar, e tash duke monitoruar dhe vlerësuar.

Kjo që së fundmi po e bën “shoqëria civile”, duke e atakuar nervin qendror të Universitetit – dinjitetin dhe kredibilitetin akademik, është po aq e dëmshme sa ajo që ia ka bërë politika serbe e paraluftës, e fatkeqësisht edhe politika shqiptare e pasluftës. Ajo që tashmë njihet si “politizim” ose “partizim”, është vetëm fytyra tjetër e asaj që tash mund t’i themi “ojëqëizim”. Ajo që pushteti totalitar e quante “përcjellje” ose “vëzhgim” të profesorëve, është vetëm fytyra tjetër e asaj që sot “shoqëria civile” e quan “monitorim”; ajo që atëherë quhej “dosje” ose “raportim në bazë” është fytyra tjetër e asaj që sot quhet “publikim” ose “prezantim publik”. Domethënë kanë ndërruar pushtetet dhe veglat e tyre, por qëllimi ka mbetur i njëjtë: kontrolli, ndëshkimi, disiplinimi dhe linçimi i profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Shtrohet pyetja: ku është përgjegjësia akademike, ligjore dhe institucionale e këtij Universiteti? A ka ligj dhe organe drejtuese në Universitet apo duhet që “ojëqëtë” të kontrollojnë respektimin e punës dhe detyrave, të vendosin rendin, kriterin dhe standardin akademik? A duhet që “ojëqëtë” të na tregojnë se çka është punë shkencore e çka nuk është; se kush duhet të avancohet e kush jo? A ka frymë akademike këtu, a ka liri, përgjegjësi dhe guxim intelektual në këtë Universitet?

Negativizmi i kësaj “shoqërie civile”, siç u pa nga tubimi në hotelin privat, s’ka fund! Ajo sheh në Universitet veç zi e terr: sheh plagjiaturë, shitblerje diplomash, keqpërdorim postesh, injorancë, dembeli, pseudoshkencë… Për fat të keq, nuk është se nuk ndodhin të gjitha këto marrëzi dhe nuk është se kanë marrë dënimin e merituar abuzuesit e ndryshëm. Por jo vetëm fatmirësisht, por edhe normalisht dhe domosdo në Universitetin e Prishtinës ndodhin edhe gjëra të mira: qindra profesorë dhe mijëra studentë punojnë dhe studiojnë ndershëm; qindra profesorë dhe mijëra studentë zhvillojnë dijen profesionale dhe shkathtësitë e tyre hulumtuese në pajtim me standardet shkencore dhe akademike. Kjo nuk është kurrfarë mrekullie, por thjesht është punë normale, është ajo që pritet prej një Universiteti. Kjo punë e mirë nuk i intereson kësaj “shoqërie civile”, e cila monitoron tinëz, hulumton me metodologji të gabuar, vlerëson në mënyrë paushalle, debaton kot dhe publikon të pavërteta, pa fije turpi, pa fije kompetence profesionale, pa të drejtë morale, pa objektivitet dhe paanësi reale. Qëllimi i saj nuk është transformimi dhe reforma, as përmirësimi i cilësisë, por shfrytëzimi i atyre fondeve të ndara enkas për diskreditimin e UP-së, për rënien, rrënimin, e në fund mbylljen dhe pastaj rithemelimin e një UP-je tjetër, ku natyrisht se princat do të bëheshin mbretër. Princat e “shoqërisë civile” e shikojnë Universitetin e Prishtinës me llupë e me pincetë, sepse në fatkeqësinë e tij e shohin fatin e vet; në rënien e tij e shohin ngritjen e vet; në turpin e tij e shohin famën e vet.

Keq për Rektoratin dhe menaxhmentin e UP-së që po bashkëpunon me këta obskurantë! Keq edhe për mediat që u japin kaq shumë hapësirë këtyre çnjohësve të arsimit, këtyre mosmirënjohësve që marrin ose kanë marrë diploma prej këtij Universiteti, ndërkohë që flasin zi e terr për të! Unë besoj në shoqërinë civile të Kosovës, në aktivistët, në ekspertët e saj, në punën dhe projektet e saj. Besoj në mijëra të rinj e të reja që e duan një Universitet më të mirë, që angazhohen për një Kosovë më të mirë, për një të tashme dhe të ardhme më të mirë. Besoj në shoqërinë civile, por jo në “kapësit” e saj, jo në princat me pincetë, që marrin fonde për ta fundosur këtë Universitet; për të fundosur mundësitë e zhvillimit dhe bashkëpunimit të tij me partnerë lokalë dhe ndërkombëtarë; për të fundosur shpresat dhe dëshirat, vullnetin dhe idealet, mundin dhe sukseset shumëvjeçare të studentëve dhe profesorëve të brezave të shkuar dhe të tashëm.

Unë shpresoj se Universiteti i Prishtinës do ta nxjerrë vetveten prej kësaj krize dhe amullie në të cilën ka rënë, pak me fajin e vet e pak me të tjerëve. Unë besoj se Universiteti, me gjithë këto përpjekje të planifikuara mirë për ta diskredituar dhe përbaltur atë, do ta tregojë fytyrën dhe vlerën e tij të vërtetë – lirinë dhe përgjegjësinë akademike dhe intelektuale. Unë besoj se Universiteti do të vazhdojë të punojë pa u trembur prej askujt, në realizimin e misionit dhe vizionit të vet; do të vazhdojë rrugën e vet të zhvillimit dhe avancimit me resurset e veta, me dijen, vullnetin dhe guximin e vet. E princat me pincetë nuk meritojnë veçse një “Sancta Simplicitas!”.

(Autori është profesor në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së)